A.Bardhi: Kronologji e shkurtër e zhvillimeve socio-kulturore në Ulqin gjatë periudhës osmane

 

Ali B.Kalaja e Ulqinit dhe varoshi i saj ka qenë e banuar pandërprerje që nga kohët e lashta e deri në ditët e sotme. Nëse flasim për shtrirjen e vendbanimeve dhe objekteve të Ulqinit gjatë historisë do të shohim se ato janë të ndërlidhura ngusht me gjendjen politiko-ekonomike të tij. Duke mos dashur që të hyj në historinë e lashtë të Ulqinit, do të mundohem që të trajtoj kronologjinë kulturore-historike përgjatë periudhës osmane.

Burimet historike tregojnë se Kalaja e Ulqinit kaloi nga venedikasit nën sundimin e osmanëve në vitin 1571, ku Venediku e ka mbajtur për 150 vjet. Edhe pasi u vendos pushteti osman në Ulqin, sulmet e shpeshta të Venedikut dhe të tjerëve për ta rimarrë Ulqinin do të zgjasin deri në vitin 1719, kur u nënshkrua Paqja e Pozharevcit.

Pas kësaj paqeje, Ulqini arrin qetësinë e shumëpritur dhe nga qyteza do të shndërrohet në një qytet. Zhvillimin e qytetit e shohim në atë që udhëpërshkruesi i shek. XVII, Evlija Çelebiu, na rrëfen për 20 anijet që posedonte limani i Ulqinit, ndërkaq rreth dy shekuj më pas Xhevdet Pasha pohon se Ulqini posedonte 80 anije tregtare. Kjo gjë mund të vërehet edhe nga hartat e Venedikut të shekujve XV-XVI për Kalanë e Ulqinit dhe rrethinën e saj, nga ku shihen qartë vendbanimet brenda kalasë dhe varoshit, ndërsa rrethi i tij ishte pothuajse i pabanuar. Kështu në hartat e Venedikut të shek. XV-XVI shihen edhe disa objekte brenda kalasë, kurse jashtë saj nuk kemi objekte të tilla deri në fillim të shek. XVII-XVIII, kur fillon periudha e artë e Ulqinit.

Në dokumentacionin osman për pjesën urbane të qytetit të Ulqinit vërejmë se në fundin e shekullit XVI dhe fillim të shekullit XVII janë të cekura mëhallët brenda Kalasë së Ulqinit si, Mëhalla e Çezmes së Madhe, Iç kale – Kalaja e brendshme, Kalaja e Poshtme (Kala-i Zir) së bashku me varoshin e saj, Mëhalla e Ranës, e duke u shtrirë në drejtim të kundërt të kalasë.

Kurse nga shek. XVII dhe fillimi i shek. XVIII qyteti i Ulqinit fiton një shtrirje më të gjerë të vendbanimeve, ku me theks të veçantë kemi ndërtimin e objekteve kulturoro-historike, si: Xhamia e Pashës me hamam dhe Kronin e Pashës, Xhamia e Meterizit, Xhamia e Lamit në Mëhallën e Re etj., tyrbet, teqetë – Teqeja e Madhe në mëhallën e Ranës, mektebet-shkollat, medresetë, çezmat etj. e deri tek objektet rezidenciale si Shtëpia e Pashës.

Duke filluar nga mesi i shekullit XVIII, qyteti – kasabaja e Ulqinit kishte arritur lulëzimin e vet si rezultat i mirëqenies sociale-ekonomike të krijuar në shtetin osman, duke u zgjeruar dhe forcuar mjaft, dhe për këtë lindi nevoja për ndërtimin e një administrate të re në mes të Çarshisë për t’u përgjigjur kërkesave të reja të qytetarëve të saj. Si rrjedhojë e kësaj, në mes të Çarshisë së Ulqinit filluan të ndërtohen disa objekte, që pas një kohe u bë kompleks. Ky kompleks përmban Xhaminë e Namazgjasë, Mehqemen-Gjykatën, Sahatkullën, dyqanet e vakëfit me çarshinë dhe Beledien.

Në kuadrin e këtij kompleksi ka qenë e ndërtuar edhe Beledia e Ulqinit. Fjala “beledie” rrjedh nga gjuha arabe, nga “beled” që d.m.th. vend, qytet, krahinë dhe që ka hyrë në administratën osmane si fjalë Beledie që nënkupton komunën, bashkinë.

Duke marrë parasysh periudhën e ndërtimit të këtij kompleksi dhe në anën tjetër krijimin e marrëdhënieve të mira të kazasë së Ulqinit me sanxhakun (pashallëkun) e Shkodrës, lë për të kuptuar se fillimi i ndërtimit të këtij kompleksi të ketë filluar të ndërtohen nga periudha e vendosjes së administratës së Bushatlijve në Ulqin e duke u plotësuar edhe më pas sipas nevojave dhe reformave në sistemin administrativ të shtetit osman.

Në periudhën klasike osmane, kazaja udhëhiqej nga Kadiu. Subashi mbante sigurinë e vendit, kurse kadiu drejtësinë. Ky sistem do të zgjasë deri në Tanzimat, konkretisht deri në vitin 1855, kur u bë organizimi i ri lokal, i quajtur “şehremaneti”, që kryente punët e beledies duke iu referuar rregullimit të ndarjes administrative lokale në Francë. Janë bërë në mënyrë të vazhdueshme reforma administrative, por me rregulloren e vitit 1868, për të parën herë beledia ka filluar punën e vet në kryeqytet, Stamboll. Me shpalljen e Kushtetutës së Parë Osmane të vitit 1876, konkretisht një vit më pas, ka filluar aplikimi i sistemit të beledies edhe në rrethe të tjera. Kurse ndërtimet e shumë beledieve në sanxhaqe e kaza janë realizuar në vitin 1871 kur Abdyl-Hamidi II ka hyrë në fron.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi

Intervista e parë e kryetarit Omer Bajraktari: GJENDJA NË KOMUNË, VIZIONI I ZHVILLIMIT, PLANET…