Friday , February 22 2019
Lajmi i fundit

A. Bardhi: XHAMIA NË RANË E IBRAHIM PASHË BUSHATLLIUT

Ali BardhiDuke shfletuar Arkivin e Bashkësisë Islame të Ulqinit të bien në sy shumë dokumenta të ndryshme zyrtare në osmanisht, shumica e të cilëve përfshijnë periudhën e pas vendosjes së sundimit malazez në Ulqin, pasi arkivi i mëparshëm u shkatërrua nga rënia e zjarrit. Nga dokumentacioni që posedojmë, dalin në pah emrat e nëntë xhamive brenda qytetit të Ulqinit, duke filluar me Xhaminë e Kalasë apo Qendrore, Xhaminë e Çeshmes së Pashës apo Paşa Çeşme Camii, Mahallës së Re apo Lamit, ajo e Bregut apo Sukës, Kryepazarit apo Çarşı Başı, Merasë së Poshtme, Namazgjahut, Meterizit dhe në fund Xhaminë e Ranës. Këtë të fundit, në këtë artikull, do ta trajtojmë mbi bazën e disa dokumentave të gjetura në këtë arkiv.

Në një artikull të botuar më parë në lidhje me themelet e para të xhamisë në mahallën e Ranës, kemi cekur tri hipotezat e mundshme mbi themelet e para të saj, nga ku kemi bërë një ndërlidhje ndërmjet tyre në mënyrë që të jepet një mendim sa më i përafërt dhe i qëndrueshëm për themelet e para të kësaj xhamie, pasi në ato momente nuk posedonim dokumente të mjaftueshme për të konkluduar më saktësisht mbi të vërtetën e saj. Në atë artikull kemi pohuar se themelet e kësaj xhamie mund të datojnë që në kohën e kontakteve të para me muslimanët apo me osmanët në periudhën e vasalitetit ndaj osmanlive, në kohën e Gjergjit II dhe Ballshës III, gjegjësisht periudhës para rënies përfundimtare të Ulqinit nën sundimin e Osmanlive (1571). Dhe në fund, mbi këto themele, ku si fillim mund të kenë qenë në përmasa më të vogla, dhe më pas xhamia mund të ketë kulmuar me rindërtimin edhe njëherë të saj nga ana e Ibrahim Pashë Shkodrës-Bushatllive (1797-1809), nga e cila e mori edhe emrin. Thënë ndryshe, themelet e saj mund të kenë datuar shumë më përpara pashasë së Shkodrës, siç edhe flitet, dhe ndërtimin përfundimtar mund ta ketë arritur në kohën e sundimit të tij. Megjithatë, e gjithë kjo mbetet në shkallë hipoteze. Gjithashtu kemi pohuar se deri më tani, për dy hipotezat e para nuk kemi burime të shkruara historike, ndërsa për hipotezën e tretë kemi thënë se posedojmë një dokument nga Arkivi Osman i Kryeministrisë në Stamboll, i cili tregon për ekzistencën e një xhamie në Ulqin, e ndërtuar nga Ibrahim Pashë Shkodra, nga i cili e merr edhe emrin, por se e kemi pasur të vështirë që të konstatojmë me saktësi se kjo xhami të ketë qenë ajo në Ranë. Në këtë kuptim në bazë të dokumentacionit të gjetur në arkiv na rezulton se xhamia e Ranës është ndërtuar nga Ibrahim Pashë Bushatlliu (Në artikullin e botuar në revisten Elif, Podgoricë, viti XIII nr. 69, Prill, 2013. Fq, 63-65, dhe në Koha Javore, Podgoricë, 16 maj dhe 23 maj, 2013, viti X, nr. 566-567, kemi parashtruar tri hipoteza të mundshme rreth themeleve të para dhe ndërtimit të xhamisë në mahallën e Ranës. Hipoteza e tretë është dhënë edhe nga publicisti Mustafa Canka i cili duke ju referuar dokumentit të arkivit-BOA në Stamboll për ekzistencën e xhamisë së Ibrahim Pashë Shkodrës në qytetin e Ulqinit, ka përcaktuar vëndodhjen e saj në Mahallën e Ranës. Shih, Mustafa Canka, Ulqini në Perandorinë Osmane, fq. 175-176, Ulqin, 2012).

Kurse në këtë artikull do të hedhim më shumë dritë mbi emrin dhe ndërtuesin e kësaj xhamie duke ju referuar shumë dokumentave të Arkivit të Bashkësisë Islame të Ulqinit.

Ekzistojnë një sërë dokumentash të periudhës pas Osmane që dëshmojnë se xhamia në Mahallën e Ranës është quajtur si Kum apo Kumluk Camii, që në gjuhën shqipe d.m.th. Xhamia e Ranës. Kurse xhamia tjetër e njohur aktualisht me emrin “Xhamia e Ali Pashës” asnjëherë nuk është quajtur me emrin Xhamia e Ranës, por si “Xhamia e Çeshmes së Pashës” apo “Paşa Çeşme Camii”, dhe sipas dokumentacionit të këtij arkivi tregohet qartë se figurojnë në të njëjtën kohë si të veçuara të dyja këto xhami me emrat “Xhamia e Ranës” dhe “Xhamia e Pashës së Çeshmes” duke hequr dyshimet ose pretendimet se xhamia e Ali Pashës të jetë quajtur Xhamia e Ranës.

Në këtë arkiv ekzistojnë edhe shumë fletë regjistrash ku jepen emrat e fiseve, kryefamiljarët së bashku me numrin e anëtarëve të familjes që banonin në këtë mahallë, edhe që ishin anëtarë të kësaj xhamie, ku edhe këtu del në pah emri i vërtetë i kësaj xhamie si “Xhamia e Ranës”. Po i njëjti emër vërehet edhe në fletëpagesat e pagave të imamit, muezinit, mytevelisë apo në të hyrat dhe shpenzimet tjera që kanë të bëjnë me këtë xhami. Nga këto dokumente del në pah edhe mektebi, vakëfi me të ardhurat e veta, si edhe emrat e disa prej imamëve, muezinëve e mytevelive të saj.

Duke iu referuar një dokumenti në osmanisht, të gjetur në Arkivin e Bashkësisë Islame të Ulqinit mbi të hyrat dhe shpenzimet e xhamisë së Ranës për vitin 1330 rumi / 1914, mund të bëhet lidhshmeria me hipotezën e tretë të artikullit të mëparshëm, të cilën e kemi bazuar në një dokument të Arkivit Osman të Kryeministrisë në Stamboll, nga ku kemi thënë se në Ulqin ishte ndërtuar një xhami nga ana e Ibrahim Pashë Shkodës nga i cili e mori edhe emrin, dhe se në shërbim të saj të ketë lënë si vakëf edhe katër magazina në Shkodër.

Nga ky dokument vërtetohet se xhamia në mahallën e Ranës është quajtur “Xhamia e Ranës” dhe në pronësi (vakëf) të saj ka pasur dyqanin dhe magazinën në Ulqin me të ardhura prej 45,00 florinta, shtëpinë (hane) e dhënë me qera në shumën 30,00 florinta, si edhe qeratë e marra nga magazinat në Shkodër me vlerë prej 527,60 florinta apo 56 napolona. Nga kjo rezulton se të hyrat e përgjithshme arrijnë 602,60 florinta. Kurse sa i përket shpenzimeve për këtë vit, në total ato kanë qënë 425,00 florinta, nga ku për restaurimin e dyqanit janë shpenzuar 65,00 florinta; imami ka marrë 200,00 florinta për faljen e pesë kohëve të namazit të ditës, faljen e xhumasë dhe bajrameve, si edhe ligjëratën-hitabetin dhe leximin e tri hatmeve; muezini ka marrë 100,00 florinta për detyrën e muezinit gjatë pesë kohëve të namazeve të ditës dhe të xhumasë; ndërsa mësuesi-muallimi ka marrë 45,00 florinta për mësimdhënie dhe leximin e një hatmeje si edhe të interesuarit e tij për mbledhjen e qerasë së dyqanit dhe magazinave të vakëfit të xhamisë; kurse myteveliu ka marrë 15,00 florinta për mbikëqyrjen e vakëfit.

Po në të njëjtin dokument theksohet se imami i xhamisë e ka pasur për detyrë që për çdo vit në muajin Rexhep, Shaban dhe Ramazan, të këndojë nga një hatme për shpirtin e Ibrahim Pashës dhe vëllait të tij Mahmud Pashë Bushatlliut. Edhe muezini i xhamisë e ka pasur për detyrë që të bëjë lutje për shpirtin e Ibrahim Pashë Shkodrës. Po ashtu edhe muallimi-mesuesi i shkollës-mektebit të kësaj xhamie e ka pasur për detyrë që pa pagesë të lexojë një hatme për shpirtin e ndërtuesit të këtij hajrati, Ibrahim Pashës dhe vëllait të tij Mahmut Pashë Shkodrës gjatë muajit të Ramazanit dhe ta përmbyllë atë në Natën e Kadrit. Dhe në fund të faqes së këtij dokumenti theksohet se ai është përpiluar në shtëpinë e Myftisë, më 29 maj, 1330 rumi / 1914.

Edhe në një faqe të një regjistri (defteri) mbi të hyrat dhe shpenzimet e vakëfeve të xhamive të Ulqinit, që ruhet në Arkivin e Bashkësisë Islame Ulqin, të datës 1 teşrin-i evvel, 1300 (Rumi) / 13 tetor 1884, jepen të ardhurat e xhamisë së Ranës nga ku tregohet ekzistenca e katër magazinave në çarshinë e Shkodrës, të lëna vakëf prej Ibrahim Pashës.

Duke qenë se dokumentat në fjalë për ndërtimin e xhamisë së Ibrahim Pashë Shkodrës nxjerrin në pah se kësaj xhamie i janë lënë vakëf katër magazinat në Shkodër, mund të pohohet se pikërisht kjo xhami e ndërtuar nga Ibrahim Pasha bën fjalë për xhaminë e Ranës, pasi sipas dokumentave xhamia e Ranës ka pasur vakëf katër magazinat në Shkodër. Në këtë mënyrë vërtetohet se xhamia e Ranës është ndërtuar nga Ibrahim Pasha, nga i cili e ka marrë edhe emrin, si dhe për të kujtuar këtë kontribut dhe hajratin e tij, imami, muezini e muallimi për nder të figurës së tij i lexonin hatme dhe lutje.

Nga ky dhe shumë dokumenta të tjerë, të gjetur në Arkivin e Bashkësisë Islame të Ulqinit, mund të vërtetohet dhe të konstatohet se xhamia në mahallën e Ranës është quajtur “Xhamia e Ranës – Kumluk Camii” dhe se u ndërtua nga Ibrahim Pashë Shkodra, pasi në dokumentin e cekur më sipër në lidhje me buxhetin e kësaj xhamie për vitin 1914 tregohet se janë lexuar hatme nga Kur’ani dhe janë bërë lutje për ndërtuesin e hajratit të xhamisë, Ibrahim Pashën dhe Mahmud Pashë Shkodrën. Për këtë arsye, deri tani mund të argumentohet dhe saktësohet pa ndonjë vështirësi vetëm hipoteza e tretë, e cekur në artikullin e mëparshëm. (Deri tani nga tri hipotezat e cekura në artikullin e mëparshëm kemi arritur që të vërtetojmë vetëm të tretën, për të cilën tashmë lirisht mund të pohohet se xhamia në Ranë është ajo e Ibrahim Pashë Shkodrës. Por duhen bërë hulumtime të mëtejshme për dy hipotezat e para, qoftë edhe nëpërmjet rigërmimeve arkeologjike, pasi kemi thënë se kjo xhami mund të jetë ndërtuar mbi themelet e një xhamie të mëparshme, qoftë edhe pa minaret, siç edhe flitet, dhe se në atë kohë nuk janë bërë gërmime më të thella për të parë me saktësi nëse ekzistojnë themelet e vjetra, por janë mjaftuar vetëm me gjetjen e themeleve të xhamisë. Por deri më tani, në bazë të dokumentave kemi vërtetuar se kjo xhami është ndërtuar nga Ibrahim Pasha, dhe se në dokumentin e Arkivit të Kryeministrisë në Stamboll tekstualisht thuhet: “Işkodralı merhȗm Ibrahim Paşȃ hayatta iken Űlgűn`de kendi hesabına inşȃ ve…” që d.m.th. “I mëshiruari Ibrahim Pashë Shkodra, sa ishte gjallë me shpenzimet e veta ndërtoi në Ulqin xhaminë…” Shih. BOA (Arkivi Osman i Kryeministrisë), HR.TO. 49/5. Nga kjo na rezulton se nuk kemi të bëjmë me ndërtim rishtazi të xhamisë nga ana e tij, pasi në këso rastesh do të duhej të përdoreshin fjalët “tamir” apo “műceddiden inşa”, që d.m.th. restaurim apo rindërtim, çka tregon se ndërtuesi i parë i saj të ketë qenë vetëm Ibrahim Pashë Shkodra-Bushatlliu. Por pavarësisht kësaj, mbetet për t’u dokumentuar dhe vërtetuar nëse ndërtimi i kësaj xhamie është bërë mbi themelet e mëparshme.)

Si përfundim, mund të pohohet se xhamia në mahallën e Ranës është ndërtuar nga Ibrahim Pashë Shkodra, nga i cili e mori edhe emrin duke u quajtur në fillim “Xhamia e Ibrahim Pashë Shkodrës – İşkodralı Ibrahim Paşa Camii”, por më pas ka shumë gjasa që ky emër të mos jetë përmendur më, pasi në të gjithë dokumentacionin e shfletuar në Arkivin e Bashkësisë Islame të Ulqinit ndeshet vetëm emri “Xhamia e Ranës”. Siç shihet, është e njëjta situatë sikurse argumentohet nga shumë dokumenta të Arkivit Osman të Kryeministrisë në Stamboll se xhamia në Kalanë e Ulqinit në fillim u quajt Xhamia e Sulltan Selimit dhe më pas u transformua në emrin e ri, Xhamia e Kalasë. E njëjta gjë mund të pohohet se ka ndodhur edhe me emrin e xhamisë së Ibrahim Pashë Shkodrës, i cili u transformua në Xhamia e Ranës. Me shumë siguri mund të pohohet se emri i ndërtuesit të kësaj xhamie të jetë ditur edhe nga vendasit deri në momentin e prishjes së saj, ashtu siç njihen edhe ndërtuesit e xhamive aktuale, por që më pas, me prishjen e saj dhe të tri xhamive të tjera të qytetit të Ulqinit, janë lënë në harresë edhe ndërtuesit e tyre. Po ashtu mund të thuhet se emrat e xhamive të Ulqinit kanë pësuar ndryshime si pasojë e gjendjes së krijuar pas Kongresit të Berlinit. Ato janë transformuar në emrin e mahallës apo vendit në të cilin ndodhen, pasi kjo gjë vërehet si nga emrat e xhamive aktuale, ashtu edhe nga dokumentacioni i Arkivit të Bashkësisë Islame Ulqin.

Dokumentacioni i hulumtuar nxjerr në dritë të vërtetën historike mbi emrin dhe ndërtuesin e vërtetë të xhamisë që njihet sot si Xhamia e Detarëve. Nga kjo arrijmë të kuptojmë që emërtimi i objekteve historike është me rëndësi të bazohet në dëshmi historike, duke ju referuar dokumentacionit të arkivave.

 

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top