Tuesday , December 11 2018
Lajmi i fundit

A.Kurmemoviq: ULQINAKËT S’KANË ÇFARË TË BËNË ME MBETURINA

Mbeturina, Otpad, BashbylykUlqinit çdo ditë po i zihet fryma nga deponitë e egra, ndërsa përpjekjet e përditshme të Ndërmarrjes Komunale nuk janë të mjaftueshme, sepse, tash gati dy vite, nuk ekziston vendi për deponimin e mbeturinave të ngurta dhe ndërtimore.

Drejtori i Ndërmarrjes Publike “Veprimtaritë Komunale” Skender Kaleziqi thotë se po e përballojnë situatën ashtu si dinë dhe munden dhe se fajtori kryesor është administrata lokale.

“Me Planin Lokal për Menaxhimin e Mbeturinave të Ngurta është paraparë lokacioni në vendin Gaç. Është shpallur edhe tenderi për zgjerimin e rrugës, madje filluan edhe punimet, gjersa banorët vendas nuk filluan të kundërshtojnë. Rebelimi i vendasve ndërpreu gjithçka, ndërsa administrate lokale prej atëherë nuk bëri asgjë që të zgjidhë këtë problem”, tha Kaleziqi.

Kjo sjellje injoruese e Komunës ndaj këtij problemi, siç tha Kaleziqi, nuk mund t’i sjellë mirë askujt. “Kur na thërrasin qytetarët që të depojnë këtë lloj mbeturinash ne i përgjigjemi, e ku e çojmë…E, varet nga situata. Zakonisht e dimë kujt i nevojitet që të mbush tokën (pllacin), kështu që gjendemi. Disa mbeturina mund të çohen edhe në Deponinë Rajonale “Mozhur”, por kjo nuk është zgjidhja”, tha Kaleziqi.Mbeturinat, Otpad, Zaledje

Por, ka shumë të atillë që mbeturinat i deponojnë ku të mbërrijnë. Janë të sulmuara të gjithë pjesët e qytetit, kryesisht ato më atraktivet, siç janë pjesa e pasme e Plazhit të Madh, zona mbi gjirin e Valdanosit, gjersa lagja Mali i Bardh më shumë i ngjanë deponisë.

Në Komunë e pranojnë fajin. “Kush është fajtor? Ai që duhet të sigurojë lokacionin, pra Komuna me Sekretariatin kompetent. Ky problem është tregu si i komplikuar, por, më në fund, të gjithë duhet t’i qasemi seriozisht zgjidhjes së tij. Të gjithë jemi fajtorë”, tha nënkryetarja e Komunës së Ulqinit Hadixha Gjoni.Mbeturinat, Otpad, Zaledje Velike Plaze

Ajo rikujton se lokaliteti Gaç prej kohesh duhet të ishte zgjidhja e këtij problemi. “Fajtor është edhe mungesa e sensit tek qytetarët, të cilët interesat e veta personale i vendosin para atyre të përgjithshme. Askush nuk dëshiron të pranojë një lokacion të tillë në afërsinë e vet, edhe pse bëhet fjalë për deponinë ku do të hidheshin vetëm mbeturinat e ngurta dhe materiali ndërtimor. Këto janë gjëra me interes të përgjithshëm, por nga njëra anë kemi ligjin i cili mbron interesat e popullsisë lokale. Patjetër që ekzistojnë edhe ligjet të cilët mbrojnë interesat e komunitetit lokal, ato të përgjithshme. Zgjidhja e këtij problemi nuk guxon të shtyhet”, vlerëson Gjoni.

Ajo shtoi se ndryshimi i pushtetit lokal ndikoi pak në zgjidhjen e problemit. “Më shumë jemi marrë me disa probleme të tjera, sezoni ishte në prag, por tani nuk ka ma justifikime”, thekson nënkryetarja Gjoni.

Sipas fjalëve të saja, po përmendet edhe lokaliteti tjetër, por akoma asgjë konkrete nuk u definua.Mbeturinat, Otpad, Plazhi i madh

E gjersa të definohet, ndoshta edhe nuk duhet fajësuar qytetarët, të cilët çdo ditë krijojnë deponi të egra të reja. “Është e vërtet që qytetarët ndoshta nuk janë fajtorë, sepse duhet të kemi deponinë e regjistruar, si çdo qytet tjetër në Mal të Zi”, tha Kaleziqi, i cili vlerëson se gjobat për deponimin e mbeturinave të ngurta, në vendet ku nuk është e paraparë një gjë e tillë, janë shumë të vogla. Për personat fizik ajo është 50 euro, ndërsa për ato juridik 150.

“Njerëzit kanë më tepër llogari që të paguajnë gjobën, se sa të depojnë mbeturinat në oborrin e tyre. Pak janë të atillë që paguajnë dënimet, sepse që të gjobiten, duhet të kapen në flagrancë. As me këtë gjë nuk merret kush”, pohon drejtori i Ndërmarrjes Publike “Veprimtaritë Komunale”.Mbeturina, Otpad, Skela, Mole

Në sektorin joqeveritar mendojnë se gjërat e tilla janë të patolerueshme, sepse shkaktojnë dëme të jashtëzakonshme. “Mbeturinat janë problemi ynë i madh dhe plaga jonë e madhe. Jo vetëm në pjesën e pasme të Plazhit të Madh, mbi Valdanos, por në tërë territorin e komunës. Ky nuk është problem ekologjik por edhe moral dhe turistik”, vlerësoi drejtori i OJQ “Hapi i Gjelbër” Xhelal Hoxhiq.

Ai është i bindur se nuk ekziston vullneti që problemi të zgjidhet.

“Këto gjëra nuk zgjidhen brenda kabinetit. Plani për trajtimin e mbeturinave është hartuar keq, ka zbrazëtira, është punuar shpejt. Prandaj jemi në këtë situatë, jo vetëm sot, por tash shumë vite. Ky plan duhet të inovohet. Por, për fat të keq, njerëzit e përshtatshëm politikisht i mbulojnë vendet përgjegjëse dhe janë në krye të sekretariateve, e janë të papërshtatshëm për të zgjidhur cilindo problem”, theksoi Hoxhiq, duke shtuar se nuk shohim se çfarë dëmi i shkaktojmë mjedisit jetësor.Mbeturinat, Otpad

“Këtë që ne po bëjmë sot, është dënim për gjeneratat e ardhshme. Duhet të veprohet menjëherë dhe të ndërmerret çdo gjë që këto dukuri të ndalohen përgjithmonë. Duhet të punohet me qytetarë, të kyçemi të gjithë në zgjidhjen e problemit. Kjo është thjeshtë e palejueshme”, tha Hoxhiq.

Që qasja ndaj këtij problemi është joserioze, flet edhe fakti që në mbledhjen përfundimtare të Trupit Lokal Koordinues për përgatitjen e sezonit, e cila u mbajt në shtator, tema e deponive të egra në pjesën e pasme të Plazhit të Madh nuk ishte në rend të ditës.

Më e rrezikuara është zona e Të Mirave Detare

Vetëm pak metra mbas plazheve ku valëviten flamujt e kaltër, si dëshmi e cilësisë së lartë ekologjike të plazhit, pjesa e pasme është e mbuluar me mbeturina. Kjo pjesë njëkohësisht është edhe rrugë alternative, e egër, e cila shfrytëzohet gjatë muajve veror dhe radhëve të gjata në komunikacion nga shumë vendas dhe turistë.Mbeturinat, Otpad, Velika Plazha

Fotografia është trishtuese, ndërsa në Ndërmarrjen Publike për Menaxhimin e Të Mirave Detare thonë se këtë problem duhet ta zgjidhë Komuna. “Në bazë të kontratës së nënshkruar në mes Komunës së Ulqinit dhe NP Të Mirat Detare, Komuna, gjegjësisht ndërmarrja lokale komunale është e obliguar që të mirëmbajë të gjithë pjesët e pa marra me qira, që përfshinë edhe pjesën e pasme të Plazhit të Madh”, thonë nga Të Mirat Detare. Ato rikujtojnë se, në pajtim me Ligjin për Financimin e Vetëqeverisjeve Vendore, 50% e mjeteve nga dhënia me qira e të mirave detare në mënyrë të drejtpërdrejtë paguhet në llogarinë e Komunës. Nga këto para, Komuna është e obliguar që të kujdeset edhe për këtë pjesë.

Artikulli është shkruar në kuadër të projektit “Faktet janë të rëndësishme! Gazetaria objektive dhe inovative për BE!” të cilin e realizon CGO, në bashkëpunim me Portalin Ul-info. Projektin e financon Bashkimi Evropian, ndërsa e kofinancon Ministria e Punëve të Jashtme e Mbretërisë së Holandës. 

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top