Saturday , December 7 2019
Lajmi i fundit

A.Salaj: ÇËSHTJA E GAZETËS “KOHA JAVORE”

AliSalaj_UlqinSi pasojë e falimentimit të Shtëpisë Botuese “Pobjeda” SH.A., gazeta e vetme në gjuhën shqipe në Mal të Zi “Koha javore” u gjet në një pozitë delikate dhe kritike për të ardhmen e saj. “Koha javore” nuk duhet të përfshihet në procesin e falimentimit të “Pobjedës”, as në kuadrin e privatizimit të mundshëm të saj, pasi mediat e pakicave duhet të ruhen dhe të mbështeten nga institucionet përkatëse shtetërore për shkak të misionit të tyre të caktuar në shoqërinë multietnike, por edhe nga fakti se këto media nuk mund të jenë profitabile. Situata e krijuar kërkon ndërhyrjen dhe ndihmën e institucioneve shtetërore, të faktorit politik e posaçërisht të Parlamentit të Malit të Zi, i cili është themelues i gazetës “Koha javore”.

“Koha javore” u themelua nga Parlamenti i Malit të Zi në dhjetor të vitit 1999 dhe i njëjti emëroi Këshillin Programor, kurse botimi i saj nisi në shkurt të vitit 2002. Në veprimtarinë e saj 13-vjeçare “Koha javore” ka luajtur një rol të rëndësishëm për lexuesin shqiptar jo vetëm në Mal të Zi, por edhe më gjerë. Për këtë arsye besoj se me autoritetin Tuaj mund të kontribuoni që e vetmja gazetë në gjuhën shqipe të mbetet në skenën mediatike duke i siguruar asaj pjesë proporcionale të financimit nga Parlamenti, Qeveria apo Fondi për Ruajtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave. Kjo nuk do të nënkuptonte ndonjë kosto të madhe financimi  pasi redaksinë e kësaj javoreje e përbëjnë vetëm katër punonjës, që është rast i veçantë dhe i padëgjuar në mediat e shkruara.

Po përmendi shembujt në rajon, ku fjala vjen, vetëm në Serbi botohen me dhjetëra gazeta të pakicave: „Bunjevačke novine” (në gjuhën bunjase), „Hlas Hudu” (në gjuhën sllovake), „Libertatea” (në gjuhën rumune), “Magyar Szo” (në gjuhën hungareze), „Ruske slovo” (në gjuhën rusine), „Nacional” (në gjuhën shqipe)… ose botimi i shumë gazetave në rajon: Slloveni, Kroaci, Kosovë dhe Maqedoni. Të gjitha këto gazeta financohen nga ministritë e qeverive të vendeve përkatëse, vetëm me një ndryshim formal: të drejtat e themelimit nga Kuvendi janë bartur te këshillat nacionale të pakicave ose te ndonjë subjekt tjetër, por gjithnjë duke e ruajtur burimin e financimit e që është Qeveria. Me këtë veprim, të gjtha këto vende respektojnë Konventën Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave Nacionale dhe Konventën Evropiane mbi Gjuhët Rajonale dhe të Pakicave që është detyrim edhe i shtetit të Malit të Zi.

Pasi çështja e gazetës “Kohës javore” tanimë është shndërruar në çështje politike, është detyrim i imi që për ecurinë dhe fatin e të vetmes gazetë në gjuhën shqipe ta njoftoj opinionin vendor dhe nderkombëtar, faktorin politik, Qeverinë dhe Parlamentin e Malit të Zi, ambasadat e akredituara në Podgoricë, kongresistët dhe senatorët amerikanë, Departamentin Amerikan të Shtetit, diasporën dhe Lobin shqiptar në SHBA.

Me besimin se çështja e gazetës “Koha javore“ do të shqyrtohet me vëmendje nga ana Juaj, paraprakisht ju falënderoj.

One comment

  1. Dod Gjeka Vulaj

    Gazetarit I duhet me interesua lexuosin për me ble gazetën,por I kem edhe dy shtete Shqiptar,Shqipnija e Kosova e kishin me mujt edhe a to me u nimua Shqiptarvet nar Main e Zi.

Komento te Dod Gjeka Vulaj Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top