A. Sulejmani: “KAMKURJA” JONË QË SHIHET NGA GJERMANIA*

argezon sulejmani(me motive nga “Prokrastinacioni” të autorit Jaho Kollari)

Poeti i mijëvjeçarit të tretë, siç do të vinte nga një përmbledhje me poezitë e tubuara ndër shumë vite e dekada, të shkapërderdhura sa andej-këndej banesash, podrumesh, harrimesh, kësaj pragvere do të rivinte me një tjetër pasqyrim emocionesh të vëna në vargje e të lidhura me tojën me mbishkrimin: “Prokrastinacioni”.

Prej titullit, siç në çdo faqe, mund të prekësh me këndim e të kuptuar që pas secilit kryerend fshihet(sa për të thënë – ajo shihet ashiqare) një penë e botëkuptimeve të reja, të hapura(moderne siç do të quheshin me terminologjinë e kapshme të masave), madje jo rrallë-herë paraprijëse(për të mos thënë të parakohshme).

I ndarë në dy cikle, që autori i ka shënuar si: Libri i parë dhe Libri i dytë, autorsia e gjashtë ndërmjet kopertinash, vjen krejt natyrshëm e me harmonizim të mprehtë poetik, aq sa lexuesi vështirë e bën ndarjen e thuktë në mes të këtyre dy botëve. Sidomos, lexuesi vendas. I posacekuri është vet personazh dhe vet këndonjës i vargjeve – Elegji për Ulqinin – që përbëjnë një jetë, fatkeqsisht dhe fatmirësisht(fq. 95).

Pavarësisht që albumi i krijimtarisë së autorit shtrihet në katër dekada, që në fakt përbën një jetë njeriu – atë më vitalen e aktiven, për fatkeqësi ai vjen edhe më tej me revoltën e  para 32 viteve, pezm i cili merr shkas nga thellësite e shoqërisë tonë, e cila kurrsesi të bëjë hapa tutje. Edhe sot do të vinin njëjtë, hipotetikisht, vargjet e të largut vit ’83, nga le të themi një poet i ri i kohës(që s’e kemi), nga një realist me penën:

gjyshi im lundroi

e shekuj…

pastaj u struk

në shtëpine prej gurit

dhe rriti nipin

që ia ka friken detit (Gjyshi – fq.11)

Raporti ynë i dobët, i keq, deri i paskrupullt me natyrën, njerëzoren, qytetin, vlerat, historinë, artin, arsimin, gjuhën, kulturën, jane brengë që rrinë gjithnjë freskët në vargjet e poetit edhe sot, siç ne fillimet e tij kundruese(krijuese). Përmes kësaj, ai përpiqet të na japë një dorë drejt rrugëve të duhura, duke na e dëshmuar me faktorin kohë si dhe përmes lidhjes logjike e sentimentale rrugën e gabuar, nga e cila duhet të zmbrapsemi ose thjeshtë të ndalojme ecjen(ose të shuhemi!?), tenton  të vë një gur në kalldrëmin e rrugëve të reja që duhet të gjarpërojnë vendit tonë, rrugë të cilat do të hapin shtigje për takime të reja, mundësi të reja, për gjithçka të re. Fatkeqsisht, poetin e mundon ajo që e ka vënë në krye të fletëve: zvarritja, kamkurja, “mihja në Bunë”, prokrastinacioni, që si një gaforre ngulfatëse e ka rrokur shpirtin e qytetit të mrekullive të kaltra.

kishte ndodhur

edhe më parë që

dimri t’i paraprijë vjeshtës

por tepër rrallë

kjo sot është më tepër rregull

se përjashtim (Mosstinë – fq. 104)

Prishja e lidhjeve të mirëfilla e të mirëqena me tokë, det e qiell; me njeriun, historinë e kulturën, aq sa, këto përçudnime të bëhen ligje e rregulla të përditshmërisë së brezave që po rriten, janë zëri më potent që autori përmes britmës artistike i vë në vargje, e që kërkon që një orë e më parë të zhduken nga faqja e Atdheut ose DheutAt të tij(tonë) (Once upon a time – fq. 89).

Në dhjetor të vitit 2014. do të shkruante, më saktë do të gjente, ‘fajtorin’ e gjithë kësaj ngecje furrëse:

më besoni

njerëz të mirë

kam parë në ëndërr

se vrava veten

dhe kur më doli gjumi

pashë se në një shtrat fleja

me dorasin tim (Suicidi – fq. 69)

Në fund, le të ju shmangemi gjithë këtyre mangësive që kanë të bëjnë me neve e që autori na i vë lakuriq para syve tanë “të turpshëm”. Duhet që kurrsesi të mos anashkalohet, por të mirëceket fatmirësia dhe mirënjohja drejt një kohësi të të tjerave kohëve(po, edhe të të sotmes) që u’a ruan në korniza tejet izoluese brezave të rinj: të kaluarën e të tashmen. Kjo, njëherit përbën shfajësim, vigjilencë, intelekt, e që të gjitha së bashku përbëjnë veçse: shpresë, shpresë, shpresë… Autori i rrënjëve në mijëvjeçarin e dytë, kurse i bindjeve në mileniumin pasrendës është vet fakt dhe akt që buzë mrekullive të kaltra ulqinake jetojnë e veprojnë mendje që ju kacafyten horizonteve e thellësive deri në tejfundësi. Mjafton veç të duam të besojmë në stinë të reja e të çkepim nga kalendarët tanë “Mosstinët”(fq. 104).

*Autori ndanë fatin me shumë bashkëvendas tanë mërgimtarë. Jeton e punon në Gjermani. Porse, vepra e tij buron e frymon veç në (për) një vend – Ulqinin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi

Intervista e parë e kryetarit Omer Bajraktari: GJENDJA NË KOMUNË, VIZIONI I ZHVILLIMIT, PLANET…