Friday , August 23 2019
Lajmi i fundit

AKSIONET E KUSARËVE ULQINAK NË FILLIM TË SHEK. 18

ulcinjskigusariKonsulli francez në Durrës, në shtator të viti 1716, me dhimbje të thellë shkruan: “Ulqinakët bëjnë çudira në Adriatik me 25-30 anijet e tyre me rrema dhe askujt nuk i përulen”.

Kah fundi i shkurtit të vitit 1718 kusarët ulqinakë në ujërat e Apulisë grabitën një anije angleze me 16 topa dhe e sollën me vete në Durrës. Siç kishin deklaruar, me anglezët luftuan tre orë dhe asnjë anëtar i ekuipazhit anglez nuk kishte mbetur i gjallë. Ngarkesa në anije përbëhej nga njëmijë fuçi harengë (peshk), 40 pako piper, përveç kësaj edhe cimet, karafila, sheqer, plumb dhe farëra të ndryshme. Ulqinakët thoshin se kishin për qëllim që anijen ta rregullonin dhe në të të vendosnin 30 topa. “Nëse nuk i pengojmë këto dukuri të përditshme, kusarët ulqinakë do të krijojnë këtu një armatë anijesh franceze dhe angleze”, paralajmëronte konsulli francez në Durrës.

Në mars të vitit 1718 një anije ulqinake me 180 marinarë dhe 10 topa zuri rob kapiten Botenin nga Marseji duke theksuar si shkak flamurin maltez të cilin ata e vendosën vetë në anijen franceze. Boteni dhe ekuipazhi i tij u dërguan në Ulqin si robër.

“Ata po terrorizojnë nëpër Adriatik”, shkruan konsulli francez në Durrës Zhoze Isnar dhe thekson: “Zoti u jep fuqi dhe guxim atyre për të bërë një goditje të këtillë”. Isnar gjithashtu pohon që kusarët ulqinakë nuk respektojnë as sulltanin dhe as cilin do pushtet tjetër në botë! Aksionet e tyre janë të përmasave aq të mëdha saqë kanë ndikuar jo vetëm në tregtinë që bëhet në Detin Adriatik, por edhe në Mesdhe, theksonin përfaqësuesit diplomatik të Francës.

 

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top