Sunday , August 18 2019
Lajmi i fundit

Ali BARDHI: DILEMAT RRETH XHAMISË NË MAHALLËN E RANËS NË ULQIN

Xhamia e detareveMe kërkesën e Bashkësisë Islame në Ulqin, edhe me lejen e Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës, Muzeu i Ulqinit në prill të vitit 2003 formoi grupin punues, i përbërë prej dy arkeologëve, etj. me qëllim fillimin e gërmimeve arkeologjike për gjetjen e themeleve të xhamisë në Mahallën e Ranës (Arheloško-Arhitektonska Istraživanja Ostataka Džamije “Marinerve” u Ulcinju, f. 2-3, Ulqin, Prill-Maj, 2003), dhe më pas me vendimin e Kuvendit të Komunës së Ulqinit për kthimin e saj, u rikonfirmuan edhe njëherë saktësisht themelet e kësaj xhamie që për të, banorët e Ulqinit flisnin vazhdimisht, por gjithashtu këtë e dëshmojnë edhe fotografitë e shumta që tregojnë për praninë e kësaj xhamie.

Flitet se themelet e kësaj xhamie janë më të hershem nga ato të xhamive të tjera (Evlija Çelebiu pohon se xhamia Sulltan Mehmedit në kalanë e Ulqinit që ndërtuar në vitin 883 hixhri ⁄ 1478-1479 prej Sulltan Mehmedit, gjë që i bie në periudhen e pararënies përfundimtare të Ulqinit nën Sundimin Osman – 1571. Shih, Evlija Çelebi, Evlija Çelebi Seyahatnamesi, Shqipëria 350 vjet më parë, f. 139. Horizont, 2003) në Ulqin qysh para ardhjes së osmanlinjve në këtë vend, gjegjësisht para vitit 1571, por për shkak të mungeses së burimeve të shkruara historike për të, e bënë të vështirë të dihet me saktësi periudha në të cilën u vëndosen themelet e para të kësaj xhamie. Meqë nuk dihet saktësisht kjo gjë, atëherë variantet që mund të supozohen për themelet e para të kësaj xhamie mund t’i rendisim si më poshtë:

Varianti i parë që mbizotron deri tani ka të bëjë me shtrirjen e qytetërmit islam, gjegjësisht depërtimin e muslimanëve në brigjet e mesdheut dhe adriatikut e veçanërisht në Ulqin përmes detarisë dhe tregëtisë (studiuesi Ismet Karamanaga pohon se Xhamia e Ranës eshtë një ndër xhamitë më të vjetëra në Balkan dhe është e ndërtuar në sh. 14 nga Maurët shumë para se kanë ardhur Osmanët këtu, ku lindi nevoja për hapjen e një vendfaljeje. Në çdo vend ku jetojnë apo punojnë muslimanët si banorë vendas që kishin pranuar fenë islame nga kontaktet me muslimanët apo si tregtarë kalimtarë e bënë të domosdoshëm ndërtimin e kësaj faltoreje, ku në fillim mund të ketë qenë e përmasave më të vogla dhe pa minare.

Një variant tjetër në lidhje me themelet e para të kësaj xhamie që mund të merret për bazë, i përket periudhës para rënies përfundimtare të Ulqinit nën sundimin e Osmanëve, në kohën e Gjergjit II-të (Gjergji II Balsha qëndroi vasal ndaj sulltanit për nje periudhë të shkurtër kohe prej vitit 1385 deri më 1387, pasi në vitin 1387 ai i dha fund vasalitetit. Mirëpo të dhënat e burimeve osmane kundërshtojnë mendimin e shprehur në Historinë e Shqipërisë, se Balshajt në vitin 1387 lidhen paqe të veçuar me osmanet dhe njohën sulltanin si kryezot. Shih. Selami Pulaha, “Luftërat Shqiptaro-Turke në Veprat e Kronistëve dhe Historianëve Osmanë të Shekujve XV-XVII”, fq, 405-406, Studime për Epokën e Skënderbeut III, Tiranë, 1989.

Gjergji II së bashku me një kushëririn e tij kishte rënë rob në duart e sulltan Bajazitit. Sipas dokumentit të datës 7 tetor 1392 që njofton këtë, Gjergji II për të fituar lirinë kishte bërë marrëveshje për t’i dorëzuar sulltanit Ulqinin, Shkodrën e vendet e tjera të veta. (Shih. Luan Malltezi, “Shkaqet e Luftës së Balshës III kundër republikës së Venedikut në 20 vitet e para të shek. XV”, f. 185, studime për epokën e Skënderbeut III, Tiranë, 1989.)

Pas një kohë, në vitin 1396 ushtria turke duke depërtuar nëpër Shqipëri arriti të zaptoj Shkodrën, Ulqinin. (Shih. I. Hakkı Uzunçarşılı, Büyük Osmanlı Tarihi, f. 204), si edhe në kohën e sundimit të Ballshës III-të në vitin 1405, në kohën e sundimit të Balshës III i lindi ideja që ti deboj venedikasit nga Zeta. Që në ditët e para kryengritjet filluan. Venedikasit i propozuan boshnjakve që ta sulmojnë se bashku Balshen por Sandal Haraniqi nuk pranoi. Ndërkohë, venedikasit i kthejn Ulqinin dhe Shkodrën Balshes. Por sulmuan Tivarin e Budvën. Po në këtë kohë, Balsha III kishte rënë në luftë dhe me Sandal Haraniqin. Për të dalë nga situata, ai kërkon ndihmë nga osmanët dhe u bë vasal i i Sulltan Syelejmanit I. Në marrëveshje me sulltanin, Balsha III pranoi ti paguj haraç, po atë shumë që pagonte më parë i ati i tij. Pas marrëveshjes trupat osmane erdhën me qëllim që t`i ndihmonin Balshës III. Ata arriten deri në Shkodër, Ulqin, Drisht, etj. Shih. Jahja Drançolli,  “Lidhjet Historike Shqiptaro-Bashnjake në shekullin XV.” Fq, 219, Studime për Epoken e Skenderbeut III, Tiranë, 1989.

Pasi Venediku e shkel paqën, në vitin 1410 Balsha III nënshkroi një paqe të shumëkërkuar me osmanët. (Shih Historia e Popullit Shqiptar I, f. 306, Toena, Tiranë, 2002), pasi siç dihet në periudhen e tyre prishen disa herë marrëdhëniet me Vendikun apo edhe më fqinjët, dhe për një kohë të shkurtër për të kaluar krizën dhe për tu mbrojtur nga ata, qoftë Gjergji i II, qoftë Ballsha III bëhen vasal të osmanëve. Në këtë kuptim, për një vend që e pranon vasalitetin, nënkupton krijimin e të drejtave dhe detyrime për palën më të dobët, nga ku mund të supozohet se në Ulqin, tashme vend vasal i Osmanëve, mund të jetë paraqitur nevoja e ndërtimit të një faltoreje për të treguar afrimitetin, besueshmerin me osmanët, si dhe për kryerjen e riteve fetare për vendasit që kishin pranuar fenë Islame, apo edhe për ushtarët e ardhur në Ulqin në ndihmë të Balshajve, qoftë ajo edhe në formën e një mesxhidi pa minare. Por gjithsesi edhe ky variant për nga vërtetësia e burimeve historike mbetet në shkallë hipoteze dhe kërkon studime të metutjeshme.

Varianti i tretë që mund të supozohet për themelet e para të kësaj xhamie është në periudhën e sundimit të Bushatlinjve. Ky supozim vjen si rezultat i një dokumenti të gjetur në Arkivin Osman të Kryeministrisë në Stamboll që i përket datës 13 shtator 1890, në të cilin tregohet për ekzistencen e një xhamie në Ulqin me emërin e Ibrahim Pashë Shkodrës. Kjo xhami që ndërtuar nga pashai i Shkodrës Ibrahimi nga i cili e merr edhe emrin. Më këtë rast ai i dhuroi kësaj xhamie të ardhurat e katër magazinave që gjëndeshin në pazarin, çarshin e Shkodrës më qëllim mbulimin e shpenzimeve të xhamisë. Por nga ky moment shfrytëzuesit e vakëfit ia vononin të ardhurat që vinin nga këto magazina të xhamisë së Ibrahim Pashës ( Ali Bardhi, “Disa prej Xhamive në Malin e Zi që Dokumentohen në Dosjet e Arkivit Shtetëror të Stambollit” Revista Etika nr.11, fq 54-55. Shkodër, 2008; e ribotuar në Revistën Elif, fq, 12, viti 19, nr.58, Podgoricë, Shkurt 2009 ). Pra nga ky dokument argumentohet për ekzistencën e një xhamie me emrin e Ibrahim Pashë Shkodrës në Ulqin, por se në ditët e sotshme nuk ekziston me këtë emër një e tillë, dhe duke u nisur nga kjo ekzistojnë mendime se kjo xhami mund të jetë Xhamia e Ranës. ( Studiuesi Mustafa Canka duke u nisur nga dokumenti i mësipërm pohon se kjo xhami që ndërtuar prej Ibrahim Pashë Shkodrës (rreth vitit 1798) pas betejes së Krusit në vitin 1796 ku pasi plagoset dhe shpëton, në shënj falenderimi ndaj Zotit e ndërtoi atë. Iu kushtoi detarëve të Ulqinit të cilët dhanë kontribut të madh për suksesin dhe pasurinë e familjes së tij, prandaj edhe në popull ajo njihet si Xhamia e Detarëve. Shih. Mustafa Canka, Ulqini në Perandorinë Osmane, fq, 175-176, Ulqin, 2012).

Duke u nisur nga këto tri hipoteza mund të bëhet një ndërlidhje ndërmjet tyre në mënyrë që të jepet një mëndim më i përafërt dhe i qëndrueshem për themelet e para të kësaj xhamie. Siç pohuam edhe më sipër themelet e kësaj xhamie mund të datojnë që në kohën e kontakteve të para me muslimanët apo me osmanët në periudhën e vasalitetit ndaj osmanlive, që i takon para rënies përfundimtare të Ulqinit nën sundimin e Osmanlive, dhe në fund, mbi këta themele ku si fillim mund të kenë qënë në përmasa më të vogla, dhe më pas xhamia mund të ketë kulmuar me rindërtimin edhe njëherë të saj nga ana e Ibrahim Pashë Shkodrës, nga e cila e merr edhe emrin. Me një fjalë themelet mund të datojnë shumë më përpara pashasë së Shkodrës siç edhe flitet, por se ndërtimin përfundimtar mund ta ketë arritur në kohën e sundimit të pashasë së Shkodrës.

Gjithsesi këto mendime mbesin hipotetike dhe se duhën bërë hulumtime edhe të mëtutjeshme pasi për dy mendimet e para nuk kemi argumente nga burime të shkruara historike, kurse sa i përket hipotezes së tretë të hedhur ekziston dokumenti i cekur mësipër nga Arkivi Osman i Kryeministrisë-Stamboll, me emrin e Ibrahim Pashë Shkodrës, por që në ditët tona në Ulqin nuk ekziston një xhami e tillë me këtë emër, dhe se qytetarët e sotshem nuk njohin ndonjë të tillë më këtë emër. Ka mundësi që ky emër të jetë ndryshuar nga pushtetet ndër vite dhe për shkak të kësaj të jetë lënë në harresë edhe nga ulqinakët pasi siç dihet e gjithë veprimtaria kulturore e periudhës së Bushatllijve nuk u valorizua, përkundrazi ajo që përndjekur nga regjimet e kaluara në këto troje. Atëher ky argument na shtynë të mendojmë edhe më shumë që kjo xhami me ketë emër të ketë qënë ajo e Ranës apo Detarve siç quhet sot, por gjithsesi duhen bërë hulumtime më tepër, se pari, duhet definuar se ku mund të ketë qënë xhamia e Ibrahim Pashë Shkodrës në Ulqin, në mënyrë që të sigurohemi më shumë për të vërtetën e historisë së xhamisë në Ranë. Gjithsesi këto hipoteza le të jenë një shtyse për tu bërë hulumtime dhe studime të mëtutjeshme në mënyrë që të kemi një qasje më të saktë për këtë xhami.

Xhamia në Ranë e ka ruajtur ekzistencën e vet deri në vitin 1931 atëher kur vjen urdhëri nga pushteti i asaj kohe për t’u prishur, dhe u deshten që të kalojnë shumë vite deri në ndreqjen e kësaj padrejtësie. Xhamia filloi të rindërtohet në vitin 2008 dhe me 01.06.2012 u bë hapja solemne e saj, ku u riaktivizua përseri për lutjet e besimtarëve musliman, si dhe e bëri rishtazi të rendësishëm këtë objekt si nga ana fetare edhe ajo kulturore. Në ndërtimin dhe përfundimin e punimeve të kësaj xhamie kontribut të madh shpirtërorë e material dhanë qytetarët e Komunës së Ulqinit dhe qytetit të Alanjas së Turqisë, nën mbikqyrjen e Meshihatit të Bashkësisë Islame në Malin e Zi, Bashkësisë Islame në Ulqin si edhe Myftinisë së Alanias.

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top