Wednesday , April 14 2021
Lajmi i fundit

Ali Gjeçbritaj: GËSHTENJAT E KRAJËS

 

Geshtenja, KostanjeKraja është e pasur me gështenja. Plantacione të tëra të kësaj peme të rrallë mjaft frytëdhënëse dhe të dobishme shtrihen anë kënd kësaj treve ( si në Anën e Sipërme ashtu edhe në Anën e Poshtme të Krajës) duke filluar nga Pinçajt, Muriqi i Naltë, Ljarja, Brisku e Ftjani e deri në skajin tjetër të Krajës , tek Maja e Shtegvashës. Gjatësi kjo diku rreth tridhjetë kilometershe. Një shtrirje gjeografike kaq të madhe në një zonë kodrinoro malore me këto trungje, rrallë se mund të shihet gjëkundi, andaj dhe kjo zonë kosiderohet treva më e madhe më pyje të gështenjash të buta në Gadishullin ballkanik, pa përmendur këtu gështenjat vetëmbirëse e që në Krajë i quaj egersina. Këto të fundit nuk janë gështenja të egra, nga vetë fakti se frutet e tyre jan bukur të shijshme dhe të mira.

Me të drejt thuhet se trungu i gështenjës është i vjetër sa edhe vetë trolli i këtushëm, andaj për trungjet e gështenjave thuhet se janë mijëvjeçarë. Me fjalë të tjera këto trungje janë të moçme sa edhe trungu i ullirit. Në fillim të viteve të gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar këtë kulturë të rrallë e kaploi një smundje e rëndë e lëkurës e që në atë kohë u konstatua se ishte kanceri i lëvozhgës së trungut. Për fatë të mirë ajo nuk zgjati shumë dhe u largua vetëvetiu. Në këtë mënyrë shpëtoi nga shfarosja masive kjo bimë e rrallë. Sot gështenjat në Krajë janë në gjendje të mirë shendetësore, por përkujdesja për ta disi duket e mangët. Koha e bën të vetën. Shpërnguljet masivetë të popullatës si dhe moskujdesja shoqërore ndaj kësaj peme ka bërë që ajo të redukohet. Themi kështu sepse pastrimi (krasitja) – herrja që i bëhej dikur gështenjes nga pronarët ka bërë që ajo të regjenerohet. Sot një gjë e tillë është e pamundur pasi që të rinjët që merrën me bujqësi e pemtari janë shumë të pakët e të moshuarit më nuk mund të hipin në pëmë për ti herrur/krasitur/. Për këtë do të ishte e udhës që të kujdesej edhe komuna, edhe shteti. Kjo nga vetë fakti se gështenjat paraqesin një pasuri kombëtare sidomos kombëtare shqipëtare.

Lidhur me këtë në Stoliv të Kotorrit në fund të tetorit 2006, saktësisht me 29 tetor 2006 u organizua një manifestim i titulluar “Festa e gështenjave” ku me sukses përfaqësuesit e Bashkësisë Lokale të Ostrosit prezentuan trevën e Krajës.

Frutat e gështenjave janë shumë të kërkuara. Ato shitën në tregjet e ndryshme të vendit. Sidomos është i preferuar gjatë festave të fundëvit të jetë në tryezen e çdo familjeje. Por jo vetëm këta.

Edhe sivjet ai ishte i shendosh dhe u mblodh me kohë, pra pati një prodhim të mbarë. E themi këtë sepse sezoni i vjeljes ose siç thonë vendasit koha e shkundjes fillon diku kah java e parë e tetorit dhe përfundon në fillim të nëntorit. Përafërsisht mbledhja e prodhimeve të gështenjave këtu zgjatë një muaj. Me të drejtë shtrohet pyetja po pse zgjatë kaqë gjatë mbledhja e tyre? E vertetë është se të parat piqen egërsirat – gështenjat e ashtuquajtura vetëmbirëse e më vonë ato të butat dhe më cilësorët.

E vetmja trevë siç mësohet është Kraja në të cilën ka disa lloje të gështenjave të buta. Këta lloje janë më të ndryshmet. Të parat janë boçat e pastaj gardhet, nuzet, mollëkuqet, kadenxhiket, kryezezat, dielaçat (më së shumti kultivohen dhe gjenden në Ftjan në vendin vendin e quajtur Diele nga më sa duket edhe e kanë marrur edhe emrin), bashmadhet, dajllekët, mollëkuqet e Krajës e më në fund xhabengat, lloji ky më i bukur dhe më i shijshëm i gështenjave e që më së shumti ka në Arbnesh dhe në Ostros.

Mbledhja e frytit të gështenjës bëhet në dy mënyra. Mënyra e parë është grumbullimi i frytit që vetë bie në tokë nga degët dhe mënyra e dytë është ajo e shkundjes së ezhgave. Ezhga është mburoja e frytit në brendi të së cilës ka zakonisht tri gështenja. Mbledhja e gështenjave me ezhga bëhët për ta ruajtur frytin në lëvozhgën e vet deri në dalë të dimrit e më vonë.

Mjeti më të cilat shkunden gështenjat quhet brenë. Brenat janë të gjatësie të ndryshme dhe kanë formën e thupurës dhe ajo duhet të jetë sa më elastike dhe e tharë për tu përdorur sa më lehtë dhe për të qenë sa më funkcionale. Edhe këto mjete – brenat janë nga druri i gështenjës. Sa i përket mbledhjes së ezhgave ata janë mbledhur me mjete të quajturs biga, mjete këto nga druri në formë të mashës që përdorej dikur në votrat e zjarrit për të kapur gacat e prushit në votër. Edhe ky mjet i thjesht (biga) ka qenë nga druri dhe është përdorur për të mos therrur duart gjatë procesit të mbledhjes së ezhgave

Shumë familje nga të vjelat e frytit të gështenjës siguronoin egzistencën ekonomike në të shkuarën e disa sish mbushnin buxhetin familjar. Edhe sot e gjithëditen për pronarët e trungjeve të këtyre pemëve bujare paraqesin një pasuri dhe kapital bukur të madh dhe pasuri bukur të mirë.

Prodhimet e gështenjës Kranjanët më parë i tregtonin deri në tregjet më në zë të Kroacisë, Bosnjes e Hrtcegovnës etj si bie fjala në Split, Dubrovnik, Cavtat, Zarë, Mostar, Sarajevë e gjetiu.

Sot frytat e gështenjave kranjanët më së shumti i shesin në Ulqin, Tivar, Cetinë, Podgoricë etj.

Në fund të themi edhe këtë. Besohet se Kraja ka një numër të madh të trungjeve të gështenjave të buta pa llogaritur ata vetëmbirëse. Thuhet se i kalojnë të dhjetëmijë trugje nga të cilet mund të merrën nga 150 deri në 200 tonelata frutata cilësore të gështenjës.

Gështenjat mund piqen, të zihen si dhe nga ta të bëhën edhe ëmbelsira të ndryshme.

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top