Saturday , April 29 2017
Lajmi i fundit

Ali Salaj: FENOMENOLOGJIA E PARTIVE POLITIKE SHQIPTARE

Ali SalajAutori i librit me titull “Demokracia dhe partitë politike shqiptare në Mal të Zi” Qani Osmani, realizoi një studim të gjithanshëm nga fusha e demokracisë dhe partive politike, i cili krahas dimensionit sociologjik, merret edhe me rolin e tyre politik. Autori ka arritur të zbërthejë në mënyrë shkencore dukurinë e partive politike që nga paraqitja dhe zhvillimi i tyre e deri te klasifikimi, struktura organizative, llojet dhe funksionimi i brendshëm i tyre. Qani Osmani përdor kritere të qëndrueshme për tipizimin e partive politike, duke i klasifikuar ato sipas atributeve dalluese, orientimeve programore, metodave të veprimit politik si dhe kritereve të tjera. Në këtë rast autori zbërthen fenomenologjinë e partive politike veç e veç dhe vë në dukje dallimet e dukshme ndërmjet tyre. Tipologjia e partive politike sipas autorit, mund të bëhet në bazë të kritereve të ndryshme duke filluar që nga ajo filozofike,  programet politike e deri te veprimi i tyre parlamentar.

Në libër një rëndësi të veçantë autori i kushton organizimit të brendshëm të partive politike, si faktor kyç në vlerësimin e shkallës së demokracisë brenda saj. Ai me këtë rast analizon dhe shpjegon mënyrën e funksionimit të partive politike, procesin dhe raportet e vendimmarrjes, si dhe faktorët tjerë tregues për shkallën e funksionimit demokratik të partive politike.

Autori,  arrin t’i identifikojë problemet e pluralizmit politik në shtetin e Malit të Zi dhe të nxjerrë konstatime të qëndrueshme për problemet e realizimit të shumëpartizmit në këtë vend. Ai jep një pasqyrë historike të paraqitjes së partive politike shqiptare gjatë viteve të 90-të, zhvillimin e tyre historik dhe tendencat bashkëkohore në këtë drejtim. Në mënyrë të veçantë merret me analizën e veprimit politik të partive politike shqiptare, duke argumentuar konstatimin se zhvillimi i tyre ende gjendet në fazën embrionale dhe nuk ka një ecuri të qëndrueshme. Autori me të drejtë pohon se partitë politike shqiptare në Mal të Zi nuk kanë arritur të krijojnë një demokraci të brendshme, por më tepër bazohen në personalitetin e liderit të partisë dhe në egon e tij politik.

Në literaturën socio-politike në gjuhën shqipe studimet mbi partitë politike dhe ndikimi i tyre në zhvillimin e demokracisë janë të rralla. Prandaj libri i Qani Osmanit mbush një vakum analitik në këtë fushë, veçanarishtë në analizat e veprimit të partive politike shqiptare në Mal të Zi, ku për problemin e partive politike shqiptare më shumë është shkruar në rrafshin publicistik.

Marrë në përgjithsi, libri “Demokracia dhe partitë politike shqiptare në Mal të Zi” paraqet një kontribut të dalluar të autorit në studimin e fenomenologjisë së partive politike dhe rolet e tyre në demokraci. Botimi i këtij libri do ta pasurojë literaturën politike shqiptare në Mal të Zi dhe më gjërë për të zgjuar kureshtjen e studiusve të rinj për t’u marrë me aspekte tjera të kësaj problematike.

Edhe pse ky është libri i parë i tijë, Qani Osmani arriti të dëshmohet si një studiues i zellshëm, me një aftësi të veçantë të vëzhgimit, me një bazë metodologjike shkencore, gjuhë të pastër dhe të kuptueshme për çdo lexues. Andaj ky libër është i mirëseardhur si për opinionin, ashtu edhe për strukturat politiko-partiake shqiptare në Mal të Zi dhe më gjërë.

Ali  Salaj

(Koha Javore)

 

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top