Tuesday , July 17 2018
Lajmi i fundit

Ali Salaj: PARTITË POLITIKE SHQIPTARE REFLEKTUAN ZHGËNJIM

Ali SalajMarrëveshja për pushtetin vendor në komunën e Ulqinit tregoi përfundimisht fytyrën e vërtetë të liderëve politikë shqiptarë, të cilët për hir të interesave personale bënë pazare në dëm të interesave të qytetarëve dhe votuesve shqiptarë.
Edhe pse partitë politike shqiptare i kishin numrat e duhur (18) për të ushtruar vetë pushtetin, ato u përcaktuan për një koalicion të pazakonshëm dhe atipik. Kjo do të thotë se ata nuk u bashkuan rreth programit, i cili te partitë politike shqiptare është gati identik, por u bashkuan rreth “kulaçit” për t’i ndarë postet dhe për t’i sistemuar anëtarët e partisë, familjarët dhe militantët e tyre nëpër vende pune.
Po ashtu, Marrëveshja në fjalë bëri që gati të gjitha partitë të marrin pjesë në zbatimin e politikës komunale duke eliminuar bllokun e rëndësishëm opozitar. Prej 33 këshilltarëve, sa numëron Kuvendi i Komunës së Ulqinit, vetëm tre kanë mbetur në opozitë, gjë që për shkak të këtij numri tejet të vogël, nuk do të arrijnë t’i stimulojnë apo t’i sfidojnë politikat dhe praktikat e qeverisjes në Ulqin.
Në këtë kuadër, Marrëveshja shkaktoi një precedent në politikën e minoriteteve, ku pas 28 vitesh në qeverisjen vendore, partitë politike shqiptare me vullnet të plotë ia dorëzojnë pushtetin një partie të spektrit politik malazez. Kjo është diçka e paparë në perceptimin e fushëveprimit të partive nacionale, të cilat e kanë detyrim pikërisht implementimin e politikave të pakicës shqiptare, përmirësimin dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre duke përfshirë këtu kulturën, gjuhën, arsimin e posaçërisht mbrojtjen e resurseve ekonomike të komunës.
Kjo Marrëveshje, për fat të keq, u prit me një heshtje relative në opinion dhe në dukje pa ndonjë shqetësim të theksuar nga qytetarët. Në vendet demokratike me një elektorat të ndërgjegjshëm menjëherë do të kërkonin llogari për votat e tyre dhe respektimin e mandateve të fituara duke bërë rezistencë paqësore dhe në ndërveprim me shoqërinë civile mundësisht të ndikojnë në të mirë të proceseve demokratike.
Partitë politike në vend që të mbesin në harmoni me politikat zgjedhore për të cilat u është dhënë vota, ato reflektuan zhgënjim, i cili në fund të fundit do të jetë shkatërrimtar për vetekzistencën e tyre dhe çdo gjë mund t’ju kthehet si bumerang për të ardhmen politike.
Veprimi aktual i partive politike shqiptare në Malin e Zi ta rikujton përkufizimin kuptimplotë të gazetarit të shquar amerikan Peter Lucas, i cili vuri në pah defektet gjenetike të shqiptarëve të trashëguara brez pas brezi. “Shqiptarët kanë një defekt në kompozimin e tyre gjenetik. Ky defekt në ADN-në e tyre i bën shqiptarët të urrejnë dhe të përbuzin me zili”, thotë njohësi i mirë i çështjes shqiptare, P. Lucas. (Koha javore)

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top