Wednesday , June 19 2019
Lajmi i fundit

Ali Salaj: VËSHTRIM MBI FILMIN DOKUMENTAR TË AUTORIT HAXHI SHABANI

 

Ali SalajFilmi dokumentar “Ndërmjet” i autorit Haxhi Shabani nis si një homazh për shqiptarët në Malin e Zi. Filmi që në sekuencat e para, me shfaqjen e dyerve të mbyllura të shtëpive, na sugjeron gjendjen aktuale të këtij komuniteti, i cili dita-ditës po shpërngulet duke e rrudhur hapësirën e vet etnike.

Përmes opinioneve të njohësve të mirë të fushave të ndryshme, imazhi për shqiptarët në Malin e Zi bëhet më dramatik dhe prodhon shqetësime të mëdha për të ardhmen e këtij komuniteti. Autori vë në dukje se një çerek shekulli pas sistemit monist, shqiptarët gjithnjë e më shumë po asgjësohen si një pakicë që dikur ishte faktor në Malin e Zi. Ky asgjësim po bëhet në të gjitha fushat e veprimtarisë: në art, kulturë, informim, politikë etj., duke reflektuar zhgënjim dhe keqardhje te shikuesit. Kjo situatë ndërtohet me mjeshtëri përmes narracionit, kuadrove filmike dhe muzikës. Narracioni është i rrjedhshëm dhe shumë i përshtatshëm me imazhin filmik, gjë e cila tregon përvojën e autorit në mediat vizuele.

Ritmin e ngjarjeve e fuqizon fotografia e operatorit, e cila është dinamike dhe me një kompozicion të zgjedhur me kujdes. Kurse një mjet shprehës, që filmit i jep harmoni, është kolona zanore e zgjedhur si sfond për dhimbjen e mërgimit si një plagë e vazhdueshme e shqiptarëve në Malin e Zi.

Autori i filmit Haxhi Shabani ravijëzon identitetin e dyzuar të shqiptarëve në Mal të Zi, duke e krahasuar në mënyrë simbolike me sanduiçin. Për këtë arsye filmi edhe titullohet “Ndërmjet”, që do të thotë diçka e gjendur në mes dy a më shumë vetave ose sendeve. Të tillë janë shqiptarët në Mal të Zi ndërmjet shumëçkaje, por nga të gjitha anët të harruar dhe të përbuzur.

Dhe derisa pret që filmi të përfundojë me parashikime të zymta apo si një dramë e shpërbërë, Shabani bën një kthesë të qëllimshme duke nxitur domosdoshmërinë e ringjalljes së vlerave identitare. Këtë optimizëm autori don që ta përçojë te shikuesit, ku me figura të zgjedhura dhe shumëfunksionale, edhe arrin ta bëjë.

Përmes lojës së dy fëmijëve në një kala të lashtë, ringjallen muzat arbëreshe dhe së bashku mbjellin dhe ujisin Pemën e Jetës. Me simetrinë dykahëshe, njëra prej të cilave shkon drejt shkatërrimit e tjetra drejt ringjalljes, Shabani tenton të ndërgjegjësojë opinionin dhe të ngjallë shpresën e një të ardhmeje për këtë komunitet të harruar në Malin e  Zi.

Në këtë kuadër, filmi “Ndërmjet” mbetet një portret shumëdimensional për gjendjen e shqiptarëve në

Malin e Zi, ashtu siç do të thoshte edhe regjisori i njohur Dhimitër Pecani – “filmi dokumentar është historia, arti, kultura e një populli e shkruar në celuloid.”

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top