Thursday , December 13 2018
Lajmi i fundit

Arijana Kurmemoviq: BOTA DETARE DHE PESHKATARËT VIKTIMAT E PARA TË KËRKIMIT TË NAFTËS DHE GAZIT

Polar EmpressTre vite pas shpalljes së tenderit, nisi kërkimi i naftës dhe gazit në Bregdetin malazez. Paralajmërohen tendera dhe shpime të reja kërkimore, u përcaktua tashmë edhe fitimi për shtetin, por jo edhe për qytetarët. Për dëm pak kush brengoset.

Këto ditë në ujërat territorial të Malit të Zi do të lundrojë anija për kërkime sizmike të konsorciumit italo-rus “Eni – Novatek”. Siç është paralajmëruar, xhirimi i nëndetit, me të cilin do të përfshihet sipërfaqja prej madje 1.200 kilometër katror, do të zgjasë deri në dhjetor. Qëllimi përfundimtar i hulumtimit është të definohen saktësisht lokacionet për shpimet kërkimore, në mënyrë që në fund të vitit të ardhshëm apo në fillim të vitit 2020 të nis shpimi.

Në Drejtorinë për Hidrokarbure të Malit të Zi pohojnë se shpimet do të jenë jashtë ujërave tona territoriale, gjegjësisht 23 kilometër nga bregu. Vetëm pas presionit të sektorit civil është paraparë që shpimet kërkimore, e janë planifikuar katër, të jenë të paktën dhjetë kilometer larg bregut. Plani fillestar ishte që të jenë tre kilometër nga bregu!?

Njëkohësisht edhe nga kompania tjetër e cila fitoi të drejtën të hulumtojë se a ka në nëndetin e Ulqinit dhe Tivarit naftë dhe gaz, ajo greke “Energean Oil&Gas”, njoftuan se hulumtimet sizmike do të fillojnë jo më vonë se për tre muaj.

Në këtë kompani janë të bindur se jugu i Malit të Zi qëndron mbi naftë. Vlerësimi i pavarur të cilin e porositën tregoi se në dy blloqe afër Ulqinit dhe Tivarit janë 438 milion barelë naftë.

Edhe ministrja e ekonomisë e Malit të Zi Dragica Sekuliq është optimiste dhe thotë se nëndetin tonë do të gjendet nafta, sepse, siç pohon, të gjithë hulumtimet e tregojnë këtë gjë.Dragica Sekulic

Bindje të njëjta kanë edhe në konsorciumin italo-rus. Drejtori i kompanisë “Eni” për Mal të Zi Agostino Makanji thotë se vendimi do të bihet në bazë të të dhënave të grumbulluara. “Anija do të lëvizë ngadalë, me shpejtësi në mes 4 dhe 6 nyje, me vete do të mbajë pajisjen për emetimin e impulseve zanore, gjegjësisht të topave të ajrit. Tingulli do të godas fundin e detit, gjersa kompjuterët në anije do të përpunojnë të dhënat sizmike. Ky sinjal pastaj do të analizohet nga super kompjuteri dhe do të fitojmë fotografi më të qartë se çfarë ka poshtë sipërfaqes.

Kjo do të na mundësojë që të hulumtojmë resursin potencial të zonës për të cilën fituam leje”, thekson Makanji duke vlerësuar se rreziku nga kërkimet gjeofizike është minimal.

Por, ekspertët janë shumë më të rezervuar. Drejtori i Institutit për Biologjinë e Detit nga Kotorri, dr. Mirko Gjuroviq, thotë se këto kërkimet, në masë të caktuar, do të kenë pasoja në ekosistemin detar. “Në çfarë mase, këtë do ta shohim. Instituti ka bërë disa hulumtime para hulumtimeve sizmike. Kemi bërë kërkimet e resurseve peshkatarë së bashku me kompanitë të cilët planifikojnë të bëjnë kërkimet sizmike. Ne si institucion shtetëror dhe i vetëmi institut i cili merret me çështjen e mbrojtjes së ekosistemit detar dhe me studimin e tij jemi këtu të përcjellim tërë procesin, se a zhvillohet ai në mënyrë të duhur. Vetëm vitin e ardhshëm, kur të përsërisim hulumtimin, do të mund të themi se a kishim pasoja negative nga kërkimet, dhe nëse po, në çfarë mase”, shtoi ai.Istrazivanje 1

I njëjti institucion shkencor para 15 vitesh kur u paralajmëruan xhirimet gjeofizike të rezervave potenciale të naftës dhe gazit në nëndetin malazez paralajmëroi për rreziqet dramatike të këtyre aktiviteteve, duke përmendur edhe qendrimin e drejtorit të atëhershëm të “Greenpeace” Kris Rouz. “Ekziston vetëm një rezultat përfundimtar i trajtimit sizmik të nëndetit me qëllim kërkimin e naftës dhe gazit, e ai është shkaktimi i demit mjedisit jetësor, klimës, detit dhe jetës në të. Testimi sizmik përcillet nga shpimi tokës, llumi toksik, ndotja e ujit, në fund edhe dioksid karbonin dhe dëmtimi i nëndetit. Planeti duhet të mbrohet nga kërkimet e pandjeshme të naftës”.

Tani në ballin mbrojtës mbeten vetëm ekologët, organizatat joqeveritare dhe peshkatarët, të cilët do të jenë viktimat e para të kërkimit të “arit të zi”. Sepse, anijeve të tyre i ndalohet hyrja në hapësirën në të cilën do të bëhen kërkimet, gjegjësisht do të duhen ta anashkalojnë në largësi.

Mbi një mijë kilometër katror do të trajtohen me topa ajror!?

“Pasojat e kërkimeve do t’i ndjejmë 4-5 vitet e ardhshme. U tha se fuqia e këtyre topave nëndet arrin fuqinë prej 262 decibelësh, e do të ngjajnë çdo 20 sekonda. Anija nga e cila do të lëshohen të shtënat lëviz me shpejtësi prej dy e gjysmë deri në katër nyje dhe mbulon tërë zonën e nëndetit mbi të cilën kalon, ndërsa ka edhe tetë kabllo të cilët i tërheq pas vetes. Ato qëndrorët janë të gjatë 7 deri në 10 kilometër, anësorët rreth pesë, ndërsa shpërthimet nënujore në mënyrë të drejtëpërdrejtë ndikojnë në planktonet dhe peshkun e vogël, në tërë botën e gjallë – tërë peshkun e bardh dhe karkalecët, gaforret, oktapodtë të cilët shërbejnë si ushqim për peshkun”, thotë Dragolub Bajkoviq nga Shoqata Nacionale e Peshkatarëve të Malit të Zi.

Ai tha se blloqet hulumtuese përfshijnë habitatet kryPolar 2esore të peshkut në pjesën tonë të Adriatikut, si dhe vlerëson se do të vijë deri tek zvogëlimi i fondit të peshkut në një periudhë të gjatë.

“Kam frigë se mund të presim ngordhje të mëdha të peshkut, si dhe të humbim imazhin e destinacionit në të cilën hahet peshku cilësor nga deti”, thotë gazetarja dhe aktivistja ekologjike Angjella Gjurashkoviq. Ajo pohon se “Eni” është e njohur për një sërë incidentesh gjatë hulumtimeve të veta, që, siç shton ajo, duhet të jetë arsye që të ndezët “drita e kuqe”.

Përndryshe, peshkatarët nga Tivari dhe Ulqini të cilët kanë lejet për peshkim në këtë zonë, kanë refuzuar ofertën e konsorciumit “Eni – Novatek” për dëmshpërblim të përgjithshëm prej 175 mijë eurosh, sepse në periudhën e kërkimeve do të ndalohet peshkimi në këto zona. Kanë thënë se kjo shumë është tepër e vogël, sepse familje të tëra jetojnë nga peshkimi.

Nga rrjeti “SOS për Montenegro”, përfaqësuesit e të cilit nisën iniciativën për mbledhjen e nënshkrimeve për vendosjen e moratoriumit për kërkime të naftës dhe gazit në Detin Adriatik, paralajmëruan se në shënjestër do të jetë i tërë ekosistemi i detit.
“Teknika që ato përdorin, topat me zë të cilët godasin fundin e detit dhe pastaj kapen me, të ashtuquajtura, pasqyre gjegjësisht senzorë, në mënyrë që të përcaktohet se a ekzistojnë hidrokarburet në nëndetin tonë është katastrofale për botën e bimëve dhe të kafshëve të nëndetit. Këto anije tërheqin pasqyret në gjatësi prej pesë deri në shtatë kilometër dhe përfshijnë një sipërfaqe të madhe, gjë që më së miri flet për diametrin e përhapjes së shpërthimeve, gjegjësisht detonimeve zanore në nëndet”, shpjregon Natasha Kovaçeviq nga organizata joqeveritare “Grenn Home”.

Sipas fjalëve të ish nënkryetares së Komunës së Ulqinit dhe drejtueses së Shoqatës “Martin Shnajder – Jakobi”, Zenepe Likës, të gjithë planet dhe aksionet e shtetit lidhur me hulumtimin e naftës dhe gazit në nëndetin e Ulqinit duhet ndaluar gjersa ka kohë. “Nuk do ta gjeni as edhe një qytetarë të Ulqinit i cili është pro eksploatimit të naftës, e në veçanti jo për këto hulumtimet të cilët rrisin rrezikun nga tërmeti në këtë zonë të ndjeshme sizmike. Ky rrezik është 10 herë më i madh se në rrethana normale. E gjitha kjo shkon kundër vullnetit dhe dëshirës së qytetarëve dhe mendoj se moratoriumi për këtë punë duhet të vendoset sa më parë”, thotë Lika.zenepa-lika

Qytetarët e Ulqinit nuk i pyeti kush për këtë gjë. Madje as shqyrtimi publik nuk u mbajt në këtë qytet. Pushteti lokal, të cilin e përbën Partia Demokratike e Socialistëve dhe partitë nacionale shqiptare, heshtin për këtë çështje.

“Ne tërë kohën pohojmë se qytetarët nuk janë të informuar në mënyrë adekuate se çfarë do të thotë kërkimi i naftës dhe gazit në detin tonë të vogël i cili ka karakter të mbyllur dhe çfarë pasojash ky kërkim ka jo vetëm për biodiversitetin por edhe për shëndetin dhe cilësinë e jetës së qytetarëve, si dhe për degët e ndryshme ekonomike, para së gjithash për turizëm”, thotë Natasha Kovaçeviq e cila është e bindur se “çfarë do kërkimi për naftën është në kundërshtim me nenin 1 të Kushtetutës i cili Malin e Zi e definon si shtet ekologjik”.

Në Qeverinë malazeze thonë se në pjesën italiane të Adriatikut ka 1.358, ndërsa në atë kroate 133 puse kërkimore, si dhe që të gjithë shtetet të cilët kanë dalje në Detin Adriatik, me përjashtim të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Sllovenisë, po bëjnë kërkimet ose po shpallin tenderët. Vetëm në Kroaci është në fuqi moratoriumi për kërkime të reja. Tenderi i ri në Mal të Zi paralajmërohet për dy vite.

Gjeologu Stanko Kadija, i cili për një kohë të gjatë ishte shef për gjeologji në kompaninë kroate “Ina – Naftaplin” dhe përcolli pikërisht kërkimet në nëndetin e Adriatikut, thotë se burimet e gjetura të naftës dhe gazit janë thjeshtë shumë të vogla për punë serioze. “Prandaj të gjitha që po bëhen sot janë vetëm bredhje pa asnjëfarë rezultatesh”, mendon ky gjeolog me eksperiencë.Nafta

Vlerësimeve të tija i shkon në favor fakti se tapa po qëndron në pusin kërkimor i cili para tre dekadash u hap në Valdanos në thellës prej 5.309 metër, sepse prodhimi nuk ishte i leverdishëm komercialisht.

Por, deri sa ky fakt të vërtetohet përsëri, pjesa jonë e Adriatikut, të vetmit det që kemi, do të plagoset rëndë. Peshku nga deti i Ulqinit dhe Tivarit do të duhet të kërkojë ujërat më të qeta.

Artikulli është shkruar në kuadër të projektit “Faktet janë të rëndësishme! Gazetaria objektive dhe inovative për BE!” të cilin e realizon CGO, në bashkëpunim me Portalin Ul-info. Projektin e financon Bashkimi Evropian, ndërsa e kofinancon Ministria e Punëve të Jashtme e Mbretërisë së Holandës.

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top