Tuesday , December 11 2018
Lajmi i fundit

Arijana Kurmemoviq: SHTËPIA E PASHËS NË ULQIN – NGA SIMBOLI NË FOLE GJARPËRINJSH

Dikur një nga ndërtesat më të bukura në Ulqin, sot është e harruar, e lënë pas dore, e rrënuar. Shtëpia e Pashës ishte simbol, ndërsa tani është bërë shtëpi e fantazmave, deponi, shëmti në qendër të qytetit.

Edhe pse është e vendosur në “Rrugën 7”, në afërsi të të cilës gjendet Kalaja, shkolla më e vjetër në qytet, “Boshko Strugar”, kisha ortodokse e Shën Nikollës dhe Xhamia e Ali Pashës, asnjë nga organet kompetente me dekada nuk e pa si të nevojshme që të ndërmarr diçka konkrete.
“Shtëpia e Pashës dikur ishte përmendore e kategorisë së parë, nën juridiksionin e Entit Republikan për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore nga Cetina, gjersa sot është turp dhe marre për të gjithë ne”, thotë kronisti dhe publicisti ulqinak Ismet Karamanaga.

Sipas të dhënave historike, këtë objekt në vitin 1742 e ndërtoi, me urdhër të sulltanë Mahmudit, pashai i Shkodrës Jusuf Çausholli. Qëllimi i qëndrimit më të gjatë në Ulqin të Pashait dhe njerëzve të tij ishte ndalimi i piraterisë.

Ari 1

Nga mesi i shekullit 18 Ulqinakët, me përkrahjen e kusarëve nga Afrika veriore, shpesh sulmuan anijet venedikase. Perandoria Osmane, pas nënshkrimit të paqes me Republikën Venedikase, në vitin 1719, ka ndërmarr masat e fuqishme në mënyrë që të parandalojë kusarinë në Adriatik.

“Kjo shtëpi ishte gjatë një nga ndërtesat më të bukura në Ulqin. Në te kanë jetuar madje edhe nga dhjetë familje. Komunistët e kanë ruajtur shumë më mirë se neve. Sot ajo është në gjendje të mjerueshme. E kishte tavanet më të bukura, gdhendjet më të bukura”, kujtohet Karamanaga i cili si djalosh lozi rreth Shtëpisë së Pashës.

Nga objekti madhështor mbeti vetëm konstruksioni. Gjurmët e pullazit të punuar dhe gdhendur me dorë vazhdojnë të jenë të dukshme në mure, pjesa më e madhe u zhduk në gërmadha, gjersa pjesa e mbetur shembet për çdo ditë.

Shtëpia e Pashës ishte vakëf, për shumëkënd ishte strehë. Sot njerëzit që jetojnë pranë kësaj ndërtese, frikësohen për sigurinë e fëmijëve të vet.Ari 3

Banori vendas Danillo Bojanoviq është baba i dy fëmijëve. Shtëpinë e Pashës e ka praktikisht në oborr, kështu që fëmijët kalojnë për çdo ditë aty pranë. “Nuk ka person të cilin nuk e thirrëm. Iu drejtuam të gjithëve, kërkuam ndihmë, shkruam peticione. Askujt nuk i intereson. Neve na luajnë këtu fëmijët për çdo ditë. Kemi frikë të vazhdueshme nga më e keqja. Shemben mbetjet e pullazit pothuajse për çdo ditë. Nuk dimë më çfarë të bëjmë. Askush nuk është kompetent, thonë nuk mund të bëjnë asgjë. Mund të vdes fëmija, askujt nuk i intereson”, thotë Bojanoviq.

Edhe komshiu i tij Vesna Stanisavleviq është e hidhëruar. “Kjo është turp. Me të vërtet nuk mund të besojë se në mes të qytetit, në vendin turistik, diçka e tillë mund të qëndrojë për vite të tëra. Çfarë jemi ne? A duhet dikush të humb jetën, a duhet fëmijët nesër ta pësojnë!? Nëna ima ka 89 vite, unë nuk guxoj ta lë vetë, edhe pse është grua e lëvizshme. Kam frikë se diçka nga pullazi do ta mbysë. Qëndrojmë rreptësishtë në anën tjetër të murit”, tha ajo duke konstatuar se Shtëpia e Pashës është edhe çerdhe gjarpërinjsh.

Peticionet janë shkruar shumë herë, por banorët e “Rrugës 7” asnjëherë nuk gjetën mirëkuptim. Të vetëdijshëm për rrezikun nga komshiu i pazakontë kërkuan nga shumë pushtete të kaluara dhe zyrtarët e qytetit që të ndërmarrin masat e nevojshme dhe të rindërtojnë shtëpinë, para se dikush të humb jetën. Mirëpo, përgjigja gjithmonë ishte se Komuna e Ulqinit nuk ka kompetenca, se për këtë vendos Ministria e Kulturës, Drejtoria për Mbrojtjen e Të Mirave Kulturore…

Mirëpo banorët vendas nuk pranojnë justifikime të tilla. Sepse, Shtëpia e Pashës është e regjistruar në Regjistrin e Të Mirave Kulturore të Patundshme si e mirë me rëndësi lokale.Ari 2

“Patjetër, duhet të reagojë Ministria e Kulturës. Por, nga vetëqeverisja vendore duhet të niset iniciativa, që më në fund diçka të nis të ndodh. Ajo është në territorin e Komunës së Ulqinit dhe askush nuk mund të më bind se është ndryshe, kot i lajnë duart me vite dhe flasin se nuk janë kompetent, se ajo është kompetencë e shtetit”, tha Karamanaga.

Drejtuesi i Muzeut në Ulqin Gazmend Kovaçi thekson se rrënimi ndodhi për shkak të moskujdesit të institucioneve kompetente. “Ashtu si pjesa më e madhe e trashëgimisë kulturore të Komunës së Ulqinit edhe ky monument është lënë të shkatërrohet për shkak të qasjes joadekuate të institucioneve dhe mungesës së funksionit”, mendon Kovaçi.

Edhe në Drejtorinë për Mbrojtjen e Të Mirave Kulturore vlerësojnë se shkatërrimi i monumentit të rëndësishëm kulturor dhe historik erdhi si pasojë e mungesës së bashkëpunimit në mes institucioneve lokale dhe shtetërore, në veçanti pas tërmetit të vitit 1979. Nga ky institucion njoftuan se është bërë elaborati për valorizimin e kësaj të mire kulturore në të cilin hollësisht është shpjeguar gjendja momentale dhe masat e mbrojtjes së tij përmes Projektit të sanimit, e në bazë të hulumtimeve paraprake të hollësishme konservatore.

Ministria e Kulturës që në vitin 2013, përmes Programit të Mbrojtjes dhe Ruajtjes së të Mirave Kulturore, ndau 12.000 euro për hartimin e projektit konservues për të mirën kulturore Shtëpia e Pashës, në bazë të të cilit duhej të zbatohen masat konservatore. Vlera e përmendur e parave, siç mësojmë nga të punësuarit në këtë institucion, e të cilët për këtë çështje nuk dëshironin të flisnin publikisht, përfunduan në adresë tjetër, për shkak të bllokimit të llogarisë së Qendrës për Kulturë në Ulqin!?

Llogaria e Qendrës asokohe ishte në bllokim të vazhdueshëm, kështu që mjetet të cilët mbërrinin shkonin për shlyerjen e borxheve. Kjo ndodhi edhe me paratë e dedikuara për Shtëpinë e Pashës.Ari 4

Në Programin e Mbrotjes dhe Ruajtjes së të Mirave Kulturore për vitin 2018 Ministria e Kulturës së Malit të Zi përmenden 116 projekte të “propozuara nga ana e institucioneve publike nacionale dhe lokale dhe të organeve të pavarura të administratës nga fusha e trashëgimisë kulturore”.

Ndër këto projekte nuk është Shtëpia e Pashës edhe pse theksohet se “një nga qëllimet kryesore të këtij Programi është zhvillimi i barabartë i kulturës në tërë territorin e Malit të Zi.”

Ndoshta është ky një nga arsyet pse nga ky resor qeveritar nuk ia janë përgjigjur pyetjeve tona lidhur me këtë monument kulturo historik.

Banorët e “Rrugës 7” dhe qytetarët e Ulqinit e vlerësojnë këtë si skandaloze. Përveç njerëzve që jetojnë në afërsi të këtij objekti dhe kanë frikë nga siguria e më të afërmve, si dhe profesor Karamanagës, i cili jo rrallë rikujton opinionin për shkatërrimin e një nga simbolet e dikurshme të Ulqinit, të tjerët, kryesisht, heshtin për Shtëpinë e Pashës.

Nga Bashkësia Islame e Ulqinit me vite paralajmërojnë se me ndihmë të Agjencisë Shtetërore Turke (TIKA) duhet të fillojnë punimet për rikonstruktimin e Xhamisë së Ali Pashës, hamamit, si objekt unik në Mal të Zi, si dhe i Shtëpisë së Pashës dhe Beladijes (Komunës së dikurshme, e cila ndodhet në Çarshinë e Ulqinit dhe po ashtu është në gjendje të rrënuar). “Me rikonstruktimin e këtyre objekteve, të cilët janë pjesë e trashëgimisë tonë fetare, por edhe kulturore, do të pasurohet dhe do të ngritët në nivel më të lartë oferta e jonë turistike”, thonë nga ky institucion.

Ish kryetari i Komunës së Ulqinit Gëzim Hajdinaga thotë se gjatë mandatit të tij (2006-2011) ka kërkuar nga drejtuesit e TIKA-së që të financojnë rinovimin e këtij objekti. “Ato duhet të gjejnë vend edhe në listën e Organizatës Turistike, si vende të cilët mysafirët dhe vizitorët duhet patjetër ti vizitojnë gjatë qëndrimit në qytetin tonë”, thotë Hajdinaga.

Kovaçi thotë se Muzeu se ka ndërmend që, në pajtim me Ligjin për Mbrojtjen e Të Mirave Kulturore, të dorëzojë iniciativën për rinovimin e Shtëpisë së Pashës. “Propozojmë që objekti i sanuar të jetë në kuadër të Muzeut të Ulqinit me karakter të organizimit të aktiviteteve të ndryshme nga fusha e kulturës”, shton ai.

Iniciativa patjetër është e dobishme dhe e lavdërueshme, ama vetëm kur të hartohet projekti konservues. E mjetet për këtë gjë, megjithatë, duhet t’i ndajë Komuna e Ulqinit.

Artikulli është shkruar në kuadër të projektit “Faktet janë të rëndësishme! Gazetaria objektive dhe inovative për BE!” të cilin e realizon CGO, në bashkëpunim me RTMZ dhe Portalin Ul-info. Projektin e financon Bashkimi Europian.

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top