Wednesday , July 18 2018
Lajmi i fundit

ART CLUB: BOTOHET PËRMBLEDHJA ME POEZI E FIQRET MUJEZIQIT

Fiqret MujeziqiPas disa sprovave poetike në gazeta e revista, Fiqret Mujeziqi, një emër jo i panjohur për opinionin shqiptar në Mal të Zi, vjen para lexuesit me përmbledhjen e parë me poezi, të titulluar “Malësi e mall”, e cila është botuar këto ditë nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”.

Në libër janë përfshirë 83 poezi, të ndara në gjashtë cikle, në të cilat autori prek tema të ndryshme, por ku dominon dashuria, nostalgjia dhe malli i tij për vendlindjen dhe popullin e tij.

Siç shprehet në vështrimin e tij poeti Ibrahim Berjashi, “Mujeziqi, atje në mërgim, ‘vendlindjen sikur e ka bartur me vete’. Kur i shpërthen nostalgjia për natyrën, fëmijërinë, të afërmit e tij, Liqenin e Shkodrës, malin e Rumisë, monumentet e trashëgimisë kulturore, mijëvjeçare kulturore, të cilat ‘e kanë rrethuar që në fëmijërinë e hershme’, dufin e brendshëm shpirtëror të kujtesës e hedh në vargje duke ndërtuar ‘Mburojën e kujtimeve’”.

Berjashi thotë se “brenda diskursit të vargut të kësaj vepre, heroi lirik është vetë poeti i pozicionuar në kohë dhe hapësira të ndryshme” dhe se “imazhet, ndjesitë, mesazhet, nostalgjitë, emocionet e metaforat jetojnë në botën e brendshme të poetit”.

Libri është botim cilësor me lidhje të fortë dhe është shtypur në shtypshkronjën IVPE – Cetinë.

Përzgjedhjen e poezive e ka bërë poeti Ibrahim Berjashi, lektor është Ismet Kallaba, kurse përgatitjen teknike dhe artistike Qazim Muja.

Fiqret Mujeziqi është lindur në Krajë, ku ka kryer shkollën fillore, të mesmen në Ulqin, ndërsa Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës. Një kohë ka punuar në Tivar, por prej vitesh me gjithë familjen ka emigruar në Gjermani. Ky është libri i tij i parë.

Në kuadër të veprimtarisë së tij botuese “Art Club”, botuesi më i madh ndër shqiptarët në Malin e Zi, ka botuar deri tani rreth 130 libra, kryesisht të autorëve shqiptarë në Malin e Zi.

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top