Wednesday , November 21 2018
Lajmi i fundit

Art Club: Botohet përmbledhjen me tregime “Delfini në Barbanë” të shkrimtarit Asllan Bisha

Asllan BishaPërmbledhja me tregime për fëmijë „Delfini në Barbanë“ është libri më i ri i shkrimtarit Asllan Bisha, i cili është botuar këto ditë nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve „Art Club“. Ky është libri i tij i katërt për fëmijë dhe vjen pas romanit për fëmijë „Ufo në Barbanë“.

Libri përmban dhjetë tregime, që janë vazhdimësi e tregimeve që lidhen me fëmijërinë e autorit dhe ngjarjet në lumin Bunë dhe grykëderdhjen e saj në det. Tregimet janë ngjarje të vërteta, të përjetuara nga autori, rrëfime nga fëmijëria, me përmbajtje të veçantë dhe të stilizuara artistikisht. Tregimet janë shkruar në mënyrë mjeshtërore, me plot të papritura që përjetohen në peshkim.

Përpos që janë përshtatur për moshën e fëmijëve dhe të rinjve, tregimet kanë edhe karakter edukativ. Ato përçojnë mesazhe të humanitetit, si në rastin e delfinit të plagosur nga rojet kufitare që shpëtohet nga fëmijët, mesazhin për t’i ruajtur peshqit dhe botën e gjallë shtazore në përgjithësi nga peshkatarët dhe gjahtarët e papërgjegjshëm etj. Porosia e tregimeve për fëmijët dhe të rinjtë është se vetëm nëpërmjet dashurisë mund dhe duhet ruajtur kjo pasuri natyrore që po shkatërrohet.

Redaktor i librit është Hajro Ulqinaku, recensent mr. Haxhi Shabani, lektor Ismet Kallaba, kopertina është punuar nga piktori Marxhan Lamoja, kurse redaktor teknik është Gazmend Çitaku.

Libri është shtypur në Shtypshkronjën IVPE – Cetinë, ndërsa botimin e tij e ka mbështetur Ministria e Kulturës.

Përmbledhja me tregime „Delfini në Barbanë“ është libri i 18-të (përfshirë edhe ribotimet) i shkrimtarit Asllan Bisha, i cili shkruan kryesisht prozë për fëmijë dhe të rritur. Ka qenë korrespondent i gazetës “Rilindja” dhe i RTV të Kosovës, bashkëpunëtor i Radio Titogradit dhe i revistës “Koha”, ndërsa tani bashkëpunon me gazetën “Koha javore”. Po ashtu ka qenë kryeredaktor i revistës për fëmijë “Zana”. Ai është mbledhës folklori, autor punimesh nga ihtologjia (peshkimi) dhe i teksteve të këngëve për fëmijë dhe të rritur. Është njëri ndër përpiluesit e antologjisë “Dritaren lëre hapur”, si dhe është përfshirë në antologjinë “Putnici na putu” dhe përmbledhjen “Pet albanskih književnika u Crnoj Gori“. Disa nga krijimet e tij letrare janë përfshirë edhe në tekstet shkollore për shkollat në gjuhën shqipe në Mal të Zi.

Në kuadër të veprimtarisë së tij botuese “Art Club”, botuesi më i madh ndër shqiptarët në Malin e Zi, ka botuar deri tani rreth 130 libra, kryesisht të autorëve shqiptarë në Malin e Zi.

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top