Monday , July 13 2020
Lajmi i fundit

Asllan Bisha: Ikën, por Ulqinin s’e harruan kurrë

GanI Karamanaga(RECENSION për librin ,,Mullini i Erës” të autorit Gani Karamanaga)

,,Mullini i Erës” është libri i radhës i krijuesit Gani Karamanaga, i cili shtjellon një temë për mërgimtarët tanë. Ata u larguan, por dashurinë për vendlindje s’e harruan kurrë. Dhe ketë mallëngjim e shtjellon, posaçërisht tek libri ,,Mullini i erës”kushtuar Ibrahimit nga Kalaja, i cili u detyrua të braktisë Kalanë, si shumë të tjerë. I riu emigroi. Gjeti punë në Durrës në anijen ulqinake, por në vitin 1948 anija konfiskohet. Dhe merr rrugën e mërgimit, për një jetë më të mirë. Kaloi detin. Mbërriti në Napoli. Mjeshtri të ndryshme suvatime, bojaxhi. Punoi natë e ditë për të jetuar, por një ditë duke shkuar në punë pësoi aksident. E dërguan në spital, lëndimi ishte i rëndë. Por, Ibrahimi kishte rënë nga bedenet e Kalasë në tharkun e derrave të fqinjit dhe kishte shpëtuar. Aksidentin dhe shërimin i përballoi. Për të, në spital përkujdesej infermierja Tereza, e cila kur mori vesh se ai ishte shqiptar ishte e lumtur, nga se motra e saj ishte martuar për shqiptar. I pëlqeu shumë djaloshi për durim dhe siguroi një trajtim të veçantë dhe iu përkushtua shumë në spital. ,,Qenka fati im që edhe unë si motra të martohem për shqiptar…” Dhe kështu ngjau. U shoqëruan dhe u dashuruan. Fati të rinjtë i solli në Australinë e largët. Lundruan 35 ditë me anije dhe ishin ditët më të bukura të rinisë së tyre. Posa shkelën në shtetin e Viktorisë, të rinjtë lidhën kurorë. Punuan dhe jetuan, por fati s’i deshi. Tereza shtatzënë rrëshqiti dhe u rrëzua. U dërgua në spital, mbet pa fëmijë. Shpresoi se do të mbesë shtatzënë, por s‘ patën sukses. Jeta vazhdoi, vitet ikën, ndërsa Ibrahimin malli nuk e linte të qetë, malli për Ulqinin. Ai kishte ikur, por zemra i kishte ngelur tek ,,Mullini i Erës”, ku kishte kaluar fëmijërinë, por edhe rininë. Është ky personazhi kryesor i librit ,,Mullini i Erës”, që është kronikë e mërgimtarëve ulqinakë, të cilët kishin emigruar nga vendlindja nga pështjellimet, rrëmujat politike dhe ekonomike. Ulqini i bukur zaptohej nga të huajt. Ata e pushtonin, e rrënonin dhe lënin gjurmë në arkitekturën e qytetit. Dhe Karamanaga, si në kronist i shënon ngjarjet dhe njerëzit. Ai jep informacion dhe shënime sikur të ishte një historian i vërtetë. Ndodhirat i shënon nga shekujt e largët, por deri në ditët e sotmet. Këtu ka brumë dhe ngjarje të vërteta, prandaj vlera e librit do të jetë me interes për shumë shtresa të lexuesve. “Mullini i Erës” është shkruar me dashuri dhe përfshin shekuj të cilët u përsëritën dhe dhuna e shpërnguljet si politike dhe ekonomike të cilat e tronditën Ulqinin me rrethinë dhe nxitën shpërnguljen. Ganiu i përshkruan me saktësi duke shënuar edhe datat historike…
,,Mullini i Erës” është libër i shkruar me dashuri dhe fati i Ibrahimit dhe dëshira e tij ishte të kthehet në Ulqin. Kur u plak, nipi i Terezës dhe e shoqja e sollën në Ulqin, aty ku ishte kaluar fëmijërinë. E plotësuan amanetin e tij. Unë do të kthehem te ,,Mullini i Erës”.
Në gurvarrin e tij ishte skalitur sipas dëshirës së tij :
Atdhe i dashur, te Ti u ktheva përgjithmonë.
Tereza, e shoqja e Ibrahimit nga Napoli, veshur me të zeza, qante si fëmijë për burrin e saj, shikonte varrin, Kalanë dhe detin për të cilin Ibrahimi i kishte folur shumë, ndërsa nipi i Terezës mbajti një fjalim. Shumica e të pranishmëve nuk e kuptonin anglishten, por lotët i rridhnin në fytyrë. Edhe shumë të tjerë ulqinakë qanë për Ibrahimin. Ndërsa një plak thoshte pa reshtur ,,Guri peshon randë në vend të vet”.

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top