Thursday , February 20 2020
Lajmi i fundit

Canka: NDËRTIMI I EGËR NË EKSPANSION

mustafa cankaNjë nga problemet më të mëdha në Ulqin është ndërtimi i egër. Kohën e fundit ai ka përshkallëzuar. Edhe pse ka filluar sezoni turistik, në mënyrë të paligjshme po ndërtohen rreth pesëdhjetë objekte në tërë territorin e komunës – nga Krruçi në Adë. Po ndërtohen shtëpi të mëdha, nuk paguhen detyrimet, kaosi urbanistik mbizotëron në komunë edhe pse tashmë ka mijëra objekte pa leje. Të kënaqur janë vetëm spekulatorët dhe ndërmjetësit në këto punë të paligjshme.

Shërbimet e inspeksionit në këtë luftë kundër këtij fenomeni kanë dështuar. E si mos të dështojnë, kur në të gjithë vendin janë vetëm tre inspektor për ndërtimtari. E vetëm njëri nga ato është përgjegjës për komunat e Tivarit dhe Ulqinit.

Meqë është kështu, atëherë përgjegjësia më e madhe i takon policisë komunale. Arsyetimet që kompetencat i kanë të pakta, nuk mund të pranohen më. Nuk është Ulqinit Njujork që me njerëzit ekzistues nuk mund të kryhet kontrolli efikas i ndërtimit të egër dhe atë për vetëm një javë.

Sepse, nëse vazhdohet kështu, është e pakuptimtë të miratohen planet dhe pastaj të lavdërohen politikisht me sjelljen e tyre.

Akoma më qesharake është që të iniciohen njëfarë aksionesh të tipit “Bëhu i përgjegjshëm. Prej teje varet. Ekonomia gri 0%”, gjegjësisht të ftohen qytetarët të luajnë rolin e inspektorëve. Kulmi i injorancës dhe poshtërsisë është që të pohohet që korrupsion në këtë komunë nuk ka derisa në Ulqin mbijnë kësi lloj ndërtimesh pa leje!?

E gjithë kjo, para syve tanë, ndodh në qytetin i cili para gati shtatë shekujsh, në Statutin e vet të vitit 1330, ka rregulluar çështjen e ndërtimit të egër!

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top