CIN CG: MINISTRI HRAPOVIQ PUNËSON NË MËNYRË TË JASHTËLIGJSHME?

 

Kenan HrapovicMinistri i Shëndetësisë Kenan Hrapoviq që nga fillimi i mandatit të tij në ministri ka punësuar shtatë persona të rinj pa shpallur konkurs, edhe pse së fundmi ka deklaruar se sistemi i kujdesit shëndetësorë shpenzon në mënyrë joracionale. Sipas burimeve të shumta, në mesin e punëtorëve të rinj është edhe kushërira e bashkëshortes së tij.

Qendra për Gazetari Hulumtuese në Mal të Zi (CIN-CG) e pyeti ministrin Hrapoviq se përse nuk janë shpallur konkurset për shtatë të punësuarit e rinj dhe çfarë kontratash kanë ata. Nga departamenti i tij u përgjigjen se janë duke zbatuar procedurat për plotësimin e vendeve të punës, sipas sistematizimit të ri dhe “në përputhje me ligjin”.

Departamenti i Kenan Hrapoviqit nuk ka të publikuar e as nuk ka përditësuar listat e të punësuarve, që nuk është në përputhje me Ligjin për Qasje të Lirë në Informata. Megjithatë, ai pretendon se brenda 30 ditëve nga data e hyrjes në fuqi të sistematizimit të ri, do të sjellë vendime dhe do të publikojë listën e zyrtarëve dhe punonjësve.

Në Ministrinë e Shëndetësisë momentalisht punojnë 52 persona. Gjatë mandatit të Budimir Shegrtit kanë punuar 45 persona. Sipas informatave jozyrtare të CIN-CG, Hrapoviqi gjatë tremujorit të parë të këtij viti, i ka paraqitur për shqyrtim Komisionit për Politikë Ekonomike dhe Sistemit të Brendshëm (KPE) draftin e rregullores për organizim të brendshëm dhe sistematizim, sipas të cilit Ministria e Shëndetësisë duhet të ketë vende për madje 81 të punësuar. Sipas burimit nga Qeveria, Komisioni për Politikë Ekonomike(KPE) nuk ka dhënë dritë jeshile për atë dokument. Më pas, Departamenti i Hrapoviqit paraqiti një draft të ri i cili do të zvogëlojë numrin e vendeve të punës në 76. Propozimin e miratoi fillimisht KPE, e pastaj edhe Qeveria.

Nga Ministria është konfirmuar se KPE kishte kundërshtime për numrin e planifikuar të punonjësve, vërejtje të cilën e pranuan duke e zvogëluar kështu numrin e propozuar në 76.

Me ardhjen në funksionin e ministrit, Hrapoviqi rriti edhe numrin e të punësuarve në kabinetin e tij. Sipas disa burimeve, për sekretare teknike ai emërtoi Alma Mariqin, kushërirën e bashkëshortes së tij. Ai nuk u përgjigj për CIN-CG se çfarë lidhje familjare ka bashkëshortja e tij dhe sekretarja teknike. Në rrjetin social Facebook shihen foto të përbashkëta të Alma. M me fëmijët dhe bashkëshorten e Hrapoviqit. Në profilin e Facebook-ut së vajzës së Hrapoviqit, sekretarja e të atit Alma Mariqi është e përcaktuar si anëtare e familjes, respektivisht si tezja.

Nuk është vetëm punësimi i Alma. M interesant. Me ardhjen në funksion, Hrapoviqi ka propozuar dhe pastaj Qeveria e ka emëruar si Sekretar të Shtetit në Ministrinë e Shëndetësisë, ish-inspektorin kryesor të buxhetit  Milovan Vujoviqin. Pikërisht disa muaj më parë, Vujoviqi ka kontrolluar nëse Hrapoviqi i ka shpenzuar paratë në mënyrë adekuate gjersa drejtonte Fondin për Sigurim Shëndetësor.

Raporti i Vujoviqit që ishte pozitiv u bë atëherë objekt sherri mes Hrapoviqit dhe ish-ministrit Shegrt. Ky i fundit ka pohuar se Vujoviqi nuk e ka bërë mirë punën e tij dhe se në raport “nuk e ka trajtuar atë që ishte objekt inspektimi”.

Përveç kësaj, Hrapoviqi zgjodhi si drejtoreshë në Drejtorinë për Mbrojtjen Shëndetësore, Alma Dresheviqin, bashkëshorten e zyrtarit të Partisë Boshnjake Nexhat Dresheviq, e cila më herët kishte punuar si pediatre në Qendrën Shëndetësore Podgoricë. Për këtë rast ka reaguar Qendra për Edukim Qytetar (CGO), duke theksuar se shembuj të tillë tregojnë se marrëveshjet e koalicionit padyshim përmbajnë elemente që dëmtojnë premtimet e mëdha për profesionalizimin e administratën publike, duke shtuar se është fjala për emërime politike, të cilat përbëjnë një problem të madh për funksionimin e institucionit.

Është interesant fakti se në kabinetin e Hrapoviqit janë tre punonjës përgjegjës për marrëdhënie me publikun, ndërsa më herët këtë punë e ka kryer vetëm një person.

Autore: Ana Komatina

 

Sekretaren e mori nga Fondi, në mënyrë të jashtëligjshme

 Ministri Hrapoviq deklaroi se sekretarja teknike në atë departament, Alma Mariq është punësuar në përputhje me Ligjin, i cili parasheh mënyrën e shkëmbimit të nëpunësve civilë ndërmjet organeve shtetërore. Ajo më herët ka punuar në Fondin për Sigurim Shëndetësor, i cili drejtohej nga Hrapoviqi.

Kjo do të thotë se pozicioni i sekretarit teknik, i cili më herët nuk ka ekzistuar në sistematizim është plotësuar, kurse e punësuara është marrë nga një organ tjetër para se të krijohet vendi i punës.

Sipas ligjit, kalimi i punëtorëve ndërmjet organeve shtetërore është i mundur vetëm në qofte se anulohet organi shtetërorë dhe punët e tij i kalojnë një organi tjetër.

Hulumtuesja për Politikat Publike në Institutin Alernativa, Milena Millosheviq theksoi se është fjala për një lloj manovre unike, nëse zyrtarja punësohet në ministri para miratimit të rregullores së re. 

Sipas kësaj formule, sistematizimi i vendeve të punës është bërë i “pakuptimtë”.

 “Kjo situatë tregon se marrja në punë bëhet në mospërputhje me Ligjin për Zyrtarët dhe Nëpunësit Shtetëror. Përkatësisht, nëse organi nuk e merr fushëveprimin e punëve që më parë i përkisnin një organi tjetër, kalimi i të punësuarve nuk duhet të jetë bazë e punësimit dhe është e qartë se shfrytëzohet vetëm për të anashkaluar obligimet e shpalljeve publike dhe konkurrencës së hapur të kandidatëve për vendin e ri të punës”, konsideron Milena Millosheviq.

 

Drejtoria për Burimet Njerëzore ka propozuar ndryshime

Sipas informatave jozyrtare të CIN-CG, Drejtoria për Burimet Njerëzore ka pasur mendime negative për të dy rregulloret e Ministrisë së Shëndetësisë.

Drejtoresha e Drejtorisë  për Burimet Njerëzore, Svetlana Vukoviq tha për CIN-CG se që nga fillimi i vitit kanë dhënë vetëm dy herë mendime mbi Draft-Rregulloren për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Mendimin e parë e kanë dhënë me 30 mars në Draft-Rregulloren e paraqitur me 29 shkurt. Drejtoresha Vukoviq tha se me 11 prill Ministria iu ka dorëzuar Draft-Rregulloren të përmirësuar, për të cilën dhanë mendime dy ditë më vonë. “Në këto mendime, Drejtoria për Burimet Njerëzore ka treguar domosdoshmërinë për të harmonizuar punët në Drejtoratin për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe harmonizimin e rregulloreve me Urdhëresën mbi Kriteret për Organizimin e Brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Organet e Administratës Shtetërore”  – pohoi drejtoresha Vukoviq.

Sipas sistematizimit, në këtë departament duhet të ishin 10 të punësuar. Me sistematizimin e mëhershëm të vendeve të punës drejtorati nuk ka ekzistuar fare, por veç drejtoria me më pak se gjysmën e të punësuarve të tanishëm.

 

Hrapoviqi: Marrin shembull nga vendet e zhvilluara

Ministria pohon për CIN-CG se është ndër departamentet me numrin më të vogël të vendeve të punës të sistematizuara dhe se Rregullorja është bërë sipas qasjes së re në krahasim me atë të mëhershmen dhe është modeluar sipas rregulloreve të Ministrive të vendeve të zhvilluara. Ata thonë se numri i vendeve të punës të sistematizuara, nuk nënkupton edhe plotësimin e tyre.

Në përgjigjen e Ministrisë thuhet se numri i të punësuarve është rritur në fushën farmaceutike, që ndër të tjera do ndikojë në përdorimin racional të barnave, por edhe që është  formuar Njësia e Auditimit të Brendshëm, që ka një rëndësi të veçantë. Ata gjithashtu pohojnë se organizimi i punës “i është përshtatur dokumenteve të miratuara strategjike dhe zgjidhjeve ligjore, si dhe është harmonizuar me praktikën e vendeve fqinje dhe BE-së”./cin-cg.me/

Ky artikull është hartuar me ndihmën e Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “SHOQËRIA CIVILE PËR QEVERISJE TË MIRË: SHËRBIM DHE MERITË”, të cilin e realizon Instituti Alternativa, Bonum, Natura, Horizonti i Ri, Qendra për Gazetari Hulumtuese. Përmbajtja e këtij artikulli  është  përgjegjësi vetëm e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk pasqyron pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

PARTNERS

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi