Saturday , December 16 2017
Lajmi i fundit

D.Llolla: Në përballje me një proces planifikimi buxhetor që nuk reflekton interesat e qytetarëve

Drita LlollaMë lejoni të risjell në vëmendjen tuaj shqetësimin që u ngrit para disa ditësh nga kolegët e mi, rreth dëgjesës private, që u realizua në kurriz të të drejtave tona, për t`u informuar dhe për të marrë pjesë në procesin e planifikimit buxhetor për vitin 2018.

Praktika e buxhetimit me pjesëmarrje është një mekanizëm që siguron përfshirjen tonë në identifikimin e prioriteteve dhe alokimin e burimeve të financave vendore, në mënyrë që Komuna t’i përgjigjet më së miri nevojave tona. Kjo e drejtë është garantuar nga një sërë dokumentash ndërkombëtar dhe kombëtar, si: Karta Evropiane për Vetëqeverisje Lokale, Ligji për buxhetin, Ligji për financat e vetëqeverisjes vendore, Ligji për vetëqeverisjen vendore, Ligji për ratifikimin e Konventës për aksesin në informacion, pjesëmarrjen e publikut në vendimmarrje dhe aksesin në drejtësi për çështje që kanë të bëjnë me mjedisin (Konventa e Aarhusit) si edhe Ligji për të drejtën e informimit. Statuti i Komunës, gjithashtu, duhet të garantojë buxhetimin me pjesëmarrje, si një praktikë që ndihmon nxitjen e pjesmarrjes dhe transparencën në administrimin e buxhetit.
Ndërkaq, legjislacioni në fuqi, më saktë neni 109 i Ligjit për vetëqeverisje vendore (“Fletorja Zyrtare e Malit të Zi” nr. 88/09, 03/10, 38/12, 10/14, 057/14 dhe 03/16), sanksionon Komunën Ulqin që të përcaktojë mënyrën dhe procedurën e pjesëmarrjes së popullsisë lokale në kryerjen e punëve publike, pra organin që do të jetë përgjegjës për mënyrën e organizimit të dëgjesave publike, afateve, vendit dhe kohës së organizimit.

Të rikthehem te dëgjesa private në Ulqin dhe në Anë të Malit. Në faqen zyrtare të Komunës Ulqin nuk ka patur asnjë njoftim rreth dëgjesës publike për buxhetin për vitin 2018. Shoqëria civile ka munguar dhe pjesëmarrja e rëndësishme qytetare, gjithashtu. Në Anë të Malit, të paktën sipas njoftimeve të banorëve atje, në mungesë informacioni nuk ka patur asnjë të pranishëm.

Natyrshëm lind pyetja. Për cilat grupe interesi janë zhvilluar këto dëgjesa private?>

Një qeverisje lokale, e përgjegjshme dhe transparente, qendron pranë qytetarëve, duke organizuar takime në çdo bashkësi lokale, për të diskutuar rreth programeve dhe projekteve që ndikojnë drejtpërdrejtë në mirëqënien e tyre.

Një qeverisje lokale, e përgjegjshme dhe transparente, respekton të drejtën e qytetarëve për informim dhe largmendsh të veprojë në kundërshtim me interesat e tyre.

Një menaxhim i efektshëm financiar ndihmon komunat të transformohen në një vend më të mirë për të jetuar dhe punuar. Për të gjithë qytetarët, pa pèrjashtim.
Së fundmi, pyetja drejtuar zyrtarëve të Komunës Ulqin. Në zbatim të detyrimeve të vendosura nga aktet ligjore, kombëtare dhe ndërkombëtare, a do të informohen qytetarët për një dëgjesë të dytë PUBLIKE, përpara se Buxheti për vitin 2018 të kalojë në votim nga Këshilli Komunal?

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top