Saturday , October 21 2017
Lajmi i fundit

D.Llolla: RËNDËSIA E MBËSHTETJES SË INICIATIVAVE QË PROMOVOJNË ZHVILLIMIN E KULTURËS QYTETARE

Drita LlollaËshtë një fakt tanimë i njohur, dhe pse shumë prej nesh nuk ndihen aspak krenar për këtë, se qyteti i Ulqinit nuk ka një teatër, kinema, ose çfarëdo lloj hapësire tjetër alternative që ofron një program kulturor.

Para dy ditësh, së bashku me drejtorin e Qendrës Kulturore Ulqin, vendosëm për të konkretizuar diskutimet e nisura nga iACT në shtator të vitit të kaluar, rreth mënyrave për të rigjallëruar jetën kulturore në qytet. Në vijim të vlerësimit të kujdesshëm të hapësirave dhe mundësive për bashkëpunim, nënshkruam një model unik Memorandum Bashkëpunimi, i pari i këtij lloji jo vetëm në Ulqin por edhe më gjërë.

Për të qartësuar arsyet e kësaj iniciative, në përgjigje të disa qëndrimeve kundërshtuese si edhe për të evidentuar problematika që historikisht kanë frenuar jetësimin e çdo lloj fryme të re në Ulqin, së pari dua të shprehem rreth qëllimit parësor të sektorit civil të të cilit i përkas.

Secila prej organizatave joqeveritare mbulon një ose disa fusha të caktuara, krijon dhe implementon programe me vlerë të shtuar dhe të çmuar, me qëllimin për të kontribuar në përmbushjen e nevojave dhe mungesave të komunitetit. Cilësia e programeve varet nga kapacitet me të cilat çdo organizatë disponon, si edhe nga vizioni që ajo ka për zhvillimin e territorit ku vepron. Edhe pse detyra e secilit prej nesh që zgjedhim pjesëmarrjen në mënyrë aktive në procese zhvillimore, është që të identifikojmë hapësirat për veprim, para së gjithash duhet të mësohemi të heqim dore nga qasja jo konstruktive, sidomos ndaj iniciativave të reja, jashtë fushës tonë të veprimit ose të përceptimit. Besoj se pikërisht ky fenomen është njëri prej faktorëve që ka kontribuar rëndësishëm në situaten në të cilën ne ndodhemi sot në Ulqin.

Thënë kjo, është i domosdoshëm promovimi i një mendësie të re, gjykuar si nga këndvështrimi i pjesëmarrjes përmbajtësore, nivelit të profesionalizmit gjatë implementimit të programeve, etj. Besoj thellësisht te suksesi i një komuniteti i cili ushqen një frymë inkurajuese për secilin individ ose grup individësh që zgjedhin të veprojnë me ide inovatore dhe në mënyrë konstruktive, në funksion të së mirës publike. Si komunitet, duhet t`i kushtojmë vëmendje të veçantë këtij aspekti dhe t`i hapim rrugë projekteve ambicioze, në rastin konkret projekteve që synojnë zhvillimin e kulturës qytetare.

Së dyti, sektori civil në Ulqin prej kohësh nuk pulson “gjak” të ri. Vendi ynë është i etur për një debat të depolitizuar dhe ide të reja e inovatore, të prezantuara në një terren të pavarur dhe konkurues. Ne duhet të krijojmë kushte të përshtatshme për një terren të tillë i cili nxit shkëmbimin e ideve të reja, e jo ta frenojmë këtë proces duke ofruar një terren të kontaminuar me teori të pabazuar konspiracionesh politike dhe psikologjike.

Në vijim, shtroj disa sugjerime për faktorët të cilët në të ardhmën mund të kontribuojnë rëndësishëm në mbështetjen e nismave të reja, të domosdoshme për zhvillimin kulturës në vendin tonë:

 

  • Institucionet lokale dhe qendrore, duhet të bashkëpunojnë ngushtësisht me qendrat kulturore dhe me sektorin civil, jo vetëm në kuadër të zbatimit të strategjive dhe programeve për zhvillim kulturor përmes financimit të projekteve, por edhe gjatë procesit të hartimit te këtyre strategjive.

 

  • Bizneset dhe ndërmarrjet që veprojnë në sektorin e turizmit, çdo investim në projektet kulturore nuk duhet ta konsiderojnë “para e hedhur kot”. Këto investime ndikojnë në pozicionimin e qytetit të Ulqinit në harten e vendeve të rëndësishme dhe konkuruese në rajon nga pikëpamja kulturore, rrjedhimisht duke ndikuar në kërkesë të shtuar turistike.
  • Diaspora përmes kontributit të saj ka rol të veçantë në ringjalljen e jetës kulturore, si edhe ka rëndësi simbolike në mbështetjen e nismave që nxisin ruajtjen dhe mirëmbajtjen e trashëgimisë kulturore. Parë nga ky këndvështrim, është e domosdoshme vëmendja e saj e vazhdueshme dhe mbështetja e plotë për nismat e reja në territorin ku jetojnë pakicat shqiptare.
  • Rëndësia e komunikimit dhe bashkëpunimit të institucioneve dhe organizatave joqeveritare me komunitetin e donatorëve ndërkombëtar.

Së fundmi, uroj fillimin e një kapitulli të ri dhe të mbarë për një vend ku teatri, kinemaja apo qendrat alternative kulturore dhe rinore, do jenë alternativa të zakonshme për zbavitjen dhe edukimin e fëmijëve dhe të rinjve tanë, për një Ulqin më të mirë dhe dinjitoz për të jetuar, për të punuar dhe për të ftuar miq nga qytete dhe vende të tjera.
Shkruar nga Drita Llolla, drejtore ekzekutive e iACT

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top