Gjatë dy muajve të fundit, në Mal të Zi u rrit për katër për qind numri i qytetarëve të cilët do të vaksinoheshin kundër koronavirusit. Këto janë të dhënat e fundit nga hulumtimi i IPSOS-it, i cili u realizua në fund të vitit të kaluar, në nivel shteti, me përkrahjen e Ambasadës Britanike në Podgoricë dhe UNICEF-it.
Hulumtimi tregoi se pothuajse çdo i dyti qytetarë i Malit të Zi (42%) do ta merrte vaksinën kundër koronavirusit, nëse vaksina do të ishte e disponueshme.
Edhe pulmologu në pension, Dr. Gani Karamanaga, vlerëson si të mirë rritjen e besimit në vaksinën kundër COVID-19.
“Vkasinat kundër COVID-19, të cilat janë të licencuara, me siguri janë të mira, njëjtë si çdo vaksinë tjetër. S’ka dyshim që vaksinimi do të kontribuojë parandalimin e sëmundjes”, tha Dr. Karamanaga.
Meqë numri i atyre qytetarëve që nuk besojnë në sigurinë e vaksinë është i konsiderueshëm, Dr. Karamanaga thotë se s’ekziston nevoja për një qëndrim të tillë.
“Kemi eksperiencë një dekadëshe, ndoshta edhe dy, kur bëhet fjalë vaksinat kundër gripit sezonal. Numri i infektimeve nga gripi sezonal u zvogëluan konsiderueshëm, ndërse edhe nëse ndodh sëmundja e gripit, ai që u vaksinua do ta ketë formën më të lehtë të gripit, që mundëson shërimin më të lehtë dhe më të sigurt”, tha Dr. Karamanaga.
Sipas fjalëve të tija, është shumë me rëndësi që qytetarët të kuptojnë se sa e rëndësishme është marrja e vaksinës.
“Sidomos për arsye se nuk ekziston ilaçi konkret në luftën kundër koronavirusit. Ilaçi më i mirë kundër pandemisë është pikërisht vaksina. Vaksina është e sigurt dhe efikase. Këtë e dëshmoi koha. Në të kaluarën, vaksinat kanë shëruar shumë sëmundje infektive”, tha Dr. Karamanaga.
Ai pohon se vaksinat s’mund të futen në përdorim pa i kaluar, paraprakisht, të gjitha kontrollet e hollësishme.
“Asnjë qytetarë s’duhet të dyshojë në efikasitetin dhe sigurinë e vaksinës, dhe duhet t’i qaset vaksinimit me besim të plotë”, porositi Dr. Karamanaga.
Ky doktor rikujton vitet 2009 dhe 2010, të cilët i shënoi gripi i derrit.
“Unë atëherë isha në krye të Shtëpisë së Shëndetit në Ulqin dhe publikisht e morra vaksinën kundër gripit të derrit, pikërisht për të thyer dyshimet e qytetarëve. Edhe atëherë ekzistonte frika nga vaksinimi, por siç rezultoi më vonë, ajo ishte e panevojshme. E njëjta situatë është edhe tani”, tha Dr. Karamanaga.
Ai porositi qytetarët që absolutisht s’duhet të kenë arsye të frikësohen, si dhe që, në momentin kur vaksinat të jenë të disponueshme në Mal të Zi, të vaksinohen.
Rikujtojmë, pavendosmërinë sa i përket vaksinimit, mëdyshjet apo refuzimin e vaksinimit përkundër ekzistencës së vaksinës, Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli një nga dhjetë kërcënimet më të mëdha për shëndetin publik.
(Ky tekst u krijua në kuadër të projektit “Infoterapia në epokën e koronës”, të cilin e realizon OJQ “Ul info”, e i cili është pjesë e projektit “Promovimi i alfabetizmit mediatik dhe informativ dhe fuqizimi i mediave të pavarura në Ballkanin Perëndimor”, të cilin e realizojnë Albany Associates, Instituti për Media i Malit të Zi dhe Mediacentar Sarajevo.)