Tuesday , January 23 2018
Lajmi i fundit

Dr. Maksut XH. HAXHIBRAHIMI: HAFIZ ALI RIZA ULQINAKU (1855-1913)

Rëndësinë më të madhe të tij e kanë fjalorët e tij turqisht-shqip e shqip-turqisht, sepse janë fjalorët më vëllimorë të hartuar me grafi arabe, ndonëse të punuara pa kritere të mirëfillta të leksikografisë shkencore dhe në një të folme shqipe krahinore. Përmbledhja e këtyre fjalorëve fillon me parathënien katërfaqëshe në gjuhën arabe, nga e cila ka mbetur vetëm një kënd i faqes së fundit, tri të tjerat mungojnë fare.

Në fund të fjalorit, Hafiz Ali Riza Ulqinaku ka vendosur vjershën e titulluar “Sebebi nazmi kitab” (Shkaku vargënimit të librit), siç mund të kuptohet nga titulli, shpjegon shkaqet që e kanë shtyrë ta hartojë këtë fjalor në vargje.

Në këtë vjershë mësojmë se më 1314. h. në Lezhë paska shkuar për të inspektuar shkollat një nëpunës i Drejtorisë së Arsimit të Shkodrës dhe se për shkak se Shkodrën e paskan përmbytur ujërat qenka detyruar të rrijë aty dy-tri ditë. Ky nëpunës paska parë te Hafiz Ali Riza Ulqinaku Mevludin shqip dhe përkthimet e tjera të tij. Kur mëson se këto janë përkthyer nga Hafiz Ali Riza Ulqinaku, ai nëpunës meqë e sheh se ky shkruan shqip me alfabet arab dhe se njeh mirë turqishten, i ka thënë se po të bënte një fjalor turqisht-shqip do të ishte i dobishëm për nxënësit. Pas insistimit të sërishëm të nëpunësit, Hafiz Ali Riza Ulqinaku paska pranuar dhe thotë: “Me ndihmë të Zotit iu përkushtova dhe e përfundova” (këtë datë Osman Myderrizi e shkruan 1310 (1894), që kur shikojmë vargun turqisht: “Bin ucuz on dort tarihindedir”, shihet se kemi të bëjmë me vitin 1314 (1896). Shih: O. Myderrizi, Fjalori shqip-turqisht i Hafiz Ali Riza Ulqinakut, buletini i universitetit shtetëror të Tiranës, ser. shk. shoq., 1961, nr. 3, f. 139).

Fjalorët turqisht-shqip e shqip-turqisht sipas alfabetit, natyrisht atij arab, nuk dihet se kur i filloi e kur i mbaroi, sepse nuk kanë parathënie. Hafiz Ali Riza Ulqinaku nuk shënon datën e saktë se kur ka filluar hartimin e këtyre fjalorëve. Mund të supozojmë se këta fjalorë i ka shkruar në vitin 1897, sepse siç e pamë fjalorin në vargje e kishte përfunduar në dhjetor të vitit 1896.

Fjalori turqisht-shqip i titulluar “Axhibu-l-mandhar” ka 915 faqe, ku janë dy shtylla, e një shtyllë ka dy kolona – njëra turqisht e tjetra shqip.

Fjalori i tretë i Hafiz Ali Riza Ulqinakut, që për ne është më i rëndësishmi, është ai shqip-turqisht i cili fillon në faqen 1167 e përfundon në faqen 1334. Ka gjithsej vetëm 168 faqe dhe në faqe janë vetëm dy kolona, jo katër, si në atë turqisht-shqip.

Lëndën për hartimin e fjalorëve të tij Hafiz Ali Riza Ulqinaku e ka marrë nga vendlindja e tij, pra nga e folmja e Ulqinit. Në kohën kur Hafiz Ali Riza Ulqinaku i harton fjalorët, ishte tendenca e shkrimtarëve tanë të Rilindjes që të përdornin vetëm fjalë shqipe duke kuptuar në këtë purizëm përjashtimin nga gjuha të fjalëve të huaja, sidomos të atyre orientale.

Këta fjalorë të pabotuar, me kopjen e vetme të dorëshkrimit, të shkruar me alfabetin arab mbeten si një vlerë e çmueshme filologjike e lënë mënjanë që u hynte në punë për studime vetëm atyre që, veç shqipes dinin edhe turqishten, por gjithsesi turqishten e vjetër (osmanishten), e që për ata për fat të keq nuk i kishin shfrytëzuar sa duhet.

Punën më të madhe rreth fjalorëve të Hafiz Ali Riza Ulqinakut gjithsesi e ka bërë gjuhëtari dhe orientalisti i shquar Osman Myderrizi, i cili më 1961 në BUSHT boton një punim me titull: “Fjalori shqip-turqisht i Hafiz Ali Riza Ulqinakut”, ku shkruan për jetën dhe veprat e Hafiz Ali Riza Ulqinakut duke i krahasuar me të folmen e Ulqinit (O. Myderrizi, Fjalori shqip-turqisht i Hafiz Ali Ulqinakut, në BUSHT, ser. shk. shoq., 1961, nr. 3).

Osman Myderrizi duke e parë vlerën e rëndësinë e madhe që kanë fjalorët e Hafiz Aliut për studimin e shqipes, sidomos për dialektologjinë shqipe e transkriptoi fjalorin shqip-turqisht dhe e botoi në dy vazhdime në “Studime Filologjike”, duke bërë shpjegimin e disa fjalëve të panjohura, dhe kështu mundësoi që ky fjalor të përdorej nga një qark më i gjerë njerëzish për njohjen e studimit të atij fjalori (O. Myderrizi, Fjalori shqip-turqisht i Hafiz Ali Ulqinakut, Studime Filologjike, nr. 3 dhe 4, Tiranë, 1965).

Në vitin 1970, në Podgoricë (Titograd) u botua “Mevludi shqip”, në gjuhën shqipe, hartuar prej Hafiz Ali Riza Ulqinakut, ribotuar me vendimin e Kryesisë së Fesë Islame në Republikën e Malit të Zi. Në parathënien e “Mevludi Sherif”, theksohet se përveç “Mevludit”, Hafiz Ali Riza Ulqinaku shkroi dhe jetën e profetit Muhamed alejhi selam, ka shkruar edhe jetën e Ahiretit dhe “Bazat fetare të Islamit” (Maksut Xh. Haxhibrahimi, Prva albanska knjiga, Monitor, Crnogorski nezavisni nedjeljnik, godina II, nr. 16 (08.02.1991), Titograd, 1961, f. 3).

Medrese zyrtare në Ulqin ka pasur deri në vitin 1878, të cilën e kreu ndërmjet të tjerëve edhe Hafiz Ali Riza Ulqinaku. Në “Mevludin shqip” të Hafiz Ali Riza Ulqinakuut, shtesë “Mevludi Sherif”, të përgatitur prej Hafiz Salih Gasheviqit, të botuar në Podgoricë (Titograd), më 1972, f. 29, theksohet në parathënien e botimit të parë se Hafiz Ali Riza Ulqinaku lindi në Ulqin në vitin 1840, ku e kreu medresenë me ibtidaijen.

Në parathënien e librit “Mevludi shqip”, shtesa “Mevludi Sherit”, më gjatë theksohet se Hafiz Ali Riza Ulqinaku, që në kohën kur ishte nxënës i medresesë filloi të shkruajë nga fusha e fesë islame në gjuhën e vet amëtare (shqipe). Vepra kryesore e Hafiz Ali Riza Ulqinakut është përkthimi i “Mevludit” nga turqishtja në gjuhën shqipe, të cilin e ka shkruar shkrimtari i njohur turk, udhëpërshkruesi Evlija Çelebiu. Ai përpos përkthimit të “Mevludit”, shkruan edhe “Shtesë mevludi”, në gjuhën shqipe. Botimi i parë në gjuhën shqipe shfaqet në Stamboll në vitin 1879 (Hafiz Salih Gasheviq, Mevludi Serif, Hafiz Ali Riza Ulqinaku, Dodatak Mevludi-Šerifu, Starješinstvo Islamske Zajednice u Crnoj Gori, Titograd, 1972, f. 19).

/Orientalizmi Shqiptar/

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top