Thursday , July 16 2020
Lajmi i fundit

Dr. Sabina Osmanoviq: Homazh shkrimtarit dhe studiuesit Moikom Zeqo

SabinaTi ke të drejtë
Të mos vdesësh,
Të dukurit
S’është gjithmonë ekzistencë!

Janë vargje nga poema „Epistolae in tenebris” të Moikom Zeqos, të cilën e kërkova ta rilexoj kur mora vesh lajmin e hidhur për vdekjen e tij. Pas një sëmundje të gjatë e dërmuese, më 15 qershor 2020 ndërroi jetë një prej mendjeve më të ndritura në hapësirën shqipfolëse, Dr. Moikom Zeqo. 71 vitet e jetës së tij qenë të mbushura me pasion të rrallë për dijen dhe kureshtjen e papërshkrueshme të një studiuesi interdisiplinar.
Profili i tij krijues shtrihet në disa fusha, duke filluar nga letërsia, arkeologjia detare dhe tokësore, historia e artit etj.
Moikom Zeqo lindi më 3 qershor 1949 në qytetin e Durrësit, në një familje me origjinë nga Libohova. U diplomua në degën Gjuhë-Letërsi shqipe në vitin 1971, në Fakultetin Histori- Filologji të Universitetit të Tiranës. Punoi si gazetar dhe redaktor letrar i gazetës “Drita“. Qe mësues, punonjës shkencor pranë Muzeut Arkeologjik të Durrësit dhe specialist në sektorin e artit antik në Akademinë e Shkencave në Tiranë. Ai gjithashtu mbajti poste shtetërore, si atë të Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Po ashtu shërbeu si deputet ne Kuvendin e Shqipërisë e më pas u emërua drejtor i Muzeut Kombëtar. Mbajtësi i Urdhrit të Lartë “Mjeshtër i Madh” është autor i një sërë librash me poezi, të cilën e konsideronte “mister pa ngjashmëri“. Ndërsa numri i botimeve studimore e publicistike nga fusha të ndryshme ngelet për t’u përcaktuar nga studiuesit në të ardhmen.
Krijimtaria e tij është polisemike, e karakterizuar nga intertekstualiteti letrar dhe si e tillë kërkon lexues të stërvitur.
Një pjesë e mirë e krijimtarisë së tij volumnioze është përkthyer në disa gjuhë të huaja. Përkrah tjerash, ai kishte një dashuri të veçantë për pikturën dhe ishte autor i tri ekspozitave vetjake. Disa nga kuadrot gjenden të faqosura në kopertinat e librave të tij.
Profesorin, siç preferonim ta thërrisnim, e kam njohur diku para rreth 10 viteve. Herën e parë e pata takuar në Ulqin, të cilin ai e donte shumë saqë shkroi se ky qytet „meritonte një sagë dashurie të përhershme, të pafundme“. Para disa vitesh, bibliotekën e këtij qyteti e pasuroi me më shumë se pesëqind libra nga biblioteka e tij personale. Ndryshe nga studiuesit hijerëndë, atij i pëlqente të shoqërohej me njerëz, të ndante me ta njohuritë e tij. Bisedat në tavolina me miqtë zgjasnin me orë e pas çdo bisede me të, ndiheshe më e ditur. Sa herë që e takoja më dhuronte nga një libër me dedikim të veçantë. Kjo ishte mënyra e tij e të shpërndarit të dijes. Shpesh më dërgonte e-maile me materiale të ndryshme, më njoftonte për botimet e reja dhe shkëmbenim mendime për krijimet e tij. Ishte i dashur dhe inkurajues me studiuesit e rinj, i gatshëm për të këshilluar dhe për të ndihmuar.
Do më mungojnë bisedat interesante me të, do jetë e çuditshme të mësohem me faktin se nuk do të marr më e-maile me shkrimet e tij te fundit, ku titulli i subjektit gjithmonë ishte: Sabinës time të mençur.
Herën e fundit e kam takuar diku para një viti. Ishte e dukshme që sëmundja po e gërryente fizikisht pak nga pak, por jo edhe shpirtin e tij krijues. Në një intervistë televizive disa vite më parë, profesor Moikomi citonte Borhesin, që e kishte ndër shkrimtarët e preferuar: “Kur vdes një njeri, varroset një bibliotekë. Gjithë njerëzit janë biblioteka, por nuk kemi ditur t’i lexojmë.”
Me vdekjen e Moikomit varroset një bibliotekë enciklopedike, e mistershme dhe poetike, POR në kujtesën e botës akademike e për më shumë në kujtesën e miqve: Ti ke të drejtë Të mos vdesësh, Moikom!

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top