Tuesday , August 11 2020
Lajmi i fundit

Drama e famshme edhe në Durrës: INTERPRETIMI DINJITOZ

Servantes dhe DulcineaPas Malit të Zi, Prishtinës dhe Tiranës, trupa e Ulqinit debutoi në Durrës. Mes duatrokitjeve e ovacioneve, ulqinakët e Durrësit mirëpritën dhe falenderuan aktorët, me të cilët përveç lidhjeve shpirtërore, kanë dhe lidhje gjaku. Në Ulqin nga brezi në brez trashëgohet gojëdhëna, se si shkrimtari i famshëm spanjoll Migel de Servantes u zu rob nga detarët piratë dhe jetoi për pesë vjet në qytetin e bukur bregdetar.

Në këtë legjendë të vënë në skenë nga regjisori Munib Abazi, dashuria e pastër fiton dhe ngrihet mbi paragjykimet; Servantesi e Dulcinea shfaqen në një version të ri, ku spikat dhe origjinaliteti e risjellja në vëmendje e traditave të vjetra ulqinake. Aktorët e testuan këtë pjesë në disa treva shqipfolëse dhe kjo eksperiencë i ka përmbushur me mbresa tejet pozitive.

Atif  Hasanaga, Shefqet Luca, Jenuz Abazi, Flutur Mustafa, Barbana Draga, e të gjithë aktorët me radhë, fituan zemrën e publikut sot në skenën e Teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, përmes interpretimit të tyre të natyrshëm e tejet dinjitoz.

Po cili është Servantesi ulqinak?

Në rolin e Servantesit dhe protagonist i pjesës teatrale ishte fotomodeli ulqinak, më se i mirënjohur në Mal të Zi, Shqipëri, Bosnjë e më gjerë, Muho Uruçi. Arkitekt në profesion, por me një pasion për modelingun (pjesëmarrës në sfilata të emrave  të famshëm të modës, në spote publicitare e reklama, madje ka qenë dhe i ftuar i veçantë i “Fashion Week”), Muho surprizoi edhe me aftësitë e tij në aktrim.

“Natyra e profesionit tim tërheq gjëra të bukura dhe krijuese, dhe këtu mund të përfshihet edhe profesioni i modelit”, – u shpreh për Portalin “Dyrrah” arkitekti dhe artisti Uruçi.

Ai shton se eksperienca më e fundit si aktor i ka dhuruar shumë sadisfaksion, sidomos mbështetja e publikut, ku veçon Prishtinën e së fundmi Durrësin (që e bëri të ndihej si në familje). (Gladiola Busulla, Durrës Lajm)

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top