Shërbimet elektronike gjithnjë e më tepër po bëhen shtysë e fuqishme e biznesit, por njëkohësisht lehtësojnë edhe ndërveprimin në mes të qytetarëve dhe administratës publike. Me digjitalizimin e shërbimeve, administratat shtetërore dhe vendore rrisin efikasitetin e punës së tyre dhe zvogëlojnë shpenzimet, ndërsa në të njëjtën kohë qytetarëve dhe ndërmarrjeve iu mundësojnë funksionim më të lehtë.
Në Ministrinë e Administratës Publike të Malit të Zi theksojnë se krijimi i shërbimeve të reja, siç është regjistrimi i ndërmarrjeve dhe i fëmijëve në shkollë, do të jetë një mundësi që do të rrisë numrin e qytetarëve të cilët përdorin komunikimin elektronik me administratën publike, si mënyrën më të thjeshtë dhe më cilësore për realizimin e të drejtave të tyre.
“Në portalin e-Administrata (e-Uprava) kemi jo vetëm një numër më të madh shërbimesh, të cilët momentalisht janë 580, por të dhënat tregojnë se shfrytëzimi i këtyre shërbimeve këtë vit është për 30 për qind më i lartë se vitin e kaluar”, theksoj ministrja Suzana Pribilloviq në konferencën “Administrimi digjital për zhvillim të përshpejtuar”.
Ajo u shpreh se është e sigurt që implementimi i sistemit për pagesë dhe identifikim elektronik, i cili pritet të zbatohet së shpejti, si dhe letërnjoftimet e reja të cilët do t’iu mundësojnë qytetarëve identitet elektronik të lirë dhe të përshtatshëm, do të jenë një nxitje më e madhe për shfrytëzimin e shpejtuar të shërbimeve elektronike.
Sipas fjalëve të Ministres, hulumtimet tregojnë se administrata publike duhet të angazhohet më shumë në mënyrë që qytetarët t’i njohin shërbimet elektronike si mjet efikas dhe të dobishëm të komunikimit me administratën publike.
Është bërë fakt i gjithëpranueshëm që përdorimi i shërbimeve elektronike paraqet elementin thelbësorë të reformës së administratës shtetërore. Po ashtu, sistemi efikas i e-Administratës rritë besueshmërinë e qytetarëve në qeveri si dhe pjesëmarrjen e tyre në vendimmarrje, por njëkohësisht siguron edhe kursime të konsiderueshme për të gjithë shfrytëzuesit (qytetarët, ndërmarrjet dhe vetë shtetin).
Prandaj Qeveria e Malit të Zi pak kohë më parë miratoi Analizën e situatës së shërbimeve elektronike në Mal të Zi me propozimin e masave për përmirësimin e tyre, në të cilën thuhet se një përqindje e vogël e qytetarëve e njohin portalin e-Administrata (20-22%) dhe se në përgjithësi, edhe më pak përdorin e-shërbimet e administratës publike (5–7%). Organet shtetërore në një masë të caktuar promovojnë shërbimet e veta elektronike që i krijojnë pavarësisht nga portali e-Administrata.
Në kohën e sotme, për qytetarët dhe ndërmarrjet është shumë me rëndësi që zhvillimi i e-shërbimeve zvogëlon nevojën e të shkuarit në sportele dhe të shkëmbimit të letrave në mes të institucioneve të ndryshme. Pra, ofrimi i besueshëm dhe efikas i shërbimeve ndiqet nga thjeshtëzimi i procedurave. Kjo është e nevojshme në mënyrë që qytetarët dhe ndërmarrjet të kenë mundësi që në mënyrë më të shpejtë, më transparente dhe më ekonomike të realizojnë të drejtat dhe të plotësojnë obligimet ligjore.
Për Malin e Zi, si vend në tranzicion, më e rëndësishme është që implementimi i shërbimeve elektronike ndikon konsiderueshëm në reformën demokratike të administratës shtetërore dhe në promovimin e praktikës demokratike.
Shefi i Sektorit për Bashkëpunim pranë Delegacionit të Bashkimit Evropian në Mal të Zi, Herman Shpic (Hermann Spitz) thotë se revolucioni digjital po bëhet nxitës i rëndësishëm dhe se në mënyrë rrënjësore do të ndryshojë të gjitha dimensionet e shoqërisë.
Ai thekson se BE-ja përkrah reformën e administratës publike në Mal të Zi, por që digjitalizimi nuk është zgjidhje për të gjitha problemet e në veçanti për ata të natyrës socio–ekonomike. “Në këtë kuptim, duhet më shumë të dëgjojmë problemet e qytetarëve dhe të biznesit”, vlerëson z. Shpic.
Teksti u hartua në kuadër të projektit “ZËRI IM NË KOMUNËN TIME”, të cilin e realizon OJQ Horizonti i Ri në partneritet me OJQ “Ul info” dhe Bibliotekën e Qytetit – Ulqin. Projekti mbështetet nga Ministria e Administratës Publike e Malit të Zi, në kuadër të programit “e-Demokracia – merr pjesë, propozo, ndrysho”, në fushën e reformës së administratës publike. Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi vetëm e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk pasqyron qëndrimet e donatorit.