Qëndroni në shtëpi! Përdorni shërbimet elektronike! Mund t’ia dalim pa sportele. Asgjë nuk është më e rëndësishme se shëndeti. Këto janë mesazhet më të shpeshta të cilët na dërgohen këto ditë nga adresat zyrtare të institucioneve shtetërore dhe vendore.
Kështu, ministrja e administratës publike Suzana Pribilloviq iu rekomandoj të gjitha organeve të pushtetit në nivelin qendror dhe atë vendor, që në rrethanat aktuale të organizojnë punën me palë përmes telefonit, duke zbatuar rregullat për punën elektronike, ndërsa organet, siç theksoi ajo, janë të obliguara t’i publikojnë procedurat për realizimin e të drejtave dhe detyrimeve të qytetarëve nga kompetencat e tyre.
Sepse, sipas ministres, ka shumë shërbime që ne mund t’i kryejmë në këtë mënyrë nga komoditeti i shtëpisë tonë, duke mos qëndruar në radhë në sportelet e institucioneve të ndryshme.
Shërbimet elektronike janë treguar se e bëjnë jetën më të lehtë dhe kontribuojnë në rritjen e sigurisë së qytetarëve. Bazuar në rekomandimet e institucioneve shëndetësore, një nga mënyrat për të zvogëluar mundësinë e transmetimit të infeksionit është që kërkesat, faturat, shërbimet, etj. të dërgohen dhe të pranohen në mënyrë elektronike e jo personalisht ose në zarf.
Kështu për shembull, përmes e-banking, në çdo moment mund të përcjellim gjendjen në llogarinë tonë bankare, të paguajmë faturat dhe të kryejmë transaksionet tjera në disa klikime. Ne mund të porosisim një sërë dokumentesh dhe vërtetimesh që na mbërrijnë në postën tonë elektronike menjëherë, dhe shumë shpejt mund të dimë në mënyrë elektronike se sa duhet të paguajmë për energji elektrike ose ujë. Po ashtu, nxënësit do të marrin libra elektronikë, ndërsa pacientet do të porosisin terapitë e tyre në formë elektronike.
Përmes aplikacioneve online mund të porosisim ushqime të gatshme, shërbim ky i cili funksionon mjaft mirë edhe tani në kohën e izolimit.
Këto shërbime përveç që e bëjnë jetën më të lehtë dhe ndihmojnë shëndetin, kursejnë edhe më shumë kohën e qytetarëve dhe janë të arritshëm në çdo moment. Gjithçka që ju nevojitet është lidhja në internet.
Pra, në këtë formë i shmangemi problemeve siç janë radhët e gjata në sportele, procedurat e ndërlikuara, vajtja disa herë për të kryer të njëjtën punë, bredhja në shumë institucioneve për të kryer po të njëjtën punë, plotësimi i formularëve të gjatë, kompleksiteti i panevojshëm i punëve të thjeshta, shpenzimet e larta administrative, duke i kushtuar gjithmonë vëmendje të veçantë orarit të punës së sporteleve.
Administrata elektronike, përveç që mundëson shërbim më të shpejtë dhe më efikas, zvogëlim të shpenzimeve, kryerjen më të thjeshtë të punës, më pak dokumentacion, komunikim më të lehtë, ajo në mënyrë sistemore parandalon korrupsionin dhe format e tjera të veprimeve të paligjshme.
Prandaj, ky proces sjell dobi pafund për qytetarët dhe biznesin. Pra, kemi të bëjmë me një mënyrë jetese dhe pune krejtësisht tjetër, më cilësore, e cila do të përmirësohet vazhdimisht në të ardhmen.
Në këtë kontekst kemi edhe shembuj jo të mirë, ku nuk përfillen rekomandimet e Ministrisë së Administratës Publike dhe udhëzimet e institucioneve shëndetësore. Këtu po veçojmë lajmërimin për qytetarë të Ndërmarrjes Publike “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” Ulqin, në të cilin ftohen të gjithë konsumatorët, respektivisht qytetarët e Ulqinit, që personalisht të shkojnë në sportelet e Ndërmarrjes dhe të tërheqin faturat për muajin mars.
Pikërisht ky është momenti vendimtar kur ndërmarrjet dhe institucionet vendore të cilat ushtrojnë veprimtari publike me rëndësi të veçantë për qytetarët, të krijojnë platforma elektronike për komunikim me konsumatorin (qytetarin) dhe të minimizojnë sa më shumë që është e mundur kontaktin e drejtpërdrejtë me klientët.
Një shembull të shkëlqyeshëm të platformës digjitale të kujdesit ndaj klientit sjell “Ujësjellësi” i Tivarit, i cili përmes “sportelit virtual” iu ofron konsumatorëve të vet të gjitha informacionet dhe shërbimet lidhur me faturat mujore, sasinë e harxhimit të ujit, paraqitjen e prishjeve, etj.
Analistët janë të bindur se pikërisht tani po përjetojmë fillimin e jetesës digjitale, dhe se gjendja aktuale do ta përshpejtojë fuqishëm këtë proces.
Kjo do të jetë e rëndësishme veçanërisht për shtetin dhe vetëqeverisjen tonë lokale ku transformimi digjital vazhdon të jetë në fazën fillestare, e kjo do të thotë se ka një potencial të madh të pashfrytëzuar.
Teksti u hartua në kuadër të projektit “ZËRI IM NË KOMUNËN TIME”, të cilin e realizon OJQ Horizonti i Ri në partneritet me OJQ “Ul info” dhe Bibliotekën e Qytetit – Ulqin. Projekti mbështet nga Ministria e Administratës Publike e Malit të Zi, në kuadër të programit “e-Demokracia – merr pjesë, propozo, ndrysho”, në fushën e reformës së administratës publike. Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi vetëm e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk pasqyron qëndrimet e donatorit.