Thursday , October 18 2018
Lajmi i fundit

FONDET PARALELE PËR DHËNIEN E NDIHMËS SOCIALE, HAPËSIRË PËR ABUZIM: Miliona euro sipas vullnetit të pushtetit

ivana-bogojevic-IAEkspertët kërkojnë që zbatimi i rreptë i Ligjit për Mbrojtjen Sociale dhe të Fëmijëve dhe ndryshimet në rregulloret e tjera, të parandalojnë procedurën jo transparente dhe paratë t’u jepen atyre që me të vërtetë janë të rrezikuar
Në vitin 2017, gati dy milionë euro janë ndarë nga Buxheti i Shtetit për ndihma sociale të njëhershme. Nga kjo shumë, vetëm 700,000 euro janë ndarë për rastet më të rrezikuara. Pothuajse dy herë më shumë, përmes procedurave jo transparente, shkuan te punonjësit në institucionet dhe ministritë shtetërore. Rastet sociale, nga ana tjetër, mund të llogarisin në ndihmë të njëhershme financiare përmes qendrave për punë sociale prej pesë, dhjetë apo njëzet euro, ndërsa punonjësit e administratës shtetërore marrin 500 apo edhe disa mijëra euro.
Katër milionë euro u shpërndanë për forma të ndryshme ndihme me vendimet e Kabinetit Qeveritar dhe Komisionit për ndarjen e fondeve rezervë, ndërsa dokumentacioni për këtë çështje u deklarua sekret.
Buxheti për vitin 2018 parashikon një shumë të ngjashme për dhënien e ndihmës materiale për punonjësit e administratës shtetërore. Ekspertët kërkojnë që kjo praktikë të përfundojë.
Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale i ka konfirmuar Qendrës për Gazetari Hulumtuese të Malit të Zi (CIN-CG) se në vitin e kaluar ka propozuar 700,000 euro për pagesën e ndihmave financiare të njëhershme për kategoritë më vulnerabël të popullsisë dhe se kjo është pranuar. Për shumën e mbetur lajnë duart.
“Nuk është përgjegjësi e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale të përcaktojë se cilat organe shtetërore mund të paguajnë asistencë financiare të njëhershme, as të përcaktojnë sasinë e asistencës së njëhershme për punonjësit”, thanë nga ky dikaster.
Disa bashkëbisedues të CIN-CG theksojnë se mundësitë e shpërdorimit të këtyre parave janë të mëdha dhe se ato jepen pa kontroll adekuat dhe pa transparencë. Prandaj ekspertët thonë se fondet e këtij lloji duhet të shfuqizohen, sistemi të jetë i centralizuar, të respektohet Ligji për Mbrojtjen Sociale dhe të Fëmijëve dhe paratë t’iu shkojnë atyre që janë me të vërtetë në një situatë të vështirë.
Ligji për Mbrojtjen Sociale dhe të Fëmijëve përcakton që përmes qendrave për punë sociale, ndihmë sociale e njëhershme u jepet personave të rrezikuar për shkak të kushteve të rënda materiale, strehimi ose shëndetësore. Megjithatë, Ligji për Buxhet parashikon paratë për këtë lloj ndihme për punonjësit në institucionet shtetërore dhe në ministritë.
Në administratën shtetërore dhe institucionet buxhetore ka 39,300 të punësuar, me një pagë mesatare që në nëntor arriti në 593 euro. Marrëveshjet kolektive parashikojnë që paratë të paguhen në mënyrë të njëhershme vetëm për vdekjen e punonjësit ose një anëtari të familjes, për sëmundje të rënda, për blerjet e barnave, për rehabilitim mjekësor dhe për eliminimin e pasojave të fatkeqësive natyrore. Secila ministri dhe organ i administratës shtetërore duhet të miratojë aktet nënligjore, rregulloret që rregullojnë këtë fushë, por sipas gjetjeve të Qendrës për Gazetari Hulumtuese në Mal të Zi, udhëheqësit shpesh i japin vetes të drejtën për të vendosur se cilit prej punonjësve i nevojiten para.
Problem është gjithashtu se ministritë dhe institucionet janë të lirë në vlerësimin e asaj që ata e konsiderojnë ndihmë social, kështu që për dikë kjo mund të jetë një trajnim jashtë vendit, botimi i librave, dimërishte … Është e diskutueshme që të gjitha këta institucione kontrollojnë vetveten se si i shpenzojnë këto para. “Përcaktimi i prioriteteve në fusha të caktuara, mënyra dhe ligjshmëria e shpenzimit të fondeve buxhetore është ekskluzivisht në kompetencë të shfrytëzuesit të buxhetit”, thanë për CIN-CG nga Ministria e Financave.
Gjatë rishikimit të buxhetit, vërehet se Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, e cila duhet të jetë kryesore për ndarjen e këtyre llojeve të asistencës, në vitet e kaluara në buxhet ka pasur në mënyrë të pakrahasueshme më pak para për këto qëllime, sesa për shembull Ministria e Arsimit, Fondi për Sigurim Pensional dhe Invalidor dhe MPB.
Kështu, Ministria e Arsimit gjatë vitit 2015 dhe 2016 kishte më shumë se një milion euro në dispozicion për këto qëllime, ndërsa Ministria e Punës gjatë të njëjtës periudhë kishte në dispozicion vetëm 345,000 euro.
Ministria e Arsimit dhe Ministria e Punës nuk kanë dorëzuar të dhëna, për mënyrën e shpenzimit të këtyre të hollave, sipas Ligjit për Qasjen të Lirë në Informata. Kjo fshehtësi është në kundërshtim me orientimin strategjik të deklaruar të Qeverisë për transparencë më të madhe në menaxhimin e financave publike. Në raste të tilla ndoshta qëndron edhe arsyeja se pse 57% e qytetarëve besojnë se paratë publike përgjithësisht ose pjesërisht nuk shpenzohen për qëllimet e duhura, sipas një sondazhi të kryer vitin e kaluar për nevojat e Institutit Alternativa.
Nga OJQ Veprimi për të Drejtat e Njeriut (HRA) i cili kontribuoi në këtë hulumtim, më parë u bë thirrje që të ndihmohen fëmijët në nevojë sociale, të pafuqishmit dhe të sëmurët që jetojnë në rrugë ose në kushte të varfërisë. Sipas UNICEF-it, më shumë se 15,000 fëmijë në Mal të Zi jetojnë në varfëri. Sipas të dhënave të MONSTAT-it, rreth 60,000 njerëz në Mal të Zi jetojnë nën kufirin e varfërisë, që është 186 euro në muaj për person. Fondi për Sigurim Pensional dhe Invalidor regjistron se 29.5 mijë pensionistë marrin nën 180 euro dhe më shumë se 3.500 pensionistë më pak se 100 euro. Mali i Zi ka rreth 22 mijë përfitues të ndihmës sociale, si dhe më shumë se 50 mijë të papunë. Të dhënat e Administratës Tatimore tregojnë se 12,000 punonjës janë të siguruar për një pagë minimale prej 193 euro.
HRA kujton se shuma minimale e asistencës sociale është e pamjaftueshme për mbijetesë: “Sigurimi material i familjes – MOP, ofrimi bazë i ndihmës sociale për një familje me pesë ose më shumë anëtarë, nga viti 2010 deri më tani është rritur gati 7 euro dhe është 120.7 euro, ndërsa sipas llogarisë së fundit të MONSTAT-it, shporta minimale e konsumit ka tejkaluar 800 euro në vitin 2015 dhe nga ky vit nuk llogaritet më.” Martina Markoloviq, punonjëse sociale në HRA, paralajmëron se nuk janë zbatuar rekomandimet e Komitetit të OKB-së nga viti 2014 për të rritur shumat e përfitimeve sociale, në mënyrë që të sigurojë një standard të mjaftueshëm jetese për të rrezikuarit social. Ajo shton se kjo do të konstatohet më së miri kur ky komision do të merret me Malin e Zi gjatë këtij viti.
Ivana Bogojeviq nga Instituti Alternativa shpjegon se asistenca sociale e njëhershme në organet shtetërore nuk jepet nga fondet e sigurimeve shoqërore, por nga paratë e destinuara për individët, në përputhje me Rregulloren për Klasifikimin e Unifikuar të Llogarive për Buxhetin e Shtetit dhe atë komunal. Ky klasifikim buxhetor, konkludon ajo, është në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen Sociale dhe të Fëmijëve, i cili përcakton si ndihmë materiale: mbështetjen materiale, kompensimin personal invalidor, kompensimin për kujdes dhe ndihmë, shpenzimet e varrimit, kujdesin shëndetësor dhe ndihmën e njëhershme financiare. Bogojeviq thekson se situata në nivel lokal është e ngjashme dhe dhënia e ndihmës i nënshtrohet kontrollit të dobët dhe vullnetit të individëve.
“Të gjitha rregulloret komunale, të cilat rregullojnë dhënien e një ndihme sociale, në situata emergjente i garantojnë kryetarit të komunës të drejtën diskrete për të ndarë këto fonde” shpjegon ajo.
Të dhënat e tilla, si në nivelin shtetërorë ashtu edhe në atë lokal, si pasojë ka një raportim financiar të pavërtetë, fshehjen e shpenzimeve reale për ndihmë sociale dhe konsideratë joreale të nevojave për kategoritë e rrezikuara të popullsisë, përfundon Bogojeviq.
Ish-ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Boris Mariq vlerësoi për CIN-CG se praktika e dhënies së ndihmës sociale mund të karakterizohet si një problem ligjor, joefektiv dhe me një nivel të pafavorshëm diskrecioni, i cili krijon hapësirë për manipulim. Ai thekson se Ligji për Mbrojtjen Sociale dhe të Fëmijëve parashikon centralizimin e kësaj ndihme brenda administratës shtetërore.
“Kjo do të thotë se fondet e alokuara për këtë qëllim duhet të ekzistojnë vetëm në pjesën e buxhetit të ministrisë përkatëse, e cila do të nxjerrë një akt nënligjor dhe do të rregullojë kriteret për dhënien e njëhershme të ndihmës financiare. Shpërndarja e plotë duhet të kalojë vetëm nëpër subjekte të kualifikuara, që janë qendrat për punë sociale, ” shpjegoi z. Mariq.
Ai pohon se në kohën që punonte në Ministrinë e Punës dhe të Mirëqenies Sociale kishte një situatë kaotike dhe u përpoq të bënte gjithçka që ishte e mundur që sistemi i ndihmës së njëhershme financiare të mos bëhej një formë e fshehur e financimit të partive politike.
“Shtrohet pyetja, nëse këtë konflikt nuk e kanë hetuar vendimmarrësit e pakujdesshëm ose nëse bëhet fjalë për një paqartësi të instaluar sistemore në favor të atyre që ushtrojnë pushtetin për disa dekada? Meqë kemi pasur mundësinë për të parë se si dhe për çfarë qëllimesh janë ndarë mjetet në formën e ndihmës së njëhershme financiare, unë nuk kam asnjë dyshim se bëhet fjalë për një mekanizëm që mban rrjetet klienteliste dhe kështu ata marrin pikë politike, pra vota”, tha ish-ministri i Punës.
Avokati Sergej Sekuloviq, theksoi për CIN-CG, se sistemit të centralizuar të ndihmës së njëhershme i referohen zgjidhjet nga Ligji për Mbrojtjen Sociale dhe të Fëmijëve.
“Neni 37, paragrafi 2 përcakton qartë se kjo e drejtë (për ndihmë sociale të njëhershme) realizohet në përputhje me kriteret dhe me procedurën e përcaktuar nga organi kompetent i administratës shtetërore; ndërsa në paragrafin e tretë thuhet se shuma e ndihmës përcaktohet nga qendra për punë sociale varësisht nga nevojat e individit, domethënë familjes dhe mundësive materiale të shtetit”, shpjegoi avokati. Kjo do të thotë se Ministria e Punës përcakton me akt nënligjor (rregullore) kriteret dhe procedurën ndërsa qendrat për punë sociale përcaktojnë faktet, marrin vendime dhe përcaktojnë shumën e ndihmës.
HRA gjithashtu ka apeluar më parë për të rishikuar interesin publik për ekzistencën e fondeve paralele që u mundëson individëve të përmirësojnë gjendjen e tyre materiale, të shërohen dhe të botojnë libra.
Në janar të vitit të kaluar, kjo OJQ i kërkoi kryeministrit Dushko Markoviq dhe Prokurorit të Lartë të Shtetit Ivica Stankoviq, të shqyrtojnë ligjshmërinë e shpenzimit prej 4.25 milion euro në emër të “ndihmës sociale të njëhershme”, të cilën Qeveria dhe shfrytëzuesit e tjerë të buxhetit kanë paguar si ndihma për trajtim mjekësorë, për shkollim ose për përmirësimin e situatës materiale, nga janari i vitit 2014 deri sot.
Ata nuk iu janë përgjigjur këtyre kërkesave.
Maja Boriçiq
Ana Komatina
Ndihma sociale për kishën, udhëtime, ekspozita …
narodni-muzej-ilustrimDy institucionet shtetërore, Fondi për Pakica dhe Muzeu Kombëtar i Malit të Zi, gjatë vitit 2015 dhe 2016, u dhanë punonjësve më shumë se 70,000 euro në emër të ndihmës sociale të njëhershme, për të përmirësuar situatën materiale, për blerje në treg, për Tetë Marsin, për Vitin e Ri, për transport, për dimërishte, për rregullimin e banesës…
Kjo mund të konkludohet nga të dhënat që Qendra për Gazetari Hulumtuese në Mal të Zi, në bashkëpunim me HRA, ka marrë në bazë të kërkesave për qasje të lirë në informata.
Në vitin 2015 dhe 2016, Fondi për Pakica iu shpërndau të punësuarve ndihmë sociale të njëhershme për përmirësimin e gjendjes materiale, por në vitin 2016 vetëm drejtori i Fondit Safet Kurtagiq u përjashtua nga ky vendim. Për dimërishte u ofrua ndihmë e njëhershme prej 1.500 euro për tetë të punësuar, ndërsa 3,000 euro janë dhënë në dy raste për trajtimin mjekësor të anëtarëve të familjeve të të punësuarve.
Muzeu Kombëtar, përveç se për rregullimin e banesës, transport, dimërishte, blerjes në merkato dhe për festa, i dha para në formë të ndihmës sociale të njëhershme edhe Kishës Ortodokse Malazeze, individëve për udhëtime, për ekspozita dhe të ngjashme.
Në kërkesën e HRA, asnjëri nga këto dy institucione nuk paraqitën akte të brendshme mbi bazën e të cilave ata ndajnë ndihmën sociale të njëhershme, ndërsa për vendimet e kontestuara referohennë statute e veta.
Nga dispozitat e statuteve të tyre, është e dukshme vetëm e drejta diskrete e drejtorit për të ndarë paratë sipas vlerësimit të vet apo të Bordit Drejtues (Këshillit) të institucionit.

Fondi për Pakica, në kërkesë të Qendrës për Gazetari Hulumtues (CIN-CG), nuk ka shpjeguar se në çfarë bazash u është dhënë të gjithë punonjësve ndihma sociale e njëhershme për përmirësimin e gjendjes materiale.
Drejtori i Muzeut Kombëtar, Pavle Pejoviq, pretendon për Qendrën për Gazetari Hulumtuese se pagesat e diskutueshme të ndihmës sociale të njëhershme janë bërë nga fondet e Muzeut, e jo nga fondet e buxhetit. “Ato 100,000 euro që fitojmë përmes formës së parashikuar në buxhet, me vendimet e Këshillit ne i shpërndajmë në atë mënyrë që të përpiqemi të ndihmojmë dikë nga kolektivi,” tha Pejoviq.
Pavarësisht kësaj logjike, që të gjitha shpenzimet mbulohen nga arka e shtetit dhe se çdo pagë është një suficit i pastër që nuk mund të shpenzohen siç i thotë mendja secilit. Të dhënat sipas Ligjit për Qasje të Lirë në Informata për CIN-CG, thonë se shpjegimi i Pejoviqit nuk qëndron. Për shembull, paratë e dhëna për kishë, për transport, ekspozita, për Tetë Marsin, për klubet sportive dhe të ngjashme, sipas këtyre vendimeve, janë paguar nga buxheti si ndihmë sociale e njëhershme.
Pejoviqi konfirmoi për Qendrën për Gazetari Hulumtuese se nuk ka një rregullore të veçantë, por që nga viti i kaluar ata ishin të detyruar nga një marrëveshje kolektive për të paguar para vetëm për punonjësit, derisa më parë mund t’i jepnin çdokujt për të cilët ata vlerësonin se ishte e nevojshme.
Rezerva buxhetore nën vellon e fshehtësisë
Sipas raportit të Institucionit Shtetëror të Auditimit, për periudhën tetor 2016 – tetor 2017, me vendimet e Kabinetit të ngushtë të Qeverisë dhe Komisionit për Ndarjen e Fondeve Rezervë, janë paguar nga rezervat e buxhetit shtetërorë 4 milion euro ndihmë për përmirësimin e situatës materiale, për trajtime mjekësore, shkollim dhe për forma të tjera të ndihmës.
Për përmirësimin e situatës materiale, komisioni ka ndarë 2.089.000 euro dhe Kabineti 621.850 euro. Me vendimet e Kabinetit të Qeverisë për ndihmë për trajtime mjekësore u paguan 463.817 euro, ndërsa Komisioni i Fondeve Rezervë ndau edhe 43.100 euro për persona fizik. Për ndihmë në shkollim, Kabineti miratoi 45.250 euro dhe Komisioni 22.200 euro.
Në kategorinë e “formave të tjera të ndihmës”, sipas vendimeve të kabinetit të Qeverisë janë paguar 490.800 euro kompensim për dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore dhe 212.692 euro qytetarëve për zgjidhjen e nevojave të banimit, botimin e librave dhe të ngjashme. Komisioni për ndarjen e fondeve rezervë të buxhetit ka dhënë 19.800 euro për këtë kategori.
Në shumicën e rasteve, nuk dihet se ku dhe për kënd shkuan paratë. Në përgjigjen e kërkesës së Institutit Alternativa për të marrë këtë dokumentacion, Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë deklaron se ky dokumentacion “përmban informacione që konsiderohen si të dhëna të mbrojtura që mund të publikohen vetëm për qëllimet e parashikuara me ligj ose me pëlqimin paraprak të personit për të cilin kërkohet informacioni personal”. Kabineti i Qeverisë, si rregull, përbëhet nga kryeministri, zëvendës kryeministrat dhe nëse është e nevojshme, ministrat nga sektori përkatës. Në përbërjen e Komisionit për ndarjen e fondeve të rezervës buxhetore janë tre zëvendëskryeministrat e Qeverisë: Rafet Husoviq (Kryetari i Komisionit), Milutin Simoviq dhe Zoran Pazhin; Ministri i Brendshëm dhe Ministri i Shëndetësisë Mevludin Nuhoxhiq dhe Kenan Hrapoviq; Ministrja pa Portofol Marija Vucinoviq dhe Zëvendëssekretari i Përgjithshëm i Qeverisë Nikola Dedeiq.
Prokuroria kontrollon vetëm Ministrinë e Arsimit
Për momentin, Prokuroria e Shtetit ka në fokus mënyrën e shpenzimit të parave të destinuara për ndihmë të njëhershme. Prokuroria Themelore në Podgoricë konfirmoi për Qendrën për Gazetari Hulumtuese në Mal të Zi se është duke u zhvilluar vetëm një procedurë, me qëllim të përcaktimit nëse gjatë vitit 2014 zyrtarët e Ministrisë së Arsimit miratuan pagesa të paligjshme.
“Për rastin e lartpërmendur, hetimi është në vazhdim dhe në këtë moment nuk mund të japim më shumë të dhëna,” kumtohet nga prokuroria.

Demokracia e Re Serbe, në janar të vitit të kaluar, publikoi dokumentacionin që tregon se gjatë vitit 2014 Ministria e Arsimit e udhëhequr nga Slavolub Stijepoviq, u ka dhënë individëve nga 300 deri në 1,000 euro, me arsyetimin se bëhej fjalë për ndihma të njëhershme për shkak të situatës së vështirë materiale.
Kështu, ndihmë financiare të njëhershme, ndër të tjera, iu dha edhe ish krye-ekonomistit të Bankës Qendrore, Nikola Fabris, i cili njoftoi se paratë kishin për qëllim botimin e librave dhe se nuk bëhej fjalë për marrjen e ndihmës sociale.
Stijepoviqi pastaj shtoi se ishte një “gabim teknik, për shkak se ka pasur disa vendime në të cilat shpjegimi nuk është në përputhje me qëllimin dhe zbatimin e ndihmës, sepse ato nuk u shkruan nga juristët.” Kohët e fundit janë publikuar shembuj të keqpërdorimit të fondeve të qendrave lokale për punë sociale. Sipas të dhënave të koalicionit “Zdravo Berane”, Milijana Vuçeliq, gruaja e ish-kryetarit të komunës së Beranes Vuk Goluboviq, në vitin 2012 ka fituar nga Qendra për Punë Sociale 350 euro për ushqim, edhe pse rroga e saj mujore ishte 1.071 euro.

Karta Sociale nuk përfshin ndihmën e njëhershme
Karta sociale është një sistem informacioni i mirëqenies sociale, i cili nëpërmes rrjetëzimit të nëntë regjistrave shtetërorë me qendrat për punë sociale, duhet t’i lehtësojë qytetarët nga detyrimi për të grumbulluar vërtetime të shumta për ushtrimin e të drejtave sociale, por gjithashtu për të siguruar që ndihma të ofrohet për ata që vërtetë kanë nevojë për të.
Megjithatë, Instituti Alternativa në prezantimin e analizës së kartës sociale, vitin e kaluar paralajmëroi se ky sistem informacioni nuk përfshinë ndarjen e njëhershme të ndihmës sociale. Kjo do të thotë se nuk ka një regjistër të konsoliduar të përfituesve të kësaj ndihme as në kartën sociale dhe se futja e sistemit nuk ka penguar abuzimet në fushën më pak transparente – të ndihmave sociale, konstaton Instituti Alternativa. Kjo u paralajmërua edhe nga ish-ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Boris Mariq, duke konkluduar se sistemi i plotë i ndihmës së njëhershme duhet të përfundojë nën ombrellën e sistemit të informacionit në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Sipas informatave, që nga fillimi i nëntorit përmes kartës sociale janë lëshuar rreth 350 mijë vendime.

Ky artikull u krijua në kuadër të projektit “Shoqëria Civile për Qeverisje të MirëC: Shërbim dhe Meritë!”, i cili implementohet nga Instituti Alternativa, Bonum, Natura, Horizonti i Ri dhe Qendra për Gazetari Hulumtuese dhe financohet nga Bashkimi Evropian dhe Fondi Ballkanik për Demokraci (BTD), projekt i Fondit Marshall Gjerman të SHBA (GMF). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk paraqet qëndrimet e Bashkimit Evropian dhe të Fondit Ballkanik për Demokraci (BTD).Partners for text

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top