Saturday , January 23 2021
Lajmi i fundit

FUQIA E BESIMIT…

Mos mendo që je i humbur,
dhe kur fati bëhet dreq,
se asgjë s’është e pamundur,
dhe në Çastin më të keq!

Fatit kurrë nuk i dihet,
vetëm Zotin mbaj në mënd,
se patjetër diku fshihet,
yll’ i artë i fatit tënd!

Mendimet që kob afrojnë,
krejt nga mëndja t’i largosh,
se ato té errësojnë,
dhe asgjë s’mund të shikosh!

Se t’u mbyll ty sot një derë,
mos vur kujën o njeri,
se një tjetër më me vlerë,
do të hapet përsëri!

Kot mos mërmërit në dhëmbë,
s’ka formula magjiplote,
si një lis të madh në këmbë,
do të ngrejë veç forca jote!

Veç besim jepi mendimit,
dhe do ndizesh porsi zjarri,
se fuqia e besimit,
ngre të vdekurin nga varri!

Mos shih ëndrra kot sé koti,
me thesare krejt të ndritshme,
mjafton të të fali Zoti,
vetëm Bukën e Përditshme!

Largo mendimet e frikshme,
ndize shpresën fort në sy,
është Buka e Përditshme,
më e madhja siguri!

Kjo formulë që kur u tha,
lartësoi një të vërtetë,
të përditshmen kush e ka,
është nga mbretërit më i qetë!

Ndaj e mbajti njerëzia,
gjallë shpresën dhe besimin,
në të kundër babëzia,
jetës krejt ja prish kuptimin!

As prej varrit-as prej Ferrit,
s’mund të shohë njeriu dritë,
dhe të jesh në fill të perit,
mos u dorëzo asnjë ditë!

Me mjegull mos e vish synë,
mendo djepin ku je tundur,
sa ke shpirt e sa merr frymë,
asnjë gjë s’është e pamundur!

Arben Duka,

*Gjirokastër më 8.06.2013

 

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top