Monday , March 25 2019
Lajmi i fundit

G.Çitaku: PORTRET I JAHO KOLLARIT – VALDANOSI MË KA BËRË SHKRIMTAR

Shkruan: Gazmend Çitaku

E dielë, 2 prill 1961. Planetët gjenden nën shenjën e dashit. Derisa JFK është kryetar i SHBA-ve, toplistat muzikore në javën e parë të prillit ishin nën shenjën e rekordeve të dëgjueshmërisë së Elvis Presleyt, në SHBA me këngën Surrender kurse në MB me Wooden Heart. Ndërkaq në Ulqinin e largët, diku në brigjet e Adriatikut, dëgjohej e qara e parë e Jaho Kollarit. E qarë kjo që më vonë do shndërrohet në penë të fortë letrare.


Jaho Kollari

            Kur Jahoja bëhet shtatë vjeç, familja e tij zhvendoset prej qytetit në Valdanos, vend ky larg Ulqinit diku 4-5 km. Ndoshta kjo lëvizje që në moshë të re ndikoi që Jahoja, kur të piqet, të dalë nga Ulqini dhe të marrë rrugët e kurbetit? Jeta në Valdanos ishte një aventurë e vërtetë dhe Jahoja kishte diçka që çdo kush sot do ëndërronte: ai kishte një plazh të gjithë të vetin, ku tërë ditën e kalonte atje. Aty lahej, zhytej nën ujë, zinte peshk me grep dhe gjithë ditën e kalonte nën diellin përcëllues të verës. Pra, kishte një fëmijëri të qetë me plot lojëra që bëri që frymëzimi i shkrimeve të sotme të shterej mu nga kjo kohë, ku me plotë të drejtë thotë: Valdanosi më ka bërë shkrimtar!

Jaho Kollari kultivon një stil unik të të shkruarit dhe krijimtaria e tij letrare është e veçantë si për nga stili, pra, mënyra se si ai shprehet, ashtu edhe për nga metafora. Në rininë e hershme thotë se ka lexuar pak! Nuk ka lexuar shumë, pra, që të ndikohej nga të tjerët, andaj edhe ndjekja e stilin të ndonjë shkrimtari tonë të madh, apo botëror, nuk qe dhe s´është moto e tij, ku thotë se kjo ia mundëson të qëndrojë me të dyja këmbët në tokë, pra, të jetë vetja e tij. Shumëkush të jetës së përditshme, shpeshherë identifikon veten me personazhet letrarë të Jahos, çfarë kjo, këtij të fundit, s´i paraqet ndonjë shqetësim të madh. Thotë se krijimtaria e tij ka gjasa të jetë eksperimentale, që do të thotë sikur tërë kohën të jesh në kërkim të identitetit tënd letrar. Gjatë bisedës tregon se nuk ka dëshirë të identifikohet me grupime të ndryshme, aq më pak t’i përkasë ndonjërit prej tyre. Poezitë e tija shumë lehtë mund të kthehen në prozë dhe anasjellat, kështu që kjo veçori bën që një krijim i njëjtë të haset në të dy gjinitë letrare, pra, si në vargje ashtu edhe në rreshta. Kur Jahon e lavdëron për këtë veçanti, ai thotë kështu: jam njëri nga ata shkarravitës, të cilët bëjnë përpjekje që në shkrimet e veta bota e ndërlikuar deri në atë masë të thjeshtësohej sa, si e tillë, të dalë ende edhe më e pështjelluar nga ata që çdo imtësi masin me masën e frymëmarrjes së vet…


Fotografi me rastin e përurimit të dy librave PLUSQUAMPERFEKTI dhe PROKRASTINACIONI të Jaho Kollarit, Ulqin, 2015. Në fotografi nga e majta: Gazmend Çitaku, Haxhi Shabani, Jaho Kollari, Bahri Brisku dhe Ardita Rama

            Për të shkruar nuk ka ndonjë orar të caktuar dhe kjo krejt varet nga frymëzimi që i vjen. Temat që ai trajton janë rrjedhojë e ngjarjeve kryesisht të parëndomta të shkëputura nga klishetë e së përditshmes. Kështu vëllimi i tij i parë me poezi botohet në vitin 1988, në kuadër të Bibliotekës Plejada të shtëpisë botuese Rilindja të Prishtinës, ku redaktor qe Ali Podrimja, para plot 31 vitesh. Pra, flasim për vëllimin poetik Shtëpia mes Ullinjve që njëherit paraqet edhe librin e tij të parë. Për Jahon libri më i dashur mbetej Lidhja me Suturë, i botuar para 20 vitesh e që edhe sot e gjithë ditën nuk ka pasur një përurim dinjitoz. Deri më sot ka botuar shtatë libra: Shtëpia mes Ullinjve (poezi, 1988), Terapia (prozë, 1997),Lidhja me Suturë (prozë, 1999), Plusquamperfekti (prozë, 2013), Poeti i Mijëvjeçarit të Tretë (poezi, 2014), Prokrastinacioni (poezi, 2015), 18+ (prozë, 2016), tani është në përfundim të një libri të ri me prozë, që do të botohet deri në fund të këtij viti (2019). Derisa bisedojmë lidhur me letërsinë që krijon, Jahoja me ne dëshiron të ndajë një anekdotë, që ka të bëjë me fillet e para të shkrimeve të tij. Ai thotë: shkrimet e mia të para lidhen me një kurriozitet që lëshoi shtat në kohën kur ende isha në shkollën fillore. Në klasën e gjashtë, arsimtari i gjuhës na i shpërndau disa libra nga të cilat, pasi t´i kemi lexuar, të përpilojmë nga një referat të shkurtër. Me sa më kujtohet më takoi libri me vjersha “Vallja e Milingonave”. Kishim vetëm një javë afat. Javë në të cilën as që e preka librin, arsyet as vetë s´i dija. Dita vendimtare erdhi. Atëbotë jetoja në Valdanos dhe atë rrugë (që zgjaste një orë) e shfrytëzova t´i shkruaj disa poezi për milingonat dhe të jap mendimit tim mbi to. Posa filloi ora e gjuhës, ia kthyem arsimtarit librat e huazuara. Për fatim tim të hidhur isha njëri prej atyre që më duhej të dilja para klasës për ta lexuar referatin. Pasi që ia dija hujin arsimtarit të gjuhës, mjaft i ndruajtur dola para tyre. Por për fatin tim të mirë, ky  i fundit e lavdroi punimin tim, çfarë dha të kuptohej që nuk kishte dijeni të mjafta mbi librin në fjalë, apo fare s´e kishte lexuar atë!? Këto, pra, qenë poezitë e para të miat, sikundër edhe botimi i tyre.


Fotografi me rastin e përurimit të librit 18+ të autorit Jaho Kollari, Ulqin, 2016. Nga e majta: Gazmend Çitaku, Gëzim Puka, Jaho Kollari dhe Arjan Kallço

            Sot, si krijues, edhepse jeton e vepron në Gjermani, vendlindjen e vet, Ulqinin, nuk e harron kurrë. Thotë madje se kurbetçinjtë janë njerëz që kanë një lloj makine kohe, e cila ua mundëson që të jenë njëkohësisht në dy vende të ndryshme; jetojnë fizikisht në vendet ku janë por shpirtërisht ndodhen në vendlindjet e veta. Familja ia mbështet krijimtarinë letrare deri në atë masë sa që nuk ia lexojnë të gjitha krijimet, kështu që krijohet një mundësi e shmangies së pyetjeve të panevojshme dhe sqarimit të mendimeve të ndryshme! Kur jetonte në Valdanos të  Ulqinit ndjente një lloj vetmie, që është po e njëjtë sikurse në ditët e sotme kur gjendet në kurbet, çfarë do të thotë se inspirimi për krijime letrare nuk i mungon. Madje na shpjegon se si shkencëtarët dëshmojnë se vetmia sjell mërzi dhe vazhdon duke thënë se mërzia i jep tagji kreativitetit.


Fotografi gjatë prezantimit të veprimtarisë botuese të SHB Diti&Oli nga Ulqini dhe prezantimi i Jaho Kollarit si autor i kësaj SHB. Podgoricë, 29 maj 2015

            Nga biseda ndjejmë se i mungon vendlindja, veçmas Valdanosi që njëherit është vend, të cilin çdo poet ëndërron. Ai i cili ka jetuar në Valdanos, mes ullinjve dhe njeh gjuhën e nënës mund të mbindërtojë shpirtin në një shtatore mistike. Mosnjohja e misterit s’është veçse muza jote. Misteri i jep jetës kuptim.. – thotë Jahoja. Natyrisht ardhja çdo verë në Ulqin pamasë e gëzon, mirëpo shumë trishtohet kur vjen koha që të mbledhë valixhet dhe të kthehet në kurbet. Por, Jahoja e di se shumë shpejt përgjithmonë do t´i kthehej Ulqinit. Andaj edhe rinovon  shtëpinë e vjetër, e bën gati me komoditet modern por pa ia cenuar atë vjetërsinë se, si thotë: kam lindur ku edhe babai im, andaj ëndrra ime e kahmotshme është që t’i kthehem përgjithmonë vendit tim sepse vetëm në mejtimet e mia jam atje ku më është bjerrë zemra…  


Fotografi dhe montazh i realizuar nga Memli Kurti

            Edhe pse pranon që si fëmijë kurrë nuk ka menduar se një ditë do të bëhet shkrimtar, ka një porosi për të gjithë ata që dëshirojnë të merren me shkrime: Pa vegla pune nuk ka zanat të mirëfilltë. Që të bëheni usta-shkrimi duhej mprehur vegla e quajtur GJUHË! Shumica s´janë mbase në dijeni se shqiptarët e kanë atë privilegj: të jenë zotërues të njërës nga gjuhët më të moçme që njeh kjo botë!

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top