Thursday , October 22 2020
Lajmi i fundit

Gani  Karamanaga: Barka të Moçme e të Famshme Ulqinake

Gloria”

Detarët, kapedanet ulqinakë, edhe kur kanë lundruar me barka me vela (motovelore) si “Gloria” ose “Hulukija”, kanë dalë nga Deti Mesdhe, nëpër Gjibraltar, kanë lundruar nëpër oqeanin Atlantik, kanë lundruar nën Tokën e Zjarrtë dhe kanë kapërcyer edhe nëpër Trekëndëshin e Bermudës, në lindje, në mes të dy Amerikave. Se edhe kapedani i kapedanëve, Selim Shurdha, ka lundruar nëpër Trekëndëshin e Bermudës, ka dëshmuar gjemxhia i ndjerë, Ibrahim Himo Karamanaga nga Kalaja e Ulqinit:

 “Ishim tu shku për Amerikë dhe kapidan Selim Shurdha na tha:

“Qe tesh gjin’ena në një vend të rrezikshëm që quhet me emna të ndryshëm. Prej gjemxhive kam dëgju që i thonë: Shpella e Shtrigave, Shpella e Shejtanit, Shpella e Mallkumve,  e Dragonjve. Na thanë që të mos tremena, por të jena gati se tesh isht oqeani bunazë, por ky sa çil e myll syt çan tallaze e ban duman. Secili të gjin’et në venin e punës së tij. Si të shifni ndanji ndryshim, nizni pumpat e ujit. Asnji mas të sillet pa punë në barkë. Na kapi pak friga, por masi ishte qetci, pa erë, pa tallaze, e fjetme menen, se do t ‘na n’odhën donji gja. Kapidani ishte mazum deri njaty. Kërkuj nuk i flite, veç shikonte hapcinën e oqeanit. Tanë detarët ishin të idhëshëm. Në barkë kapi një qeci e madhe. Nuk shifej kërkund asnji barkë. Hajt-hajt tuj lundru atypari , masdite na u duk si nji adë (ishull). Kur u afrum, ça me pa, shofim qi “ada” ecën në ujë. Kur ju afrume mirë, pame që aja nuk ishte adë, por grumull i madh i barishtave. Masanej unë me sytë e mi kam pa ma masa të mdha të njalave. Nigjova se në atë rajon vijnë njalat e shlojnë putargat edhe ashtu shumohen. Shumë prej tyre ishin myt, kishin cof. Funi, na ksaj here kalume atypari  qi e bajshin qamet, fare mirë.

Trekanshin e Bermudeve e thrrasin Trekanshi  Magjik dhe Varri i Atllantikut.”

Kapidan Xhela është Kapedani i kapedaneve sa i takon detarisë së famshme ulqinake.  Para më shumë se një shekulli hyri në limanin e Ulqinit kapidani Selim Shurdha me  veloren e tij “Gloria”… Ishte ngjarje e rëndësishme. Nga velorja zbarkuan disa fëmijë zezakë… Kur ka hyrë  Mali i Zi në Ulqin, “Gloria” ka hyrë në  liman me flamurin turk, ndërsa anijet e tjera e kanë pranuar flamurin malazez…

“Gloria” në garat e para të anijeve të transportit me të njëjtën ngarkesë dhe fuqi bartëse  – pati zënë vendin e parë në garat Aleksandri-Trieste, duke lënë prapa të gjithë anijet evropiane, pjesëmarrëse në garë: italiane, greke, spanjolle… Anija e dytë pas “Gloria”-s ulqinake arriti në cak pas 36 orësh”.

Bombardimi i anijes “Gloria” në Shëngjin.

Më 15 dhjetor 1915 në orën 5 të mëngjesit, nga një ekspeditë spastruese  austriake, u zunë  në befasi 16 anije ulqinake, të cilat rrinin në spiranca  1 milje e gjysmë para limanit të Shëngjinit. Ata paralajmëruan ekuipazhin që t’i lëshojnë barkat, sepse ishin me flamur turk. I bombarduan me artileri dhe i fundosën 16 anije, ndërmjet tjerave edhe anijen më të famshme Ulqinake “Gloria”.

Ishte barka  me vela me tre direkë prej 1000 ton , të pronarit kapidan Selim  Shurdha, nga Ulqini.

“Bojana”

Diku para fillimit të Luftës së Dytë Botërore një numër i marinarëve ulqinakë kanë punuar në anijen lumore/detare “Bojana”, e cila ka lundruar ne mes të Bokës së Kotorit dhe nga Buna ka mbërritur deri te Virpazari dhe Plavnica. Ishte një punë e mirë, thoshte babai. Kishim një fites të mirë, shpesh kemi ardhur në shtëpi. Njëherë babai iu drejtua kapedanit të vjetër dalmat :

“Barba, mirë po na ecën, të gjithë jemi të kënaqur…” Kapedani mendueshëm tundi kokën dhe tha:

Kjo aspak nuk është duke më pëlqyer, kjo gjendja e tashme është aq e bukur dhe e mirë saqë jam i sigurt që nuk mund të vazhdojë gjatë…”

Kaluan vetëm disa muaj, filloi Lufta e Dytë Botërore.

Në një lundrim italianët e përmbytën “Bojanën”, afër Gurit të Gjeranave.

Një nga rrënojat më interesante në Ulqin për zhytësit hulumtues dhe turizmin e zhytjes është avullorja e fundosur për pasagjerë ”Bojana”. Ajo shtrihet në një fund me rërë, në një thellësi prej 50 metra, nëntë kilometra nga Ulqini dhe pothuajse në të njëjtën distancë nga goja e lumit Buna dhe shërben si habitat për peshq të ndryshëm. Gjatësia e anijes është 37, kurse gjerësia 6,3 metra. Është e ndërtuar në vitin 1904 në Mali Loshinj me emrin primar ”Skodra”, kurse u fundos 40 vite më vonë.”

“Sllani”

Në  ditët e gushtit,  më  2017, ndodhi një fenomen natyror.

Gryka e Bunës, prej Adës, në anën perëndimore, u ngushtua dhe u mbyll fare. Intervenuan institucionet vendore dhe ato republikane dhe me ekskavatorë e çelën përsëri për ta bërë për lundrim.

Duke biseduar për ndodhjet rreth lumit Buna, me shokun tim nga fëmijëria, Selatin Tino Vogliqin, ai më tha:

Grykën e kanë çilur  me dy bagera paksa, por kjo nuk është zgjidhja definitive. Ishulli “Franc-Gjozefi” është bashkuar me Velipojën e Shqipërisë, kurse “Rodomi” është bashkuar me Adën, në anën tonë të Bunës.”

Selatini vazhdon:

“Para disa vjetëve, duke hyrë në Bunë  me barkën tonë “Suzana”, takuam  në grykë. Shkova e thirra  ndihmë  trajektin për të na nxjerrë. Për gjysmë sahatit barka u shtrembërua në një anë…”

“Buna  bjen shpejtë e shumë ranë e shumë gjana tjera.”

Njashtu edhe “Sllani” është mbytur para shumë vjetëve…

Kjo bisedë spontane, me shokun tim, më rikujtoi ngjarjen – përmbytjen e barkës “Sllani” para gjashtëdhjetë vjetëve në grykën e Bunës.

Anija „Sllani“ ishte rreth 12 metra e gjatë, 4 metra e gjerë dhe kishte dy direkë. Ishte në pronësi të kompanive të peshkimit, kur babai im ka punuar në të.

Më vonë i është shitur Noc Zef Shkrelit nga Shtoji.

Një anëtar i ekuipazhit ishte atëherë dhe Hashim Dervishi (1938- ? ).

„Sllani“-n ka  lundruar deri në Gravozhë (Gruzha – Dubrovnik).

Përmbytja e “Sllanit”

Ishin vitet e gjashtëdhjeta, të shekullit XX.

Një ditë, duke  kaluar grykën e Bunës  me anien “Sllani”, papritmas, motori u prish.

Anija u ndal te gryka.  Ishte mot me stuhi, valët e mëdha.

Aty hodhën spirancën. Me  sandall të vogël, kaluan në anën e majtë të bregut që të kërkojnë ndihmë., Hasan Cano Karamanaga kapidani si edhe Noc Shkreli, pronari I anijes “Sllani”.

Para se të mund të arrinte ndonjë ndihmë, “Sllani, fillimisht u soll në një anë, mandej humbi pjesa  te motori – kiçi, pas një kohe  valët e mbuluan fare.

Ky ishte seferi i fundit i kësaj anije të vjetër.

Biseda me Selatinin definitivisht i zhduki të gjithë  dilemat e mia.

Babai i jonë për këtë përmbytje  nuk ishte fajtor.

“Fajtorë” ishin  lumi Buna dhe deti i trazuar.

Emrat e disa anijeve më të rëndësishme të pronarëve ulqinakë:

–     “Postiq”, barka më e madhe ulqinake dhe shqiptare e vëllezërve Jakup, Reshit, Maliq dhe Hysein Nimanbegut nga Kalaja.

–     Brigantina “Mashallah Muradije”. Komandanti i saj ishte Mahmud Tivari.

–     Skunda “Al Katerina”. Kapedani i saj ishte Hysein Begu, kurse pas vdekjes së tij, djali i tij Meço Begu.

–     Nava “Kavall  Medina”. Komandanti i saj ishte Nel Duli.

–     “Hulusije”, nava me tre direkë e pronarit Bet Shurdha,

–     Skunda “Amalia” me kapedan Tahir Shurdhën.

–     “Elbasan”, trabakull. Ishte në pronë të Selim Shurdhës.

–     Barka “ Bestia”.

Kësaj barke nuk i dihej përkatësia kombëtare. Dihet se e ka përmbytur një ciklon. Anëtarë të ekuipazhit kanë dalë me një sandall dhe janë larguar duke e përshëndetur barkën me dorë. Kapedani ka mbetur në barkë, sepse, sipas traditës, kapedani e lëshon anijen i fundit.Barka

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top