Thursday , October 18 2018
Lajmi i fundit

Gani Karamanaga: DETARIA

Gani KaramanagaDetari nga Kosova

Gusht 2016. Sot u takova në Zallin e Madh, në plazhin “Tampico”, të pronarëve Xhemal Kapllanbegut dhe Minir Karamanagës, me Mahir Kadën, i cili është i lindur në Pejë, para 88 vjetëve.
Nëna e tij ka qenë motra e Esad Mekulit dhe ishte femra e parë e cila ka kryer shkollën në Plavë, në kohë të Austrisë.
Vëllai i Mahirit, Xhemal Kada, ka qenë luftëtar i Spanjës, nga viti 1937, dhe hero i popullit.
Shkollën e mesme Mahiri e përfundon në Pejë, në vitin 1953, kurse Shkollën e Lartë të Detarisë, në Rijekë, në vitin 1956.
Mahir Kada ka punuar dhjetë vjet në Portin e Rijekës, si soprakargo (mbikëqyrës i ngarkimit dhe shkarkimit të mallrave).
Prej asaj kohe është edhe dashuria e tij për detin.

Limanin tjetër e gjeti në bregdetin e Ulqinit.
Shtoji i Poshtëm është vendqëndrimi i tij gati nëntë muaj në vit.
Bashkëshortja e tij u nda nga jeta në moshën 83-vjeçare, para tre muajve.
Ajo ka qenë femra e parë shqiptare nga Kosova e cila ka diplomuar në Fakultetin Filozofik, dega Albanologjia, në Beograd.
Mahiri mbeti i vetmuar.
Mahir Kada, në vitin 1982 ndërtoi në Shtojin e Ulqinit një shtëpi dhe, prej atëherë, kohën më të madhe e kalon në Ulqin.
Në Prishtinë shkon nga tre muaj në vit.
Me Mahirin jemi takuar disa herë në Pazarin e gjelbër, nëpër manifestime kulturore. Ishte edhe aktor në filmin për Esad Mekulin, i cili u paraqit publikut në Galerinë e Qendrës Kulturore, para katër muajve në Ulqin.
Kësaj radhe pata kënaqësi të rrimë së bashku dhe të njoftohemi më mirë.

Në plazhin “Tampico” ai ka gjetur një vend të mirë për pushim, largim nga mendimet, qetësi shpirtërore.
Xhemali e Miniri kanë mirëkuptim për Mahirin, e respektojnë, ai është në moshë, por si shoku i tyre.
Minirit i ka thënë njëherë:
– Më kanë treguar se nëna jote ka qenë nusja ma e bukur në Kalanë e Ulqinit.

Gjatë bisedës Mahiri më tregoi për miqësinë me shumë ulqinakë.
Posaçërisht e përmendi Ali Llunjin dhe nënën e tij, Pashe Llunjin.
I kujtohen bisedat me Pashen për Ulqinin e vjetër, për të kaluarën…

Mahir Kada është bisedues i mirë, me intelekt të ruajtur…
Në fund të bisedës më tha:
– Duke falënderuar ambientin në Plazhin e Madh – unë jetoj…

Gusht 2017.
Përsëri në Zallin e Madh. Plazhi “Tampico“.
Disa herë pyeta për Mahir Kadën.
Përgjigja ishte:
– Mahiri nuk ka ardhur këtë verë, kemi dëgjuar se është shumë i sëmurë.

Nostalgjia për të kaluarën.
Mbeti kujtimi për Detarin nga Kosova.

“Sllani”
Në këto ditët e gushtit, më 2017, ndodhi një fenomen natyror.
Gryka e Bunës, prej Adës, në anën perëndimore, u ngushtua dhe u mbyll fare. Intervenuan institucionet vendore dhe ato republikane dhe me ekskavatorë e çelën përsëri për ta bërë për lundrim.
Duke biseduar për ndodhjet rreth lumit Buna, me shokun tim nga fëmijëria, Selatin Tino Vogliqin, ai më tha:
– Grykën e kanë çilur me dy bagera paksa, por kjo nuk është zgjidhja definitive. Ishulli “Franc-Gjozefi” është bashkuar me Velipojën e Shqipërisë, kurse “Rodomi” është bashkuar me Adën, në anën tonë të Bunës.

Para disa vjetëve, duke hyrë në Bunë me barkën tonë “Suzana”, takuam në grykë. Shkova e thirra ndihmë trajektin për të na nxjerrë. Për gjysmë sahatit barka u shtrembërua në një anë.
Buna bjen shpejtë e shumë ranë e shumë gjana tjera.
Njashtu edhe “Sllani” është mbytur para shumë vjetëve…

Kjo bisedë spontane, me shokun tim, më rikujtoi ngjarjen – përmbytjen e barkës “Sllani” para gjashtëdhjetë vjetëve në grykën e Bunës.
Anija „Sllani“ ishte rreth 12 metra e gjatë, 4 metra e gjerë dhe kishte dy direkë. Ishte në pronësi të kompanive të peshkimit, kur babai im ka punuar në të.
Më vonë i është shitur Noc Zef Shkrelit nga Shtoji.
Një anëtar i ekuipazhit ishte atëherë dhe Hashim Dervishi (1938- ? ).

Selatini këto ditë më tha që me „Sllani“-n kanë lundruar deri në Gravozhë (Gruzha – Dubrovnik).

Përmbytja

Ishin vitet e gjashtëdhjeta, të shekullit XX.
Një ditë, duke kaluar grykën e Bunës me anien “Sllani”, papritmas, motori u prish.
Anija u ndal te gryka. Ishte mot me stuhi, valët e mëdha.
Aty hodhën spirancën. Me sandall të vogël, kaluan në anën e majtë të bregut që të kërkojnë ndihmë.
Para se të mund të arrinte ndonjë ndihmë, “Sllani, fillimisht u soll në një anë, mandej humbi pjesa te motori – kiçi, pas një kohe valët e mbuluan fare.

Ky ishte seferi i fundit i kësaj anijeje të vjetër.

Biseda me Selatinin definitivisht i zhduki të gjithë dilemat e mia.
Babai i jonë për këtë përmbytje nuk ishte fajtor.
“Fajtorë” ishin lumi Buna dhe deti i trazuar.
Deti i trazuar

Fundi i verës, dekada e nëntë e shekullit XX.
Në Molin e Madh isha me Sabri Kapllanbegun (1933- 2007).
Deti ishte i trazuar, disa djem të rinj, më të guximshëm, po u laheshin.
Valët ishin nga një herë edhe deri në dy-tri metra lartësie.
Mbas Molit, Sabri edhe unë u hedhën në shkumën e valëve…
Në brendësi të detit ishte qetësi, rrymat kthyese më sollën disa herë.
Bota nënujore, gjithçka për një kohë të shkurtër u harrua.

Kur dola në sipërfaqe të detit, isha larg prej shkëmbit prej të cilit u hodhëm 100 metra larg.
Kisha humbur fuqinë, e vërejta se rrjedhat po më largonin në drejtimin e Puntës së Nuradinit.
Por lufta për jetë u zgjua, fillova ngadalë-ngadalë të afrohem shkëmbinjve dhe, dikur dola në tokë.

Sabri doli menjëherë pas meje dhe më tha:
– A e di se kam qenë duke u mbytur?
– Edhe unë, – u përgjigja.
Detari nga Kraja
Ishte fillimi i viteve tetëdhjeta, të shekullit XX.
Koha kur në ish-Jugosllavinë u jetonte mirë.
Në Ulqin turizmi vendas, si edhe ai ndërkombëtar, kishin pikën më të lartë sa i takon vizituesve, efekteve financiare.
Shumëkush, në shtator-tetor, mbas përfundimit të sezonit turistik, me tragetin „Sveti Stefan“ shkonim në vizitë njëditore në Bari. Ishte e mjaftueshme të kesh pasaportën dhe të niseshe deri në agjenci në Tivar dhe të kaloje Adriatikun me anije komfore.
Duke lundruar natën më traget, ishim në sallon.
Na u ofrua një djalosh më uniformë të bardhë.
Ishte Zejnel Berjashi (1956) radiotelegrafist në anije.
Na ndihmoi kur ishim në Bari, por edhe te dogana në Tivar.
Bashkëshortja e tij ishte mbesa e gruas të Isa Currit, mikut tim.
Zejneli më tha:
– Atëherë ka qenë koha kur ishte drejtori kadrovik në kompaninë detare „Prekokeanska plovidba„ Jusuf Kalamperoviqi, i cili ka ndihmuar shumë për punësimin të rinjve prej Krajës. Gjithashtu janë punësuar prej Kraje edhe në sipërmarrjen „Lluka Bar“(Porti i Tivarit).

Kishte përfunduar pushimi dimëror.
Studentët nga Ulqini, me autobus po shkonin në Prishtinë.
Atëherë autobusi kalonte nëpër luginën e lumit Moraça. Rruga ishte e vështirë.
Njëri prej studentëve e ndërroi vendin dhe u bashkëngjit shokëve tij.
Pas një kohe të shkurt afër autobusit kaloi kamioni i ngarkuar me trupa drurit.
Për fat të keq dhe pakujdesit dhe shpejtësisë, trupat prej kamionit u derdhën, njëri prej tyre e theu xhamin në dritare të autobusit dhe…
… e goditi djaloshin i cili e ndërroi vendin para disa minutave!


Zuhra, nusja e djalit tim, Minirit, më tha:
– Agim Berjashi (1986) ka qenë gjenerata ime. Ai ka studiuar në Prishtinë, unë në Tiranë. Ishte i pabesueshëm lajmi për vdekjen e tij para 11 vjetëve (2006).

U takova me Zejnelin në kafenenë „London“, në afërsi të stacionit të autobusëve. Zejneli është i qetë, ka durim të madh dhe shprehet:
– Në Krajë ishin kushtet e jetës të vështira.. e përfundova shkollimin e lartë në Fakultetin e Detarisë në Kotorr, praktikën e bëra në Kotorr dhe në Dubrovnik, u punësova… Mandej ndërtova shtëpinë në Ulqin me oborr… Dhe, kur mendova se isha në kulm, ndodhi tragjedia, humbja e djalit njëzetvjeçar.
Pak ndalet dhe vazhdon: – Pas kësaj tragjedie jam gjetur ndërmjet dy rrugëve: njëra ishte humbja e djalit,e dyta vajza ime e cila e meritonte kujdesin dhe për të jetuar për të mirën e saj…
Zgjedha rrugëtimin tim: mosharresa për ndodhjen e vështirë, por edhe vazhdimësia e jetës.

Ditë e diel, në shtator. Isha në marketin „ SARS“.
Duke pritur që të ma përgatitur mishin shitësi, Ahmet Metanoviqi.
U takova me Zejnel Berjashin. Biseduam. Më pyeti:
– Si e kalon kohën në pension?
U përgjigja:
– Pasi pimë kafenë e mëngjesit, diçka ndihmoj në shtëpi, nganjëherë shkruaj në kompjuter… mandej e fal namazin e drekës në një njërën e xhamive…
Pastaj u përgjigj Zejneli:
– Unë i ndihmoj pak në kontabilitet marketit „SARS“. Mundohem të kaloj kohën…

Shikonte diku përpara me shikim të mjegulluar…
Tre detarë
Gani Kapllanbegu (1925-1985) dhe Zejnel Ismajlaga (1929- 2013) ishin kushërinj. Një kohë të gjatë kanë lundruar duke punuar me barkat e tyre private. Fillimisht në Dalmaci së bashku kanë blerë një barkë një vagonit e gjysmë, me të cilën punuan tre vjet, duke transportuar mallra të ndryshme prej lumit Buna, Ulqin deri në Bokë të Kotorrit, nga një herë edhe deri në Dubrovnik. Barka e pasur emrin „Silni“.
Më vonë e ndërruan këtë barkë më një më të madhe, „Lubnica“.

Ishin kohëra të viteve pesëdhjeta-gjashtëdhjeta. Atëherë filloi ndërtimi i Portit të Tivarit si edhe marinës në Budvë. Zejneli ishte kapidani kurse Gani makinistro në barkë.
Një herë, në mes të detit iu prish motori. Ganiu u lidh me konop dhe u zhyt nënë barkë për të vendosur alixhen e motorit.

Barkën dimrit e kanë lidhur – ankoruar në Shënkoll, në Bunë.
Prej aty kanë ardhur këmbë deri në shtëpi, në Kala.

Përveç punës dhe shoqërimit kanë pasur edhe një gjë të përbashkët: të dy gratë e tyre e kanë pasur emrin Seide.

Herën tjetër i zuri deti duke dalë prej grykës së Bunës. Kur mbërritën sa për ta parë Kalanë e Ulqinit, valët e detit ishin deri në tri metra.
Anija „Lubnica“ ecte përpara duke u ngritur mbi tallaze. Barka, nga Kalaja, nga një herë nuk u shihte aspak. Të gjithë familjarët e tyre kishin dalë në bedenin mbi mol dhe e shikonin luftën e dy detarëve me valët e detit…
Gani dhe Zejneli ishin të rinj, të fortë, shpeshherë e kanë ngarkuar vet barkën me material dhe e kanë shkarkuar – zbrazur vet.

Xhemal Begu ishte në një sefer me ato dhe u vërtetua se sa vështirë e kanë jetën dhe punën djali dhe nipi i tij.
Kur u kthye në shtëpi, i tha bashkëshortes tij, Junes:
– Tash e shoh sa më zor e fitojnë bukën djemtë tonë.

Në fund të dekadës së gjashtë filloi transporti më i madh tokësor, barkat e vogla nuk kishin punë.
„Lubnica“ mbeti e lidhur në portin Kaliman, portin e Tivatit.

Zejneli u punësua në remorker të „Brodospas“-it nga Spliti, në portin e Tivarit.
Ganiu i filloi lundrimet nëpër dete dhe oqeane në sipërmarrjen „Dalmatinska plovidba“ të Vela-Luka, në Korçulla.

Gani ndërroi jetë në moshën 6o-vjeçare, Zejneli pati rrisk dhe u plak…

Gani dhe Zejnel ishin shokë më Xhemal Jakup Idrizagën (1929-1979).
Xhemali, si njëzetvjeçar ishte kapidan në anijen „Rumnija“.
Në vitet e shtatëdhjeta ka punuar në anijen turistike „Olcinium“, nëpër bregdetin e Malit të Zi, por edhe deri në Durrës, në Shqipëri, dhe Dubrovnik, në Kroaci.

Në ditën e Tërmetit, më 15 prill të vitit 1979, humbi jetën në moshën pesëdhjetëvjeçare.
E mbuluan gurët e shtëpisë së tij…
… duke kaluar rrugën për të shpëtuar fëmijët e vëllait, Myzaferit.
Lundrimi i fundit
Detari i vjetër atë natë nuk bëri gjumë të mirë. E ndiente veten të lodhur, por doli nga Kalaja dhe mbërriti deri në Pazar.
Mbasi bleu disa gjëra, hyri në kafenenë e pensionistëve dhe porositi kafenë.
Ngadalë u çua në këmbë dhe filloi të ulet rrugës që çon për Ranë dhe Kala.
Por ishte i lodhur shumë. Mendoi:
– Po ndalohem te Dy Kronjet, për të pirë ujë.
I ulur në gurin e kroit, nën shtëpinë e Muharrem Ishmit, filloi të hupë vetëdijen. Si në mjegulli i kujtohej kur për herë të parë u largua nga shtëpia dhe shkoi në det.
– Kur një paradite vjeshte hipi në një anije me vela, ai kishte vetëm pesëmbëdhjetë vjet. Pragu i luftërave ballkanike. Anija me vela priste forcën e erërave dhe qetas rrëshqiste në midis valëve të detit.
Detari i ri me ato duar të njoma tërhiqte litarin dhe hidhte vështrimin kah Kalaja e Ulqinit, atje ku gjendet shtëpia e tij, ku mbeti fëmijëria e tij.
U nda prej prindërve, motrave dhe vëllezërve, shokëve, mungesën e të cilëve do ta ndjente në çdo hap.
Në një anë hapësira e pafund e detit dhe, në anën tjetër, Kalaja u bënë dy fusha tërheqëse për te…

Ishte ky largimi i parë nga shtëpia, nga vendlindja e tij.

Aty, te Dy Kronjet ishte lundrimi i fundi i tij.
Detari i vjetër mbylli sytë…
Dy Kronjet – Kronjet e Mulume, s’ekzistojnë më. Në vend të tyre është ndërtuar një hotel.
Njerëzit – interesi i zhduki shumë monumente shqiptare.

Era
Deri në vitet e pesëdhjeta të shekullit XX, detarët ulqinakë më velore kanë lundruar duke përcjellë erërat e mira. Në mëngjes, kur frynte Era eBunës, janë nisur me fllugë më vela deri në Kaminë (sot quhet „Veliki pijesak“ srb.). Aty kanë ngarkuar zhavorr të imët prej plazhit. Mbasi, prej orës 11-12 ka filluar era tjetër, maistrali, e cila i ka shtyrë prapa „për kiç“, kanë ardhur deri te moli i Ulqinit.
Aty zhavorrin – zallin e kanë shkarkuar dhe mandej shitur.

Sipas disa ulqinakëve të vjetër, detari i fundit i cili lundronte në këtë mënyrë ishte Kasem Kashoxha (1905-1962), (me të birin, Betin), më fllugën velore „Llastavica“ (Dallandyshja).
Kasemi pati fatkeqësi kur u rrëzua te motori.
Përjetoi lëndime trupore të rënda.
Në spitalin e Tivarit e operoi kirurgu Dr. Jovanoviq.
Ndërroi jetë pas gjashtë ditëve.

Djali i tij, prej martesës së dytë, Xhevdet Kashoxha, më tregoi se ka dëgjuar prej vëllait tij më të vjetër, Ahmet Beto Kashoxhës (1950-2012), që barkën e babait të tyre e kanë ngarkuar më tepër me gurë, kur ka filluar ndërtimi i molit të Tivarit, në vitin 1955 dhe, mandej, flluga ka humbur…
Para kësaj ndodhje, fllugës Kasemi i vendosi motorin.

Xhevdet Kashoxha (1961)është modelator i anijeve të vjetra. Punon në afërsi të Xhamisë së Pashës. Më tha se e ka modelin e barkës të babait tij.

Katër gjenerata detarë

Para disa ditëve mendova se nuk kam shkruar për familjen e njohur Shabani, detare prej Kalaje. Vendosa që të takohem me Nazif Shabanin.
Në Ranë në kafenenë „Crouser“, Nazifi më tha:
– Kam ba çudi si nuk ke shkrue për familjen tonë.
– Kemi qenë të një mendimi, – ishte përgjigjja ime.

Gjenerata 1.
I pari familjes Shabani ka qenë Hasani. Djemtë e tij Ahmeti (nuk ka pasur fëmijë) dhe Rizaja.
Në dokumentin e Bashkësisë Islame të Ulqinit, prej vitit 1921, ndërmjet banorëve të Kalasë të asaj kohe, përmendet edhe Ahmet Shabani, si vëllai më i madh.
Riza Shabani i parë ka pasur katër barka: „Rumija“, „Dva brata“ , „Kakarel“ dhe „Fati im“.
Ka vdekur në Shkodër, më 1943.
Pas vitit 1945 i ka mbetur vetëm barka „Fati im“ më të cilën kanë punuar, por ia kanë konfiskuar-nacionalizuar, më 1947, në Durrës.

Gjenerata 2.
Hysni Riza Shabani (1910-1975)kthehet më familje në Ulqin, në vitin 1948.
Në shtëpinë e tyre kanë jetuar dy familje: familja Zyberi dhe Mano Truma.
Familja Zyberi e liron shtëpinë e tyre ku ata jetojnë deri në vitet e shtatëdhjeta, kur ndërtojnë shtëpi të re, në lagjen Meterizi.
Hysni Riza Shabani ka qenë kapidan në anijet të cilat kanë lundruar nëpër Detin Adriatik. Më kujtohet si një ndër detarët më të mirë të gjeneratës së tij. Ka punuar në anijet – barkat prej hekurit (Petrovac, Lesendro, Prçanj, Risan), si edhe në anijen „Hrvat“ dhe „Sutomore“.
Gjithmonë ishte i veshur më elegancë, kapidan më dituri dhe autoritet.
Anija „Sutomore„ ka qenë më përpara anije luftarake, bashin (pjesa e parë) edhe kiçin (pjesa prapa) i ka pasur të rrafshët – të drejtë.
Kapidan ka qenë Hysni Shabani, oficeri i parë Ali Sula, motoristi Basri Karamanaga, ndihmësi i motoristit Raif Truma.
Ishte barkë drurit, ka transportuar mallra deri 25 vagonë.

Gjenerata 3.
Nazif Hysni Shabani (1941) i takon detarëve të shkolluar në shkollat e larta. Ka përfunduar Fakultetin e Detarisë, dega e Inxhinierisë Detare, në vitin 1970, në Dubrovnik.
10 vjetët e para ka lundruar së bashku ke kapidanin e gjeneratës së tij, Shaqir Xhelë Pekun.
Pastaj fillon punën në kompanitë e huaja ndërkombëtare detare.
Ai thotë:
– Katër herë jam sjellë botës duke lundruar nëpër tërë detet dhe oqeanet.
Duke biseduar, Nazifi shprehet:
– Kur flas për detin, më duket se tanë bota ishte e imja.

Ishim të ulur në ranë në kafenenë “Bojana“: Nazif Shabani, Gani Vogliqi dhe Asllan Bisha.
Nazifi është bashkëbisedues i mirë dhe filloi:
– Baba më ka çuar të mësoj në Dubrovnik. Në molin e Gruzhës ishte Cano Karamanaga, me barkën „Tarash“. Kjo ishte barkë e bukur prej katër vagonësh e tipit „kaik“. Ato janë ndërtuar fillimisht në Piran (Slloveni). Kapidan Cani ishte duke përgatitur misditën. Më luti të haja.
– Shika djalë, kape librin, mëso se ke edhe pesë anëtarë familje në shtëpi. Duhet me ja hekë bukën prej goje për me të shkollue ty!
Mandej vazhdonte:
– O banu të jesh ose vdiq të mos jesh!

Gjenerata 4. Riza Nazif Shabani (1966) vazhdon traditën e detarisë.
Përfundoi fillimisht Shkollën e Mesme për Detari dhe mandej edhe Fakultetin e Detarisë, në Kotorr.
Lundron nëpër detet dhe oqeanet me anije të mëdha sipëroqeanike.
Rreth e rreth Botës
Gani (Qazim) Vogliqi (1946), pas martesës me Margaretën, kaloi për të jetuar në Gjermani. Atje punoi në hotele prestigjioze, por e kuptoi se ka pasur nevojë për shkollim në Shkollën e Lartë për Turizëm, në Lugano (Zvicër).
Mandej, konkurroi për punësim në anien turistike sipëroqeanike „Quen Elisabeth 2„.
Mbas bisedave dhe testit të obliguar u bë pjesë e ekipazhit të kësaj anije grandioze. Më këtë anije Gani lundroi prej vitit 1984 deri në 1989, duke u ndalur përafërsisht në 100 porte më të mëdha të botës.
Anija ka pasur ekuipazhin prej 1300 punëtorëve, më 3000 udhëtarë, ka qenë shumë e shpejtë, duke zhvilluar shpejtësinë 32 mil. /në orë.
Lundrimi ka filluar prej Londrës në Angli dhe vazhduar direkt deri në Nju-Jork. Udhëtimi ka vazhduar duke u ulur në Bermude, Venezuelë, Brazil, Uruguai, dhe Çile.
Anija ka lundruar mandej deri në Australi, Sidnej dhe Melburn, deri te Zelanda e Re, në kryeqytetin Velington.
Nëpër Kanalin e Panamasë janë kthyer prapë për Amerikë. Marshruta ka vazhduar për Akapulko, në Meksiko, Havai, Honolulu dhe Japoni, mandej në Shangai.
Gani thotë se nëpër lumë kanë mbërritur deri në Beling (Pekin).
– Porti në Beling është sa një qytet, – shprehet Gani Vogliqi.
Prej Kine kemi lundruar deri në Bangkok, Singapor, Hong-Kong, deri te ishulli Fixhi, Bali.
– Në prill jemi kthye në Londër, kur ka filluar lundrimi në dhjetor.
I kujtohet një ngjarje nga Nju-Jorku:
– Isha te disa miq, në Nju-Jork. Kur mbërrita në port, anija sa kishte dalë prej portit. Telefonova në anije te komandanti, mora urdhrin për të ardhur së shpejti me remorkerin e portit, anija na priti në dalje të portit të Nju-Jorkut.
Gabimi ishte te unë, se kam menduar që anija qëndron edhe një orë në Nju-Jork.
Nuk e kam ditur fjalën e urtë popullore: – Anija nuk ndalet për një pasagjer.

Pas raportit të komandantit, „Quen Elisabeth 2„ – vazhduam lundrimin.

Nazif (Hysni) Shabani (1941), më tha:
– Gani Vogliqi ka lundruar në atë anije rreth botës. Unë jam munduar për punësimin e tij. Ai ishte punëtor i dalluar në turizmin ndërkombëtar.
Shkallat e Peshkaxhive
Shkallat e Peshkaxhive kanë qenë në kënd të plazhit të qytetit, afër Moles të Vogël. Aty përpara janë lidhur fllugat e peshkaxhive. Prej këtij vendi janë nisur në peshkim. Përpara flluga ka ecur më rrema, por më vonë e kanë tërhequr barkat e vogla të sipërmarrjes për peshkim.
Kanë qenë tri barka: njëra është quajtur „Millorad“, e gjatë 12 metra, tjetra „Napredak“, e treta ishte „Shasingradi“, në tip të leutit. Këto barka janë lidhur në Molin e Vogël. Kur ka pasur det, kanë hy në Mendreq.

Mendreqi mbeti pa tregim e aq ngjarje mban në mend, por ai s’tregon, sepse nuk di të flasë.

Kapidanat e këtyre anijeve kanë qenë: Januz Zyberi, Halit Beci, Halit Sulejmani.
Kur kanë mbërritur prej gjonjës së peshkut, peshkaxhitë e kanë nda peshkun.
Fëmijët janë afruar dhe e kanë la – pastruar fllugën.
Gjithmonë atyre i kanë lënë nga „nji ha peshk“ (1, 5 kg).

Në afërsi të hotelit „Republika„ ka qenë shtëpia e sipërmarrjes për peshkatari. Në katin e parë ka qenë magazina dhe shitja e peshkut.
Magazinier dhe shitësi i peshkut ishte fillimisht Esad Nimanbegu, më vonë Kabil Nimanbegu.
Në katin e dytë ishte kancelaria e drejtorit, i cili ka qenë një kohë të gjatë Fadil Mavriqi. Në anë tjetër ka qenë dhoma për përgatitjen e rrjetave. Mjeshtri nuk ka qenë ulqinak, e kanë thirrur Cafo Kuqi.

Shkallat e Peshkaxhive janë mbyllur duke vazhduar trotuarin – shëtitoren.
Por edhe Molja e Vogël ka ndryshuar duke u ndërtuar marina „Kaceme“.
Sipërmarrja e peshkatarëve nuk ekziston më. Po në atë vend ishte një market i madh, në vend të cilit parashikohet një ndërtesë e madhe.

(Nga libri në dorëshkrim“Pazari i gjytetit”)

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top