Sunday , January 17 2021
Lajmi i fundit

Gani Karamanaga: TRE REISËT E BASHKËSISË ISLAME NË MAL TË ZI

Hfz Shyqyri ef. Bakalli (1957-1975)

Sukrija BakalovicHaxhi Hafiz Shyqyri ef. Bakalli, lindi më 5 shkurt të vitit 1914 në Ulqin, Në fëmijërinë e tij të hershme ka ndjekur mësim-besimin (mejtepin), ku tregon aftësi të veçantë në përvetësimin e programit mësimor. Veçanërisht dallohet me lexim të rregullt dhe të bukur të Kuranit, kështu që në moshë relativisht të re bëhet hafiz. Shkollimin e vazhdon në Shkodër. Me dekretin e Mexhlisit të Ulemave nga Shkupi në vitin 1933 emërohet myezin në xhaminë kryesore të Ulqinit. Në vitin 1936 emërohet imam dhe kurorëzues zyrtar në fshatin Dinoshë, afër Titogradit (Podgoricë). Në atë detyrë qëndron deri në vitin 1951, kur emërohet kryeimam i Titogradit. Krahas detyrës së imamit ka zbatuar edhe detyrën e sekretarit të Shoqatës së Alimave (Ilmija) të Malit të Zi; ishte anëtar i Kryesisë së Meshihatit të Republikës Popullore të Malit të Zi.

Në Kuvendin e Bashkësisë Islame të RPMZ, të mbajtur më 14 nëntor 1959 bashkëpunëtorët e tij, kolegët, imamët, do ta zgjedhin Hafiz Shyqri ef. Bakallin për kryetar të Meshihatit të Bashkësisë Islame të Malit të Zi. Ai njëherazi bëhet anëtar i rregullt i Meshihatit të Epërm dhe Kuvendit të Epërm të Bashkësisë Islame në nivel të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë.

Haxhi Hafiz Shyqyri ef. Bakalli, pa dyshim, i takon atyre gjeneratave të myslimanëve të cilët janë gjetur në mes të stuhive të fuqishme politike, turbullirave ekonomiko-shoqërore dhe fetare në hapësirat Jugosllave, e të cilat do të lënë gjurmë dhe pasoja të dukshme në mënyrën e të jetuarit të myslimanëve dhe praktikimit të tyre të fesë, qoftë kjo në mjedise qytetare apo ato fshatare. Trashëgimia shpirtërore dhe materiale e myslimanëve duhet të vëzhgohet pikërisht në kontekstin e këtyre ngjarjeve politiko-shoqërore. Ashtu siç u tha më parë, ishte kjo kohë kur objektet e shumta fetare zhduken ose i ndryshohet qëllimi i funksionit të tyre. Pushteti sistematikisht dhe me plan konfiskon, eksproprijon dhe nacionalizon çdo gjë që paraqet mbështetje për ekzistimin e institucionit të xhamisë, respektivisht Bashkësisë Islame.

Në ballë të Bashkësisë Islame ishte plot gjashtëmbëdhjetë vjet. Brenda kësaj periudhe janë vënë themelet e zgjidhjeve të shumë problemeve. Me angazhimin e tij të drejtpërdrejtë, tetë xhami janë vënë nën mbrojtjen e shtetit si monumente kulturo-historike.

Idriz ef. Demiri – Reis i BI-së 1976-2003

Idriz DemirovicKa lindur në Kravar (komuna e Ulqinit) në vitin 1947. Shkollën fillore e përfundon në Katërkollë, kurse medresenë në Prishtinë në vitin 1967.  Pas shërbimit ushtarak në vitin 1969 ishte imam në Dobre Vode (komuna e Tivarit), e mandej në Xhaminë Omerbashiqa në Tivarin e Vjetër, viti 1972. Njëkohësisht ishte edhe referent për detyrat fetaro-arsimore në Këshillin e Bashkësisë Islame të Tivarit. Me kërkesën e Shyqyri ef. Bakallit e shkroi Sufaren – hyrje në leximin Kuran, e cila deri tani është botuar 40 herë. Ka diplomuar në Fakultetin Filozofik, dega Orientalistikë në Prishtinë në vitin 1988. Magjistraturën e ka mbrojtur në Qendrën Universitare të Dubrovnikut, e cila ishte nën kuadrin e Universitetit të Zagrebit.

Më 26 maj 1976, në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Bashkësisë Islame të Jugosllavisë, të mbajtur në Sarajevë, Idriz ef. Demiri u zgjodh për Kryetar të Bashkësië Islame të Malit të Zi.

Pas riorganizimit të Bashkësisë Islame, Idriz efendiu u zgjodh për reis të Bashkësisë Islame të Malit të Zi. Detyrën e reisit të Bashkësisë Islame të Malit të Zi e ka ushtruar me sukses deri në vitin 2003.

Është autor i shumë artikujve me tematikë kulturore islame, të botuar në revistat e vendit dhe në rajon, si edhe pjesëmarrës i disa takimeve ndërkombëtare.

Rifat ef. Fejziq – Reis prej vitit 2003

Reis Rifat FeizicRifat Fejziq ka lindur në Rozhajë në vitin 1974.

Dy vjetët e para të medresesë i ka përfunduar në Novi Pazar, të cilën e vazhdon dhe e kryen në Izmir. Fakultetin e Teologjisë e ka regjistruar në Universitetin “Dokuz Eylul” dhe ka dipomuar në vitin 1999. Menjëherë zgjidhet për mualimin dhe pastaj për kryeimam në Bashkësinë Islame të Rozhajës. Para se të zgjidhet për reis të Bashkësisë Islame ka qenë edhe kryetar i Këshillit Ekzekutiv të Shoqatës së Ilmieve të Malit të Zi.

Për reis u zgjodh në hotelin “Crna Gora” në Podgoricë në vitin 2003, në të cilin funksion gjendet edhe më tutje.

Rifat ef. Fejziqi ka vazhduar aktivitetet lidhur me ndërtimin e Medresesë dhe ka arritur hapjen dhe fillimin e punës së saj. Ka pasur një angazhim të veçantë me tokat islame siç janë Turqia dhe Arabia Saudite. Falë punës së Meshihatit të BI-së në Mal të Zi ndërtohen dhe revitalizohen disa objekte fetare në Mal të Zi.

Gjithashtu, tërë kohën ka luftuar për të ruajtur unitetin e Bashkësisë Islame të Malit të Zi.

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top