Gazeta Express: ULQINI I GJYSME MILIONI TURISTËVE

Ulqin, UlcinjGërshetimi i historisë, bukurive mahnitëse, magjisë së detit, rërës, perëndimeve të bukura të diellit, monumenteve shumëvjeçare, e bën Ulqinin ndër atraksionet më të mëdha turistike në Ballkan. Sipas autoriteteve atje, vetëm gjatë sezonit veror, Ulqini vizitohet nga 500 mijë turistë.

Edhe pse, Ulqini ende nuk ka një institucion që merren ekskluzivisht me turizmin, kjo nuk e bën atë më pak të vizituar nga turistët.

Kur përmendim monumentet e lashta, nuk mund të mos flasim për Kalanë e Ulqinit.

Një monument që në vete ngërthen vitet të tëra historie, e që nuk mbetet pa u vizituar nga secili turist i cili viziton Ulqinin. Për kalanë të cilës i janë thurur këngë e poezi, dhe për historinë e bujshme të saj flet edhe profesori Ismet Karamanga, i cili tërë jetën ia ka kushtuar studimit të historisë së Kalasë. Ai tregon për pushtuesit që kanë kaluar nëpër kala, duke lënë shenja të një civilizimi me të cilingjeneratat e sotme mund të krenohen.

Sipas tij, nuk ka njeri që vjen në Ulqin dhe e lë pa e vizituar Kalanë.

“Ne mundohemi ta ngrisim nivelin jo vetëm të ofertës turistike, por edhe të jetesës në përgjithësi, që njerëzit të cilët kanë jetuar në kala, t’i kthehen asaj dhe rrënjëve të veta këtu. Kalaja është 2500 vjet e vjetër, prapë ajo jeton dhe gjithmonë ka për të mbijetuar, e ne kurrë s’kemi me e braktisë. Populli ynë është i pashtershëm e i pavdekshëm,” ka thënë ai, duke shtuar se brenda Kalasë jetojnë rreth 55 familje.

Një tjetër atraksion i vërtetë në Ulqin është edhe qyteti i vjetër i Shasit. Ky qytet edhe pse pothuajse i shuar, ngërthen në vete po aq histori sa i gjithë qyteti i Ulqinit.

“Shasi ekziston që nga epoka e hershme e bronzit, do të thotë 3000 vite para erës sonë. Me vazhdimin dhe konsolidimin e shoqërisë ilire urbanizohet dhe bëhet qendër e Mbretërisë Ilire të Dinastisë së Agronit. Më vonë në mesjetë, në periudhën e Perandorisë Bizantine, Shasi bëhet qendër e rëndësishme e Justiniana Primës. Qyteti pëson një dëmtim të madh prej pushtimeve serbe të Stefan Nemajës… Në etimologji emri “Shas” lidhet me emrin “shkamb” meqenëse ishte ndërtuar në pjesën më shkëmbore të trevës. Legjenda thotë se në qytetin e Shasit, kanë ekzistuaraq kisha sa ka ditë motmoti, pra 366 sosh,” rrëfen Gazmend Kovaçi.

Ai ka shtuar se po bëhen përpjekje për shndërrimin e këtij lokaliteti në vend turistik, mirëpo mungojnë investimet dhe ende mbetet i paorganizuar.

Ajo që e bën edhe më atraktiv qytetin e Shasit, është Liqeni i Shasit, më i madhi i Malit të Zi, i pasur mjaft shumë me botën e gjallë, i cili me pamjen e tij piktoreske mahnitë vizitorët e tij.

Të shkruash për Ulqinin dhe të mos shkruash për plazhet e mrekullueshme të tij, është me të vërtetë një mëkat. Uji i pastër dhe ambienti i pushimit poashtu, kanë bërë që plazhet e Ulqinit të marrin flamurin e kaltër, për pastërti nga Organizatat Ndërkombëtare për Turizëm.

Çmimet e arsyeshme, janë një tjetër përparësi që ofron Ulqini për turistët kosovarë, edhe këtë sezon, e që i gërsheton ato me shërbimin cilësor të hoteleve të cilat edhe sivjet kanë bërë përgatitjet e duhura për pritjen e turistëve.

Nuk bën pa e përmendur edhe sigurinë, si element shumë të rëndësishëm për pushime të rehatshme dhe pa brenga, e cila nuk i mungon aspak Ulqinit.

Gjithashtu, për të gjithë të rinjtë që e pëlqejnë jetën e natës, nuk do të zhgënjehen assesi me qytetin e Ulqinit për sa i përket kësaj. (A.Sylaj)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi

Intervista e parë e kryetarit Omer Bajraktari: GJENDJA NË KOMUNË, VIZIONI I ZHVILLIMIT, PLANET…