Friday , September 20 2019
Lajmi i fundit

Gazmend Çitaku: KTHIM NGA HARRESA

Dekadën e fundit letërsia malazeze ka pësuar një ekspanzion si përnga sasia por edhe përnga cilësia. Letërsia malazeze dhe autorët e saj padyshim se kanë filluar të njihen si një brend kulturor i llojit të vet. Kur flitet për letërsinë malazeze duhet  të kemi ndërmend fenomenin që kjo letërsi është e njohur në rajon përmes autorëve  të shkëlqyer por edhe përmes shtëpive botuese që njohin cilësinë andaj edhe i botojnë ato.  Deri sa autorët e rinjë postmodernist malazez lëjnë gjurmë në letërsinë europiane si psh.: Andrej Nikollaidis, Ognjen Spahiq, Aleksandar Beçanoviq etj. ekziston edhe letërsia tjetër e cila tenton të ngrejë kokën edhe nga qendrat më të vogla siç është Ulqini, Tivari apo edhe qytetet tjera në Mal të Zi

Në të vërtetë, kultura dhe ata që merren me kulturë përcjellin ngjarjet kulturore që ndodhin në vend dhe rajon dhe mundohen që të japin kontributin e vet sa më të madh në tejkalimin e ndryshimeve të tranzicionit dhe integrimin kulturor si synim për bashkim euroatlantik. Nevoja e njohjes dhe promovimit reciprok, mendoj pikësëpari të kulturës në Mal të Zi si shtet multietnik, është e domosdoshme dhe si e tillë duhet të përkrahet plotësisht edhe përmes botimeve por edhe përmes përkthimeve të ndërsjellta nga njëra në gjuhën tjetër të etnive që jetojnë në Mal të Zi e veçanërisht në masë më të madhe duhet të jetë përkrahja e gjuhëve të pakicave në përkthim në gjuhën zyrtare. Andaj Ulqini e Tivari sa janë afër aq janë edhe larg njëri tjetrit në njohjen e kulturës me theks të veçantë në letësrinë që zhvillohet në këto dy qendra.

Duke qenë se lexuesi ulqinak pak a shumë njeh krijimet letrare të fqinjëve të vet, nga ana tjetër për shkak të specifikes së gjuhës lexuesi tivaras nuk e njeh fare letërsinë që krijohet në Ulqin andaj me të drejtë them se nuk na njohin fare. Kohës së fundit kemi qenë dëshmitarë të prezantimit të disa autorëve ulqinakë mendoj në piktorë publikut të Tivarit por kur flasim për letërsinë nuk ka pasë as ftesa për njohje e prezantime publikut tivaras përgjegjësi të cilën duhet ta mbajnë institucionet relevante.

Sonte para nesh janë dy krijues tivaras, njëri në hapat e tij të parë letrarë kurse tjetri pak më i konsoliduar edhe si publicist por edhe si botues. Savoja dhe Kulla e tij e kujtimeve përbëjnë një përmbledhje tregimesh më shumë të përjetuara e që pasiqë ai i përket gjeneratës së lindur në vitet e 60-ta të shkullit të kaluar mund të themi se ajo gjeneratë duke përfshirë edhe ata të lindurit në të 70-tat kanë pasë një fëmijëri të qetë dhe pothuaj të njejtë si për nga lojërat ashtu edhe për nga mënyra argëtuese. Andaj sot kur lexuesi i kategorisë së moshës së autorit apo edhe pak më i ri, me shumë mirësi e nostalgji i mirëpret këto tregime sepse pak a shumë janë të njejtat përjetime, të njejtat lojëra, të njejtat prapësi fëmijërore.

I ndarë në tri tërësi Markoçi arrin që te lexuesi të transmetojë jetën autentike të fëmijërisë së vet e që me mjeshtrinë e narracionit të sinqertë e të pasur me lokalizma bën që lexuesi më mos mbetet indiferent. Kur e them kështu tingëllon shumë shumë larg por këtë largësi kohore lexuesi i ri e merr përmes librit të Savos dhe mishërohet në aventurat dhe autenticitetin e një kohe jo shumë të largët por të mirë. Kohë kjo që korca e bukës e njomur në vojin e ullirit ose copa e bukës e lyer me sheqer e ujë ishte shumë herë më e shijshme se cilido ushqim i ditëve të sotme.Gazmend Citaku

Libri në pjesën e tretë, pasi që dy të parat i konstatuam si përjetime e kujtime, ka të bëjmë me lirinë imagjinare krijuese të autorit. Për mua,edhe pse libri mbyllet me tregimin Cicat në goxhdë mendoj se është tregimi më i realizuar në libër. Në këtë tregim hasim në mirësinë njerëzore, dhimbshurinë, shtytjen për jetë, vullnetin por edhe sarkazmin e letë jetësor e që mbyllet në mënyrën më pozitive të mundur, me frutin e jetës. Andaj shtohet pyetja: Çka është diçka më e madhe se kulla e pak më e vogël se kujtesa? Pa dyshim se përgjigjen në këtë pyetje do ta gjejmë brenda kapakëve të librit të Savo Markoçit të cilën unë do ia preferoja çdonjërit ta lexojë.

Nga ana tjetër kemi njeriun i cili Për dhe Rreth Tivarit pothuaj ka nxjerr nga harresa ngjarjet më interesante kulturore. Që nga viti 1986 Zhelkoja shkruan artikuj, ese dhe kritika muzikore si dhe artikuj të ndyshëm për problemet e Underground kulturës. Kështu ai është bashkëautor i monografisë për lagjen Rana të Tivarit monografi e cila po të mos ishte dokumentuar kësisoji gjeneratat e reja nuk do kishin pasë informata për diçka që dikur ka qenë Tivar. Apo i shtyrë nga bisedat që zhvillonte me kolegë gazetarë nga rajoni e të cilët nuk kishin informata për pop-rock kulturën që është zhvilluar atëbotë në Mal të Zi, Zhelkoja detyrohet që t’i përvisht një pune kolosale dhe të sjell dëshmi jo vetëm për ekzistimi por edhe për zhvillimin dhe kultivmin e pop-rock skenës muzikore në MZ. Duke jetuar në qytet bregdetar dhe i ndikuar nga valët muzikore që vinin nga matanë detit (pra, Italia) edhe shija muzikore kultivohej përmes emisioneve televizivemuzikore siç ishin Disko-Ring, apo edhe emisioneve tjera të kanaleve si Tv ashtu edhe radiove italiane. Kështu ai pranon se përjetimin më të thellë muzikor e kishte pasë me Thrillerin e Michael Jacksonit apo tensionin erotik me Like a Virgin të Madonës. Por krejt këto janë të parëndësishme ndaj asaj që gjeneratat e lindura në vitet 60-70 të shekullit të kaluar në vitet e 80 kultivohen me muzikën më të mirë e cila edhe sot e gjithë ditën i bën ballë tentimeve muzikore kompjuterike që zhvillohen sot.

Sonte paraqesim dy libra të Zhelkos si autor. Njëra është një enciklopedi e muzikës pop-rock e kultivuar në Mal të Zi dhe tjetra ka të bëjë me kujtime nga jeta fëmijërore e fundviteve të 70-ta të shekullit të kaluar. Libri i dytë është një të themi ditar kujtimesh të cilin Zhelkoja e sjell jo si dëshmi historike por si dëshmi e asaj që ai ka parë, përjetu dhe ishte dëshmitar i viteve 70-80. Kësisoji i paraqitur ky libër së bashku me librin e Markoçit dhe të Tanja Sekuliqit mendoj se paraqesin një trilogji përjetimesh të tre tivarësve që sjellin Tivarin e viteve 70-80 të përjetuar përmes tyre si protagonistë. Mendoj se kthim i tillë mbrapa në letërsi është i ndikuar pikësëpari nga Istambulli i Orhan Pamukut e që ke ne ngjashëm paraqitet përmes librave të autorëve të lartëpemendur tivaros Milloviq, Markoç dhe Sekuliq por duke mos harruar e anashkaluar edhe Belo Çaushin e Naim e Sami Flamurin të cilët rrëfejnë Ulqinin e mu këtyre viteve.

Janë pra këta autorë që jetojnë e veprojnë në vende të vogla dhe u përkasin gjuhëve të vogla andaj edhe njohja e tyre nga të tjerët paraqet një sfidë të veçantë. Derisa Zhelkoja është pak më i njohur përmes publicistikës Savos i mbetet që sfidat letrare t’i vazhdojë përmes fikcionit letrar e që i urojmë dhe i dëshirojmë shumë shpejt të zë edhe vend në skenën letrare malazeze dhe rajonale.

Fjala e mbajtur me rastin e aktivitetit ”Tivarasit te fqinët” me çrast u prezantuan dy autor nga Tivari: Savo Markoç dhe Zhelko Milloviq, Ulqin, më 20.09.2018

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top