Tuesday , December 11 2018
Lajmi i fundit

Gj.Gjonaj: Intervistë me kryetarin e Komunës së Ulqinit, Loro Nrekiqin

Loro NrekicKoha javore: Zotëri Nrekiq, që nga gjysma e muajit maj të këtij viti Jeni emëruar kryetar i Komunës së Ulqinit. Është formuar pushteti i ri prej pesë subjektesh politike, pas zgjedhjeve vendore. A e vështirëson apo e lehtëson ky numër kaq i madh partish funksionimin e ekzekutivit?
Është e vërtetë se koalicioni në pushtet përbëhet nga pesë parti politike. Secila nga ato kanë qëndrimet dhe injteresat e veta. Kjo, natyrisht se reflektohet në punën tonë të përditshme. Ka shumë barriera ne disa vende të punës. Mirëpo, ato duhet t’i kapërcejmë, mbase në Zyrën e kryetarit Komunës së Ulqinit nuk ka politikë.Aty, në mandatin tim, të gjithë duhet të përqendrohemi vetëm në programin strategjik zhvillimor tëUlqinit.

Koha javore: Ky është mandati Juaj i parë si kryetar i Komunës së Ulqinit. Në çfarë gjendje është komuna, gjegjësisht në çfarë kushtesh financiare, kadrovike dhe hapësinore dhe cilat janë problemet më të mëdha me të cilat ballafaqoheni?
Situata financiare në Komunën e Ulqinit është shumë e vështirë.Sipas një analize të fundit, 31 maj 2018 të këtij viti rezulton se borxhi i përgjithshëm i kësaj komunë është 53 milionë euro. Nga kjo shumë 25 milionë i kemi marrë kredi ( hua) nga KW banka gjermane për të cilat ka garantuar qeveria e Malit të Zi. Borxhi ndaj kontraktuesve është rreth 2 milionë euro.Për kontribute të papaguara punonjësve të komunës kemi borxh 5.7 milionë euro, kurse për kontribute të punëtorëve në ndërmarrje publike themelues i të cilave është komuna kemi pa paguar rreth11 milionë euro. Megjithatë besoj se brenda dy vitesh të ardhshme financat do të konsolidohen.

Koha javore: A keni arritur të shlyeni ndonjë pjesë të këtij borxhi gjatë qeverisjes Suaj më pak se njëqind ditë?
Prej ardhjes sime në krye të Komunës së Ulqinit, kam arritur t’u shlyhen të gjitha pagat e mbetura punëtoreve të komunës për muajin qershor, korrik dhe gusht bashkë me kontributet. Përveç kësaj kam paguar edhe kontributet në shumë prej 200.000 eurotë gjithë punonjësve të cilët shumë vite më parë kanë fituar të drejtën e pensionit.Po ashtu ua kemi paguar kontributet edhe atyre punëtorëve në disa ndërmarrje publike të cilat nuk kanë pasur mundësi tua paguajnë.

Koha javore: Në cilat lëmi e keni fokusuar interesimin Tuaj lidhur me prioritetet që i keni evidentuar gjatë fushatës zgjedhore dhe për të cilat keni premtuar se do t’i realizoni. Kuptohet se ende ka shumë kohë deri në realizimin e tyre, por a ka filluar ndonjë aktivitet në këtë drejtim?
Ulqini për fat të keq ende vazhdon të jetë i pazhvilluar, pa infrastrukturë të nevojshme, sepse në këtë qytet shumë vite nuk është punuar si duhet. Këtij qyteti i mungon shumëçka dhe i duhen shumë mjete financiare për të hyrë në destinacionet e njohura turistike në Mal të Zi dhe në Evropë.Pa investime të reja në infrastrukturë nuk ka përparim të cilësisë së jetës të qytetarëve dhe vetë ofertës turistike e as hapje të vendeve të reja të punës e rritje të punësimit të banorëve. Interesimin tim kryesor e kam fokusuar në investime në infrastrukturë komunale dhe në komunikacion, të cilat mendoj se janë të rëndësishme për jetën e qytetarëve dhe për zhvillimin e turizmit dhe bujqësisë, si dy veprimtari kryesore ekonomike. Pas përfundimit të asfaltimit të aksit rrugor Ulqin-Krythë, , segmentit të ri rrugor nga bulevardi “ Skënderbeu” deri te bulevardi “ Teuta”, trafostacionit të ri për furnizimin me energji elektrike, ndërtimin e urës në Millë të Poshtme, rrjetin e ujësjedhës – kanalizimit, ndriçimin në Qytetin e Vjetër ( Kala, ) i kemi gati edhe 19 dokumente planifikuese të cilat së shpejti do t’i miratojmë. Në bashkëpunim me ministrinë përkatëse do të bëjmë gjithçka është e mundur që të ringjallim ekonominë e Ulqinit, të forcojmë zhvillimin ekonomik dhe të ndalojmë shkuarjen jashtë qytetit e shtetit të të rinjve tanë të arsimuar. Deri në fund të muajit do të themelojmë ndërmarrjen e re publike për parkimin e makinave. Në plan kemi edhe ndërtimin e Portit të peshkut në Gjeranë, valorizimin eAdës, kripores, Kalasë, Valdanosit e Shasit. Realizimi i këtyre dhe projekteve të tjera të planifikuara, veçmas ndërtimit të hoteleve të reja me pesë yje t nga ana e kompanisë së njohur “Karisma” në Plazhin e Madh, besoj se gjatë mandatit tim katërvjeçar do të ndryshojnë për të mirë imazhin dhe pasqyrën e deritashme të këtij qyteti me rrethinë.

Koha javore: Sa i përket zhvillimit të kulturës , sa është këtë vit e gatshme komuna për t’i përkrahur aktivitet kulturore dhe të avancojë infrastrukturën në fushën e kulturës ?
Kulturën duhet ta zhvillojmë sa më shumë. Së pari duhet bërë një plan strategjik për zhvillimin e saj. E, jo si deri më tani të organizojmë aktivitete kulturore ad-hok. Duhet te përqendrohemi se cilat festivale i duhen Ulqinit. Sidomos do të përpiqemi që të rikthehet kinemaja në Ulqin, të cilën ky qytet e kishte në kohën e komunizmit. Shpresoj se, pas premtimit të ministrit aktual të Kulturës, ajo do te rihapet vitin e ardhshëm. Hapësira me Kala ku organizohet Skena Verore është e vogël. Për këtë arsye ne mendojmë që prapa saj të hapim një amfiteatër i cili do t’i përmbushë të gjitha kërkesat për përmbajtjen e aktiviteteve kulturore verore në këtë qytet.

Koha javore: Cili është bashkëpunimi me Ministrinë e Sportit, pasi që ajo këtë vit është mjaft aktive në drejtim të përkrahjes së sporteve në nivel të shtetit?
Ne kemi bashkëpunim të mirë me të gjtiha ministritë. Pra edhe me Ministrinë e Sportit. Komuna e Ulqinit gjithmonë e ka mbështetur sportin. Këtë tradite do ta vazhdoj edhe unë. Per Klubin e futbollit të “Otrant Olimpikut” i kemi dhënë 10 mijë euro. Ditëve të ardhshme do t’u ndajmë edhe një shumë tjetër të hollash. Te gjitha klubet sportive qe kanë perspektivë e janë te licencuara ne do t’i mbështesim. Por, siç jeni në dijeni, ka shumë klube të tjera sportive të paregjistruara, të cilat nuk mund të marrin subvencione nga Ministria e Sportit.

Koha javore: Në bazë të vendimit të ministrisë përkatëse është caktuar numri maksimal i punëtorëve në administratë, shërbime publike dhe ndërmarrje komunale në të gjitha komunat e Malit të Zi. Kur pritet të ndodh procesi i zvogëlimit të numrit të punëtorëve edhe në komunën e Ulqinit?
Ky është një proces i dhimbshëm, por ne duhet të përshtatemi në rrjedhat e integrimeve evropiane dhe racionalizimi bëhet për këtë çështje. Thjesht ne duhet të respektojmë ligjin në fuqi dhe të përmbushim standardet që i shkruan Unioni Evropian. Me ligj jemi të obliguar të bëjmë zvogëlimin e vendeve të punës. Dhe këtë do ta bëjmë. Administrata komunale është e ngarkuar me 230 punëtorë. Tridhjetë për qind e tyre janë tepricë. Ne jemi në fazën e përgatitjes së sistematizimeve të reja të vendeve të punës, pas të cilave do të fillojmë me zvogëlimin e punëtorëve në administratën komunale dhe ndërmarrjet publike.
Koha javore: Roli dhe misioni i organizatave joqeveritare në zhvillimin e shteteve demokratike, domethënë edhe të Malit të Zi, i cili synim kryesor ka Bashkimin Evropian, është për t’u respektuar. Çfarë bashkëpunimi keni me sektorin civil ?

Në komunën tonë kemi disa organizata joqeveritare. Me të gjitha ato kemi një bashkëpunim të mirë. Gjysmën e pagesave të mjeteve për vitin e kaluar ua kemi paguar. Edhe pjesën tjetër do tua paguajmë sa më parë që të mundemi. Komuna nuk do t’i mbesë borxh askujt. Nga sektori civil kam kërkuar raporte pune, sepse duhet të dimë se në çfarë mënyre shpenzohen paratë e komunës.

Koha javore: Zyrtarisht u mbyll edhe një sezon turistik veror në Ulqin. Sipas Jush ishte ky një sezon i suksesshëm apo pjesërisht i dështuar?
Sezoni i sivjetmë turistik në Ulqin ka qenë i mirë. Megjithatë ne mendojmë se mundet dhe duhet të jetë më i mirë. Për këtë arsye në takimin e fundit me Trupit koordinues për përcjelljen e sezonit turistik kam kërkuar nga të gjithë ata që merren me turizëm që menjëherë pa humbur shumë kohë të japin propozime dhe të paraqesin ide të reja për përgatitjen e sezonit të ardhshëm turistik.

Koha javore: Në emër të lexuesve dhe drejtuesve të Kohës javore ju dëshirojmë suksese në punën e filluar dhe dëshirojmë t’i përmbushni zotimet e thëna brenda mundësive objektive, me qëllim që Ulqini me rrethinë të prosperojë dhe të jetë strehë e sigurt për të gjithë qytetarët vendas dhe mysafirët e të huaj.

(Gjekë Gjonaj, Koha javore)

One comment

  1. Brravo Loro Nreka!!! Skam votu per ty, skam votu per kerken njet geme deri tesh se nuk kam interes mu ba kir me diken e mu lrisj me tjetrkem, par ty ta kishe nap voten gjithmon. Ti me fjal dri tesh ke va ma shim se qirosi e ata hajnat tjer bashk per 20 vjet. Shum bukur flet, shum ideja ke edhe ma nin zemra se ke mi kry ata pun se je i drejt edhe e ke DPS mas vejdit. Ishalla Zoti t nimen, per hater tan edhe hater tonin se kta “patriotat” na kan lan Ulqinin mrapa

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top