Thursday , May 23 2019
Lajmi i fundit

Gjekë Gjonaj: DRAMA “SERVANTES DHE DULÇINEA”

Servantes dhe DulcineaKush e ka parë shfaqjen premierë “Servantesi dhe Dulçinea” të trupës amatore të Ulqinit, në regji të Munib Abazait e cila është shfaqur më 16  maj 2014 në Qendrën Kulturore të këtij qytetij jam i bindur se ka përjetuar mjaft emocione që vetëm arti di t’i dhurojë. Kjo shfaqje erdhi në skenë si një freski për publikun vendas, i cili atë mbrëmje u shkri me ngjarjen e thurur artistikisht (e bazuar në legjendë-gojëdhënë) e të luajtur mjeshtërisht nga  amatorët ulqinakë. Shfaqja po ashtu i rikthye qytetit të Ulqinit një nga vlerat e munguara me vite të artit skenik. Ishte një shfaqje e punuar me shumë përkushtim, me invencion dhe me ndjenjë për detajet, me një sinkronizim të pranueshëm në mes të zërit dhe lëvizjes së aktorëve.

Edhe skenari (Flutur Mustafa) skenografia (Agron Ujkashi), kostumet (Jetmira Hoxha) dhe muzika (Ardian Hasanaga) ishin në funksion të shfaqjes, e cila nga kompetentët e kulturës së kësaj komunë, u cilësua si ngjarje e dorës së parë në sferën e kulturës dhe  arteve skenike teatrore.

Protagonistët e skenës nga rrafshi gjeografik i Komunës së Ulqinit, edhe pse amatorë, bënë një punë të madhe dhe me vlera të mëdha. Aktorët: Atif Hasanaga, Shefqet Luca, Muho Uruçi, Flutura Mustafa, Munib Abazi, Jonuz Abazi, Barbana Draga, Samir Ismaili, Ali Peri, Sakib Lika, Eldin Kurti, Ardian Veliqi, Xhemal Peri, Albana Kurti dhe Ilirjana Rama u   përfshinë nga pasioni, këmbëngulja, guximi për të bërë më të mirën për vete, për trupën dhe për publikun.

Kolektiviteti dhe këmbëngulja për të bërë më të mirën e mundur i mbajtën gjallë në skenë këta artistë amatorë, duke filluar nga më i riu e deri më i vjetri. Aktorët e ndien publikun teksa ishin në skenë. Komunikuan drejtpërdrejtë me të. U gëzuan bashkë. Edhe publiku i ndjeu ata për së afërmi, i adhuroi dhe i duartrokiti. Dëshmi kjo që rolet e tyre i lozën bukur, bindshëm dhe natyrshëm.

Këtë  pohim e dëshmoi edhe juria profesionale në Fetsivalin e amatorëve teatral të Malit të Zi në Bijello Pole, e cila trupës amatore nga Ulqini i ndau tri çmime:  vendin e dytë me shfaqje, çmimin për rolin më të mirë mashkull Shefqet Lucës ( Mehmet Begut) dhe çmimin për kostumografinë më të mirë.

Si përfundim: shfaqjen e përjetova  me emocione të forta si një bukuri që  vërtetë më ka magjepsur, një ambijent të këndshëm, një log i një suksesi, ku u laujt një lojë e bukur skenike. Do të thoja me gjithë shpirt ajo më shkaktoi mbresa të pashlyeshme. Që nga shfaqja “Ora bizare” në regji të regjisorit të mirënjohur Emin Halilit, në vitin 1997, në mos gabohem, nuk kam parë një vepër   teatrale me  aktorë vendas që ta mbushte kështu sallën e Qendrës Kulturore të Ulqinit dhe të ketë kaq sukses sa vepra “Servantesi dhe Dolçinea”. Ky sukses obligon pushtetarët dhe përgjegjësit për kulturë  t’i thërrasin mendjes, ndërgjegjjes dhe arsyes për një politikë të re kulturore,  ku gjithësesi vend meritor do të duhej të ketë themelimi (ngritja nga hiri) i teatrit në Ulqin.

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top