Wednesday , July 26 2017
Lajmi i fundit

Gjekë Gjonaj: ME NDËRGJEGJËSIM MUND TË LUFTOHET KORRUPSIONI

Gjeke GjonajThuajse asnjë komunë në Mal të Zi nuk i ka shpëtuar  korrupsionit. Këtij “kanceri”  i cili vërehet sidomos  në vendet që janë me zhvillim të ulët ekonomik, siç jemi ne,   nuk i ka shpëtuar as  Komuna e Ulqinit.  Faktin e   hidhur  se korrupsioni është mjaft i thellë  në Ulqin,  se ky fenomen global mbetet një nga problemet kryesore të këtij qyteti dhe  se vazhdon të jetë çështje shqetësuese,  e vërtetoi  anketa e OJQ-së “ Ul-info”.  Përmasat e korrupsionit, i cili nuk shfaqet vetëm në formën financiare, por edhe  në formën morale, politike e tjerë , sipas  qytetarëve të anketuar  në Ulqin, janë të dukshme, madje  dominuese  dhe alarmuese  në shumë  fusha. Sipas  hulumtimit të përmendur  rreth kësaj  veprimtarie të  kundërligjshme dhe mjaft të rrezikshme për një shoqëri të caktuar e cila kryhet nga keqpërdorimi i detyrës zyrtare, institucionet më të korruptuara paraqiten  të jenë  pushteti ekzekutiv, partitë politke  dhe shëndetësia, rreth 80 për qind, pastaj policia, gjyqësori, prokuroria, mediet,  Kuvendi i Malit të Zi dhe arsimi.

Shikuar në një aspekt, kjo nuk është befasi. Për më shumë deri diku    është e kuptueshme, pasi që korrupsioni, që në mënyrën më të thjeshtë të kuptimit është keqpërdorim i autorizimeve publike për përfitime personale,  lind dhe shtohet  si pasojë e mungesës së transparencës dhe moskërkimit të llogaridhënies. Perceptimi i përgjithshëm qytetar është se edhe pse kuadri ligjor është shpesh në vend, nuk respektohet ose shpesh nuk përdoret për të sanksionuar shkeljen e ligjit. Me keqardhje mund të thuhet se ende jemi larg nga rritja e nivelit të kënaqshëm, që do të lehtësonte kërkimin e llogaridhënies nga bartësit e institucioneve vendore dhe qëndrore.  Se çfarë pasojash  mund t’i sjell korrupsioni  Ulqinit , mjafton të marrim për bazë gjendjen e tanishme ekonomike dhe sociale të qytetarëve, kur vërehet çdo ditë e më tepër papunësi, skamje, mjerim, e në anën tjetër tek shumica e politikanëve që janë në pushtet ,ose që kanë qenë vërehet një pasqyrë krejtësisht tjetër, e cila as për së afërmi nuk përkon me atë të qytetarëve. E gjithë kjo ka  si rezultat  revoltën e   qytetarëve ndaj pushtetit, mosbesimin, mosbashkëpunim, migrimin etj.

Problemi është se sa është politika  lokale  e gatshme që  qytetit dhe popullit të vet  t’i japë drejtimin e duhur, pas të gjitha shfaqjeve jo të kënaqshme të këtyre 27 viteve në  pluralizëm e demokraci.  Çështje kryesore që sot kërkon zgjidhje  të shpejtë është se a mund të gjejmë  një ekip njerëzish, të dinjitetshëm e të përgjegjshëm, që e bëjnë kthesën e duhur për këtë qytet. Unë jo vetëm se besoj, por madje  jam  i bindur se  Ulqini ka  njerëz që  e duan qytetin dhe  bashkëqytetarët e tyre, të cilët  në një qeverisje të ardhshme do të kenë zero tolerancë ndaj k0rrupsionit, keqpërdorimit  të detyrës zyrtare dhe formave të tjera që ulin kredibilitetin e zyrtarëve komunalë përball shërbimit që kërkojnë qytetarët dhe të cilët  do  të jenë të pamëshirshëm ndaj secilit tentim më të vogël  korruptiv nga ana e tyre.

E dimë të gjithë se në   ato vende ku ka korrupsion rrezikohet seriozisht realizimi i të drejtave dhe lirive të garantuara me ligj. Edhe pse  çdo qytetari i janë të garantuara  me kushtetutë dhe ligj të drejtat e barabarta , korrupsioni e bënë të parelizuar një gjë të tillë në praktikë. Prandaj në  Ulqin përfundimisht ka ardhur koha për ndërtimin e një sistemi ku secili qytetar mbanë përgjegjësi për rendin dhe sigurinë publike.  Më nuk duhet drejtuar gishti i fajësisë vetëm te organet e sigurisë e drejtësisë, por secili qytetar duhet të bashkëpunojë më këto organe në mënyrë që të nxirren para ligjit të gjithë ata që e shkelin ligjin.  Po ashtu qytetarët  duhet të zhvillojnë vetëdijen, që duke qenë viktima të korrupsionit, pra duke paguar ryshfet, gjithashtu edhe ata kontribuojnë për të keq në gjendjen tashmë të palakmueshme. Andaj edhe ata  duhet të raportojnë rastet kur janë detyruar të paguajnë ryshfet e mit . Veç  kësaj publiku i gjerë duhet të jetë më këmbëngulës në kërkesën për një nivel më të lartë të përgjegjësisë dhe transparencës nga zyrtarët dhe institucionet komunale. Rritja e vetëdijesimit dhe ndjenjës së përgjegjësisë së qytetarëve do të mundësojë transformimin e këtyre në një faktor kyç në luftimin e korrupsionit.

(Qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë këndvështrimet dhe mendimet e BE-së dhe të pjesëmarrësve në projekt.)

Banner projekat, Disclaimer, Ulqini kunder korrupsionit

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top