Saturday , February 27 2021
Lajmi i fundit

Gjokë Dukaj rreth librit të ri të M.Cankës: RRUGËTIM NEPËR SHEKUJ

Gjokë DukajLeximi i ndonjë vepre të re, sikur është një rinjohje me autorin, sidomos kur ai të shpie në ndonjë rrugëtim të gjatë, gjurmëve që autori ka kaluar derisa ka arritur te lexuesit. Është e natyrshme që leximi i ndonjë vepre është përvojë shtesë nga ndonjë fushë më pak e njohur, e që, pikërisht, autorin ta prezanton në një mënyrë të re, përmes përmbajtjes me informacione dhe të dhëna të reja. Ndodh shpesh që mjedise, njerëz dhe ngjarje të shumta t’i përjetojmë si të afërta dhe të njohura, por kur i takojmë ato përmes ndonjë leximi, të shtjelluara dhe të sistemuara me mjeshtërinë e autorit, e marrim vesh se për të qenë afër, duhet afruar. Ashtu siç na afron autori, Mustafa Canka, me librin e tij “Paraqitja interkulturore Ulqin dhe Tivar”, botuar fundvitin e kaluar. “Ulqini dhe Tivari – qytete që kanë shpirt”, ndër fjalitë e para të autorit, duke hapur kështu derën mu në hyrje të rrugëtimit nëpër faqet e këtij libri, dëshmi i lashtësisë mijëravjeçare të këtyre dy qyteteve, gjurmëve të lashta e të thella dhe, siç shkruan autori “… falë ekzistencës mijëvjeçare, tolerancës së brendshme dhe ndërlidhjes, këtyre themeleve të qëndrueshme, në Ulqin dhe Tivar, u shijuan frytet e të gjitha kulturave, civilizimeve dhe religjioneve që erdhën në hapësirat tona duke pranuar të dobishmen dhe të bukurën nga secila”.

Duke shfaqur dashurinë e vet ndaj këtyre mjediseve, autori Canka, me sinqeritetin e një adhuruesi të flaktë ndaj vlerave të trashëguara, shkruan: “… kam ndier obligim moral që një pjesë të pasurisë kolosale shpirtërore dhe kulturore të popujve në hapësirën e komunave Ulqin dhe Tivar t’i shënoj në këtë libër modest”.
Ndjesia e këtillë, i mveshë autorit petkun e dashamirësisë, por edhe të krenarisë që është bir i këtij trualli, i frymëzuar nga pasuria e trashëguar nëpër shekuj dhe e kultivuar në shpirtin e tij krijues dhe gjurmues. Autori, në rrugëtimin e tij të gjatë në lashtësinë dhe rrjedhën historike të këtyre dy qyteteve, ndjehet krenar për rezistencën shekullore ndaj sulmuesve të shumtë në kohëra dhe periudha të ndryshme.

Përmes titujve dhe nëntitujve nga përmbajtja e këtij libri, nga tradita mijëvjeçare ndërinterkulturore – bashkëjetesa në paqe, barazi dhe respekt, autori Canka, po ashtu, i pasqyron lexuesit vendet e pelegrinazhit, festat dhe shenjtoret, dëshmi e pasurisë kulturore-shpirtërore dhe historike. Që kjo përmbajtje të jetë sa më e plotë, autori i prezanton lexuesit virtytet më të larta të trashëguara, siç është mikpritja e që e trajton themelin e interkulturalizmit, pastaj pasurinë e gjuhës dhe folklorit, kuzhinën e njohur nga këto dy qytete dhe, në veçanti, ullishtat e Tivarit dhe Ulqinit. E gjithë përmbajtja, e ilustruar me më tepër se 40 fotografi, dëshmi e traditës dhe kulturës, nga lashtësia deri më sot.

Nuk kam pasur mundësi të jem në përurimin e këtij libri, ku marr pjesë me kënaqësi me rastin e botimeve të reja, sidomos nga kolegët gazetarë por, përmes këtij shkrimi modest, përjetimin tim me të lexuar librin e autorit Mustafa Canka, të cilit i uroj arritje të ngjashme në të ardhmen. (Koha javore)

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top