Wednesday , April 14 2021
Lajmi i fundit

H.Hajdari: KËSHTU NUK SHKON MË DHE NUK DUHET TOLERUAR MË TUTJE

Hajrullah HajdariKa ardhur koha për një klasë të re politike shqiptare në Mal të Zi, për një mentalitet tjetër politik, për një bashkërëndim të mirëfilltë të kerkesave shqiptare. Figura dhe politika e Albin Kurtit duhet të jetë shembull për të gjithë shqiptarët e paknaqur në Mal të Zi, për të gjithë ata që dëshirojnë zhvillim dhe mirëqenie ekonomike të vendeve të banuara me shqiptarë dhe forcimin e identitetit e tyre kombëtar. Albini, sigurisht, nuk do vijë të na i kryejë punët, ato duhet t’i bëjmë vetë. Pra, duhet ta gjejmë a ta krijojmë një Albin Kurti, i cili është më se i nevojshëm.

Pavarësisht se kaluam 30 vite në demokraci dhe po aq vite po përjetojmë një tranzicion politiko-ekonomik të tejzgjatur, pozita politike dhe mirëqenja e shqiptarëve në Mal të Zi, në krahasim me fillimvitet e demokracisë dhe vendet tjera të këtij shteti, ka mbetur në vend numëro! Shkaqet e kësaj gjëndje të palakmueshme shpeshherë janë diskutuar e komentuar, por për arsye të oportunizmit, joprofesionalizmit apo të korupsionit politik ato asnjëherë nuk janë thënë hapur, jo për të kritikuar por, sëpaku, për të nxitur frymën e përgjegjësisë dhe veprimit për trasimin e një rruge tjetër  e cila do të na shpie drejt ndryshimit të të poziës në të cilën ndodhemi.Kështu nuk shkon dhe nuk duhet toleruar më tutje!

Është e njohur në politikë se “faji është jetim”, dhe gjithmonë “nuk jamë unë (nuk jemi ne) fajtor” apo “ faji duhet kërkuar diku tjetër”. Por, me që ra fjala për demokraci atëherë fajin s’kemi ku ta kërkojmë tjetër përveç të politika zyrtare dhe politikanët tanë shqiptarë, sepse me politikanët malazez dhe hyzmeqarët e tyre jemi ngopur. Po ç’kanë bërë ata?!

Shqiptarët në Mal të Zi, në fillimvitet e demokracisë u bënë pjesë e përmasës Shqiptare të krizës Jugosllave, ndonëse qenë i vetmi rajon i ngulimeve shqiptare ku nuk shpertheu konflikti i armatosur. Vendbanimet shqiptare ishin vendet ekonomikisht më pak të zhvilluara në Mal të Zi, nuk gëzonin të drejtën e përdorimit të simboleve kombëtare, programet shkollore ishin reduktuar, emigrimi i popullsisë kishte marrë përmasa të mëdha, kështu që identiteti kombëtar rrezikohej gjithnjë e më shumë. Shqiptarët në këtë kohë përbënin 6,57 % të popullsisë së përgjithshme të Malit të Zi, gjegjësisht 7,14% të popullsisë së përgjithshme gjuha amtare e të cilëve ishte gjuha shqipe.

Ngecja e zhvillimi ekonomik dhe boshatisja e vendeve shqiptare, përgjegjësi e partive politike shqiptare

Fillimvitet e demokracisë, ndonse në kushte të rënduara politike pasi rajoni ishte kapluar nga lufta dhe si pasojë Jugosllavia si shtet po zhbëhëj, ngjallën shpresë të shqiptarët se po vinin kohra më të mira, qoftë politike apo ekonomike. Në zgjedhjet e para parlamentare të vitit 1990 populli shqiptar, i vetëdijshëm për nevojën e ndryshimeve,  në numër të madh votuan shqip, votuan LDnëMZ-në, ateherë partinë e vetme  politike shqiptare. Nuk vonoi shumë, sa për shkak të paknaqësisë për punën e kësaj partie e me shumë për interesa personale të individeve apo grupacioneve të caktuara, partitë politike shqiptare filluan të binin si “këpurdhat pas diellit”, aq sa deri më sot në skenën politike shqiptare kanë defiluar 13 parti apo grupe qytetarësh. Apsurd, të panevojshme, servilitet, të dëmshme, gjithësesi! Deri në vitin 1998 ekzistonin vetëm 2 parti politike shqiptare dhe disi, sa i përket çështjes kombëtare kishin qëndrime të përafërta dhe nuk vërehej ndonjë lakmi ndaj pushtetit qendror dhe as ndonjë joshje për shqiptarët nga ana pushteti për të hyrë në qeveri.Pikërisht, këtu fillojnë përçarjet dhe lakmija për pushtet, pikërisht nga këtu fillojnë premtimet e shumta të partisë-shtet dhe joshja e elektoratit shqiptar me premtime të shumta për punësim, në shkembim të votës, pa asnjë kriter, për leje ndërtimi apo ndonjë favor tjetër që, ata të cilët votonin partitë shqiptare nuk mund t’i merrnin dot.Përderisa militantët partiak punësohen edhe pa e kryer fakultetin ato që nuk janë me partinënë në pushtet presin në Eentin për Punësim dhjetë (10) vite e më shumë. Është ky korupsion politik, nepotizëm i pastërt! Efekti i korupsionit politik, për neve i rëndësishëm në nivelin lokal, ka për pasojë jo vetëm ngecjen e zhvillimit ekonomik por edhe rritjen e shkallës së papunsisë, pabarazinë në mes të qytetarëve, joprofesionalizmin,    humbjen e besimit në administratën publike etj., dhe si rrjedhojë, karvani i emigrantëve shqiptarë nuk ka të ndalur. Vëndet shqiptare po boshatisen nga dita në ditë. Ndonëse nuk ka shënime zyrtare, në bazë të shënimeve komperative të regjistrimeve të popullsisë na del se mbi 20.000 shqiptar e kanë braktisur vendin e tyre që përbëjnë sëpaku 41% të popullsisë shqiptare në Mal të Zi.

Zhvillimi ekonomik i vendeve shqiptare në Mal të Zi, sot është nën nivelin e fillimviteve të demokracisë. Në vitin 1996, të ardhurat buxhetore të komunës së Ulqinit ishin më të mëdha se të komunës së Tivati për afro 15%, (6291 :5517) nderësa sot sipas indeksit zhvillimor të komunave në Mal të Zi Ulqini radhitet në vendin e 12-të nderësa Tivati në vendin e 6-të. Ulqini është e vetmja komunë në bregdetin malazez e cila përfiton nga Fondi Egalizues, si komunë nën mesataren zhvillimore në Mal të Zi (76,95%). Numri të punsuarëve në Ulqin në vitin 1989, ishte 4.068, ndersa në vitin 2017, 4.438 punëtorë, pra për 28 vite janë punësuar vetëm 370 punëtorë ndërkaq shkalla e papunsisë në Ulqin është 24,39 % nderësa në Plavë (viti 2017) 57,98%. Investimet në ekonomi nga pushteti qendror në komunën e Ulqinit janë katastrafale.  Në vitin 2017 nga buxheti i Malit të Zi në vendet e banuara me shqiptarë është investuar: në sektorin e komunikacionit 2,37% të investimeve të përgjithshme në këtë sektor në Mal të Zi, në infrastrukturen e nevojave komunale dhe ruajtjes së mjedisit vetëm 1%, në infrastrukturën shkollore, shëndetësore dhe sport 1,59% nderësa në turizëm O %. Përkundër këtyre rrezultateve katastrofale politikanët tanë zgjodhën rrugën e vazhdimit të bashkëpunimit me partinë-shtet, pa ndërmarrë asnjë hap konkret për ndryshimin e kësaj gjendje të mjerueshme.

Deshtimi i partive politike shqiptare

Si rrjedhojë e bashkëpunimit dhe nënshtrimit të interesave të partisë-shtet ose partive tjera malazeze, sot shqiptarët, si pasojë e ligjit zgjedhor didkriminues përfaqësohen në Kuvendin e Malit të Zi vetëm nga dy përfaqësues, nga 4 sa kishim deri në vitin 1998. Ndërkaq, edhe pse partitë shqiptare fituan numrin e duhur të këshilltarëve, besimin për të udhëhequr komunën e Ulqinit, këshilltarët e zgjedhur ia dhanë DPS-it, përkundër të gjitha deshtimeve të cilat i paraqita më lart. Edhe më keq, shqiptarët (politikanët jo populli) po i rrinë besnik DPS-it edhe sot kur ata e humbën pushtetin, madje përseri kryetar i komunës së Ulqinit do të zgjidhet nga rradhet e tyre, edhe pse partitë shqiptare e kanë numrin e duhur për të zgjedhur kryetarin nga rradhet e shqiptarëve. Shtrohet pyetja: Pse? Për interes të shqiptarëve dhe zhvillimit ty tyre, JO! Vetëqeverisja vendore është krejtësisht e centralizuar. Në këto kushte komunat nuk disponojnë me pasuritë e tyre, madje as nuk përfitojnë nga të ardhurat e krijuara aty. Zona e bregdedit shfrytëzohet pamëshirshëm nga pushteti qendror. Si në asnjë vend tjetër në bregdetin malazez vija e të “mirave detare” në komunën e Ulqinit shkon deri në 1000 m.në brëndësi, përkundër përkufizimit ligjor- 6 metra nga bregu i detit, po çka se atje e dërguam një njeri tonin i cili mbulon vendin e kryetarit të Kkëshillit Drejtues, por zona nuk u tërhoq, nuk ndryshoi, nderësa shqiptarët qëndronin në koalicion me partinë-shtet!

Shqiptarët në Mal të Zi duhet ta gjejnë apo krijojnë një Albin Kurti- për ndryshime

Nga sa cekëm më lart mund të themi me të drejtë se kemi një deshtim të klasës politike shqiptare. Ata nuk i kanë përmbushur premtimet e dhëna, përkundrazi, duke bashkëpunuar qorrazi apo për interese personale me partinë – shtet, kanë kontribuar dukshëm në keqësimin e gjendjës ekonomike dhe në boshatisjen e vendeve shqiptare. Politikanet tanë nuk kanë qenë të aftë të matrializojnë vendimet juridike të brëndshme e as ndërkombëtare, sidomos në sferën e të drejtave kombëtare, për të cilat do të flasim njëherë tjetër.  Siduket, interesi i tyre kryesor ka qenë dhe janë kujdesur më shumë për menaxhimin e buxheteve komunale sepse, thonin ata, për investime kapitale është qeveria. E çka ka bërë qeveria e shohin të gjithë shqiptarët.

Politikanët aktual shqiptarë në Mal të Zi, janë përgjegjës për gjendjen e mjerueshme ekonomike dhe politike. Ata duhet të reflektojnë sa më parë që është e mundur. Votuesit besnikë të tyre duhet të kërkojnë llogori për politkën dështuese të tyre. Ka ardhur koha për një klasë të re politike shqiptare në Mal të Zi, për një mentalitet tjetër politik, për një bashkërëndim të mirëfilltë të kerkesave shqiptare. Figura dhe politika e Albin Kurtit duhet të jetë shembull për të gjithë shqiptarët e paknaqur në Mal të Zi, për të gjithë ata që dëshirojnë zhvillim dhe mirëqenie ekonomike të vendeve të banuara me shqiptarë dhe forcimin e identitetit e tyre kombëtar. Albini, sigurisht, nuk do vijë të na i kryejë punët, ato duhet t’i bëjmë vetë. Pra, duhet ta gjejmë a ta krijojmë një Albin Kurti, i cili është më se i nevojshëm.

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top