Monday , September 25 2017
Lajmi i fundit

Hajredin Muja: STINA E DASMAVE

DasmaUnë nuk parapëlqej të flas shumë për “dasmën tradicionale” ose siç e quajn në disa vende “Dasma e Kanunit”, që hudhte në erë gjithë ekonominë e familjes dhe i duhej një kohë e gjatë për ta rimarrë veten. Relatorët shpeshherë kanë shpjeguar për të tilla dasma ndër shqiptarët, dasma që zgjatëshin një javë dhe në të cilat dasmorët rrinin në “sofër” nga 7-8 orë, duke ngrënë e duke pirë? Ata flasin gjithashtu edhe për shpenzimet e mëdha, të cilat familjet e varfëra i bënin për një dasëm! Cili popull tjetër ka flakur gjithë ekonominë e familjes për një dasmë, dhe ka investuar gjithë ekonominë e shtetit për të ndërtuar bunkera?! Ndoshta do të ishte më mirë ti bëjmë hesap në llogari të së kaluarës, por përveç që janë shtuar zgjedhimet e foljes në kohen e tashme “martohen” dhe në kohën e ardhëshme “ndahen”, as sot nuk kanë ndryshuar shumë gjërat!

Ka plot raste, që i zoti i dasmës pak ditë më pas, ta zërë kokën me grushte nga borxhet e mëdha që është zhytur, ende pa i ardhë veshët nga zhurma e tupanave. Rrënqethet i tëri, kur sjell në mendje “fustanin e bardhë” të pa identitet, të cilën e ka paguar mijëra budallallyqe, e tani i duket si fantazmë! Katër – pesë gra në dasëm të veshura me veshje kombëtare, katërqind të tjera të “paveshura” fare! Dhuratat e dasmës të gjitha të njëjta, të palogjikshme si vetë dasma! Dhe më e keqja, të gjitha i shohim dhe i ndjejmë, e megjithatë askush nuk merr mësim, sepse budallallëku e krijon logjikën vet, që është bërë si sëmundje ngjitëse e kësaj tragjikomedie të zhgënjyer!

Është kjo stina e verës dhe stina e dasmave, kur do të shikoni çdo ditë kolona automjetesh të zbukuruara me lule e flamuj. Në dritaret e tyre, vajza e gra, të cilat i nxjerrin kokat jashtë, nuk e di, nga gëzimi i tepërt, apo që të tjerët t’ua shohin modelet e flokëve që kanë!? Eshtë stina e Saloneve të frizurave, përplot me gra të të gjitha moshave, me orar të caktuar dhe me çmime 20, 50 apo edhe 100 euro! Eshtë stina e rrobaqepëseve që qepin fustane nga më të ndryshmet e më provokativet, pa ndonjë problem për çmimin! Eshtë stina e sallave të dasmave, të këngëtarëve të njohur e të panjohur, që të shpojnë veshët me dhunën akustike të ‘zmadhuesit’ pa të dhënë asnjë mundësi ta përshëndetësh mikun. Të gjithë të ulur në një vend, injorantë e intelektualë. Në mes një valle e madhe, ku më shumë se të vallëzojnë ekspozojnë fustanet, apo frizurat e shtrenjta enkas për këtë mbramje. Eshtë sezoni i tallavaxhinjve dhe e këngëve patriotike, që ia kallin “zemrën” dhe xhepin gurbetxhinjve, se “kush po qet pare ma shumë”, skenë e përsëritur nga dasma në dasmë e nga viti në vit. [Newborn 23/08/2015]

Sapo gjejnë një rast për biseda, ja nisin ankesat: “Ja, është kohë e vështirë ekonomike e sociale, djemtë tanë janë të pa punë, madje burri im më tepër qëndron në shtëpi pa punë, se sa me punë”. Ankohan po ato që për frizuarën e tyre kanë shpenzuar 50 euro, pa u turpëruar nga bashkëshortët e tyre të papunë! Dasmat nuk bëhen më nëpër shtëpi, por nëpër lokale speciale e të shtrenjta, të cilat po nuk i rezervove në dimër, iku stina e verës! Në këto vende të mbydhura, muzika të shurdhon timpanin e veshëve, gra të shfrenuara, armë zjarri, shpenzime të tepërta, thyerje traditash fetare dhe kombëtare. Për fe nuk duam t’ja dijmë, për komb rrehim çiftelinë!

Në historinë e dasmave shqiptare, veçohet Dasma e Zogut. Kishte qenë i fejuar me vajzen e Vërlacit, Behije Hanëmin, një fejesë që e prishi kur filloj të mendojë për kurorëzimin si mbret. Ishte viti 1938 kur u martua me Geraldinën, martesë që e lejoj Papa Piusi me kusht që fëmijët e dalë nga kjo martesë, të rriteshin si katolikë [Fevziu:2012/19]. Dasma ishte madhështore, shpenzimet e së cilës nuk i mësuam kurrë. Gazeta shkruante për një shumë prej 10.000 franga arë, që Banka Kombëtare kishte vënë në dispozicion për dasmën e sovranit [Shtypi, 24/4/1938]. Hitleri i kishte dhuruar një Mercedes 540K kabriolet, njëjtë me atë që i pati dhuruar mbretit Faruk të Egjiptit dhe liderit Sovjetik Stalinit në 60 vjetorin e lindjes [Ny Sun, 27/4/1938]. Dasma u bë në një atmosferë gjysmë prendimore e gjysmë orjentale. Gegë nga veriu e toskë nga Jugu, përshendesnin Mbretin që nga një kryetar fisi, u bë Monark edhe me një mbretreshë.

Albania e Faik Konicës [#9/1898], na njofton me martesën e Qamil Beut, djali i Jashar Beut, që u martua me vajzën e një agai nga Shkupi. Nga tetëmbëdhjetë kaza të ndryshme, kishin shkuar disa qindra të ftuar. Dasma kishte zgjatur një javë. Në martesën e korçarëve Spiro Toçka’s me znj. Vanthi Pllucka: “për katër ditë e katër netë, muzikantët shqiptarë kanë luajtur me radhë melodi kombëtare. Kishte shqiptar të ftuar nga shume qytete te tjera”.

Pak më vonë “The Echo” [3.10.1902] na njofton për një të çuditshme: “Në Milano do të bëhet një Pazar grash, ku do të zgjidhen më të bukurat, secilës prej tryre do tu vihet nga një numër, e do të shiten disa mijëra bileta, secila për nga dhjetë lira italiane. Këto të holla do të ndahen në mes të vajzave për pajën e tyre. Kur të marohen së shituri biletat, do të hiqet loteria, e kujt ti bjerë numri i mirë, do të fitojë një grua me pajë. Deri në dhjetorin që shkoj, 87 vajza ishin shkruar për të dalë në pazarë që të zgjidhen”, pohonte “The Echo”.

Në historitë e mesjetës, takojmë plot  dasma madhështore të cilat të zgjojnë kurreshtjen. Një dasëm e madhe mund të zgjaste për disa ditë. Një e tillë përshkruhet në romancën e quajtur “Flamenca”, që kishte zgjatur disa javë. Rrugët ishin dekoruar me sexhade, erëza duke u djegur në secilin kënd të qytetit, “500 palë rroba, të dekoruara me fletë të argjendëta, 1000 bizhuteri, 1000 shpata, 1000 parzmore, dhe 1000 kuaj lufte”, ishin pergaditur si dhurata për mysafirët e dasmës. Numri i dasmorëve përbënte një linjë tepër të gjatë, me festa të pasura “athua se jemi në parajsë” [Gies:1969/73].

Një kronikë e vitit 1440, na tregon për martesën e princit Don Enrique dhe princezës Dona Blanca, bijës së Don Zhuanit, mbretit të Navarrës në Gadishullin Iberik. Një dasëm e madhe, që zgjati plot katër ditë, vallëzuesit më të njohur, kënaqësi e gëzim i madh. Aty kishin ardhë të ftuar çifutë me Toran dhe maurë me Kuranin. Muzicientë me trompa, me tamburinë, me daulle, me fluta, të cilat bënin zhurma të mëdha, që të lenin përshtypjen se njerëz të shumtë po vinin. Në të hyrë në qytet, të gjithë së bashku, fisnorë, zejtarë, çifutë, maurë, e shoqronin mbretreshën dhe princeshën për në oborrin mbretrorë. Të përgaditura një zgjidhje e madhe ushqimesh, pula të pjekura, lloje të ndryshme mishi e peshku, ëmbëlsira nga më të ndryshmet. Fruta të të gjitha llojeve, diçka si nuk ishte parë e dëgjuar.

Në shërbim një numër i madh zonjash të veshura me veshje festive. Urdhër i mbretit, ato ditë askush nuk mund të shiste asgjë me para, të gjithë ato që do të blenin do ti paguante mbreti. Të gjithë ata që vinin në qytet, vendas apo të huaj, ishin të ftuar në dasmë. Një skenë e ngritur nërgut për dasëm, një fontanë e argjendë me një krua vere të shijshme, ku secili mund të merrete aq sa dëshironte. Për tre ditë nuk pushuan dancet.

Në ditën e katërt u vendos një skenë speciale në një livadh, një “dhomë” e veçantë që kishte njëzet shkallë, për të hyrë në majë. I mbështjellë e gjitha me barë, dukej si një mal i vogël, maje së cilës do të qëndronte mbretresha dhe princesha, nusja e re. Kur dasma mbaroj, dy thasë të mëdhenj parashë ju ndanë muzikantëve dhe të gjithë atyre që bën të mundur “festën e madhe” për katër ditë. Princeshës i dhanë një xhevahir shumë të kushtueshëm, kurse secilës zonjë që shoqroj princeshën, i dhuruan nga një unazë diamanti, dhe nga një smeraldë [Constable:1997/317-319].

Ndërmjet vitit 1589 dhe 1608, festat e dasmave nuk ishin vetëm zbavitje e argëtim, por morën një karakter manifestues të artit [Silli, f.58]. Martesa e Duka Ferdinandit me Kristinën e Lorraines në Maj 1589, provoj të ishte një aferë e madhe në qarkun e monarkive evropjane. Katër Statujat, të Augustusit, të Çarlemagnes (Karlit të Madh), të Cosimo Pater Patriac dhe të Cosimo i I-rë, u vendosen në katër këndet e Ponte Santa Trinita’s, të cilat Borsook i konsideron si një skemë elegance e një prodhim tradite [Borsook:1966/206]. Katërmbëdhjetë burra ishin të angazhuar të përcjellin organizimin për të qenë gjithçka në rregull. Shtatë të tjerë ishin të caktuar për pritjen e musafirëve [Storia di Etichetta, f.3]. Pesëdhjetë aristokratë të Florencës ishin “zgjedhur” prej Dukës të bartnin tendën (çadrën) e nuses, kur ajo do të hynte në qytet. 29 të tjerë për ti shërbyer asaj [Manoscritti, 130, fs.107r, 159r]. Në dasëm u konsumuan 9.000 litra verë dhe 7.286 shinikë grurë. Llogaria mund të bëhet lehtë, kur dihet se 6.056 dukatë u shpenzuan vetëm në përgaditjen e ëmbëlsirave!

Një dasëm tjetër jo më pak ekstravagande e kësaj qeverisje, ishte martesa e mesës së Dukës – Marijes, kur u martua me mbretin Henry IV-rt të Francës, në tetor të vitit 1600. Më shumë se 1000 veta ishin të angazhuar në përgaditjet dhe më shumë se 60.000 florina u shpenzuan për dasmë. Morën pjesë 800 zonjusha të Florencës dhe 300 fisnikë [Studies in the Renaissance, Volume XVII, f.222]. Tetë vjetë më vonë (1608), ishte martesa e Dukës Cosimo të II-të, për të cilën u desh një përgaditje për plot një vjetë [Silli, f.75].

Koha Javore”, 6 Korrik 2017

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top