Thursday , July 18 2019
Lajmi i fundit

Hajredin s. Muja: TAHIR PASHË KRAJANI

Kur mendoj të shkruaj për jetën e Tahir Pashë Krajanit, duke gëzuar të drejtën e ‘mendimit ndryshe’, çështja e parë që më bie ndërmend është që të distancohem nga mentaliteti sotëm dhe ti jap përparësi kohës dhe situatës kur jetoj dhe veproj Tahiri. Mua më duket absurde mendimi i disa intelektualëve, me të cilët më ka rastisur të diskutoj, të cilët nuk e vlerësojnë atë për shkak se ai “e braktisi vendlindjen”, se ka qenë “jo-kombëtarë”, shërbëtor i Perandorisë (armikut), dhe tentues i “shpopullimit të Krajës” (që ajo t’u mbesë malazezëve). Nga njëra anë, gabojnë që flasin kështu pa e ‘përjetuar’ kohën në të cilën jetoj dhe veproj Tahiri, e nga ana tjeter, disa prej tyre, vetë e kanë braktisur Krajën, jetojnë në shërbimin e të huajve dhe kanë tërhequr të afërmit nga vehtja, që thënë ndryshe, kanë kontribuar në shpopullimin e Krajës. Pra ngarkohen me fajin që akuzojnë të tjerët.

Në kohen kur jetoj Tahiri, nuk kishte asnjë cep të Perandorisë që të mos kishte shqiptar. Ishin ato vite kur shqiptarëve dhe turqëve, dy popuj që për shekuj të tërë kishin bashkpunuar ngushtë për themelimin dhe ruajtjen e Perandorisë, u kishte hyrë “turku i ri” (xhonturku), kundër të cilëve qe edhe vetë Tahiri dhe nga të cilët e pësoj. Gjithsesi kjo më shumë se askujt u levërdiste fqinjëve të shqiptarëve, që po vështronin me qesëndi përpjekjet shqiptare, për të gjuajtur ‘me qiqra’ bunkerin e paragjykimeve ‘turke’ dhe kështjellën e ndërtuar gjatë shekujve të fanatizmit fetar e kombëtar. Ata kishin parë tashmë se shqiptarët në Perandori, kishin qenë gjithmonë sundimtarë dhe jo thjeshtë vetëm pjestarë të saj. Sistemi administrativ Osman u kishte lënë një autonomi të mbrendshme brënda së cilës mund të vepronin si ua kishte qejfi. Luftrat ishin një burim të ardhurash për mijëra shqiptar që merrnin pjesë në to. Mercenaria në provincat tjera të Perandorisë i siguronte rinisë luftëdashëse (luftrake) fitime dhe një fushë të pëlqyer veprimtarie. Befas, me Reformat e Tanzimatit, kundër të cilave ishte edhe Tahiri, do të duhej të merrnin fund të gjitha këto dhe shqiptarët, në mënyrë shabllone të presoheshin në rrolin e nënshtetasve të bindur .
Tahir Pashe KrajaniNë kohën kur jetoj Tahiri dhe kur shërbeu në ‘Jilldis’, ndjenja e gjuhës kombëtare ekzistonte vetëm në embrionin e disa shtresave të shquara. Shumë pak shqiptar e kishin idenë se gjuha e tyre mund dhe duhej të shkruhej. Propaganda e Romës kishte botuar ca libra në gjuhen shqipe por me asnjë ide kombëtare . Shqiptarët duke pasur privilegje të veçanta, nuk ishin përpjekur për independencë, pasi gëzonin liri nga pikëpamja kombëtare, por që i dëmtoj më shumë nga popujt tjerë të ballkanit, të cilët ngrehën shtetet e tyre kombëtare, duke përfitue nga dobësia e ‘Turqies’ e duke zgjëruar kufijt në dëm të shqiptarëve . K. Hassert shkruante se territori i Malit të Zi, në shek. XVI kishte 2000 km2, më 1852 rreth 4000 km2 (me 125.000 banorë), gjatë viteve 1876–1878, 4366 km2,, pas Paqës së Shën Stefanit (1878) në 15000 km2 dhe pas Kongresit të Berlinit në 9475 km2, gjithnjë në dëm të shqiptarëve , toka e të cilëve, sipas S. Frashërit përmblidhte në vete 70.000 km2, ose 75.000 km2 sipas francezit Uelavitch , përkatësisht 110.000 kilometra katrore , që më në fund të reduktohet në 28.748 kilometra katrore .

Në këtë këndvështrim i duhet dhënë e drejtë studjuesit Armin Hetzer: “…një nga vështirësit më të mëdha dhe problemet kryesore të shkrimit objektiv të historisë së Shqipërisë, është qëndrimi mohues i historiografisë zyrtare shqiptare ndaj rolit pozitiv të Perandorisë Osmane për ruajtjen e ekzistencës dhe të zhvillimit të shqiptarëve…” . Ja kishte tërehqur vërejtjen edhe Talat Pasha Eqrem Bej Vlorës: “Kujdes se…kur të mos i keni më kullotat e majme të kësaj perandorie, ju do të hani njëri-tjetrin në atë Shqipërinë e ngushtë dhe të varfër!” Aq më tepër, intelektualët e kohës e shihnin shumë më të rrezikshëm rrethanën që po krijohej: “Italianët dhe malazinjt në të majtë, bullgarët në të djathtë, serbët mbi kokë, dhe grekët përfundi do të derdhen si të tërbuar në bark të Shqipërisë! Kundër kujt të qëndrojmë më parë? … në kemi një copëz tru në kokë, do të njohim që jemi të humbur…” Tahiri i kishte para syshë të gjitha këto, prandaj që në fillim të formimi të Lidhjes Shqitare të Prizrenit (1878), kishte lidhur kontakte të ngushta me aktivistët e saj, pasi ishte kjo një ngjarje e konsideruar me të drejtë, si shfaqja e parë publike e nacionalizmit shqiptar, duke u mbështetur kryesisht mbi gjuhën .

Tahir Pashë Krajani, produkt fizik e shpirtëror i Krajës, biri i Mehmet Dragajt i barkut të Hyskajve, u lind në Dragoj të Kështenjës, nga mesi i shekullit XIX-të, ku kaloj fëmijërinë dhe rininë e hershme. U edukua me tradita të mira krajane, me besë bujari e burrëri. Ishte i urtë fjalëpak e punëtor. Si bari kujdesej për delet e dhitë që nga “Dhen’i Kuq”, nga “Dielet”, “Shpella e Dragonit”, etj. Shkrim e këndim nuk dinte .

Pasi emigroi në Stamboll, në kryeqendrën e Perandorisë, për të kërkuar kushte më të mira jetese, u vendos në mardhënie pune te një vendas që merrej me thyerjen dhe përpunimin e gurëve . Më pas, bashkë me shokun e tij të ngushtë Zef Macin nga Shestani dhe bashkëvendas të tjerë, punoi për rregullimin e një lulishtjeje të bukur të princit Abdul Hamitit (djali i Sulltan Abdyl Mexhidit), i cili kishte dëshirë që në çiflikun e tij, në Çamlixhe të ngrisë një lulishte të re .
Eshtë i njohur fakti se shume krajan që mërguan në Stamboll, punuan si kopshtarë për rregullimin dhe mirëmbajtjen e bahçeve dhe lulishteve të familjeve të shtresave të larta. Për këtë arsye Sami Frashëri vinte në dukje se “Krajanët janë njerëz punëtorë, ata janë posaçërisht kopshtarë të mire” .

Për ngjarjet që ndodhën atje përkitazi me jetën e Tahir Pashës, në shkrimet e H. Koliqit dhe H. Bushatit, janë marrë për bazë të dhënat e Mati Logorecit të shkruara në revistën “Agimi” [#6-7, 1921] , tregohet se krajanët që punonin atje, në orët e lira takoheshin në një mejhane modeste në Beshiktash, i cili aktualisht është njëra nga pjesët më të dëgjuara të Stambollit , limani i të cilit del në Grykën e Bosforit. Aty takoheshin për të biseduar për hallet e shqetësimet e tyre, aty informoheshin edhe për ngjarjet përkitazi me vendlindjen e leargët. Aty këmbenin mendime e çmalleshin .

Në atë kohë, Mirko Bjeloviq ose Tomë Kuçi, i njohur për mjeshtri mejdani, i fuqishëm, i shkathët e trim i përmendur në rrethin e tij, kishte shkuar në Turqi. Meqenëse Mejdani ishte sporti më i popullarizuar e më i preferuar i kohës, për shkak të popullaritetit, apo edhe për shkak të ndonjë përfitimi material, Mirkoja kishte vendosur të shkojë në Turqi, për të shpallë mejdan atje. Nuk kam arrijtur të mësoj nëse ai pati ndonjë ndeshje mejdani me ndonjë joshqiptar, por nga ato që kanë ndodhur atje në atë kohë, mësohet se Mirkoja paska shprehë dëshirën ti paraqesë mejdan ndonjë “turku” krajan. Dikush e paska drejtuar për te klubi ku më së shumti takoheshin krajanët.

Çështë mejdani? Fusha ku takoheshin njerëzit për dyluftim, kështu e kishin kuptuar ata. Në fakt siç vëren D. Nicolle, mejdani në Perandorinë Osmane ishte një fushë e trajnimit ushtarak, karakteristikë e të gjitha qytetve islamike, pa përjashtim, sikurse në Anadoll ashtu edhe në Ballkan. Por në “Golden Horn” jasht Stambollit ishte pa dyshim më e njohura që quhej Aq Maydan ose toka trajnuese e asqerit .

Megjithëse ne po i qëndrojmë tregimit të Mati Logorecit, për popullatën krajane, që e kanë dëgjuar sa herë këtë ngjarje dhe e kanë transmetuar brez pas brezi, emri i Mirko Bjeloviqit është fare i panjohur. Ata mbajnë mend dhe ngulin këmbë se mejdanxhia “malazias” nuk kishte qenë Mirko Bjeloviqi, por Tomë Kuçi , jo prej Bjeloviqit të Virpazarit, por prej Kuçit, paraardhësit e të cilit kishin qenë shqiptar, e tash si “malazias” kishte ardhë në Stamboll me ju qitë shqiptarve (truqve krajanë) mejdan. Sipas këti tregimi, Tahiri edhe më shumë ndjente urrejtje kundër tij, pasi në vend që ai t’i konsideronte shqiptarët për vëllezër, po paraqitej haptas armiku i tyre.

LulishtjaLulishtja e Yıldızit, ku ishin të inkuadruar shumë krajanë

Të kthehemi tek tregimi i Logorecit. Kur erdhi Mirkoja në Klub, qiti mollën për krajanët. Kjo mollë ishte “molla e mejdanit”, ndryshe “molla e sherrit” që duhej ta hante vetem ai që pranonte mejdanin, ndryshe konsideroheshin të mundur, po edhe të turpëruar. Ky akt poshtrues i shqetësoi shumë krajanët të varfër e hallexhinj.

Ndërsa Tahiri punonte ndër pronat e Abdyl Hamidit në Camllixhe, andej Bosforit, bashkë me shokun e tij të ngushtë Zef Macin, në mbrëmje u shkon një vendas krajan për vizitë. Në bisedë e sipër, ‘vizitori’ u tregon se në kafenenë ku rrinin krajanët, në Beshiktash të Stambollit, ishte prezentuar një malazias i quajtur Mirko Bjeloviq, djalë 30 vjeçarë, prej fshatit Bjeloviq të Virit, kufi me Shestanin. Këtij malaziasi i ishte mbushur mendja se nuk kishte shqiptar që ja delte në dyluftim me të. Për të provuar këtë mburrje të tij, malaziasi kishte varur një mollë në kafenen ku rrinin krajanët, duke deklaruar se nuk kishte për të guxuar kush që ta kafshonte. Mbas fjalëve të mikut të tyre, Tahiri e Zefi thanë se kështu sfidohej jo vetëm nderi i krajanëve, por i gjithë shqiptarëve. Tahirit s’i delte nga mendja fodulleku i malaziasit. Mori Zefin me vete, e u nis e dolën në Stamboll. Shkuan fill e në kafenen e përmendur. Porositën dy kafe. Aty vunë re mollën e varur. Tahiri bënte sikur nuk e kuptonte qëllimin e asaj molle të varur. Ai (kafexhiu) i tregoi si ishte puna e mollës. Tahiri pasi u mendua pakëz, ofshani dhe iu drejtua kafexhiut: “Heu iu ligtë ora, Athua brenë hekur me dhambë ai malaziasi? Sillma këtu ta kafshoi se ndoshta nuk qet gjak. Të mos ketë arsye malaziasi me thanë se nuk u gjet një zog shqiptari t’i përgjigjej?!”
“Kështu ka kjenë zogu ‘j krajanit,
Kur ka kjen vakti Sulltanit,
Ka marrë mollën e mejdanit…”

Kjo ngjarje ka edhe një verzion tjetër të historirisë, të ardhur deri tek ne përmes tregimeve gojore. Në fakt, sipas këti verzioni, nuk ishte vetë Tahiri ai që hëngri “mollën e mejdanit” në klubin e shqiptarëve, por këtë e bëri vëllau i tij, pa dijtë gjë Tahiri. Meqë vëllau i tij ishte fizikisht i dobët dhe shëndetlig, dhe meqë vetë Tahiri dyshonte se do të mund t’i pëjë ballë malaziasit, e mori mbi vete këtë punë .

Sidoqoftë, dita e dyluftimit erdhi. Vendi i dyluftimit ishte caktuar në një lëndinë midis Çamlixhes dhe fshatit Hajdar-Pashë, tani lagje e Stambollit. Për të parë këtë dyluftim, pothuaj ‘shqiptaro-sllav’ nuk kishte mbetur punëtor shqiptar në Stamboll pa marrë pjesë. Bile edhe vetë princ Abdyl Hamidi ishte prezent në atë ndeshje tërheqëse, dhe gjithsesi simpatizant i Tahirit shqiptar.

Trimat e armatosur sipas rregullores dolën ballë për ballë. Dueli filloi. Ishte i gjatë dhe i mundimshëm për të dy, sepse përafërsisht posedonin të njëjtin stil e mjeshtri mejdani (dyluftimi). Spektatorët e shumtë shqiptar, të cilët kishin dëshirë të madhe që mejdanin ta fitojë Tahiri, i jepnin kurajo. Dëshmohet se njëri prej krajanëve (spektator), i bërtiti Tahirit e i tha: “A ke kositë ndonjëherë“. Kjo ishte sinjal për Tahirin, që të ndryshonte stilin e dyluftimit, me të cilën gjë arriti ti presë gishtin e vogël të dorës kundërshtarit të vet malazias.

Dyluftimi mori fund me fitoren e Tahirit. Që me atë ditë ngallnjyese edhe fati Tahirit i ndriti. Edhe pse një fshatarë i thjeshtë, i pa shkollë por besnik, i ndershëm e trim, që nga viti 1876 (viti i ardhjes në fron të Sulltan Hamidit) e deri më 1908 (shpallja e kushtetutës turke), qe njëri ndër më të afërmit e Pallatit Mbretror, që fitoj gradën e myshirit. Tahir Dizdari shkruante: Krajanët, çmos asnji nga banorët e krahinavet të tjera të Shkodrës, janë njerës gyrbetçi. Kanë nxjerrë dy pashallarë, njani prej të cilvet – Tahir Pasha i madh – ka pas mërri graden e myshirit dhe pasë në dorë kyçat e pallatit perandorak të Stamollës. Me qindra numrohen bij të Krajës shpërndamë nëpër Turki .

Po kështu shkruante më 1900 edhe Konsulli Austrohungarez në Shkodër Theodor Ippen: “(Krahina e Krajës) lulzon në pjesën turke ku edhe fshatrat e kthyera në malazeze kanë dhënë shumë emigrantë të cilët kanë qenë mjaft të njohur për merita të shumëllojshme, veçënarisht në Konstantinopol (Stamboll H.M), ku të afërmit e tyre kanë bërë emër, jo vetëm si kopshtar por edhe për shërbime në oborrin perandorak. Këtë aktivitet të fundit ja detyrojnë krajanliut Tahir Pasha nga fshati Dragoviœ në Krajnën malazeze i cili nga mëditës u ngrit në rëngun e gjeneralit të divizionit (Ferik) dhe të komandantit të dyfekçinjve, kompanisë së gradës së Kështjellës; ky ka përkrahur kudo patriotët e tij. Aktualisht rreth 60 krajnalinj, që kanë braktisur atdheun e tyre si fshatar të varfër, kanë zënë vende që paguhen mirë dhe me influencë në Pallatin Perandorak. Të tillë janë edhe Kyçyk Tahir Beu nga fshati Kshtenja, kolonel dhe komandant i Shademit, xhandarmërisë së Pallatit, Halil Bej Skjeja nga Zogaj, kolonel në të njëjtën trupë dhe Osman Pasha nga Dodaj (Arbnesh H.M) gjeneral brigade dhe komonadant i bataljonit shqiptar Zuav. Të gjithë këta kujdesen përsëri për të tjerët bashkëkombas të tyre ” .

Sulltani, i bindur në trimërinë e benikërinë e Tahirit, e rriti deri në gradën Pasha, duke i besuar komandën e rojeve të pallatit, me titullin ‘Komandant i sylahshorëve’. Në pallatin Jilldis, për të cilin thuhet se ka qenë më i shtrenjti dhe më i bukuri në botë, Tahir Pasha pothuaj drejtoi e vendosi si nënmbret . Edhe Knjaz Nikolla i Malit të Zi, sa herë që shkonte në Stamboll, fillimisht takohej me Tahir Pashen, e pastaj shkonte në audiencë te Sulltani .

Meqë rininë e herëshme të tij e kishte kaluar në Krajë me plot mundime e kushte të vështira, disa herë u përpoq t’i bindë krajanët për t’u shpërngulur nga Kraja diku në Anadoll, e për të formue atje një Krajë të re, por me kushte shumë më të mira për jetë. Megjithate, krajanët nuk ju bindën. Ai jetën e vështirë të krajanëve të varfër e shprehte në vargjet:
… Një pendë qe – dymbëdhjetë shtëpi
Dymbëdhjetë djem me një qyrdi,
Dymbëdhjetë nuse me një shami…

Shqiptarët e Shqipërisë së Veriut, në veçanti të atyre të Tivarit, Ulqinit, Anamalit, Krajës e Shkodrës, u treguan shumë të pa interesuar (apo të paditur) për shkollimin e fëmijëve të tyre në shkollat e larta e të e njohura të Perandorisë, megjithëse kishin kushte dhe mundësi më shumë prej të gjithë të tjerëve. Në fakt, shqiptarët e Shqipërisë së Jugut shkonin në shkolla të larta të Stambollit dhe ndihmoheshin që të gjithë prej Tahir Pashë Krajanit. Për të shkruan Eqrem Bej Vlora: “Me marshallin plak Tahir Pashë Krajanin, një shqiptar nga Kranja që arrijti të bëhej komandant i gardës së Pallatit, më shkonte muhabeti shumë”.

Kryeqyteti osman i kësaj kohe, me 20.000 shqiptarët e tij – siç thuhej, ishte një nga qytetet më të mëdha shqiptare të Perandorisë. Disa e çonin këtë shifër madje në 60.000 shqiptarë që jetonin në kreqytetin osman, të cilin emigrantët e quanin “Katundi i madh” Ata punonin aty sidomos si bukëpjekës, shitës boze, gështenjash, zanatet e rojës, xhandarit, kopshtarit, prodhuesit të produkteve te qumshtit, gërmues pusesh ose gurëgdhendës kalldrëmesh .

Por krajanët ishin diçka më shumë. Shqiptarët e këtij rrethi mund të siguronin favore më shumë se shqiptarët e krahinave të tjera, sepse në oborrin e Sulltan Abdylhamidit, përveç Tahirit, krajanët zinin vendin e parë si besnikë të provuar e si roje të sigurta të pallatit. Ndërhyrja e të besuarve, si Tahir Pashë Krajani, Brahim Pasha (Sjerçi), Hoxhë Cura, Alo Selimi (Runji), Tahir Pashai Vogël (Qyrjani), Isuf Hardolli, Halil Beg Shahini, Osman Pashë Doda etj, mposhtnin çdo pengesë burokratike dhe fjala e tyre s’bëhej dysh. Këta krajanë kishin mundësi dhe ishin gati t’i ndihmonin çdo shqiptari. Për ta nuk ishte punë e vështirë për t’i përkrahur djemtë e shqiptarëve, për t’i regjistruar në shkollat e atjeshme, për t’u siguruar bursa të mira e për çdo lehtësi tjetër. Eqrem Bej Vlora e takonte Tahirin në vitet e rinisë, atëherë kur gjendej në Stamboll për studime dhe kishte shumë dëshirë të rrinte e të bisedonte me të, edhe pse për nga mosha thuajse i ndante një jetë e tërë.

Hasan Kaduku për të cilin Tahiri ndërmjetësoi që të vendosej si praktikant te dentisti i famshëm i kohës Halid Shenazi Bej të Stambollit , u bë edhe vetë i famshëm.

Por shqiptarët e Veriut nuk interesoheshin. Në shkollat e Stambollit, ne vitin 1909/1910 gjendeshin vetëm dy emra shkodranësh dhe vetem nje ne shkollat jofetare (në këtë rast të mjeksisë) dhe tre emra ne shkollat e mesimit fetarë . Në mesin e 35 shqiptarve në shkollat e Selanikut, vetëm dy ishin nga Sanxhaku i Shkodrës . Numri i shkodranëve që kishin studjuar shkollat ushtarake ne vitin 1847 / 1848 dhe 1892 / 1893 kishin studjuar vetëm dy . Në veri, shqiptarët e arsimuar numroheshin me gisht.

Sigurisht që, edhe arrijtja e Ahmet Krajës në bahçevanin e parë të Sulltan Hamidit, ishte influenca e myrtos. Ahmeti qe babi i Hajrijes, Sanijes e Melihas, që dhanë një kontribut të jashtzakonshëm për arsimin e shqiptarëve në Shkodër.
Eshtë i njohur rasti kur një grup konservatorësh shkodranë, nxituan e i shkruan Tahir Pashës për të transferua valiun e Shkodrës Qazim Pashën, i cili kishte në plan të ndërtonte një hekurullë Shkodër-Manastir. Përveç kësaj, për shkak të gjakderdhjeve (vrasjeve) të shumta që atëbotë ngjanin në Shkoder, ai (Qazim Pasha) deshi të vendoste një ligjë sipas së cilës do të ndalohej bartja e armëve të vogla jasht shtëpie. Konservatoret i shkruan Tahirit, me arysetimin e vetësajuar se Qazim Pasha kishte në plan t’i shesë Shkodrën Malit të Zi. Sido që të ketë qenë, Qazim Pasha u transferua me ndërhyrjen e Tahirit.

Intervenimi i Tahir Pashë Krajanit, bëri të mundur edhe kthimin e togerit të xhendarmërisë osmane para Konstitucionit të 1908-tës – Sali Krajës, banues në lagjen Ali Begaj të Shkodrës, i cili kishte qenë i internuar në Arabistan nga ana e Governaturës së Shkodrës. Në fakt, kur Sali Kraja ishte përgjegjës i rojeve të rajonit, me rastin e festë së Zonjës së Këshillit të mirë, një grup i madh besimtarësh katolikë, në formë pelegrinazhi shkuan te muret e kishës së Këshillit të Mirë, një kishë që kishte qenë ndërtuar mbi gërmallat e një teqeje shumë të vjetër bektashiane, që u shkatrrue me rastin e dëbimit të bektashinjve nga Shkodra në kohën e Bushatlinjve. Mbi themelet e Kësaj teqeje u ngrit kisha, edhe përkundër protestave të shumta të muslimanëve për këtë gjest arbitrar. Sidoqoftë, togeri Salih Kraja, si komandant i rojeve të xhandarëve që ruanin uren e Bahçallekut, pa nonjë urdhër zyrtar nisi me i bllokue muret e kësaj kishe, që shkaktoj pezullimin e kësaj ceremonie, gjë që hidhëroj autoritetet diplomatike austriake dhe detyroj largimin e tij, që pastaj të kthehej me ndërhyrjen e Tahir Pashë Krajanit.

Turqia po përjetonte ditët më të zeza të historisë së saj. Turqit e rinj s’bënin gjë për ta shpëtuar, se e shkonin kohen duke sharë shqiptarët. Për ta çdo shqiptar ishte armiku i Turqisë. Vendet më të mira në qeveri – thonin ato – i zënë shqiptarët, shqiptar është Sadriazemi, shqiptarë janë truprojtësit e Sulltanit (Tahir Pashë Krajani)… shqiptarët tjerë punojnë sheshit kundër Turqisë…

Kur bëhej fjalë për poste lokale, paria muslimane kishte mundësinë të mbështetej në lidhjet me krajanët dhe të tjerë nga rrethina e Shkodrës. Gjatë epokës Hamidiane, gjashtëdhjetë prej tyre kishin zënë poste të rëndësishme në Jilldiz, pallati i sulltanit, midis të cilëve ishin Tahir Pasha – komandant i gradës së pallatit, Kyçyk Tahir Beu, shefi i ‘hadëmeve’ (xhandarët e pallatit); Halil bej Skjeja, kolonel i të njëjtës gradë; Osman Pashë Doda, gjeneral brigade dhe komandant i Bataljonit të zuavëve (rojeve) shqiptarë . Pyrrhus J. Ruches, në një libër plot shpifje për shqiptarët, shkruan se rojet personale të Abdylhamidit ishin tërësisht shqiptar dhe të veshur me kostume shqiptare .
Isa Boletini lidhej me pallatin (e sulltanit) falë ndërmjetësimit të Tahir Pashë Krajës dhe Halil Bej Skjesë, krajanë që ishin në shërbim të Sulltanit dhe Beqir Bej Peshterit .

Atëherë kur “turqit e rinj” filluan trazirat kundër sulltanit (Abdylhamidit), dhe kur ata morën në dorë qeverinë më 1908 , kompania pushkatare që i shërbente shumë kohë Sulltanit nis te sundimtari një dërgatë të përbërë nga oficerë të lartë të saj, ndër të cilët ishte edhe Halil Beg Shahini, me lutjen që t’i lejonte të luftonin kundër “turqve të rinj” që po vinin:
Në Jilldiz qi kanë qillue,
Ma e shumta ishin krajnë,
Ata deshën me luftue,
Porse mbreti s’i ka lanë,
Ndër krajanë Halil Begu,
Hini mbretit e i ka thanë,
Na nep urdhën me luftue,
Se për ty na desim t’tanë .

Marshalli i vjetër Tahir Pasha në emër të gjithë ushtarakëve shqiptarë tha: “Ti na ke ushqyer tridhjetë vjet rresht për këtë ditë, tani mos na turpëro dhe mos na nxijë faqen duke mos na lejuar të të mbrojmë…” Tamam shqiptarçe, ndjenjë e detyrimit për bukën e ngrënë. I nxjerrë në gjyq pas fitores së ‘turqve të rinj’, ai u pyet nga kryetari, nëse ishte e vërtetë që i kishte bërë këtë kërkesë Sulltanit. Marshalli plak, edhe pse e dinte mirë se ç’pasoja do të kishte një pohim i tillë, u përgjigj krenarisht: “Kush guxon të besojë se unë mund të kisha vepruar ndryshe”.

PallatiPallati Mbretor në Yıldız

Dihet se kur Sulltanin e braktisën edhe shokët më të ngushtë të tij, krajanët i qëndruan besnikë, dhe do të paguanin besnkërinë e tyre. Halil Shahinin nga Skjeja dhe Zef Macin nga Shestani, dhe disa të tjerë i ekzekutuan. Tahir Pashën dhe disa të tjerë i internuan në Ishujt e Dodekanezit (të detit Egje) ku qëndruan deri në fundin e jetës së tyre:

Tahir Pasha m’ka urdhnua,
Fjalen n’vend un me ja çua,
Mirë e keq ai di për mua,
Sekretar Halil Shahini,
Shkoj n’kanop, hiç s’ju trem syni…
Gjatë jetës së tij të burgut, krajanët e vizitonin vazhdimisht. Njëri ndër ta – Smajl Hysa (i njohur për ngatrresaxhi), e pyeti atë se mos i kishte mbetur merak ndonjë gjë, se mos i kishte kuj borxh, ose mos i kishte kush borxh atij, apo mos dëshironte që për hakmarrje të vriste ndonjërin. Tahiri i tha se nuk i kishte kush borxh as nuk i kishte borxh kujt, vetëm se i kishte mbetur merak fjala e një çerkezi, që kur e burgosi Tahirin me përbuzje i pat thënë: “He Arnaut” . I kishte thënë gjithashtu se i kishte mbetur merak, sikur edhe një herë t’i shikonte ato vendet e Krajës, ku në rinin e tij kujdesej për bagëtinë…

2 comments

  1. Valbona Hardolli

    Ne Stamboll ka punuar ne oborrin e sulltan Abdyl Hamidit ne vitet 1876 derisa ka vdekur edhe Ali Hardolli dhe djali i tij Beqir Hardolli pasi ka mbaruar Akademine Ushtarake te Stambollit vazhdon studimet e larta per drejtesi ne France te cilat i mbaron ne vitin 1900 . Per arsye te lidhjes se tij me Xhonturqit sulltani e internon ne Shkoder ku punon si Kadi ne ate kohe pra si gjykates.Ka pasur mjaft inelektuale edhe ne ate periudhe ne Stamboll nga Veriu dhe jo vetem dy vete dhe te tjeret nga jugu. Per ta vertetuar mund te shihni ne enciklopedine turke ku flitet per mjaft shqiptare nga veriu qe kane lene emer ne shkollat e asaj kohe.

  2. Ky tipi është gjyshi i gjyshit tim…

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top