Sunday , November 19 2017
Lajmi i fundit

Hajrudin S. Muja: KOHA E NDRYSHIMEVE TË MËDHA

 

STOP ISLAMNuk ka nevojë të jemi gjenialë, për të kuptuar se bota ku po jetojmë, nuk është më një botë e ideve të së mirës, drejtësisë dhe paanësisë. Eshtë një botë e ndryshimeve të mëdha! Eshtë botë e interesave, që po vërteton gjithnjë e më shumë fjalinë e famshme të Hobs-it: “Njeriu për njeriun është ujk”. Ne po jetojmë në mesin e ujqërve, pa mundësi për tu bërë as dele! Natyrisht ndërmarrjet e dhunëshme, në të cilat është katandisur, nuk japin rezultat të mirë, veç e keqësojnë edhe më shumë gjendjen. A nuk është kohë e ndryshimeve, kur të mendojmë e të themi, se lënia dhe largimi nga mesazhi hyjnorë, mund të jetë shkak që “ujqërit dhe delet” të armiqësohen edhe më shumë në mesin e tyre. Dhe të gjitha mesazhet hyjnore, prej fillimit të botës, kanë predikuar drejtësinë, ndërkohë që drejtësia kurrë nuk është kthyer dhe nuk është shpaguar me padrejtësi!

Ekstremizmat, qofshin ato politike ose religjioze, janë të rrezikshme dhe kanë shkaktuar probleme gjatë gjithë historisë. Por ekstremi më i madh, nuk është vetë padrejtësia, sa nxitja për ta bërë këtë padrejtësi! Pak kush e sjell në mendje se edhe i vrari edhe vrasësi janë viktimë!  Vrasësi para se të bëhej i tillë, ishte viktimë e vetvetes, viktimë e dikujt që ja kishte mbjedhur idenë më të rrezikshme se armët e gjithë botës! Bota po i vuan këto ide të sëmura që kanë kaluar vlerat njerëzore, duke përfituar nga teknologjia, klima politike dhe kaosi. Ndërkohë, mjedisi global është helmuar nga indiferenca ndërkombëtare, ndaj këtyre ekstremizmave të çdo lloji! Bashkësia ndërkombëtare ende nuk e ka idenë, si do ta ndalojë një përplasje të mundshme midis kombeve, racave dhe ndjekësve të feve të ndryshme.

Në thelb të temës që po trajtojmë, ne nuk na intereson shumë, nëse “zgjedhja” e presidentit Tramp, ishte ose jo një komplot rus! As për komplotet e koklavitura të teorive tjera konspirative, që sillen rreth fushatave presidenciale. Nuk po themi në kishte të drejtë apo jo, në ndalimin e pranimit të refugjatëve sirianë, as për pezullimin e lëshimit të vizave për qytetarët e 7 vendeve me shumicë muslimane (Irani, Iraku, Libia, Somalia, Sudani, Siria apo Jemeni), duke u bërë përjashtim e duke i pranuar refugjatët e krishterë të këtyre vendeve. Nuk i japim dhe as nuk ja mohojmë te drejtën e mendimit Cory Brooker-it, kur thoshte: “Ne kemi Presidentin e SHBA-ve vetëm shtatë ditë në zyrë, dhe e ka provuar vteten të jetë gënjeshtarë e propagandist i shkëlqyer”. As për reagimin e gazetares së famshme Christiane Amanpour: “Ne nuk do ta mbyllim gojën… regjimet totalitare kanë mbetë çështje e të kaluarës dhe strategjia që po mundohen të ringjadhin, janë poashtu çështje e të kaluarës”. Nuk na inteson fare nëse pretendimi i John D. Gartner-it se “Trump është tejet i sëmurë mendërisht  dhe  është i paaftë për të qenë president”! As letra e tre profesorëve të Univeristetit Haward, dërguar ish-presidentit Obama në lidhje me presidentitn Trumpo, se: “Simptomat e shfaqura kanë treguar paqëndrueshmëri  mendore, duke përfshirë madhështinë, impulsivitetin si dhe  ndjeshmërinë e lartë ndaj kritikave”! E dimë se secila parti politike mbron agjendëne e vet në llogari të tjerës.

Ato më shqetësueset janë deklaratat e njerëzve që mbajnë “timonin” e shoqërisë, të cilët nuk dinë ose nuk duan të dinë, si si funksionon “rrota” e historisë, dhe as se ku e shpien shoqërinë agjendat e tyre! Tepër të angazhuar pas përfitimeve të llojeve të ndryshme, mbase nuk kanë pasë kohë të mësojnë nga “rrota” historike, se ku e kanë shpënë shoqërinë agjendat e tilla në kohët e shkuara.

Ndryshe nga kohët tjera, kësaj radhe ata e kanë marrë “hujin” me Islamin dhe muslimanët. Ata kanë deklaruar madje, se Islami nuk është fe, por një sistem politik, i cili, si e tillë nuk është i mbrojtuar nga Amandamenti i parë i Kushtetutës. I kanë akuzuar muslimanët për nisjen e “Xhihadit kundër-civilizues”, dhe e kanë quajtur Islamin “kancer i kombit tonë që duhet të pritet”. Ata i kanë mbyllur shkollat mbi leksionet Islame, duke i quajtur si “propaganda të rrezikshme”. Më shumë se 30 shtete, kanë konsideruar ligjin për të “mbrojtur” gjykatat e tyre civile, nga “sherjati”, ndërkohë që nëntë shtete (Alabama, Arizona, Florida, Kansas, Luiziana, Misisipi, Carolina Veriore, Dakota Jugore dhe Tennessee) e kanë miratuar këtë ligjë. Duke e sfiduar në lidhje me ndalimin e propozuar të presidentit Trump, mbi hyrjen e muslimanëve në SHBA, zëdhënësja e tij Katrina Pierson, i tha: “Ani çka, ata janë muslimanë”!

Një grup “ekspertësh” të mirë-financuar po nxisin amerikanët, që të kenë frikë nga të gjithë muslimanët dhe të “tmerrohen” nga synimi i “ligjit islamik” në Shtetet e Bashkuara, që ka për synim pushtimin e qytetarëve të saj! Në Karolinën e Veriut, një grup ekstremist ka trazuar “ujrat e turbullta” të urrejtjes, po aq sa autori Erick Stakelbeck me librin “The Terrorist Next Door” [Terroristi në shtëpinë fqinje] në qarkullim. Frank del Valle, një emigrant anti-komunist kubanez, i ka qitur benzinë zjarrit, duke bërë një pyetje sa absurde aq edhe të çuditshme: “A nuk mund t’i vrasim të gjithë (muslimanët)”!?

Grupe të tjera të kësaj ‘skote’, japin alarmin dhe krijojnë skenare, që sugjerojnë se muslimanët e zakonshëm, po komplotojnë për të vrarë jo-besimtarët! Në adresë të CAIR-it vjen një letër: “Ju Muslimanët jeni një popull i keq e i korruptuar… Por dita juaj e llogarisë ka ardhur. Eshtë sherifi i ri në qytet – Presidenti i zgjedhur Donald Trump. Ai do ta pastrojë Amerikën dhe do ta bëjë të shkëlqejë përsëri. Dhe ai do të fillojë me ju muslimanët…” Letra përmban një nënshrkim të thjeshtë “Amerikanët, për një mënyrë më të mirë”.

Si pasojë e kësaj gjuhe urrejtëse, njerëzit që nuk kanë asnjë njohuri për Islamin dhe që kurrë në jetën e tyre nuk kanë njohur ndonjë musliman, i kanë kaluar kufinjt e çmendurisë, për të mos i lënë njerëzit e qetë në bukën e tyre.

Disa burra të armatosur, kanë protestuar jashtë xhamive në Teksas dhe në Arizonë, duke argumentuar se kjo është detyra e tyre patriotike “për të mbrojtur vendin nga Islami”. Njerëzit kanë mbuluar dyert e një xhamie me faqet e grisura të Kuranit, kanë lënë koka derri të prerë jashtë xhamive, kanë hedhur bombë në xhami, kanë urinuar në xhami, kanë pikturuar Yllin e Davidit dhe simbolet të tjera satanike në xhami, u kanë vunë zjarrin xhamive, kanë kërcënuar xhematin, kanë dërguar substanca të dyshimta dhe u kanë lënë mesazhin e shkruar: “Ne ju urrejmë”,  “Do tu djegim të gjithve” dhe “Largohuni nga vendi ynë“.

Sipas CAIR-it [Council on American-Islamic Relations] vetëm gjatë vitit 2016, pesëdhjetë e pesë xhami në SHBA kanë qenë në shënjestër të njerëzve të dhunshëm. Në Fort Pierce [Florida] i është vënë zjarri. Në New Hampshire u janë thyer dritaret me gurë. Në  Laurel [Maryland] përplasin dy herë një rimorkio në Qendrën e Komunitetit Islamik.

Raportet e FBI-së thonë se në përgjithësi, 57% e 5,850 incidente të raportuara, ishin të motivuara nga raca apo përkatësia etnike, ndërsa 20% e tyre ishin të lidhura me paragjykimet fetare. Raporti jep 257 incidente të krimeve të urrejtjes anti-muslimane në vitin 2015, një rritje prej 67% nga një vit më parë ose përqidja më e lartë e urrejtjes pas sulmeve të 9/11 në vitin 2001, kur ishin raportuar 481 incidente kundër muslimanëve. Në total nga viti 2001 deri në vitin 2015, janë regjistruar 2.545 incidente anti-Islame, dhe kanë vënë në shenjestër 3.052 muslimanë. Këto incidente përfshihen 301 krime individuale, 71% e të cilave ishin krime kundër popullit, në krahasim me pronën.

Nga ana tjetër, për krime të kryera ndaj grupeve të tjera fetare, përfshirë veprat penale të pronësisë si vandalizëm ose vjedhja. Për shembull, 64% e anti-çifute dhe 51% e veprave anti-katolike në vitin 2015 vandalizmit të përfshirë, në krahasim me vetëm 23% e veprave anti-muslimane. Raportet thonë se plotë 73% të amerikanëve, besojnë se muslimanët përballen me një pjesë të madhe diskriminimi, 63% që afrikano-amerikanët janë viktima të paragjykimeve dhe 60% paragjykime ndaj meksikano-amerikanëve.

 

RROTA HISTORIKE E “TOLERANCËS”

 

Në Amerikë, rrota historike e tolerancës është sjellur shumë herë dhe natyrisht vazhdon të sillet! Mllefi kundër intolerancës së Kishës Katolike në Evropën e mesjetës, shtyri disa intelektualë të kohës në Evropë, që ti bashkoheshin grupeve “Reformiste”, meqë mendonin dhe u dukej, se do të mund ti shërbenin qytetërimit, që sapo kishte zënë fill. Por nuk shkoj gjatë, që lufta ndërmjet tyre të fillojë, duke u bërë gjithnjë e më të ashpërt. U duk se edhe ata, nuk kishin qëllim tjetër, përveç se të dominojnë mbi Kishën Katolike të Romës, që pastaj ti trajtonin gjërat ashtu siç donin vetë.

Një grup bashkë me mendësitë e tyre, erdhën në tokën e sapo “zbuluar” të Amerikës. Në vendet ku ishin mazhorancë, ato menjëherë filluan tu tregojnë “dhëmbët” katolikëve. Sir Christopher Gardiner, ishte dëbuar si “kukëll e papës”, për shkak se kishte thënë që “Kisha e Romës ishte Kisha e vërtetë” [Adams:1921, f.150]. Në vitin 1647, Gjykata e Përgjithëshme kishte dekretuar, se çdo Jezuit që vjen në koloni, të dëbohet dhe nëse rikthehet të persekutohet! Në New Hampshire më 1696, protestantët kërkonin ligjin kundër Papës dhe doktrinës katolike [Cobb:1902, f.337]. Në Virginia i akuzonin për bashkëpunim me “indianët”, për ti pre “nën fyt” portestantët [Executive Journals of the Council of Colonial Virginia].

Më 1704, u adoptua ligji që ndalonte çdo prifti jezuit, të pagëzonte fëmijët e protestantëve. Katërdhjetë vjetë më vonë, çdo prift katolik që kapej në propagandimin e fesë së tij në Maryland, dënohej ashpër. Në Koloninë e Connecticut, me ligjet e 1724-tës [Public Records of the Colony of Connecticut] dhe 1743-it, katolikëve u ishte bërë e pamundur ekzistenca [“The Protestant Crusade”, f.15]. Një delegat në Massachusetts, shkruante se: “rrënqethej nga ideja që katolicizmi romak, papistët dhe paganët mund të fitonin të drejtën e posteve zyrtare dhe se papati dhe inkuizicioni mund të vendoseshin në Amerikë” [Elliot:1836, II, f.148]. U desh viti 1822, që New York-u ta heqë kundërshtimin ndaj katolikëve [American Catholic Quarterly Review, #XL/1915, f.192].

E përjavshmja anti-katolike “The Protestant”, e nisi botimin në New York më 2 janar 1830, me editorimin e George Brune, që mendonte se pajtimi me Romën, mund të bëhej vetëm me dhunë dhe se ishte e nevojshme të njihej populli i Amerikës, me gabimet që ajo posedonte brënda kishës. Në numrin e parë, shkruhej se qëllimi i kësaj reviste, ishte ta njohë lexuesin me doktrinën e Ungjillit, kundër korruptimit të Romës:“që ta ndajë fjalën e Zotit nga tradita e murgërisë, për të dëshmuar provat që kanë sjellë Luteri dhe Zwingli, Kalvini e Arminiusi, Kranmeri dhe Knbox’i, që kanë dëshmuar kundër kredos së Papa Piusit të IV-të” [The Protestant Crusade, f.53].

Pastaj u shëndrruan në revistë mujore “The Protestant Magazine”, në numrin e parë, duke dhënë “prova” e “dëshmi” mbi doktrinën dhe praktikën e kishës Romake “në kundërshtim me interesat e njerëzimit” [Protestant Magazine, Shtator 1833]. Një vit më pas, u themelua Revista mujore “The Anti-Romanist”. Dy gazeta të mëdha antikatolike filluan botimin e vet më 1830: “Priestcraft Unmasked” (NY) dhe “Priestcraft Exposed” (NH) [“The Protestant Crusade”, f.57].

Në janar 1831, në New York u formua “Protestant Association”, që duhej të zgjonte popullin e Amerikës, kundrejt rrezikut të përbindëshit të Romës [Protestant Magazine, Mars 1832]. Një vit më vonë, kjo organizatë në secilin qytet, kishte një qendër, që duhej të njoftonte popullatën për “të këqiat e papatit” [Protestant Magazine, Gusht 1833]. “The New York Observer” gjithashtu botonte artikuj anti-papal, veçënarisht nga penda e William Newins’it të Baltimores, që ishte një kryqzator i deklaruar antipapë [New York Observber, 26.10.1833]. Shtypi nxori edhe një novelë anti-katolike “The Nun” (Murgesha) [Whitney:1877, f.17-18].

Në Boston, 500 “vendas amerikanë” marshuan drejt seksionit katolik irlandez, shumë shtëpi të tyre i shëmben ose i dogjën [New York Observer, 7.12.1833]. Në New England, vandalizimi i kishave katolike u bë frekuente [Leahy:1899, I, f.63]. “American Protestant Vindicator” organi i shoqërisë “American Society” [Downfall of Babylon, 22 qershor 1834], në një editorial shkruante për papën se: “po arratisej nga Evropa, për të marrë këtu fronin e sundimit” [Downfall of Babylon, 24 tetor 1835], ndërsa një libër i botuar [The Flight of Popery from Rome to the West (1884)] thoshte se papa po vinte në krye të Forcave të Armatosura.

Në Misurin Jugprendimorë botohej një gazetë anti-katolike me emrin “Meance”, e cila propagandonte “për priftërinjtë grabitqarë, gratë e robëruara në manstire dhe për një komplot të rrezikshëm romak katolik, për të pushtuar Amerikën”. Kishin vendosur ligje madje që lejonin kontrollin pa mandat të manastireve dhe kishave, në kërkim të grave, gjoja të bllokuara dhe të arkave të supozuara sekrete të armëve katolike. Si pasojë, turmat e popullit në Lynch, vranë italianët katolikë, kurse kishave të tyre ua vunë zjarrin. Ata besonin se “të ishe katolik don të thoshte të ishe mizorë, një qerrata i përgjakshëm dhe se papati mbante në vete gjithëçka të keqe e të turpshme” [Cobbertt:1832, f.5-6].

Në fund të shekullit të XIX-të, SHBA-të miratuan “Aktin e Përjashtimit Kinez”, për të ndaluar dyndjen e punëtorëve kinezë në SHBA. Kaluan periudha të gjata kohore, me baticat dhe zbaticat mbrenda vetes, shpeshherë edhe me probleme të tjera, të cilat në një farë mënyre, nuk u premtonte koha të merreshin me “rrezikun” nga njëri-tjetri! Por megjithate ‘geni’ i intolerances sikur “trashëgohej” nga njëri brez në tjetrin.

Nuk na premton koha dhe as hapsira të merremi në detaje për periudhat pasuese, por në prak të Luftës së Dytë Botrore, gjendja nuk kishte ndryshuar shumë! Në vitin 1939, 67% e amerikanëve ishin kundër pranimit të fëmijëve çifutë, që tentonin të shpëtonin nga Nacistët e Gjermanisë. Pikërisht në këtë vit, nga Porti i New Yorkut, e kthyen mbrapshtë një anije me 978 fëmijë të këtyre çifutëve, që po synonin ti iknin vdekjes. Më 1942, presidenti Roosewelt kishte nënshkruar urdhërin ekzekutiv #9066, për internimin e japonezëve, kur mijëra amerikanë u solidarizuan me japonezët e Amerikës. Më 1945,  72% e amerikanëve ishin kundër refugjatëve nga Evropa. Dy vjetë më vonë, kjo përqindje kishte rënë në 57%. Në vitin 1958, 55% ishin kundër refugjatëve që donin ti iknin komunizmit në Hungari! Në vitin 1979, 57% ishin kundër refugjatëve Vjetnamez, që donin ti iknin regjimit komunist. Në vitin 1980, 71% ishin kundër pranimit të refugjatëve nga Kuba, ndërsa 66% mendonte se refugjatë nuk duhet të pranohen fare, përderisa papunësia ishte më e lartë se 5%! Në vitin 1994, 72% ishin kundër refugjatëve nga Evropa dhe 77% kundër refugjatëve nga Haiti.

Sot, siç raportojnë mediat, 51% e amerikanëve, janë kundër pranimit të refugjatëve nga Siria (dhe vendet tjera muslimane) në Amerikë! Eshtë po ajo rrota historike, që sillet e përsëritë veten vazhdimisht, ndryshojnë vetëm viktimat! Eshtë ajo rrota që i nxitë injorantët, tua nxijnë jetën njerëzve, vetëm pse janë ata që janë dhe kanë qëlluar “në vend të gabuar dhe në kohë të gabuar”. Kështu, në rrugët e qyteteve amerikane, keqtrajtohen njerëzit që janë ose mendojnë se janë muslimanë! Ata janë qëlluar dhe vrarë, në stil-ekzekutimi, në dhomat e pritjes apo jashtë xhamive të tyre. Janë goditur për vdekje me thikë në shtëpi ose në rrugë. Janë rrahur në dyqane ose në shkolla. Janë dëbuar nga aeroplanet apo janë vrarë si vozitës taksije. Rrobave të tyre ua kanë vënë zjarrin, ndërsa fëmijët ua kanë keqtrajtuar. Fqinji u ka ardhë në shtëpi dhe ua ka thënë se do tua djegin shtëpinë nëqoftëse nuk largohen andej. Ata janë dëbuar nga puna për shkak të lutjes ose mbulojës. Xhamitë u janë vandalizuar ndërsa Kuran’et u janë përdhosur! Një kongresmen musliman është kërcënuar me vdekje, ndërkohë që pronarët e bizneseve kanë lëshuar në qarkullim shenjat “Muslim-free zones” [Zona pa muslimanë]!

 

“EDHE UNË JAM MUSLIMAN”

 

Natyrisht që secila shoqëri, mban në vehte njerëz të cilët, gjërat i shikojnë nga këndvështrimet e ndryshme, kanë më shumë njohuri, janë më të sinqertë dhe e dinë se vlera e njeriut, nuk varet nga ngjyra e lëkurës së tij. Ato e kanë mësuar nga “rrota e historisë”, se në zjarrin që mund ta përgadisësh për tjetrin, mund të digjesh vetë!

Vendimi i presidentit Trump për ndalesën e emigrantëve muslimanë, për të hyrë në SHBA, në janar 2017, solidarizoj dukshëm amerikanët të dalin në protesta në Aeroportet e Amerikës, 100 protestaq në 42 shtete. Në Aeroportin Mtropolitan të Detroitit, solidarizuesit bëjnë një rreth të madh ‘mbrojtës’, në mënyrë që në mesin e këtij rrethi, muslimanët falin namazin përkatës. Në Aeroportin e Chicago’s, një vajzë muslimane me mbulesë dhe një djalë çifut mbanin në dorë pankartën: “Urrejtja nuk e ka shtëpinë këtu”. Në New York shkruanin “Ne jemi të gjithë muslimanë”. Në Kaliforni një pjestar i këti solidarizimi tha se “Trump po bën një punë të mirë, në bashkimin e amerikanëve kundër agjendës së tij të urryer”.

Më 19 shkurt 2017, u mbajt një tjetër tubim sodilariteti me muslimanët e Amerikës, nën parullën: “Edhe unë jam musliman” [IamAMuslimToo]. Tubimi u organizua nga “Foundation for Ethnic Understanding” [Fondacioni për mirëkuptimet Etnike] nën drejtimin e manjatit të muzikës dhe aktivistit Russell Simmons dhe Rabbi Marc Schneider. U tha se u organizua si: “një ditë solidariteti me vëllezërit dhe motrat tona muslimane, si një reagim ndaj sulmeve vicioze të Presidentit (Donald Trump)“. U tha se pati një shfaqje të pabesueshme solidaritetit prej 7.000 – 10.000 njerëz, të cilët u bashkuan në sheshin “Times Square” [New York], për të shprehur unitetin dhe solidaritetin me muslimanët dhe për të protestuar politikat emigracionit të presidentit Donald Trump.

Ndër to personalitete politike e intelektuale, përfshi kryebashkiakun Bill de Blasio, qeveritarin e shtetit Andrew Cuomo, aktivisten Linda Sarsour, Imam Shamsi Ali, Chelsea Clinton, etj. Veç politikanëve dhe artistëve, pati edhe rabinë, priftërinj të sekteve të ndryshme, imamë dhe udhëheqës drejtimesh pagane Sikh, Budistë e Hindu.

Në fjalën e hapjes, Simmons u tha të pranishmëve: “Ne jemi mbledhur këtu për shkak të Donald Trump dhe duam ta falënderoj atë që na bëri të bashkuar”. Në mesin e shumë pankartave dhe shenjave të pjemarrësve, një poster që u bë tejet i dukshëm në konglomeratin mediatik, imazhi i Znj. Shepard Fairey e veshur me një shami me një dizajn flamur amerikan.

 

Në skenë, kryetari i Bashkisë së New York-ut Bill de Blasio, premtoj se do ta luftojë Qeverinë Federale, me të gjitha mundësitë e mundëshme ligjore, në qoftë se ajo do të detyrojë muslimanët të regjistrohen, apo të “shënojnë” çfarëdo etiketimi në kartat e tyre të identitetit. De Blasio pastaj tha: “Nëse vërtetë dikush duhet të merret në pyetje, këta janë qeveritarët e Shtëpisë së Bardhë… ne do të jetojmë në zemrat e njëri tjetrit, e përmes syve të njëri tjetrit, do të shohim botën. Jam krenar të them sot se edhe unë jam Musliman

Qeveritari i shtetit New York Andrew Cuomo, Tha: “Nëse do të ketë deportime emigrantësh, filloni me mua, sepse unë jam biri i Marko Komos, birit të Andrea Komos, i cili erdhi nga Italia, si një emigrant i varfër, për premtimin që kishte bërë Amerika… Nëse ne do të deportojmë emigrantët, kush do të mbetet këtu, ne të gjithë jemi emigrantë…” Në vzhadim: “Edhe unë jam Musliman”, tha Cuomo “Ne do të sigurojmë që New York-u të mbetet një fener i shpresës dhe mundësi për të mbrojtur të drejtat e atyre që kërkojnë strehim në shtetin tonë“.

Të tilla solidarizmi pati edhe në vende të tjera përgjatë Amerikës. Gruaja e parë e emruar për sekretare të shtetit Madeleine Albright dhe aktorja e “Big Bang Theory” Mayim Bialik [Amy Farrah Fowler], u deklaruan që, nëqoftëse do të zbatohet kërkesa e presidentit Trump për regjistrimin e Muslimanëve, ato do të regjistrohen “si muslimane”. Në protestën “Woman’s March”, ajo tha se “Unë u rrita si katolike, u bërë anëtare e Kishës anglikane dhe më vonë zbulova se familjen e kam hebreje. Jam gati të regjistrohem si myslimane për solidaritet”.

Kryetari i Bashkisë së Bostonit Marty Walsh, ka refuzuar planin (kërcënimin) e Presidentit dhe u ka premtuar emigrantëve, se ata do të kenë vend të sigurtë në Boston. “Së paku 28% e banorëve të Bostonit janë emigrantë dhe 48% e tyre kanë së paku njërin prind të lindur jashtë Amerikës” – tha Wals.

Pas nënshkrimit të urdhërit ekzekutiv, për ndalimin e muslimanëve në Amerikë, madje edhe ata që nuk dinë të ruajn prapanicat e veta, e kanë një mesazh për Trumpin. Kim Kardashian i drejtohet me mesazhin: “Emigrantët xhihadistë vrasin vetëm dy amerikanë në vit, kurse ndodhin 11.737 vrasje në SHBA, ku vrasësi është amerikan”.

Pas një sulmi terrorist në një nga xhamitë në Quebec [Kanada], ku Alexandre Bissonnette la të vdekur 6 dhe 8 të plagosur, pjestarët hebrenj të “Holy Blossom Temple”, rrethuan xhaminë “Imdadul Islamic Center” si shenjë solidariteti, në kohën kur mbrenda xhamisë po kryheshin ritualet javore të të premtes. Eshtë një ngjarje e ngjajshme, me atë të sulmit kundër një senagoge në Oslo në vitin 2015, kur muslimanët formuan një zinxhirë rreth senagogës, pas një serie sulmesh kundër komuniteteve hebreje në Evropë. Një solidaritet të dukshëm pati edhe kur në Queens (New York) 35 vjeçari Oscar Morel, qëlloi për vdekje imamin afër xhamisë.

Ditën që Trump mori në dorë “Shtepinë e Bardhë”, një musliman amerikan gjeti këtë letër në derë: “I nderuar fqi! Sot fillon një fazë e re për vendin tonë. Pavarësisht asaj që mund të ndodhë, duhet ta dish, se ka shumë njerëz që do të luftojnë për të drejtën tënde, për të praktikuar besimin dhe për të jetuar jetën tënde pa u diskriminuar. Je i mirëpritur si fqi i jonë dhe nëse të duhet diçka, je i lutur të trokasish në dyert tona”.

Mbetet të shihet e të shpresohet, që edhe të tjerët do të kuptojnë e të ndjekin shembuj të tillë të tolerancës, që ta kuptojë ksenofobinë që fshihet pas politikës dhe politikanëve, dhe të mos e lejojë veten të hyjnë në udhët e gabuara, fanatike dhe vetë-shkatrruese.

Revista “SHENJA”, #73, Maj 2017, f.65-69

http://shenja.mk/revista/73/

 

 

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top