Tuesday , May 21 2019
Lajmi i fundit

Hajrudin S. Muja: MAKUTERIA E “VJETËRSISË” SHQIPTARE

Hajrudin Muja“Shqiptarët janë një komb që u pëlqen të lëvdojnë veten. Si thonë gojë-rrumbullët tanë, kombi shqiptar është i pari nga mendja, nga të sjellurit e nga trimëria. Mua më duket se një njeri që i ka trutë në vend, nuk duhet të flasë në atë mënyrë. Po të ishte ashtu, shqiptarët do të kishin dalë me kohë nga dita e zezë ku ndodhen”. Kështu shkruante Faik Konica para më shumë se shekulli, por mund të mbahet edhe sot si “yrnek” i një metaliteti të hidhur shqiptar, që nuk bën as përpjekjet më të vogla për tju shmangur makuterive që nuk të shpien askund! Makuteri të cilat edhe në rastin kur janë të vërteta nuk sjellin ndonjë dobi, ndërkohë që shumica e tyre nuk bëjnë as për “përrallat e mbasdarkës”. Janë makuteri qesharake të disa njerëzve, të cilët për çdo person të njohur në histori, tentojnë të nxjerrin “të vërtetën” mbi prejardhjen e tyre të vjetër iliro – shqiptare!
Dje ishin ilirë Aristoteli dhe Leka i Madh, të cilin bota e njeh si Aleksandrin e Maqedonisë! Të tillë ishin Krishti (a.s) e Muhamedi (as)! I tillë qe edhe Akili! George Washingtoni pati nënën shqiptare! Nikolla Teslla nënën dhe babain! Napolon Bonoparti shqiptar! Shqiptar Kemal Ataturku dhe Kenan Aureni! Shqiptar kryetari Amerikan Bush (i vjetri)! Erdogani shqiptar i Krajës! Sadik Khan [e bëjnë Kenan Sadiku] kryebashkiak i parë musliman i Londrës, fliska shqip e qenka shqiptarë nga e ëma, me origjinë nga Medvegja! Shqiptarë aktorët amerikanë si Robert de Niro, solistja Ana Oxa, kozmanouti Alan Shepard, astronauti William Gregory, shkenctarja Laura Mersini Houghton, balerina Amberta Toromani. Dhe në fund fare taze, prejardhja shqiptare e presidentit Donald Trump, nga Talinoci i Jerlive të Ferizajit! Marri pas marrie!
Ata që kënaqen me rrëfime të këtilla, le ta dëgjojnë Besim Spahiqin, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Sarajevë. Aktori Josip Baroti shqiptar i Zadrës! Dinastia Karagjorgjeviqe shqiptare e Kelmendit! Tre papët ishin shqiptarë! Shqiptar senatori Bob Dole dhe gjashtë senator të tjerë amerikanë! Solisti i njohur Xhon Lenon shqiptar ortodoks i Elbasanit! Emri i madh në fushën e modës Georgio Armani – shqiptar. Në fushën e sportit, emrat si Josip Gjergji, Tomislav Jevciq, Novak Gjokoviq (teniser) janë shqiptarë. Krijuesi i cigareve “Muratti” edhe ai me prejardhje shqiptare, Enver Murati që jetonte në Amerikë dhe pastaj u transferua në Torino ku krijoi kompaninë e cigareve “Muratti”.
Ata që kërkojnë dëshmi, gjejnë historianin zviceran Aleksandre Lambert, sipas të cilit shqiptarët kanë lënë emrin e tyre në fusha të ndryshme të shkencave në shtete të ndryshme të botës. Se ata kanë përcaktuar fatin e shumë betejave historike: Merkur Bua për Venedikun (1515), pesë kryeministra të Perandorisë Osmane vetëm nga Qyprilinjt. Heronjt e pavarsisë greke si: Kundurjotis, Boçari, Kanaris, Bubulina, etj. Në Rumani, familje princore Aleksandër dhe Vladimir Gjika si dhe princesha Eleonora (Dora Distria). Françesko Crispi, shok i Garibaldit, Kavurit e Macinit, që ka qenë një kryeministër i madh Italisë. Piktorët Carpaçi e Albani, humanisti Leonic Tome – profesori i Kopernikut, Muhamet Aliu – reformatori i Egjiptit Modern. Arkitektët e mrekullisë “Taxh Mahall” dhe i “Xhamisë Blu”! Projektuesit e rrugëve të ujësjellsave në Venedik Carl (Ritter) von Ghega i lindur në Venedik është me prejardhje shqiptare dhe është quajtur Karl Gega. Se nga shqiptarët e kanë prejardhjen edhe fiset gjermanike, të cilat u ndanë kur u formuan kombet e Evropës Perëndimore dhe Veriore emigruan nga Lindja drejt Perëndimit!
Të zellshmit i këtyre pretendimeve janë “gjithologë”, sipas të cilëve thuajse të gjithë njerëzit e artit, shkencës, kulturës e politikës, kanë një lidhje me gjakun shqiptar! Eshtë pikërisht ajo makuteria e “trashigueshme” që ka diagnozuar Faik Konica! Atyre nuk u hyjnë në punë Biografitë, sepse u mjafton “bishti” për ti nxjerrë “rrënjën”, ato nuk kanë lexuar kurrë biografi të këtyre njerëzve, për ndryshe do të duhej të shpjegoheshin.
Ndërsa biografia e Nikola Tesllës thotë se ishte nga Smiljan i Kroacisë, “gjithologu” bazohet në një fotografi të gjetur në internet [me veshje shqiptare] dhe del në përfundim se ishte nga Serbia jugperendimore afër Malit të Zi, kjo domethënë se ishin nga Sanxhaku – Dardania veriore [Zëri, 15.7.2015]. Pastaj na del një “gjitholog” tjetër me një referencë, e të na thotë se Teslla ishte “Musliman”, prej nënës Meira e babait Shaban, me origjinë nga Vogosca në Sarajevë, se kishte kryer tre herë Haxhin dhe se kishte falur namaz [Blic, 12.3.2015]. I njëjti paskish ‘zbuluar’ se në prak të vdekjes Josip Broz Titon e kishte kapë devotshmëria dhe ishte bërë e kishte vdekë si musliman [Kurir, 30.5.2016]!
Para Tesllës, Napoleon Bonaparti ishte shqiptar, pasi kur Josef Bonaparti, vëllai i madh i Napoleonit, u bë mbret i Napolit më 1806, shqiptarëve të Napolit që shkuan për t’i uruar mirëseardhjen u tha: “Edhe familja Bonaparti është me origjinë arbëreshe” [Panorama, 2.9.2003]! Vijmë pastaj tek nëna e presidentit historik amerikan George Washington (1732-1799) – Mary Ball, ishte “në të vërtetë” Marije Bala “një shqiptare me prejardhje nga rrethi i Pejës” [Zëri, 26.7.2016]!? Biografia thotë se babai i Marijes ishte një anglez që kishte ardhur në Virginia në moshen 13 vjeçare. Natyrisht pason pastaj edhe “amaneti” që kishte pas lënë Washigtoni, për tu ndihmuar “dajallarëve” [shqiptarëve], amanet të cilin e paskish gjetë Bill Clinton para se vendoste ndërhyrjen në Kosovë (1998-1999)!
Ajo më qesharakja është mënyra e artikulimit dhe “dëshmisë”, duke përdorë ngjajshmëri emrash, për ta bërë të besueshme pretendimin e “gjakut shqiptarë”. Jo rastësisht thotë gjithologu: “Malësia” u bë “Mali i Zi”, jemi pra ne shqiptarët që e bëjmë Malin e Zi?! Pastaj Akili na vjen si “Mirmidon” që do të thotë: Dimër, Dimëror (Mirditor), ndryshe na del edhe si “Aspet”, që do të thotë “Ashtë i Shpejtë”! Se Kotorri ishte iliro – arbëro – shqiptare, që më vonë u sllavizua, ndërsa toponimi Kotorr ka etimologji shqipe kotorr-i, që do të thotë i vogli i buallicës deri një vjeç. Se Shën Stefani afër Budvës, qendër e Pashtroviqëve që e paskan pas fshehur zbërthimin etimologjik të emrit të tyre: Pashtroje që do me thënë “pastra” (?!).
Gjithologu madje thotë se ishim ne, ata që e mbollëm qytetërimin, ata që Evropës i dhamë Evropën, se ne shqiptarët nuk jemi bijtë e Evropës, por baballarët e saj. Ka gjetë madje edhe rrënjët e historisë 2300-vjeçare të “shqiptarëve” të Qafiristanit (sot Nuristan), një vend ku piqen Afganistani, Pakistani, Kina e Taxhikistani, me plot tipare popullore, gjuhësore e zakonore pellazge – ilire – arbëreshe – shqiptare! E “vërtetuem” se edhe hieroglifët e Piramidave të lashta të Egjiptit e kishin bazën tek gjuha ilirishte dhe se ishte Thot-i (sipas “thotë”), ai që e ndërtoj alfabetin hieroglifik fonetik, duke pasur si çelës gjuhën shqipe. Pastaj na vjen edhe ajo “Shqipëria e Kaukazit” që ndërkombëtarisht njihet si “Caucasian Albania”!? Po “Eskuera” baske që vjen nga “e shkuara” shqipe, e plot marrëzi të tjera të kësaj natyre!
Njani më thotë se shqiptarët nuk kanë pasë gjuhë të shkruar deri më 1908, e tjetri se “Pellazgët kanë folur e kanë shkruar shqip”, se gjysma e botës “fliste shqip”. Një udhëpërshkrues i huaj i fillimshekullit të XIX-të thotë se ‘albani’ i veriut nuk e kuptonte të folmen e ‘albanit’ të jugut, ndërsa studimi i ri e “zbulon” gjuhën shqipe, një ndër tre gjuhët më të vjetra të botës, një gjuhë e familjes indo-evropjane me origjinë nga Anatolia! Giuzeppe Catapano mi vendosë kufirin e kësaj kulture e qytetërimit Pellazgo – Iliro – Shqiptar, nga Irani, deri në Atlantik në perëndim, nga Alpet në veri dhe deri në jug të Afrikës veriore!
Pastaj na u gjet një kalendarë i tyre mijëvjeçarë, me vlerë të madhe, një dëshmi e një qytetërimi të veçantë shqiptar që dallon nga të tjerët. Se në Margaritovo të Ukrainës gjendet alfabeti 400-vjeçar i Elbasanit me 54 shkronja, që nuk është përdorur vetëm në Elbasan dhe Berat, por edhe te tregtarët në megrim. Sikur të mos mjaftonin këto, na del pastaj “Sia Magazine” me lajmin bombë: ”Fizikisht, shqiptarët janë raca më e bukur në Evropë, raca më e ngritur psiqike e intelektuale e Ballkanit dhe femrat shqiptare janë shumë elegante, me stil të lartë e moderne…” Ah, sikur të mos ishte Fallamerayeri të na prishë qefin, që: “Shqiptarët nuk janë një popull me kulturë (nuk kanë literatur kombëtare)… në fushën shpirtërore, gjatë njëmijëvjeçari të ekzistencës së vetëdijshme nuk kanë dhënë as gjënë më të vogël…” [Fallamerayer:1990/120-121].
Edhe për profetin Muhamed (as) është përfolur dikurë tinës dhe me shumë kujdes se kishte qenë shqiptar. Ndoshta ishte vetëm një shaka e ndonjë të pagdhenduri, por sidoqoftë sistemi ateist e ndërpreu atë shaka të transformimit të arabit në shqiptar, sepse për të më nuk kishim nevojë. Pas gjysëm shekulli poshtërsirash komuniste, na del sërish në skenë një “ekspert” i historisë Pellazgo-Ilire, një “dr.” për të na i dhënë “dëshmitë” në dorë, se profeti Muhamed (savs) ka qenë shqiptarë: ”Muhamedi nuk e kishte emrin Muhamed, por Maho-met dhe fjala Maho, Make, Magjio, Mate, Mathe është fjala “i madh” dhe “Met” është mendja. Pra fjala është shqip, në kuptimin mendje e ndritur, ashtu siç e thotë edhe Down Browni… Një kuriozitet tjetër mund të themi se nëna e Muhamedit quhej Fati… dhe fisi që nxori Muhamedin quhej fisi i Kurejshëve. Eshtë fisi që është goditur më shumë nga Muhamedi, sepse ata donin që të jetonin në paganizmin pellazgo Ilir, dhe nuk donin monoteizmin qoftë të Krishtit qoftë të Muhamedit”. Ai që e njeh sadopak biografinë e Muhamedit (a.s) ose historinë islame, do të qeshte me ironi në pretendimin e “doktorrit”.
Një “ekspert” tjetër i kësaj fushe, ka një tjetër “argument”, se Profeti Muhamed ishte profet universal, i cili i përkiste njerëzimit në përgjithësi, sikurse profetët e tjerë, ishte pellazg me prejardhje, por i arabizuar! Meqenëse, pellazgët kanë qenë popullatë hyjnore, atëherë pa tjetër që edhe profetët kanë prejardhje pellazgjike. Se ku i marrin dhe i mbledhin këto “ekspertë” të gjitha marrëzitë, duke i bërë bashkë të thënat e Giuseppe Catapano-s, se: “Profeti Thot – Tata fliste shqip para 12.000 vjetëve”; për lashtësinë e gjuhës shqipe, sa edhe “Krishti fliste në këtë gjuhë” [Kosova Sot, 15.7.2011].
Kjo gjuhë pra ishte më e vjetër se edhe vetë Krishti, gjuha e parë e njerëzimit, gjuhë që flitej kur u ndërtua “Kulla e Babelit” Biblik. Sipas rrëfimit, kjo kullë ishte ndërtuar për të arritur qiellin dhe vetë Zotin. Ky ishte mëkati i njerëzimit që fliste të njëjtën gjuhë “gjuhën shqipe”. Për këtë kryelartësi njerzore – vazhdon përralla, Perëndia dëshironte të pështjellonte gjuhët e njerzimit, të nesërmen nuk u kuptuan më njëri-tjetrin, Zoti lindi gjuhët e botës. Jo vetëm kaq, por edhe Sumerët – pasardhësit e Babilonisë, e kanë quajtur këtë vend “Shumer” apo (shqip) “shum erë”.
Ata na vinë me argumentin se paskëshim Hammerton-in, Mosenin dhe Durham-in që na thanë se jemi populli më i vjetër dhe më i veçantë i Ballkanit [Albanica, mars 2007], paskëshim Montague Bell-in që na tha se jemi “raca më e vjetër në Europën Juglindore” [Express, 24.01.2017],. Virhovin që na quajti “popull vërtetë superior” i tërë Evropës Lindore, apo Mathieu Aref-in se jemi popull parahelen! Nuk na thonë nëse profeti Nuh (Noah) jetoj para apo pas Babilonisë, por gjithsesi edhe ai ishte Pellazgo-Iliro-Shqiptarë, që patjetër fliste shqip – rrënja e të gjitha gjuhëve Evropiane, gjuha e parë e shkruar – gjuha e fillimit. Se emrat e maleve dhe lumejve në të gjithë Europen e vjetër, kanë kuptime e tyre vetëm në shqip. Edhe perënditë Egjiptase, Sumere apo Greke, shpjegohen dhe kuptohen vetëm nëpërmjet gjuhës shqipe. Bile, etërit e shqiptarëve – Pellazgët, qenë ata që krijuan edhe Masonerinë dhe përdorën dushkun Dodonas për simbol të vetin! Këta Pellazgë, banonin në tre kontinente, përpara se të ndaheshin në kombe të tjera shtriheshin nga Gjibraltari në Kaukaz dhe nga Deti Baltik deri në Egjipt!
Duhet vënë në dukje se secili shkrim që merret me këso makuterishë, që krijon mite të tilla të zbrazura nga çdo argument, përmban në vete një minus të madh për Islamin dhe Muslimanët dhe një plus të madh për katolicizmin, edhe pse në realitet është tërësisht “i xhveshur nga besimi në Zotin” (ateistë). Në metropolet e botës predimore shqiptarët “mburren” se si nuk kanë kurrfarë besimi, por kanë “kulturën mijëvjeçare” që nuk janë në gjendje ta dëshmojmë as me kulturën e sotme?!
Deri dje ata na quanin barbarë, sot mund të themi çtë duam, por kam bindjen se jemi ulur këmbëkryq në ballë të oxhakut të atyre që nuk mësojnë as nga gabimet e veta as nga gabimet e të tjerëve. Autorët e këtyre makuterive po luftojnë me “mullinjt e erës”, duke menduar se Evropa i pret krahëhapur e në dëshpërim, sepse të gjitha problemet dhe fatkeqësitë e botës kombëtare – shqiptare “i vijnë nga Osmanët”, ata osmanë që i lanë shqiptarët “më të prapambeturit e Evropës” në kohën ku ishte “fuqia më e madhe e botës”?!
Unë do të kisha dëshiruar të kuptoj më shumë këtë “botë të madhe shqiptare”, e cila na ka xhelozuar apo na i ka frymëzuar edhe fqinjët tanë, për të mbetur në të njëjtin nivel intelektual. Janë po ato makuteri të cilat Nebojsha Drashkoviq kundërshton për sinonimin e “Ilirit” me “shqiptarin” duke thënë: “Mi (Srbi) smo potomci ilira a ne Albanci” [ne jemi pasardhës të ilirëve dhe jo shqiptarët], që paskan ardhë të parët në Evropë, para 23.000 vjetësh [Kurir, 29.10.2018]. Pesë vjetë më parë prof. Anatolij Aleksejeviq e kishte përcaktuar vjetërsinë e serbëve në 12.000 vjetë. Në fund të fundit: “nëse i kemi besuar për aq vjetë Darvinit, pse të mos i besojmë Aleksejeviqit”, pyeste “Telegraf” [19.9.2013]? Madje edhe vetë egjiptasit e vjetër e paskan pranuar që i vetmi popull më i vjetër se ata ishin serbët! [Srbija Danas, 10.08.2015]. Nga Harwardi profesori Rus Anatolij Kljosov paskish deklaruar se Ballkani ka qenë atdhe i sllavëve, se janë pasardhës të birit të Noas dhe se 40% e evropjanëve mbajnë genin e tyre, gen të cilin sot e mbajnë edhe rreth 100 milion indianë [Jutarnji, 29.09.2013].
Në vitin 1990, serbët u entuziazmuan me librin e famshëm të Ollga Llukoviqit (Pjanoviqi) me titull: “Srbi… narod najstariji”. Eshtë i njëjti absurditet që na thotë se edhe gjuha kineze është begatuar duke përvetësuar shumë fjalë serbe, bile prej serbëve është marrë edhe emërtimi Sibir. Dhe se në përqindje tejet e madhe të gjermanëve të sotëm, janë me prejardhje serbe, vetëmse këtë gjë ata e kanë harruar. Ndërkaq, njëri prej pohimeve më bombastike të profesoreshës Ollga është se: “Shqiptarët u kanë borxh serbëve tokën në të cilën jetojnë, emrin me të cilin i njeh bota dhe gjuhën me të cilën flasin”.
Një libër tjetër i këti niveli është “Od Indije do Srbije – tri hiljade godina srpske istorije” [Prej Indisë në Serbi – tre mijë vjetë histori serbe] të autores Dobroslava Jevđević, e cila paskish gjurmuar dorëshkrime të vjetra shtatë mijë vjeçare [Telegraf, 4.8.2014]! Thotë ajo: Janë ata (serbë) që erdhën në Ballkan 3.000 vjetë para Krishtit dhe u vendosën në Kretë (Rashkën e Vjetër) në tri periudha, gjatë viteve të 1.800-ta, të 1.500-ta dhe 1.400-ta para erës së re. Edhe pse i nënshtruan kretanët, u përzien me to dhe formun popullin grek!
Olga dhe Dobroslava ndoshta u hapën rrugë edhe dashamirëve të tjerë të makuterive. Ato nga më “shkencoret” i ka deklaruar prof.dr. Jovan Deretiq, se vetë Jezusi (a.s) ishte serb nga nëna, pasi emri Marija i përket linguistikës serbe, emër të cilën më pas e përvetësuan të tjerët. Se deri me ardhjen e turqëve në Azinë e Vogël, pjesa dërmuese e Azisë ka qenë popullatë serbe, të cilët u bën “turq” kur u islamizuan. Se kultura greke ishte kopje e kulturës “Kritske” që nuk ishin grekë por serbë. Se janë serbë jo vetëm të gjithë sllavët por edhe gjermanët, edhe suedezët, edhe holandezët. Se në shekujt IV dhe V gjithë Evropa ka qenë serbe dhe kanë folur serbisht. Se emri “Ilir” që kanë qenë serbë vjen nga emri i Shën Ilisë! Se në kohën e keltëve në Spanjë kanë sunduar serbët. Se para botës antike në botë nuk ka pasë tjetër veç popullit serb. Se 40 perandor romakë kanë qenë serb. Se gjuha popullore angleze përmban së paku 50% serbizma.
E bëra një paralele të këtillë “shkencore”, një vështrim ndryshe, jo për të përkrahur apo kundërshtuar, por për të kuptuar enigmën e makuterive të gjuhës e të rascës së vjetër! Prof. H. Feraj [E pa filozofuara] na thotë se para 400 vjetësh priftërinjt shqiptar e joshqiptar, për shqiptarët thonin: “kurrë nuk kanë pa si shkojnë punët e botës, nuk kanë njohuni as historishë, as popujsh, as vendesh, as shkencash, as shkrimesh… nuk kanë njohuni për gjana të madhnueshme” [Feraj:2011/7-8]. Ata e përshkruanin kusarinë dhe plaçkitjen si mënyrë e jetesës së shqiptarëve [Zamputi:1989/I/387]. Nëse ne ishim aq të mëdhenj e të civilizuar, përse tani jemi populli më i prapambetur në Evropë? Pse kemi qenë për shekuj nën sundim dhe nuk kemi sunduar në shekuj? Përse u bëmë një popull i vogël nga një popull i madh dhe si arrijtën të na coptojnë popujt e vegjël? Pse ato të vegjëlit kishin plot aleatë e ne të mëdhenjt jo, pse na ndaluan ne të mëdhenjve të shkruajm dhe jo ato të vegjlit. Sot, nuk është problemi nëse jemi nga ilirët, por pse ende kemi mbetur ilirë [Feraj:2011]?
Kush nuk do të kishte dëshirë që gjërat të ishin ndryshe, por në biblotekat e metropoleve të mëdha botrore, shkrimet që kanë lënë ushëpërshkruersit e huaj nuk kanë pasë fjalë të mira. Kanë thënë për ne “as qytetar të mirë as puntorë të mirë, ata mund të jenë sundimtar të mirë dhe ca më tepër kusar të mirë” [Vlora:2003/123]! Nëse janë të pasur, pasurinë e kanë: “nga grabitja e të tjerëve” [Zamputi:1965/II/161] Se e kalonin jetën duke plaçkitë varoshe, fshatra e karavane mallrash, tash turqve, tash skizmatikëve, tash të krishterëve të tjerë, tash njëri-tjetrin, njani katund tjetrin, njani popull tjetrin, sa herë duke u çfarosur krejtësisht [Zamputi:1963/I/277]. Ata e shihnin si vendi i pusisë dhe i gjakut, dheu i dinakërisë dhe i shpifjes, toka e plaçkës dhe e përtimit!
Shqiptarët gjithmonë të ndarë e kurr të bashkuar: Pashalluku i Shkodrës dhe Pashalluku i Janinës, “Republika e Mirditës”, “Republika e Korçës”, “Qeveria e Vlorës”, “Qeveria e Durrësit”, “Qeveria e Lushnjes”, te lufta e klasave, secili kundër secilit dhe vehtes, ashtu si sot, shteti “i Kosovës”, “i Shqipërisë” apo “shtetformuesit e Maqedonisë”. Pra shqiptari gjithmonë ka mbetur individ që ka luftuar për një interes personal, por jo për një interes të organizuar të përbashkët. Edhe sot Shqipëria është bërë një shesh për plaçkë ku secili sulet të rrëmbejë ofiqe. Sa bukur vjershëronte Azem Shkreli: “Sikur të shiheshim me veten sy më sy / Kishim për t’u puthë, a kishim për t’u pshty…”
Fatmirësisht që ndër shqiptarët ka edhe njerëz të vetëdijshëm dhe e dijnë se përrallat janë për fëmijët. Çfarë na ndihmon “vjetërsia” nëse ne vazhdojmë edhe më tutje të stagnuar? Shqiptarëve nuk u duhet “rruga e vjetërsisë”, por ajo e së vërtetës. Shqiptarët kanë miq të gjithë ata që ua tregojnë mangësitë dhe armiq të gjithë ata që i lavdërojnë për ti lënë të stagnuar ashtu siç janë! Para 121 vjetësh Konica e thoshte: “Në vend që të vemi, të rimihim kopështin dhe të mbjellim, na është më udob të bëjmë gati shportat për të mbledhur pemë që s’kanë zënë as rrënjë…” [Albania, 31.03.1898].

SHENJA, Mars 2019

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top