Saturday , November 18 2017
Lajmi i fundit

Hajrudin S. Muja: “URIMET” E BAJRAMIT DHE ÇMENDURIA “SHQIPTARE”

MujaNdërsa vështroj raportet, debatet, analizat, kërcënimet, kërkesat dhe komentet në lidhje me “mbulesën” e Skënderbeut në sheshin e Tiranës, në ditën e Kurban Bajramit (1 shtator 2017), fillova të kuptoj më shum një “fenomen”, që po sillet prej kohësh në mesin e shqiptarëve, por që gjithnjë e më shumë po rritet në “një mollë sherri”! Në fakt, atë ditë dodhi më e zakonshmja që ka ndodhur, në çdo kremtim Bajrami: një podium dhe një ekran të vendosur në pozicion simetrik përballë masës së besimtarëve. Vetëm kaq! Pse kaq shumë zhurmë?

Unë nuk kam energji dhe as dije të mjaftueshme për këtë llojë hipokrizie, por duke jetuar jashë kufijve të Shqipërisë Etnike dhe duke ndjekur ngjarjet zhurmuese, po marr aty-këtu ndonjë informacion, për ti pasqyruar lexuesit humnerën drejtë të cilës po marshojmë. Natyrisht, ato që e kanë ndjekë “kotësinë” e javës që shkoj, të gjitha këto i kanë të njohura.

Me rastin e faljes së namazit të Bajramit, në gazeta, programe televizive dhe në rrjetet sociale, u nis një zhurmë për hiçgjë, se si qëllimisht muslimanët (shqiptarë) e “mbuluan” bustin e Skënderbeut në Tiranë! Pavarsisht se në të nuk pati asnjë të vëretetë të “mbulesës”, një pakicë por e organizuar islamofobe, u hodh në komente e kërcënime nga më absurdet! Zbuluan një mllef që e mbajnë të fshehur në gjokse, për të shpërthyer në rastin më të parë! Zatën ata që janë mësuar gjithmonë me gënjeshtra, intriga e hipokrizi, e kanë të vështirë ta pranojnë të vërtetën.

I pari që e nxori këtë shpifje, ishte ekstremisti katolik Stelian Pretashi, që drejton faqen “Feja e Shqiptarit është Europa”, një absurditet nga vetë emërtimi që mban (Evropa nuk është fe)! Moderatori, për “ideatorë” të këti “faji të madh”, ka ngarkuar myftiun e Tiranës Ylli Gurra, duke postuar edhe foton e tij, nën të cilën pasonte komenti i Elird Shehut: “Vraneee kit pis”!

Pastaj në portalet dhe gazetat, të dëshmuara për islamofobi, unë e pashë tek “Lajmi.net” e më pas edhe tek “Express” se: “Gjatë ditës së sotme kanë qarkulluar lajme se shtatorja e Skënderbeut në qendër të Tiranës, ka qenë e mbuluar, për arsye se në atë shesh, është mbajtur ceremonia e faljes së Kurban Bajramit”. Së pari, lajmi nuk ka pasë nevojë të qarkullojë, sepse falja e Bajramit ka qenë në transmetim të drejtpërdrejtë televiziv dhe gjithçka është parë, se ky nuk ishte një “lajm”, por një shpifje e tyre e zakonshme e tipit “Express”, kur gjërat lidhen me Islamin dhe me muslimanët shqiptarë! Se ku e kanë hallin këta “lajmëtarë” e “analistë”, këta antarët partishë, mësues, mjekë, akademik, injorantë, analfabetë, mashtrues e maskarenj, nuk është vështirë për ta parë. Te Skëndrebeu sigurisht që jo!

Skenderbeu

Zëri i tyre nuk u dëgjua kur afërsisht në të njëjtin vend, u vendos një ekran i madh, për të shikuar fudbollin!? As për “mbulesën” tjetër të një rreklame të madhe të Coca-Cola’s. As ajo e vendosura nga Bashkia e Tiranës, në një ‘aheng’ të organizuar! As atëherë kur u mbulua me biblbordet e Zdravko Qoliqit. Ajo urinohet ditën për diell e mbulohet me ekrane natën (gjatë koncerteve dhe fushatave partiake), por nuk janë akuzuar se po “mbulojnë” Skënderbeun dhe as nuk kanë reaguar për diçka të tillë!

Tani s’mund të mendoj ndryshe, veç të dyshoj nëse këtyre u pengojnë ‘bilbordet’ e muslimanëve shqiptarë?! Natyrisht, të gatshëm për të mbjellë djallëzi e konflikt aty ku nuk ka, ata e fabrikuan këtë “histeri’ për të cënuar madhështinë e atij tubimi, që edhe partitë politike sot me vështërsi e realizojnë. Ata nuk e durojnë dot fajlen e të rinjve, sepse u duket më normale organizimi i ahengjeve, ku promovohet droga e alkooli, i ka mbuluar krimi, narkomania e prostitucioni, dhe tani patriotizmi ka mbetur vetëm tek Skënderbeu! Në vend që tua japin muslimanëve shqiptarë ndonjë urim për ditë Bajrami, qoftë edhe sa për sy e faqe, e fillojnë me fyerje, ofendime e kërcënime deri te klithmat për mbrojtje, pa i sulmuar askush!

Ndërsa në Kanada, kreu i shtetit uron muslimanët për festën e Bajramit, në Gjermani bashkia organizon aktivitete festive, në Turqi shtrohen pritje për studentët larg familjarëve, në Shqipëri, disa tërë vitin të shajnë Islamin, e pastaj të “urojnë” Bajramin, se aty bien në qetësi vetëm kur të të shohin të vdekur. Të tjerët në vend të urimit, të japin helmin! Bardhyl Mamuti i quan muslimanët shqiptarë “pjellë e fëlliqur që… duhet të çrrënjoset nga hapësira jonë kombëtare” [KohaNews]. Për Agron Gjekmarkaj’n ata bënë “një akt të denjë taleban në kufinjt e terrorizmit” [Tema, 1.9.2017]. Ky i fundit i kërkon qeverisë “të ruaj laicitetin”, në Shqiperinë e mbushur me buste të Nënë Terezës!

Mentor Nazarko, në portalin e tij Konica.al, ka bërë shkrimin me titull: “Në mbrojtje të Skënderbeut, gjithmonë gati! Po, gjithmonë gati”, një plagjiaturë e ulurimave të tija rinore “Jemi gati kurrdoherë”, ose siç i përgjigjeshin të gatshëm ushtarët kryqtarë të Facebookut: “Po, gjithmonë gati!”. Kolec Traboini në portalin e Arben Cokaj’t: “Fjala e lirë”, vë në dyshim “shqiptarinë” e muslimanëve, të cilët duhet të deklarohen në “janë apo nuk janë shqiptarë?” Dhe natyrisht, për të qenë tamam të tillë, duhet që të kenë në shtëpi së paku një bust të Skënderbeut dhe një fotografi të Nënë Terezës!? Po kush do të mbetka shqiptar, nëse përjashtohet shumica, anipse Mustafa Nano mendon se muslimanët nuk janë shumicë, për shkak se ata që nuk kryejnë rigorozisht detyrimet fetare [Mapo, 6.9.2017]. Ende nuk e kanë kuptuar “merhumët”, atë që M.Krasniqi ka spikatur, se shqiptar është secili që me dëshirë pohon se është shqiptar, qoftë ky musliman, i krishter, ateist apo agnostik, pavarësisht nëse Skënderbeun e trajton ose nuk e trajton për hero të vetin. Të qenët shqiptar është vullnet i lirë në pajtim me vlerat themelore të kombit, me historinë e përbashkët, kujtimet, gjuhën, kulturën, dhe shtetin.

Në murin e Facebook-ut Moikom Zeqo shkruante: “Miqt e mij shqiptar, si mundet vallë të mbulohet skulptura madhështore e Skënderbeut, ditën e një feste fetare. E pa besueshme por e vërtetë, kuj vallë i vjen turp dhe është alergjik nga figura semanike dhe mbarë kombëtare e Skenderbeut?” Sherri pastaj plasi edhe në programet televizive, ku flasin të gjithë përnjëherë. Në “Dritare” të Rudina Xhungës [Vizion Plus], Olsi Jazexhiu “ofendon” Moikom Zeqon “Ti je një mitoman”, ndërsa Zeqo i përgjigjet: “Ti je një hiç, ti je një mercenarë”! Pastaj Olsi i thotë: “Kam më shumë shkollë se ti”. Të nesërmen “ofendimi” i Olsit shumfishohet, i Zeqos zhduket, ndërkohë që gazetarët e shurdhër, vendosin kryetitullin: “Olsi Jazexhi ofendon Moikom Zeqon: Kam më shumë shokë sesa ty o Moikom”! [360grade.al] Eshtë ai Zequa, i cili në vitet e komunizmit, ndryshe e kuptonte atdhedashurinë, ndryshe nga ç’thotë tani tek “Dritarja” e Xhungës për Fishtën si patriot, poet e përfaqesues i kulturës perendimore, aso kohe: “kryqi i katafalkut të zi lëkundte litarin e nëmur të Fishtës!”. Allakatunarçe i bie që të lëpishë sot, atë që villje dje!

Nga debati “Dritare” edhe “Kethimerini” grek, kishte kuptuar se: “fanatikët musliman shqiptar nuk e duan Skenderbeun”, kurse Gazeta Tribuna [në Greqi] kishte vendosë kryetitullin: “Shqipëria e përçarë pas sulmit të muslimanëve në statujën e Georgio Kastrioti”. Në Shqipëri “radikalët e Shkënderbeut” kërcënuan edhe moderatoren Rudina Xhunga, për çka reagoj “Unioni i gazetarëve”.

Kush thoni e kishte radhën tani? Kastriot Myftaraj me “thirrjen kushtetuese” për shkatrrimin e Xhamisë së madhe të Tiranës në ndërtim. Eshtë ai i njëjti, që më parë kërkonte shëndrrimin e Mekës dhe Medinës në Hiroshima e Nagasaki [Bota Sot, 16.11.2015], po ai që kërkonte të bashkonte shqiponjën e bardhë (serbët) me shqiponjën e zezë [shqiptarët (katolikë)], për të dëbuar një herë e mirë, muslimanët shqiptarë jashtë kufinjve të Shqipërisë Etnike [31.5.2011]! Megjithqë neni 265 dhe 266 i Kodit Penal thonë se: “Nxitja e urrejtjes ose e grindjeve raciale, nacionale ose fetare… dënohet me burgim gjer në dhjetë vjet” dhe: “Vënia në rrezik e paqës publike duke bërë thirrje për urrejtje kundër pjesëve të popullsisë… duke fyer ose shpifur për to….dënohet gjer në 5 vjet burgim”. Mjafton një fjalë e një hoxhe, shpeshherë e nxjerrë nga konteksti, për ta çuar në burg, ndëkohë që deri sot, nuk është arrestuar as edhe një nga shumë ekstremistë të tipit “Myftaraj”, që kërcënojnë ditën me diell për eleminime fizike!

Çështja pastaj, si zakonisht u politizua. Kryeministri Rama thotë se “vajtuesit e Skënderbeut” janë ata që nuk donin Reformën në Drejtësi. Kryebashkiaku Veliaj: “Po mi hoqët ekranet më mirë merrni çelsat e Bashkisë”. Presidenti Meta dënon “cënimin” e Skënderbeut, po aq sa sulmet kundër KMSH-së. Zëvendëskryeministria Mesi dhe Lulëzim Basha, gjepura që s’ja vlen të thuhen! [Tema, 1.9.2017]. Artan Lame bën propozimin e ri fashist, që tu ndalojë muslimanëve kryerjen e aktiviteteve fetare në hapesirat publike të Shqipërisë.

Si të ishte shefi i gestapos të Tiranës, del edhe “politikani” avokat Spartak Ngjela, në murin e tij të Facebook-ut, kërkonte arrestimin e myftiut të Tiranës, për mëkatin e Skënderbeut! Në fakt, mjerimi intelektual i avokatit, kishte ngatrruar shenjën e viktimës për shkak të mbiemrit të njëjtë, duke dashur të “qëllojë” në Mehdi Gurrën [kreun e shoqatës “Alsar”] ka qëlluar Ylli Gurrën [myftiun e Tiranës]. Gjëra që ngjajnë, si ato të atentateve, ku në vend të shenjestrës qëllohet një tjetër.

Ish-deputeti mirditor Eduart Ndocaj, në një postim që ka bërë në Instagram, Skënderbeun e ka portretizuar si Jezu Krishtin, i cili duhet të bekojë dhe konvertojë shqiptarët në katolikë. Vitin e kaluar, të njëjtit “analista” dyftyrësh portalesh, u tallën se “erdhi dita që ti përuleni Skenderbeut”, që të mos u priste (muslimanëve) kokat, ose se: “u nënshtruan nën këmbët e kalit të tij, pasardhësit e osmanlinjve”. Nga ky “humor” me shije të byrekut me kashtë, Ndocaj ka pikturuar Skënderbeun me një kryq katolik, dhe para tij ka vendosur besimtarët që i falen Skënderbeut!

Ndocaj

Historiani e politikani kosovar Jakup Krasniqi, në faqen e tij shkruante se: “Falja në sheshe është reklamim, hienat s’mund t’i bëjnë asgjë Skënderbeut”, për ti treguar madje edhe mençuria e deputetit darvinist – Fisnik Ismailit, se: “Kurban Bajramit nuk është fetare por tradicionale”. Ndërkohë, Fahri Xharra, aktivist i “shqiptarizimit” të tërë botës, ka bërë vjershën “Nëno moj, po na vrasin… historinë!”, të meritueshme vetëm për koshin e plehrave.

Prej elitës politike të Kosovës është Hashim Thaçin, i cili një ditë pas Bajramit, në shugurimin e Katedrales Katolike në Prishtinë [5.9.2017], provoj ti tregojë muskujt e patriotizmit, se: “Nuk ka beze as pëlhurë të bardhë ose të zezë, që mbulon madhështinë kombëtare dhe civilizuese të Gjergj Kastriotit”. Kjo është ajo “vula e idiotësive” të “mbulesës” të Shkënderbeut, kur për çdo njërin me “dy pare mend në kokë”, pas katër ditësh, u bë e qartë se kur një “budalla hedh një gur në lum, njëqind të tjerë s’e nxjerrin dot”. Përveç që ende nuk e kishte marrë vesh se nuk pati “mbulim”, Thaçi nuk u tregua aq “muskuloz” kur ishte Kryeministër, dhe kur ministria e tij i kulturës, në Kuvendin e Kosovës, fshehu me pëlhura disa piktura, ku ishin të vendosura “Skënderbeu”, “Lidhja e Lezhës” dhe “Lidhja e Prizrenit”, që të mos u prishej qefi deputetëve serbë!?

Thaci

Pikërisht aty ku po fliste Thaçi, në sfond, të lëna në tokë shiheshej flamuri kombëtarë dhe flamuri i Kosovës. Thanë se “ishin përdhosur” dhe “ishin lënë si lecka”! Natyrisht reagoj Don Lush Gjergji në Tribuna Channel: “Nuk i përdhosëm flamujt”. Por është çudia e madhe se edhe për këtë “përdhosje” fajtorë janë shqiptarët muslimanë, përkatësisht BIK-u i Kosovës. Sadri Ramabaja nga partia VV-së, “përdhosjen e flamurit” e ka quajtur spekulim dhe ka akuzuar BIK-un për një “luftë serbe kundër kishës katolike”, duke aluduar se “agjentura të caktuara të BIK-ut kanë bashkëpunim me shërbimet sekrete serbe” [DrenicaSot, 7.9.2017]. Problemi është se deri në momentin që flet Ramabaja, BIK-u nuk kishte bërë asnjë reagim në lidhje me atë që ai thotë.

Jo shumë kohë më parë, Ramabaja pati ndezur kundërshtinë e madhe, kundër një organizimi që kishte bërë KM në Dardanë, duke i akuzuar besimtarët, që po përvetësojnë hapsirën publike të një shteti laik për Iftarë. Për bllokimin total të trafikut të Prishtinës, për katër orë, për sigurimin e shugurimit, nuk e pati për zahmet “hapsirën publike të shtetit laik”. Dhe asnjëri prej muslimanëve nuk ua panë për të madhe dhe askush nga militantët e laicizmit, që vjellin vner per çfarëdo tubimi të muslimanëve, nuk u bë i gjallë. As atëherë kur erdhi Papa dhe bllokoj dhe solli kaos me mbylljen e rrugëve kryesore të Tiranës, kur u arrestuan qindra muslimanë. Në rrjetet sociale, të gjithë u rreshtuan për të mbrojtë Skënderbeun nga “Rreziku Islamik” i muslimanëve shqiptarë, ata që shpresën e vetme e kanë për të kthyer ushtrinë që lufton islamin: Rinia leniniste e Tiranës; proletarët e rinj, pionerët e Maos, miqtë e Vietnamit, veteranët Antiimperialistë, hipokritë të nacionalizmit, “intelektualët” e monizmit që u ka mbetë sahati atje ku e ka filluar. Në mesin e shqiptarëve ka plot të marrë, po nuk e besuat, hyni në Facebook, ose ndiqni debatet televizive, se nuk keni nevojë ti pyesni, ju tregojnë vetë! Duke përçmuar bashkombesit e tyre, krijojnë një histeri që s’kanë lidhje me Heroin Kombëtar, por me koncepte primitive të ndarjes së njeriut në bazë të besimit.

Dhe në fund, “Albanian Genocide – Turkey 1385-1912”, na sjell lajmin “e mirë”, për një grup nismëtarësh nga diaspora, Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, që kanë themeluar “Komitetin për Shpëtimin Komabëtar”, natyrisht prej shqiptarëve muslimanë! Ata kërkojnë të mbyllin ambasadat e Turqisë në Tiranë dhe Prishtinë, që Erdogan të shpallet “persona non grata”, që “Tika-s” ti ndalohet investimi për Xhamitë turke e arabe në Kosove, ti rikthehen pronat dhe objektet e kultit të krishtere dhe budallallëqe të tjera të kësaj kategorie.Albanian

Disa prej atyre që ankohen se u “mbulua” Skënderbeu, janë po ato që me dekada e lanë shumicën muslimane të nëpërkëmbur, duke zvarritur për njëzet vjetë kërkesën e tyre për ndërtimin e një xhamie të madhe, që Myftaraj kërkon ta shkatrrojë. Na shkoj jeta e disa brezave, kur çdo llojë psikopati, krimineli e hajduti, të na shajnë e të na nënçmojnë, njëherit pse ishim shqiptar e tani edhe si shqiptarë edhe si muslimanë! Dje me akuza të “armikut të mbrendshëm” e të “irredentizmit”, sot me “talibanizëm” e “terrorizëm”, në shoqëri tërësisht të korruptuar, e kanë të lehtë ti qërojnë hesapet me cilindo që nuk ju duket “i modës”! Vetëm në “shqiptari” pakica sulmon shumicën dhe me “patriotizmin” e tij, i frynë burisë së “tolerancës”, por toleranca ekziston në saje të shumicës që toleron pakicën dhe jo e kundërta. Shumicën u pëlqen ta përmendin me ndërkombëtarët, vetëm kur në skenë shpaloset tema e “tolerancës fetare” ndër vite. Shumicë kjo që po të kishte qenë pakicë kushedi si do të kishin shkuar punët me këtë të ashtuquajtur tolerancë. Nëse mbetë puna që këta të na tolerojnë, nuk duhet shumë filozofi për të parë se ku do të përfundojmë. Fajin nuk e ka pasqyra, por shëmtimi që krihet para saj.

Shtihen apo nuk e kuptojnë vërtetë mjeranët, se feja nuk ka ngjallë kurrë konflikte, është politika ajo që e ka përdorë fenë “për ‘të ndezur turmat” e “për të shtuar grigjën”! Nuk e kanë kuptuar që feja është vlerë shpirtërore, që nuk nënkupton lashtësinë e një populli, sepse ky popull ka qenë këtu mijëra vjetë para Muhamedit e Krishtit (paqa e Zotit qoftë mbi to). Nuk e kanë kuptuar që feja dhe besimi janë bindje që nuk ndryshohen as me dhunë, sepse janë kristalizuar në formën e ndërgjegjes dhe kanë vënë rrënjë të thella në shpirtin e tij. Një besim që me shekuj është ngulitur në vetëdijen e popullit, një besim që e kultivojnë mbi një miliardë e gjysmë njerëz të globit, nuk është as lehtë as e nevojshme dhe as e mundshme, që të lëkundet nga themeli.

Këta që fshihen pas “mbulesës” së Skënderbeut, me pretekst se po mbrojnë heroin, janë prej të vetquajturit “nacionalistë”, sipas asaj thënie “streha e fundit e maskarenjeve”! Ata të cilët në emër të kombit, bëjnë thirrje për një bashkim kryqëzatash, duke shfaqur haptas urrejtje ndaj shqiptarëve muslimanë dhe duke minuar kështu tolerancën e përfolur dhe bashkëjetesën shqiptare. Misionarë e komunistë të bashkuar, imagjinojnë një Shqipëri të ngushtë, të sikletshme, siç janë vetë ata, një Shqipëri ku Islami paraqitet si i huaj, kurse muslimanët si qytetarë të dorës së dytë, si mbetje të pushtuesit që duhet hedhur në Anadoll. Natyrisht që akuzat e këtilla idiote, synojnë përçarjen e shqiptarëve në llogari të agjendave të dyshimta, përgadisin terrenin për kurthet e ngritura për hesap të gjeopolitikës.

Analistët me të drejtë kanë pohuar se “Mediat po i fryjnë zjarrit me qëllim që të fitojnë audiencë” [Ferid Selimi], se “Shpesh bëjnë zhurmë, pa ndonjë qëllim më të thellë” [Hasan Saliu] dhe se “shpesh zmadhon ngjarjet pa ditur efektin që mund të krijojë” [Abit Hoxha]. Kjo dorë e zgjatur, po e luan shumë mirë “lojën”! Veç mos harroni një gjë, sa herë të shihni në mesin e një populli provokime, përçarje dhe përplasje të mëdha fetare, politika është duke bërë “shitje” të tmerrshme nën rrogoz. Mjegulla e fesë është maska e preferuar e ujqërve të politikës! Kanë provuar edhe herëve të tjera, u ka shkuar bosh. Dhashtë Zoti që edhe kësaj here t’u përfundojnë në koshin e plehrave.

2 comments

  1. Ata qe jane mbledhur diten a Bajramit ne sheshin e Skenderbeut nuk kan ba asnji te keqe. Kishte me qene mire mos me e perdor religjionin si propagande. Kur shqiptaret nuk jane lute rrugash (as ne sheshe), por ne institucione fetare. Vetem ne Vatikan dhe Meke behen mbledhje to besimtarve ne sheshe. Fundi i fundit Skenderbeu e ka arrijt famen si luftar i perandorise osmane. Sikur ata mos ta kishin shkollue (ka fitue tituj te lart ushtarak) kurr nuk do te ishte Skenderbe me fame. Te gjith shqiptaret, me fame botnore, e kane arrijte famen jasht vendit ku kane jetue dhe ku tani jetojne shqiptaret.

  2. Nukdua te komentoj ceshtjen e 1 shtatorit, Dites se Bajramit te Vogel, por dy gjera qe z. Muja shkruane:
    1. “ekstremisti katolik Stelian Pretashi, që drejton faqen “Feja e Shqiptarit është Europa”” – Si mund te quhet ekstremist katolik nje njeri qe si fe te veten ka Europen;
    2. “në sfond, të lëna në tokë shiheshej flamuri kombëtarë dhe flamuri i Kosovës” – flamujt nuk ishin te lene ne toke, por te vene ne nje tabake, tek altari ku paraqiten dhuratat e meshes. Flamujt, qe mbeshtillnin nje vazo me dhe dhe gure nga Kosova, si dhurate papes se Romes.

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top