Friday , November 27 2020
Lajmi i fundit

Hajrullah Hajdari: QEVERIA E RE DHE SHQIPTARËT

Hajrullah HajdariQeveria e re e Malit të Zi, edhe  pse kaluan gati 3 muaj nga zgjedhjet parlamentare, nuk është konstituar dhe si pasojë shteti vazhdon të  udhëhiqet nga partia-shtet -“miku” i shqiptarëve –  PSD-ja. Megjithatë, fituesit e zgjedhjeve kanë paralajmëruar se së shpejti  qeveria e re do të konstituohet duke  ofruar  opinionit një qeveri  ekspertesh  e  reformatorësh të rinj, filozofia e të cilëve bazohet në veprimin e 12 apostujve, sa do të ketë edhe ministri qeveria e re. Numri  “12” është tërheqës së paku për një fakt të rëndësishëm sepse paralajmëron zvogëlimin e aparatit byrokratik shtetëror dhe rrjedhimisht, ashtu duhet të jete, të zvogëlojnë shpenzimet e mëdha të  administrates shtetërore. Besoj se “12”-ta, në një situatë kaq  të vështirë globale ekonomike që po e kalojmë, është e mirëpritur. Ndërkaq, sa i përket strukturës  organizative të qeverisë, mendimet janë të ndara. Disa mendojnë se emrat e ministrave të ofruar nuk japin shumë shpresë, jo ndoshta për shkak të përgaditjes  profesionale të tyre, por nga përvoja e paktë  e tyre në adminstratën shtetërore, në udhëheqje të institucioneve të rëndësishme apo përgjegjësisë shoqërore sigurisht se po. Nga ky aspect disa mendojnë se qeveria e propozuar i përngjanë më shumë një qeverie eksperimentale se sa një qeverie ekspertësh. Natyrisht, e gjitha kjo duhet marrë me rezervë. Disa të tjerë, si mangësi më të madhe të qeverisë së propozuar shohin mungesën e përfaqësimit të pakicave kombëtare, ndonëse, dorën në zemër, iu është ofruar e disa të tjerë theksojnë mungesn e Ministrisë së Turizmit, të Pakicave … në strukturën e qeverisë.

Janë këto opinione të përgjithshme të partive të ndryshme politike ose ithtarëve të tyre, qoftë të partive të profilit proserb, promalazez, qytetar apo kosmopolit. Ndërkaq, partite politike shqiptare, si për here e siç e kemi zakon, të ndara në mendime dhe qendrime. Nderësa përfaqësuesit e koalicionit “ Bashkë një za” janë të  prerë, madje as nuk i janë përgjigjur ftesës për bisedime me mandatarin,  sepse “nuk mund të kalojnë mbi të gjitha ato çka u janë bërë shqiptarëve” e unë po shtojë: së paku 142 vite me radhë, nderësa koalicioni “Lista Shqiptare”, pak më të moderuar, pranuan ftesën dhe shkuan në bisedime me mandatarin për t’u bërë pjesë e qeverisë së re. Shkuan, biseduan dhe deklaruan se kërkesat e tyre janë pranuar nga mandatori, disa thonë se janë pranuar vetëm gjysma e kërkesave të parashtruara. Por, a do të jenë pjesë e qeverisë apo jo, në mënyrë të prerë nuk u deklaruan!

U mundova të njihem me kërkesat e këtij koalicioni që ia paraqiten mandatorit si kusht për të filluar bisedimet eventuale për pjesëmarrje në qeveri! Mendova sepaku, sigurisht, do të ketë ndonjë kërkesë shumë më rëndësi e cila gjer me tani nuk iu është kërkuar qeverive të mëparshme! Por nga ajo që lexova, s’me befasoi asgjë sepse kërkesa të tilla, së paku 30 vite me radhë, janë adresuar në emrin e çdo qeverie të partisë-shtet, të cilat fatkeqësisht kishin mbetur në sitaret e zyrave të pushtembajtësve 30 vjeçarë, kishin   rënë në veshin e shurdhër e si pasojë kanë gjetur rrugën e harresës të mbuluara me pluhurin e kohës! Nuk me befasoi as fakti se nuk do të ketë Ministri për çështjen e pakicave. Nuk me befasoi për vetë faktin sepse që në formimin e saj në vitin 1988, LD në MZ-ja, natyrisht edhe unë, ka qenë kundër formimit të Ministrisë të ati formati, sepse e kemi ditur mire se çështja e popullit shqiptarë në Mal të Zi nuk mund të zgjidhet me një ministri të politizuar dhe kemi kërkuar që çështja e shqiptarëve duhet të zgjidhet vetëm më Kushtetutën e shtetit të Malit të Zi. Dhe sot e kësaj dite, me bindje të plotë them se zgjidhja e qëndrueshme e të drejtave dhe lirive të shqiptarëve në Mal të Zi duhet të zgjidhen vetëm me Kushtetutë, të gjitha zgjidhjet tjera janë të paqendrueshme. Zatën, a nuk patëm 4 deputet në parlamentin e Malit të Zi, bile në dy formate të sistemit zgjedhor!? E sot? Kemi gjysmen e atyre e përkëte u kujdesën bashkarisht pushtetëmbajtësit 30 vjeçar dhe pushtetarët që do të vijnë nesër.Nuk mund të thuhet se në sferen e të drejtave kombëtare nuk ka pasur edhe ndonjë arritje. Megjithate, duhet kujtuar se sot përseri pas 30 viteve vendet shqiptare sërish janë vende ekonomikisht më të pazhvilluara në republikë; sot shqiptarët në sferën e punësimit në administratën publike nuk janë të përfaqësuar as përsëafërmi me pjesëmarrjen e tyre në numrin e përgjithshën të popullsisë; sot brezi i të mirave detare është aty ku ka qenë në vitin 1994, përkundër se përfaqësuesi i “Listës Shqiptare” zotëron një ndër vendet udhëheqëse në strukturat e “ Të Mirave ( të këqijave) Detare”; funksionimi i pushtetit lokal  bazohet në centralizimin e udhëheqjes i theksuar më shumë se në komunizëm, për të mos përmendur këtu Valdanosin, K-1 e K-2 e shumë të tjera. Për këtë arsye nuk duhet të brengosemi edhe aq shumë për distancen eventuale me qeverinë, pasi edhe ashtu kemi qenë të distancuar. Sigurisht se kjo gjendje është e dhimbshme për çdo shqiptar, prandaj shtrohet pyetja se a duhet shqiptarët të marrin pjesë në qeverinë e re apo duhet “ t’i majnë jasin partisë-pushtet që po shkon” ? Të jemi në krahun e asaj partie që për 30 vite nuk i realizoi të gjitha ato kërkesa të cilat “Lista Shqiptare” ia vuri si kusht mandatorit për krijimin e qeverisë së re, e thuhet se i pranoi, e të presish që qeveria e re t’i realizojë me shpejtësi dhe për këtë arsye ose ndonjë arsye tjetër që për momentin nuk na pelqen, most të bëhëmi pjesë e qeverisë, nuk është reale-pragmatike e as fitimprurëse për kombin shqiptar në Mal të Zi. Kërkesat tona, vlerësimet, qendrimet  dhe vendosja duhet të jenë pragmatike e fitimprurëse për një zhvillim të qëndrueshëm politiko-ekonomik të shqiptarëve. Përndryshe, nese bëhëmi rob i koncepteve të “dashurisë së parë” do të krijojmë një distancë edhe më të madhe dhe rrjedhimisht përmirësimi i pozitës së shqiptarëve do të jetë më i ngadalshëm se të arriturat në segmenti 0-142 (vjet)!.

As kush nga shqiptarët, besoj, nuk mund të pajtohet  me konceptet politike të Frontit dhe qendrimet e mandatorit për disa çështje kontradiktore me qellimet tona kombëtare, as për qendrimin ndaj Kosovës e as për NATO-n, por, sigurisht as për celebrimin fetar të institucioneve publike shtetërore të cilat shkojnë drejtë eleminimit të shtetit laik e këthimit të shtetit me fe kryesore orthodoksizmin, ashtu si ishte edhe në shtetin e Krajl Nikollës.Ne shqiptarët nuk jemi as ortodoksë, as katolikë e as myslimanë, jemi vetëm shqiptarë. Unë mendoj se shqiptarët duhet të mendojnë për veten e tyre, për zhvillimin ekonomik, kulturor e arsimor. Shqiptarët nuk duhet të jenë shumë të interesuar për udhëheqjen e politikës malazeze, këtë tju lëmë atyre, ne duhet të kujdesemi për politikën tone, për politikën tonë kombëtare, për zhvillimin tonë. Shqiptarët duhet të jenë në qeveri pa marrë parasysh kush shkon e kush vjen për të parashtruar e mbrojtur interest tona zhvillimore. Ka shumë raste në Evropë, edhe më gjerë, kur qeveritë konstituohen nga përbërës të ndryshëm konceptualë, bile shumë kontradiktorë, ka rste edhe kur pjesëmarrja e pakicave kombëtare është kusht për formimin e qeverisë. Dhe mbi këto praktika duhet ndërtuar edhe të ardhmen tone politike në Mal të Zi. Mu për këtë është e nevojshme të jemi pjesëmarrës në qeveri, jo pjesëmarrës për t’i bërë dikujt shumicën apo për t’i mbajtur anën, por për realizimin e të drejtave tona. Sa do që të jetë vështirë të hyhet në qeveri aq më lehtë është të dalësh në momentin kur “ s’e banë barra qeranë” pasi tani kemi vetëm një zgjidhje.Por te kemi zgjidhje tjetër, sigurisht kjo zgjidhje nuk do të preferohej nga askush do të shkonim, ndoshta, të “dashuria e parë” anipse deri dje, shumica, thonin “edhe me dreqin por jo me këta, na mërziten 30 vjet…”

Është koha të reflektojmë, të mëndojmë disi ndryshe, të mendojmë për vehten tone, sepse edhe të tjerët, gjatë gjithë historisë, kanë menduar për vete. Është koha për t’i lënë mënjëanë interest personale, mëritë e të gjitha energjitë e shprehura negative me vite. Duhet t’i bashkërendojmë qëndrimet dhe vendimet tona, sepse historia na ka mësuar se kur jemi të përçarë mund të pësojmë edhe me keq.Mos të mbajmë zi për të kaluarën, të shiqojmë të ardhmën.             

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top