Tuesday , September 25 2018
Lajmi i fundit

Hajrullah Hajdari: ZGJEDHJET PARLAMENTARE DHE SHQIPTARËT NË MAL TË ZI

Hajrullah Hajdari Mali i Zi është rast i rrallë i sistemit shumëpartiak, mbase edhe i veçantë, i cili udhëheqet nga një parti dominuese nga hyrja në fuqi e shumëpartiaksisë deri me sot. Ka raste ku një parti politike ka dominuar dhe ka udhëhequr shtetin një kohë të gjatë ( Suedija, Meksika, Japonija…), por nuk ka shembull të tillë që në shtetet realsocialiste të Europës Juglindore, që një parti politike ( e dalë nga Partia komuniste e Jugosllavisë) të ketë qëndruar në pushtet pa ndërprerje deri më sot.

Gjatë këtyre viteteve Mali i Zi ka përballuar disa sfida të rëndësishme, së pari vitet e luftrave dhe si pasojë shpërbërja e Jugosllavisë, zgjidhja e statusit shtetëror e së fundmi çështja e indentitetit shtetëror dhe kombëtar e qytetarëve të saj. Si duket të gjitha këto kanë ndikuar që partia-shtet PDS ( DPS ) të qëndrojë kaq gjatë në krye të shtetit dhe rrjedhimisht të vendos vehten mbi istitucionet shtetërore,  ndërkaq gjatë gjithë këtyre viteve  opozita në Mal të Zi, nuk ka arritur  t’i ofrojë qytetarëve, nëpërmes programeve transformuese apo në ndonjë mënyrë tjetër, program bindës e konkurent, për një zhvillim ekonomik më të mirë. Opozita po ashtu nuk ka paraqitur asnjë program për barazinë dhe avancimin e të drejtave dhe lirive të popujve pakicë në Mal të Zi. Të gjitha këto dhe ndoshta mëngësit organizative kanë ndikuar që PDS të jetë kaq gjatë në pushtet dhe kështu në  Mal të Zi vazhdon akoma sistemi njëpartiak i sundimit.

Në këto rrethana politike shqiptarët në Mal të Zi, që nga ditet e para të shumëpartiaksisë kanë marrë pjesë në të gjitha zgjedhjet parlamentare, herë si subjekte të veçanta politike e herë herë edhe si koalicione duke theksuar se në 10 zgjedhjet e mbajtura kanë marrë pjesë 10 subjekte politike shqiptare.

Këto ditë, në lidhje me zgjedhjet e radhës parlamentare,  po ndëgjohen zëra të ndryshme, qoftë nga njerëz të  politikës apo  nga intelektual të tjerë. Disa, sidomos ato që janë në koalicion me strukturat udhëheqëse të shtetit dhe partinë shtet pretendojnë, pa analizuar dhe studiuar mirë sistemin zgjedhor, se në grupin e ardhshëm punues të Kuvendit të Malit të Zi,  për ndryshimet në infrastrukturën zgjedhore  shqiptarët duhet të kërkojnë kthimin e nënzonës së veçantë zgjedhore  dhe aplikimin e “ të drejtave të arritura”  i cili parim shqiptarëve do ju sillte përsëri  së paku 4 deputet në parlament.Ide, më shumë për të arsyetuar

vehten, se sa e mirëmenduar dhe e qendrueshme.

Për të analizuar parimin e “ të drejtave të arritura” është e nevojshme të bëhet një vështrim retrospektiv i sistemit zgjedhor e sidomos analizën e asaj pjesë të infrastruktures ligjore që bënë fjalë për mënyrën e realizimit të të drejtës të pjesëmarrjes dhe përfaqësimit të shqiptarëve në parlamentin malazez.

Nëse do të analizonim kornizën ligjore në të gjitha zgjedhjet e deritanishme mund të konstatojmë se ligjvënësi ka preferuar që Mali i Zi të jetë një njësi zgjedhore me përjashtim të zgjedhjeve të para parlementare, kur njësia territoriale përfaqësonte edhe njësin zgjedhore, pra kishte 20 njësi zgjedhore dhe në zgjedhjet e treta më 1996, kur Mali i Zi u nda në 14 nësi zgjedhore. Pyetja që duhet të jenë në fokusin  e shqiptarëve dhe e cila duhet shtruar, është se sa është në gjendje sistemi aktul zgjedhor ( dhe ai partiak) të jetë, në përgjithësi, nxitës i zhvillimit të brëndshem demokratik, cilat janë përspektivat  e mëtejshme të përfaqësimit adekuat të shqiptarëve dhe sa është i qendrueshëm qoftë edhe rikthimi i parimit i “ të drejtave të arritura” kur dihet se në momentin kur shqiptarët po vazhdonin të kishin 4 ulëse në parlament dhe po  mendohej se kjo metodë, të cilën disa e quanin “diskriminim pozitiv”, do të jetë e qëndrueshme, pozita dhe opozita u bashkuan dhe pa pëlqimin e shqiptarëve ( deputetëve dhe partive politike) aprovuan ndryshimet në ligjin zgjedhor i cili po funksionon dhe është në fuqi e në bazë të cilit shqiptarët maksimalisht mund të kenë 3 ulëse në kuvend ose 1, si në thirjen aktuale të parlamentit, me mundësi teorike që mos të fitojnë edhe asnjë ulëse në parlament.  Jam plotësisht i bindur se kjo zgjidhje ligjore është kulmi i diskriminimit dhe në kundërshtim të plotë të nenit 5 të Ligjit mbi të drejtat dhe liritë e popujve pakicë i cili garanton se krahas të drejtave të parapara me aktet ndërkombëtare të pranuara dhe të ratifikuara u sigurohet të drejta të plota të cila nuk mund të jenë më pak se të arriturat. E drejta e arritur e përfaqësimit të shqiptarëve ishte 4 deputet të dale nga listat zgjedhore të partive politike shqiptare.

Tabela në vijim më së miri tregon qëndrueshmërin e sistemit zgjedhor në Mal të Zi.

 

Zgjedhjet

viti

Nr. I deputetëve Nr. I njësive zgjedhore Cenzusi

    %

Formula zgjedhore Nr. I deputetëve shqiptarë Vërejtje
E para-1990 125 20 4 D’Hontdt 4 Në koalicion me PVD
E dyta – 1992 85   1 4 –             
E treta -1996 85 14 4 4 3 Ul, 1 PG
E Katërta-1998 73( 5)* 1 3   4 Nënëzona shqiptare
E pesta-2001 77 ( 5 ) 1 3   2
E gjashta -2002 81 ( 4 ) 1 3   2
E shtata – 2006 81 ( 5 ) 1 3   2
E teta – 2009 81 ( 5 ) 1 3   4
E nënta – 2012 81 1 3

0.7 pakicat

  2 Max 3

Min 0

E dhjeta – 2016 81 1 3

0.7 pakicat

  1

 

Ndërkaq nëse analizojmë organizimin dhe mirëvajtjen e zgjedhjeve në periudhën kohore 1990-2016, bazuar edhe në raportet e vezhguesëve dhe institucionëve ndërkombëtare , është e qartë se ato, në shumicën e rasteve, nuk ishin të lira, fer dhe demokratike pasi partia- shtet me keqpërdorimin e resurseve shtetërore e nga njëherë edhe me blerjen e votes kanë ndikuar dukshëm në orientimin e lire të votes në shkëmbim të interesave personale të përsonave dhe partive të caktuara politike  e veçanarisht kjo ishte e theksuar të pjestarët e pakicave në Mal të Zi.

Pra, edhe në rastin më të mirë, edhe nëse ligjvënësi do të pranojë për momentin rikthimin e “ të drejtave të arritura” a duhet shqiptarët në Mal të Zi të jenë të knaqur dhe të besojnë në një zgjidhje të përhershme ? A duhet të besojnë kur dihet se në dhjetë zgjedhjet e mbajtura 5 herë janë bërë ndërhyrje në ligjin zgjedhor vetëm për të rregullar, kinëse, çështjen e përfaqësimit të drejtë të shqiptarëve !?. A duhet shqiptarët në Mal të Zi të vetëknaqen me mëshirën e sovranit, edhe kur ai kryesisht jep më pak se u takon, edhe në momentin kur Mali i Zi po shkon drejtë Europës e atje sigurisht do të shfrytëzojmë vetëm ato qe atje kemi çuar !? A duhet shqiptarët në Mal të Zi të mendojnë për të ardhmen, për avancimin e të drejtave dhe lireve në të gjitha sferat e jetës, në rastin konkret për avansimit e të drejtës së përfaqësimit, aq më tepër kur tani më shqiptarët e viseve tjera të ish Jugosllavisë po bëjnë përpjekje për rregullimin e statusit të tyre final ? Për të gjitha këto dhe ndonjë arsye tjetër të papërmendur përfaqësuesit shqiptarë, sadopak që janë, në institucionet ligjvënëse e ligjzbatuese si dhe partite politike shqiptare duhet të angazhohen më  shumë e me vendosmëri të madhe , të përdorin të gjitha veprimet e nevojshme demokratike të lejuara, deri në pandegjueshmëri. Është aksiomë juridike parimi “ Ai që shfrytëzon të drejtën e tij, nuk i sjell askujt padrejtësi ( Qui iure sue ititur, nemin facit iniram) si dhe “ gjithçka mund të degjenerohet nëse nuk përparon” Ndaj përfaqësues shqiptarë në institucione shtetërore e partiake shqiptare zgjohuni nga “ rahatija” e siguruar në kolltuqet lakmuese që po i mbani , eshtë koha për reflektim dhe veprim serioz.

 

Duke u nisur nga përvoja ime zgjedhore dhe njohja e sistemit zgjedhor në Mal të Zi dhe në shtetet e rajonit, sidomos të atyre shteteve multinacionale, të dala nga sistemi monist, mendoi se duhet të lançohet ideja e përfaqësimit të qëndrueshëm të shqiptarëve në Mal të Zi. Meqenëse e drejta komperative shumë herë paraqitet si  burim juridik, andaj, unë, zgjidhjen e problemit të përfaqësimit të shqiptarëve e shohë në të njëjtën mënyrë si edhe në shtetet e rajonit. Kjo do të thotë që mënyra e të drejtës së përfaqësimit të shqiptarëve të përcaktohet më Kushtetutën e Malit të Zi dhe në këte mënyrë të eliminohet mundësia e veprimit të vullnetit të partisë në pushtet, sipas rastit dhe interesit momental të saj. Në favor të propozimit tim po jap 2 shembuj konkret të përfaqësimit të pakicave në Kroaci dhe Kosovë.

Në Kroaci, në nenin 15 të Ligjit Kushtetues thuhet. “ Përfaqësuesëve të pakicave kombëtare, përveç të drejtës së përgjithshme zgjedhore, me ligj mundet t’u sigurohet e drejta e veçantë për të zgjedhur përfaqësuesin e vetë në kuvendin e Kroacisë”  e cila e drejtë është sanksionuar në neni 17 të Ligjit zgjedhor i cili përcakton: “ Përfaqësuesit e kombësisë serbe zgjedhin 3 deputet në Kuvendin e Kroacisë, në pajtim me Ligjin kushtetues për pakicat nacionale. Përfaqësuesit e nacionaliteteve tjera zgjedhin 5 deputet” .

Ndërsa, në nenin 64 të Kushtetutës së Kosovës është paraparë që nga 120 deputet 20 % e tyre janë të garantuara për përfaqësimin e komunitetëve që nuk janë shumicë në Kosovë. Kjo zgjidhje krejtësisht bartet në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës. Sipas Ligjit dhe Kushtetutës 10 vende në Kuvendin e Kosovës janë të garantuara për serbet, nëse numri i mandatëve të fituara është më i vogël se 10 e kështu me radhë për komunitetet e tjera deri në numrin 20. 

Kushtetuta aktuale e Malit të Zi, në kapitullin “ Të drejtat e veçanta të pjestarëve të pakicave nacionale dhe etnike” në neni 73 thekson: Pjestarëve të të gupeve nacionale dhe etnike u sigurohet e drejta e përfaqësimit proporcional në sektorin publik, organet e pushtetit shtetëror  dhe vetëqeverisjes lokale” . Mendoj se kjo normë kushtetuese duhet të ketë karaker imperativ dhe të aplikohet në Ligjin zgjedhor. Përfundimisht jam i bindur se kjo normë me modifikim modest mund të japë zgjidhje përfaqësimit autentik të shqiptarëve në Mal të Zi, bazuar edhe në zgjidhjet e ngjajshme në rajon.

U takon partive politike shqiptare që të angazhohen për një zgjidhje të qëndrueshme të parfaqësimit në institucionet ligjëvense e ligjzbatuese. S’ka dyshim se kjo mund të arrihet vetëm me normë kushtetuese e jo vetëm ligjore, pasi përvoja 28 vjeçare na ka treguar se e drejta e jonë e përfaqësimit me ligj ishte dhe është në duart e partive në pushtet dhe interesave të sajë.

       

    

 

 

 

 

 

 

 

 

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top