Thursday , April 26 2018
Lajmi i fundit

HAMAMI NË ULQIN

Hamami ishte te Xhamia e Pashës. E ndërtoi, me siguri, rreth vitit 1743 Jusuf pasha i Shkodrës, në afërsi të shtëpisë së vet. U ndërtua në formën e një xhamie të thjeshtë, me kube qendrore, e rrethuar me disa kupola të vogla. Në hamam kishte disa hapësira të vogla në të cilat vizitorët përgatiteshin për larje dhe pushonin pas larjes. Hapësira më e madhe ishte mejdani, e mbuluar me kupolë, nga e cila është hyrë në hapësirat tjera të vogla, po ashtu të mbuluara me kupola. Në dhomat për larje gjendeshin lugjet në të cilët rridhte uji i nxehtë dhe i ftohtë nga muret. Drita në këto hapësira depërtonte përmes syzeve në kupola, andaj dhe të gjithë ata që vizitonin hamamin thoshin se hamami ishte “një ndërtesë e mrekullueshme me shumë dritë”. Pas dhomës për larje, gjendej rezervuari me ujë të ngrohtë.

Pas larjes njerëzit pushonin dhe pinin kafe. Në afërsi gjendej një rrap i mrekullueshëm, nën hijen e të cilit ulqinakët pushonin, bisedonin dhe thithnin çibukët e tyre të gjatë.

Ishin ditët dhe orët e caktuara kur hamamin e përdornin meshkujt, gjegjësisht gratë. Në ditët kur hamamin e shfrytëzonin vetëm gratë, ata varnin rrobat mbi derën hyrëse si paralajmërim meshkujve që mos të afrohen. Meshkujt në orët e mëngjesit shkonin në hamam, ndërsa pas larjes – në punë. Gratë zakonisht më parë përfundonin me punët e shtëpisë, dhe më pastaj shkonin për t’u larë. Meshkujt shkonin në mënyrë individuale në hamam, ndërsa gratë zakonisht të shoqëruara nga disa gra të tjera.

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top