Wednesday , July 18 2018
Lajmi i fundit

I.Kallaba: KOMUNA E ULQINIT INJORON KRIJUESIT E ARTIT, KULTURËS DHE SHKENCËS

Ismet KallabaTanimë është bërë traditë që Komuna e Ulqinit në fund të çdo viti të dekorojë me mirënjohje dhe të shpërblejë nxënësit më të mirë të shkollave të qytetit, policët, zjarrfikësit dhe punonjësit shëndetësorë më të mirë, individët dhe klubet më të mira sportive e deri tek sportistët e rinj më me perspektivë. Kjo përbën satisfaksion dhe nxitje për punën e tyre në të ardhmen. Sportistët nuk përfaqësojnë vetëm veten, por edhe klubin dhe qytetin e tyre.

Duke përgëzuar këtë akt, më tepër simbolik, nuk ka se si të mos vërej se kjo ceremoni është shndërruar tashmë në diçka rutinë pasi që disa individë nga fusha e sportit dekorohen pothuajse për çdo vit pasi që propozimi bëhet nga vetë klubet e tyre. Nga ana tjetër, dekorohen persona që janë të paguar për të kryer punën e tyre.

Por ka edhe mjaft fusha të tjera, ku qytetarët e Ulqinit kontribuojnë në të mirë të qytetit të tyre, siç janë arti, kultura, shkenca etj. Por kjo shtresë, si duket, është harruar nga Komuna e Ulqinit. Një përvojë e keqe, gjithsesi, që përsëritet vit pas viti.

Shkenca, arti dhe kultura janë tregues të nivelit të emanicipimit të një shoqërie. Injorimi i artistëve, njerëzve të kulturës dhe të shkencës është dëshmi e mos respektit ndaj kësaj shtrese të popullsisë që janë në avantgardë të ecjes përpara të çdo populli, vendi apo qyteti.

Por në një qytet të vdekur shpirtërisht si Ulqini, ku materializmi dominon mbi çdo gjë tjetër, nuk të çudit ky nënçmim dhe injorim. Betonizimi real i qytetit ka ngrirë edhe kokat e qeveritarëve lokalë.

Të ndodhur në një tryezë në koktejin e fundvitit, të organizuar nga Komuna e Ulqinit, dikush do të vërente se në një tavolinë bashkë ndodheshin autorët e rreth 50-60 librave. Një tregues domethënës për punën dhe kontributin e një pjese të këtij komuniteti.

Njerëzit e shkencës, kulturës dhe artit, në parim, janë të qetë dhe nuk dinë të imponohen. Ata nuk janë konformistë, por vëzhgues realë të fenomeneve. Ata nuk kanë nevojë për lëmoshë, por vetëm për respekt sepse vlerësimi më i mirë për ta janë veprat. (Koha javore)

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top