Tuesday , November 13 2018
Lajmi i fundit

I.Karamanaga: “Art – Clubi” dhe Ibrahim BERJASHI

 

Ibro (1)Më 19 qershor 2018, në sallën e Galerisë së Arteve të Qendrës për Kulturë, Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” nga Ulqini organizoi një mbrëmje solemne të dedikuar njërit prej intelektualëve më të dalluar të kulturës, doajenit të gazetarisë, poetit, moderatorit dhe krijuesit, i cili mbi 50 vite është i pranishëm në kulturën e qytetit tonë, z. Ibrahim Berjashit.
Si publicist, poet, shkrimtar, gazetar, moderator, krijues dhe autor i teksteve të disa këngëve popullore dhe njëri ndër themeluesit e “Art Club”-it, Ibrahim Berjashi pa dyshim ka lënë gjurmë të pashlyera në kulturën tonë.

Prandaj një respekt i veçantë, një mendim modest edhe nga unë, por nga zemra.
Ibrahimi Berjashi ka marrë pjesë në shumë takime me personazhe të njohura nga kultura dhe politika anembanë tokave shqiptare. Ishte i pari korrespodent i gazetës “Rilindja” nga Ulqini, por në veçanti aftësitë e veta i ka treguar si moderator dhe gazetar në Televizionin “Teuta”.
Si albanolog i dalluar, në TV “Teuta” ai ka pasur edhe një rol të madh, në veçanti në fillimet e tij. Redaktor gjuhësor dhe lektor i teksteve, shpalljeve dhe shumë gjërave të tjera e një televizioni të parë në Malin e Zi në gjuhën shqipe. Prandaj, roli i Ibrahim Berjashit është i veçantë në kulturën tonë.

Të gjithë folësit kanë theksuar vetitë pozitive të këtij intelektualit të palodhur, të rrallë.
Edhe unë në fjalën time kam evokuar disa kujtime të shkurtra mbi Ibrahimin, nga i cili kam mësuar shumë, në veçanti nga shumë intervista në TV “Teuta”, ku isha bashkëbisedues i tij.
Në pyetjet e tij për intervista në televizion iu kanë nxjerrë esencën e temës, atë se çka është dashur të theksoni. Ajo është një mjeshtri të cilën e ka pasur Ibrahimi. Gjithashtu edhe shumë politikanë pa përvojë të madhe, në intervista në TV “Teuta”, në tryeza të rrumbullakëta kanë mësuar shumë nga ky moderator i palodhur.

Në këtë mbrëmje solemne, në veçanti për mua inspirativ ishte këngëtari i mirënjohur Shaban Gjeka, i cili na befasoi me sharmin, këngën dhe muzikën e tij, por edhe me disa të dhëna mbi këngët të cilat i ka shkruar Ibrahim Berjashi për repertorin e tij.

Dhe në fund të këtij shkrimi të shkurtër, dedikuar këtij zotëriu me një pedigre të veçantë të lindur, me gjene të forta të trashëguara nga të parët e tij, Ibrahim Berjashit në këtë mbrëmje i dhurova librin tim të fundit “Ulqini florini – Portrete, In memoriame”, me një qëllim të qartë.
Po e perifrazoj Ismet Kallabën, lektorin e librit tim, i cili thotë se sintagma “Ulqini Florini” “gjithmonë është përdorur për të treguar bukuritë natyrore të qytetit tonë” të bukur të Ulqinit. Mirëpo, për mua “florinjtë” janë edhe personalitetet të cilët e bëjnë këtë qytet edhe më të bukur.
Njëri nga ata, pa dyshim është edhe z. Ibrahim Berjashi.

I dëshiroj jetë të gjatë dhe inshallah 80-vjetorin e lindjes dhe krijimtarisë edhe më të suksesshme ta festojmë, dashtë Zoti së bashku në Kala, në Skenën Verore, brenda mureve të Kalasë, ku e ka vendin kultura dhe Ibrahimi, i cili ishte moderator shumë herë në Sheshin më të bukur në Mesdhe.

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top