Saturday , December 16 2017
Lajmi i fundit

I.Karamanaga: KAPEDAN MUZAVID BILALI

 

MuzavidiDuke folur me të, keni çfarë të dëgjoni dhe mësoni. Nuk flet shumë, por flet me fakte për gjërat që i ka përjetuar në det. Flet për ekuipazhin, portet e mëdha, anijet me të cilat ka lundruar. Në det ka qenë trim dhe i vendosur, një njeri i cili ka pasur autoritet të veçantë. Bile edhe konstruksioni i trupit të tij, pamja fizike, fytyra dhe shikimi edhe sot në moshën 75-vjeçare lënë mbresa të veçanta.

Detaria ulqinake ka historik shumë të pasur. Kjo bazohet në shumë dokumente, ku bëhet fjalë lidhur me flotën tregtare, e cila gjatë shekujsh e bëri Ulqinin të njohur nëpër shumë limane dhe dete të Adriatikut, Jonit, Mesdheut dhe më gjerë në oqeane, në tërë rruzullin tokësor.
Kjo traditë e detarisë ulqinake është trashëguar nga të parët tanë edhe më vonë. Në fillim të viteve ’60 të shekullit të kaluar, famën e të parëve tanë e kanë vazhduar kapedanë të njohur, disa prej të cilëve ende sot lundrojnë ose janë në pension. Kështu që edhe koha moderne është e pasur me detarë dhe kapedanë ulqinakë.
Edhe më parë kam shkruar për shumë nga këta detarë dhe kapedanë, pasi që ata kanë lënë dhe vazhdojnë të lënë gjurmë të pashlyera në trashëgiminë detare, kulturën dhe jetën tonë. E kemi për detyrë që t’i përmendim dhe të shkruajmë për ta, në mënyrë që të mbesin të shënuar për gjeneratat e ardhshme.
Ulqini ka pasur gjithmonë shumë kapedanë dhe detarë ”të fortë”, kapedanë me nam siç ka qenë i ndjeri Shaqir Peku apo siç janë sot Maksud Tivari dhe Muzavid Bilali, i cili tashmë është në pension. Pa dyshim se këta tre kapedanë janë në majën e piramidës së detarisë ulqinake, si kapedanë dhe komandantë të vërtetë, të shkolluar dhe të arsimuar në institucionet më të larta në kohën e ish-Jugosllavisë. Ata janë krenaria e qytetit tonë – Ulqinit dhe emrat e tyre janë të shkruar me shkronja të arta në historikun e detarisë sonë, që nga mesi i shekullit të kaluar e deri më sot. Prandaj, një shkrim të veçantë pa dyshim që e meriton kapedan Muzavid Bilali.
Ai është një figurë interesante e qytetit tonë. Ka lindur në vitin 1942 në Mëhallën e Re në Ulqin, dhe shumë nga të parët e tij kanë qenë të pasur, tregtarë, por edhe detarë. Ky fis i njohur, në pronësi të vet ka pasur barka, më e njohura “Mashalla Bilali”, dhe ullishtë, prej të cilës jemi shkolluar shumë nga ne.
Por shumë qytetarë të Ulqinit nuk kanë njohuri se Bilalët kanë qenë edhe detarë me nam, gjeni “i fortë” i të cilëve është trashëguar tek shumë pjesëtarë të këtij fisi.
Nga ky fis i njohur i Ulqinit ka shumë familje që jetojnë në Shkodër dhe Durrës, të cilët janë larguar nga Ulqini pas Kongresit të Berlinit. Në Durrës kanë gjetur strehim dhe mikpritje afro 100 familje ulqinake. Tradita detare i ka lidhur shumë fort dhe ulqinakët kurrë nuk e kanë harruar këtë mikpritje.
Babai i Muzavidit, i ndjeri Qazim Bilali, gjithashtu ka pasur ullishtë dhe ka jetuar në Mëhallën e Re. Mirëpo, në krahasim me të tjerët nga ky fis, ai ka qenë një vizionar i veçantë. Nga Mëhalla e Re vendos të shpërngulet dhe blen shtëpinë në Ranë, ku fillon edhe një histori e veçantë e këtij vizionari të rrallë. Kështu edhe Muzavidi i afrohet detit dhe ëndrrës së tij që një ditë të barkohet në det. Pamja në det dhe në horizontin e largët, anijet e mëdha që për çdo ditë kalojnë atypari, kanë zgjuar edhe gjenin detar të Bilalëve, më së tepërmi te Muzavidi, i cili ka qenë edhe më i madhi nga fëmijët.
Edhe diçka për këtë vizionar. Në kohën e zhvillimit të turizmit, shtëpitë e djemve të Qazimit fitojnë pamje tjetër në kohën e sotme, duke u bërë shtëpitë më atraktive për turizmin masovik i cili sundon sot tek ne. Mjafton ta hidhni shikimin në vendin ku gjenden këto shtëpi, me pamje në det, në Plazhin e Vogël, në Kala, dhe ta kuptoni vizionin e të ndjerit Qazim Bilali.
Muzavidi ka filluar punë si kadet në vitin 1962, në “Jugoceanija” nga Kotorri, kompaninë më të madhe detare në Malin e Zi. Pas përfundimit të Akademisë bëhet kapedan i lundrimeve të gjata në kompaninë “Prekookeanska plovidba“ nga Tivari. Ndërsa në vitin 1973 arrin të bëhet komandant i një anijeje tejoqeanike.
Si komandant emërohet në Shangaj të Kinës, një ndër portet dhe qytetet më të mëdha në botë, pasi që kompania malazeze bleu një anije të madhe tejoqeanike dhe për ta sjellë anijen në Jugosllavi caktohet kapedan Muzavid Bilali.
“Një nder, por edhe një përgjegjësi e madhe për mua“, i kujtohet kapedan Muzavidit, duke biseduar në kafenenë ”te Fredi“në Ranë.
“Kam lundruar në tërë detet dhe oqeanet e botës”, shprehet ai.
Duke folur me të, keni çfarë të dëgjoni dhe mësoni. Nuk flet shumë, por flet me fakte për gjërat që i ka përjetuar në det. Flet për ekuipazhin, portet e mëdha, anijet me të cilat ka lundruar. Në det ka qenë trim dhe i vendosur, një njeri i cili ka pasur autoritet të veçantë. Bile edhe konstruksioni i trupit të tij, pamja fizike, fytyra dhe shikimi edhe sot në moshën 75-vjeçare lënë mbresa të veçanta.
Mund ta imagjinoni një njeri, afër dy metra të gjatë, i cili rrallë qeshet, në uniformën e kapedanit?! Gjithmonë ka qenë i tillë dhe asnjëherë nuk ka pasur probleme me detarë dhe oficerë në anijen ku ai ka qenë kapedan, por edhe në përgjithësi me askënd tjetër.
Urdhrat dhe vendimet e tij janë respektuar gjithmonë, pasi që ato janë treguar të saktë dhe të rregullt. Vetëm kështu ka mundur të funksionojë jeta e përbashkët në një anije, me ekuipazh të përbërë prej konfesioneve, racave dhe kombësive të ndryshme. Pa dorën e fortë të komandantit, pa autoritetin e tij, nuk ka qenë e mundur të funksionojë jeta, puna dhe sigurimi i barkës, kargos dhe më në fund edhe jeta e të gjithëve.
Muzavidit i kujtohen shumë ndodhi dhe ngjarje të cilat i ka përjetuar në det, barka, porte dhe vende të ndyshme, çdokund ku ka lundruar. Nuk e ka zakon të lavdërohet se ka qenë kapedan i mirë, mirëpo, me insistimin tim, pasi që kam pasur informacion nga detarët tjerë ulqinakë, tregon se kur e ka pasur më vështirë, apo kur e ka treguar trimërinë dhe vendosmërinë e tij në det si komandant dhe si njeri që ka ditur të ndërhyjë në momentin e duhur dhe të shpëtojë më së pari ekuipazhin, pastaj barkën dhe kargon.
Në vitin 1976, në hyrje të portit Zebrugge afër Antverpenit në Belgjikë, ka ardhur deri te përplasja e anijeve. Hyrja dhe dalja bëhet gjithmonë nën kujdesin e “pilotëve”, që e kanë për detyrë t’i sjellin brenda ose jashtë në det. Mirëpo, moti i lig ka shkaktuar përplasjen.
“Anija ku unë kam qenë komandant ka pasur dëm në ‘bashin e saj’ dhe përplasja ka sjellë shqetësim dhe panik të madhe tek ekuipazhi, i cili është përgatitur për t’u hedhur në det. Mirëpo unë në moment e kam vlerësuar se nuk ka rrezik për ekuipazhin në anije, kurse kërcimi në det me rryma të forta do të ishte fatal dhe asnjëri nuk ka pasur shans të shpëtojë. Komanda ime me zë të fuqishëm në megafon: ‘ostani na brodu, nema skakanja’, ka shpëtuar jetën e të gjithëve. Pas incidentit kemi dalë në det dhe unë e kam vlerësuar se edhe ashtu mund të kthehemi në Jugosllavi”, rrëfen ngjarjen Muzavidi.
Për këtë akt trimërie dhe për vendosmërinë si komandant, ai është dekoruar me Medaljen e Artë “Plava vrpca” (Shiriti blu), dekoratën më të lartë në ish-Jugosllavi, me motivacion: “për shpëtimin e njerëzve dhe pronës në det”. Dekoratën e ka ndarë gazeta më e madhe ditore në atë kohë – “Vjesnik” e Zagrebit.
Për afro katër vjet ka naviguar për kompaninë italiane “Bogati”, e cila ka kontrolluar dhe transportuar “Mermerin” dhe që ka pasur në pronësi 63 anije të mëdha.
“Kështu ka qenë jeta e detarëve, në veçanti nëse keni qenë i njohur. Gjithmonë kompanitë e mëdha iu kanë kërkuar dhe ofruar kushte të mira. Por navigimi iu largon nga familja, jeni rrallë në shtëpi, iu dëshiron bashkëshortja, nuk i shihni fëmijët duke u rritur. Prandaj, ‘navigimi’ ka gjëra të bukura, por edhe të tjera”, shprehet ai.
Në vitin 1980, Myzavidi ka dalë në “tokë” dhe ka punuar për të njëjtën kompani si inspektor i nautikës afër 16 vjet. Ndërkohë edhe ka dhënë mësim si profesor në Shkollën e Mesme të Nautikës.
Mirëpo, edhe pas pensionimit nuk e kanë lënë “rehat”.
“Gjithmonë më kanë kërkuar që të ‘navigoj’. Bile disa herë kam qenë edhe kapedan dhe komandant në tragetin ‘Sv. Stefan’, i cili ka qenë më vonë e vetmja lidhje e Malit të Zi me Italinë. Ai ka bërë që shumë qytetarë të Malit të Zi të dalin për të parën herë jashtë shtetit, të bëjnë tregti, vizitojnë Italinë dhe vendet tjera, të shëtisin”, rrëfen Muzavidi.
Ai tregon se edhe më vonë, kur kjo kompani ka blerë anijen “Njegosh”, përsëri e kanë lutur që të shkojë ta sjellë prej Danimarkës në Mal të Zi.
Muzavid Bilali është krenar me jetën dhe punën e tij si detar dhe kapedan. Është i kënaqur edhe me fëmijët të cilët kanë trashëguar rrugën e tij, dëshmi se detaria do të vazhdojë brez pas brezi në këtë familjeje detare ulqinake. Djali i tij i madh, Urimi, është Oficer i parë në një anije të madhe, me aspirata që një ditë të bëhet kapedan, kurse djali i dytë Artani është inxhinier i elektronikës në sektorin teknik. Prandaj nuk është pa bazë thënia popullore se “gjaku nuk është ujë“.
Siç theksova edhe më lart, Ulqini ka pasur dhe ka detarë dhe kapedanë me nam, mirëpo njeriu nuk mund t’i përmendi të gjithë për shkaqe të shumta, më së pari për shkak të mungesës së dokumentacionit, sepse nuk mund të shkruajmë vetëm duke u bazuar në rrëfimet që kanë mbetur në popullatën tonë. Megjithatë, është mirë të shkruajmë për atë plejadë detarësh dhe kapedanësh, për këto figura markante, në mesin e të cilëve bën pjesë edhe Muzavid Bilali, i cili ndodhet në majën e kësaj piramide. Vetëm në këtë mënyrë u dalim borxh duke përkujtuar veprën dhe trashëgiminë tonë të lavdishme detare.
Z. Muzavid Bilali i dëshiroj shëndet, jetë të gjatë, të qetë dhe të bukur. Jam më se i sigurt se ai i meriton të gjitha.

 

Komento

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

Scroll To Top